Natyrisht, Berisha do të bjerë një ditë nga froni i kryeministrit. Po ashtu edhe PD nuk mund të jetë jet e mot në pushtet, dhe nga rotacioni i pashmangshëm, në pod do të ringrihet sërish PS.
Nga
Plator Nesturi*
A mund të shndërrohet në boomerang një parrullë politike që ka qenë flamuri i betejës për mijëra e mijëra ndjekës e simpatizantë? Prej gati një viti, aksioma e transparencës për zgjedhjet e 28 qershorit nga ana e opozitës, përmblidhej në shprehjen : Berisha, hap kutitë ose ik. Tashmë, ndërsa muajt rrodhën njëri pas tjetrit dhe betimet për ti shkuar deri në fund këtij qëllimi madhor po zëvendësohen me terma lakonikë për zgjidhje konsensuale, për shumëkënd nga populli i së majtës është e qartë se kryeministri Berisha do të qëndrojë ende në pushtet edhe pa hequr plumbçet e kutive të votimit. E pra, ndërsa nga ky angazhim janë konsumuar energji jo të pakta partiake dhe njerëzore, të cilat sipas gjasave do rezultojnë të shkuara dëm, afërmend nuk përjashtohet mundësia që opozitarët, pas kësaj beteje të gjatë, ti kërkojnë kryetarit aktual të PS-së: Rama, hap kutitë (siç premtove), ose largohu.
Dilemat në PS
Natyrisht, Berisha do të bjerë një ditë nga froni i kryeministrit. Po ashtu edhe PD nuk mund të jetë jet e mot në pushtet, dhe nga rotacioni i pashmangshëm, në pod do të ringrihet sërish PS. Problemi qëndron tjetër kund dhe pikërisht tek koha kur do të realizohet kalimi i opozitës në mazhorancë qeverisëse. Do të jetë e shpejtë, nga zgjedhje të parakohshme, pas mbarimit të mandatit aktual të së djathtës, apo kur? Çështja e këtij dueli të kahershëm PS- PD gjatë 20 vjetëve pluralizëm, merr karakter më emotiv në sytë e elektoratit të majtë e të strukturave socialiste, pasi përkundruall në sfond mbetet sërish e njëjta figurë, Sali Berisha, i cili për ta është simbol i politikës së vjetër, (apo më më drejt, i demokracisë arkaike të viteve 92-97). Për tu përballur me këtë sfidë, pas humbjes së pushtetit në vitin 2005, ata i besuan energjisë së treguar prej Edi Ramës, por tashmë një vit pas humbjes së zgjedhjeve të rradhës dhe inisiativave jo të suksesshme në këto muaj, besimi se data e skadimit të qeverisjes Berisha do të jetë e afërt, është mpakur. Ndaj është normale që brenda elektoratit të majtë të nisë të grejë krye dilema nëse vijimi i drejtimit të Ramës në krye të PS, e afron apo e shtyn në kohë rrëzimin e Berishës nga pushteti.
Pak rëndësi ka nëse ky sens dyshimi në masën e elektoratit mund të ketë aq forcë imponuese sa të detyrojë kryetarin aktual të hapë krahun, ( Rama i ka nën kontroll strukturat partiake dhe nga kjo anë nuk ndihet i rrezikuar tani për tani). Gjithësesi ky dyshim do të ishte një shkas i mjaftueshëm për humbjen e dinamizmit në anëtarësinë e thjeshtë e te simpatizantët në betejat e ardhshme elektorale, e bashkë me to edhe besimin në fitore. Dhe një ushtri që shkon në betejë pa optimizëm e besim në fitore, sado e madhe e histori të lavdishme të ketë pas, është e destinuar të dështojë.
Greva e urisë së deputetëve dhe aktivistëve socialistë në bulevardin Dëshmorët e Kombit si dhe protestat masive që u organizuan poshtë zyrës së kryeministrit Berisha, i dha një dozë adrenaline kauzës opozitare, por gjithësesi kaq ish e pamjaftueshme për të mbajtur gjallë shpresat e dhjetëra mijëra simpatizantëve e qytetarëve që mbushën sheshet ato ditë. Si për paradoks, u desh vetëm një telefonatë nga Brukseli, që çadrat të çmontoheshin brenda orës dhe greva e urisë të mbyllej. Ndërkohë kutitë e votimit nuk u hapën as pas darkës në restorant Crocodile, as pas 19 ditëve të grevës së urisë, ashtu siç nuk ishin hapur as pas gjashtë muajve bojkot parlamentar të deputetëve të PS-së. Kauza e transparencës mbi këtë platformë duket e pashpresë.
Ndërsa është në proces raundi i dytë i negociatave për kompromis midis dy kampeve politike të supervizuara nga strukturat e Brukselit, zgjidhja e ngërçit poltik gjithësesi nuk mund të mendohet se shkon në hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e tyre. Nenet e kodit aktual nuk e mundësojnë këtë gjë dhe një inisiativë për të aprovuar me konsensus një ligj me fuqi paravepruese për kutitë e zgjedhjeve të vitit të shkuar, vetëm mund ta komplikojë çdo votim në të ardhmen. Pa llogaritur faktin tjetër që dispozicioni i maxhorancës për një ligj të tillë special, është afërmend negativ. Marrja vetëm në shqyrtim e materialeve zgjedhore, kalimi i tyre për hetim në komisionin e posaçëm parlamentar, kohëzgjatja e punës së tij e shoqëruar dhe me debatet mbi këtë cështje, hartimi i dy raporteve të ndryshme nga anëtarët e tij të të dy kaheve, siç ka ndodhur rëndom, do të kërkojë muaj të tërë në dispozicion. Po ti shtojmë këtu edhe mundësinë e një kërkese për Komisionin e Venecias se si mund të marrë zgjidhje puna, atëherë koha e harxhuar shtyhet më tej. Për shqiptarët kjo periudhë do të jetë veç një spektakël vulgar mediatik ku si rezultat asgjë nuk ndryshon, ndërsa për qeverinë, të pashqetësuar në rrugëtimin e vet, çështja e kutive do mbetet një front dytësor me të cilën mban të angazhuar opozitën.
Dhe ja ku vijmë tek zgjedhjet e reja vendore. Vetëm atëherë mund të shihet sesa energji të çuara dëm do jenë harxhuar për mëse një vit e gjysëm për çështjen e kutive, kur në sfond do dalin të tjera kuti e vota për tu mbrojtur. Ndërkohë do të ish fatkeqësi nëse vetëm në atë kohë do të qartësohej se qeverisja e të djathtës ish më vulnerabël në të tjera pika nevralgjike, siç është kriza dhe problemet e zhvillimit ekonomik, çështje të korrupsionit dhe abuzivizmi me administratën publike të mbushur me militantë partiakë. Daljet e deritanishme të deputetëve të veçantë që prekin aspekte të këtyre plagëve me interferencë të gjerë në mbarsjen e opinionit publik, janë fare pak me rolin që duhet të luajë një opozitë që paraqitet pa strategji e pa strukturë të qartë.
A i duhet PS një tjetër lider i fortë
I ardhur në emër te mposhtjes së Berishës dhe bashkimit të së majtës, Edi Ramës iu krijuan të gjitha kushtet dhe hapësirat brenda selisë rozë që lojën për riardhjen në pushtet ta zhvillonte si të dëshironte. Aq i madh ishte ky mirëbesim sa edhe shumë ish bashkëpunëtorë të Fatos Nanos, e bën hasha ish kryeministrin e tyre, për hir të kryetarit të ri të PS. Rama fuqizoi pozicionin e tij, ristrukturoi strukturat sipas shijeve, vulosi listën e kandidatëve për deputetë sipas dëshirës së tij, shkërmoqi e u tall me rivalët brenda partisë, porse nuk arriti të kryejë atë për të cilën iu besua ky post. Të mposhte Berishën.
Padyshim Rama është shfaqur si lider, por për shqiptarët kjo staturë duhet të jetë e lidhur me imazhin e fituesit. Dhe socialistët po shqiptarë janë. Që nga periudha pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku si rezultat i humbjes së garës elektorale nisi të artikulohej dorëheqja e tij, cështja e parë që diskutohej qoftë edhe në formë hipotetike, ishte se kush mund të ishte zëvendësuesi dhe a mund ti plotësonin cilësitë e një lideri autoritar e që të ngjall besim. Figurat rivale të kryetarit të PS, Blushi dhe Malaj, apo dhe nga krahu i bashkëpunëtorëve të tij si Xhafa, nuk arritën të krijojnë një plotshmëri gjykimi në bashkësinë e socialistëve se mund të ishin titullarë të denjë për sfidat e të ardhmes. Kjo edhe pse ndërkohë shumë gjëra kishin ndryshuar në strukturat e partisë dhe vendimmarrja kish kaluar nga ajo kolegjiale në mënyrë më vertikale.
Sidoqoftë, megjithë kontrollin e rreptë të strukturave dhe të peshës aktuale që ka në PS, edhe Rama, ashtu si Berisha që do të lerë një ditë fronin e kryeministrit, po ashtu ai do të shtrëngohet dikur, me pahir a me dëshirë, të zbresë nga piedestali ku është ngritur. Çështja mbetet se kur, dhe a do të ketë fituar tjetër betejë ndërkohë. Ndaj dhe domosdpshmëria për zëvendësimin e tij do të lindë një ditë. Deri në atë kohë, e largët a e afërt ajo ditë, PS-së do ti duhet të vendosë jo vetëm për kandidatin e ardhshëm por dhe për modelin e liderit të ri të saj. A duhet gjetur pra një tjetër figurë e ngjashme apo mund të kalohet në një imazh të ri lideri, deri edhe tek drejtimi kolegjial për një periudhë të caktuar kohe?
Modele nga bota gjen plot, mjafton të rezultojë triumfues.
*Gazetar, Analist i mediave shqiptare