E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në këtë këndvështrim, “Pjesa” që qeveris sot, ka konsensus përtej vetes, gjë që është korrekte simbas parimeve të vendimmarrjes gjeopolitike. Çështja “Gylen” është më tepër një nervozizëm i politikës së brendshme turke dhe jo një lajthitje shqiptare.
Çmimi i Gjeopolitikës









Nga Artur Zheji

Të bësh politikë do të thotë të mbrosh interesa. Në përgjithësi interesat e një partie që fiton shumicën, ose kur koalicioni i saj fiton shumicën.

Interesat mund të mbiquhen edhe ideale, por në të vërtetë janë qëllime, qëllime për t’u mbërritur në emër të një grupi të caktuar interesi. Qoftë ky i madh apo i vogël.

Sepse termi “Parti” vjen nga latinishtja “Partitus”, që fjalorët e rrëfejnë si një grumbullim të njerëzve me interesa të ndryshme, nga e përgjithshmja.

Fjalori etimologjik nuk gabon. Partia është pra një “Pjesë” ose thjesht përfaqësimi i një pjese të popullit apo aristokracisë dhe kryetari i saj është, si rrjedhim, kryetari i një Pjese. Asgjë më tepër.

Në politikën e brendshme, kjo përlind dukurinë që “pjesët”, e pra partitë, të ndeshen me njëra- tjetrën për t’i fituar “zemrën popullit”, e pra të shkulin sa më shumë nga vëmendja dhe interesi i së “Tërës”, që t’i japë votën, që domethënë pëlqimin që kjo “Pjesë” ta përfaqësojë dhe të udhëheqë të “Tërën”, nëse shumica e pëlqimeve anon kryesisht nga njëra prej “Pjesëve” në garë.

Mirëpo kur kryetari i “Pjesës më të Madhe” të çastit, apo të koalicionit të tij të “pjesëve” (partive pra), që vërtet përfaqëson Shumicën, por jo të Tërën, merr apo kërkon të marrë një vendim gjeopolitik, që është një vendim afatgjatë në emër të të gjithëve, duhet që “Pëlqimi” të jetë sa më i gjerë.

Idealja do të ishte me konsensus.

Në vizitën e para dy ditëve të Presidentit turk, i cili mbërriti në Tiranë pa u tharë ende gjaku i të vrarëve të Kumanovës, pavarësisht nëse ishte apo nuk ishte kjo vizitë në ditarin e udhëtimeve të paracaktuara politike të Erdoganit, ishte një akt gjeopolitik rajonal i qartë. Përforcuar këtu edhe me deklaratat përkatëse në lidhje me Republikën Maqedonase.

Nga ana tjetër, mund të themi se ishte një akt gjeopolitik fare i prekshëm dhe i qartë prania në Paradën e Madhe Ushtarake Ruse e putiniane të 9 Majit, e kryeministrit grek Tsipras, e Presidentit maqedonas dhe trupave elitë të Serbisë, që parakaluan krah për krah me vëllezërit e tyre serbë.

Në të tria këto vende fqinje e të rëndësishme që na rrethojnë në Ballkan, të ngërthyera nga një krizë ekonomike e rëndë, ka filluar edhe një Krizë Identitare e Re. Dhe për të zgjidhur këtë Krizë shumëformëshme, Greqia e Tsiprasit, Serbia dhe Maqedonia nuk po e përjashtojnë aspak Flirtin Lindor me Rusinë e Re dhe të “Madhe” të Putinit. Duke cingërisur nervat e Brukselit, që sheh pas këtij dualiteti një mungesë të qartë besnikërie të qëndrueshme properëndimore të këtyre vendeve.

E thënë më shkurt, në këto vende ballkanike po fryjnë erëra të Moskës, që janë sot gjeopolitikisht, erëra të ftohta që përplasen në oborrin dhe dritaret e Brukselit.

Shqiptarët nuk ishin aty, në Moskë pra.

Edhe ky është një mesazh dhe një qëndrim gjeopolitik i qartë. Është një arsyetim logjik dhe kuptimplotë në rrugën e duhur të interesave të shumicës së shqiptarëve, që edhe kjo “Pjesë” që është sot në pushtet, si edhe “Pjesa” paraardhëse, përzgjodhi drejt.

Në këtë sfond, vizita e Erdogan, i cili edhe ai nuk ishte në Moskë, pavarësisht kursit të tij radikal islamist që mbetet shqetësues, pavarësisht qëndrimeve “atnore”, të cilat nuk kanë përse të na mallëngjejnë, gjithsesi mund të themi se vizita e tij është një veprim gjeopolitik, në të tërën e vet, i favorshëm.

Pavarësisht vërejtjeve, që edhe mund të qëndrojnë, askush nuk mund t’ua zbehë vlerën marrëdhënieve specifike të natyrës gjeopolitike shqiptaro-turke.

Një vlerë reale gjeopolitike, të shëndetshme për interesat e shqiptarëve në Ballkan. Kujdes, po flasim për interesa që lidhin dy vende anëtare të NATO-s, të cilat me të gjitha çështjet delikate në politikat e tyre të brendshme, janë qartazi të pozicionuara si properëndimore.

Mirëpo edhe ky veprim gjeopolitik mbështetës i Erdoganit e ka një çmim. Dhe jo një çmim të vogël, mund të thoshte dikush. Me dhe pa të drejtë.

Së pari ai, presidenti Erdogan, kërkon gjithmonë e më me ngulm, edhe përmes përdorimit të fjalës “Vlla”, edhe përmes vendosjes së tullës së parë në xhaminë e Namazgjasë, edhe në xhaminë e Prezës, priret të nënvizojë myslimanizmin e tij, në një Republikë multikonfesionale si Republika e Shqipërisë.

E pra, “Vllai” i madh turk dhe vllai i madh mysliman e vendos në tavolinë këtë çmim.

E dyta, i njëjti “Vlla” kërkon edhe një “favor” nga “vëllazëria” shqiptare. Çështjen “Gylen”.

Dhe “halli” nuk është i vogël. Katoliku Rama dhe bektashiu Meta për shembull, janë në origjinë dhe në kulturë tepër “laikë” dhe nuk duket se ndjejnë ndonjë përndezje fetare. Aq më tepër një përndezje fetare të natyrës orientale. Por edhe Opozita, e më saktë zoti Lulëzim Basha, përmes mosprononcimit të deritashëm, duket se miraton në heshtje çmimin gjeopolitik që është vendosur mbi tryezë.

Në këtë këndvështrim, “Pjesa” që qeveris sot, ka konsensus përtej vetes, gjë që është korrekte simbas parimeve të vendimmarrjes gjeopolitike. Çështja “Gylen” është më tepër një nervozizëm i politikës së brendshme turke dhe jo një lajthitje shqiptare.

Por, nëse duam të përsosim demokracinë e gjigantit të Anadollit dhe të vetërrëfehemi si një “Fanar Ndriçues” botëror i Parimeve Demokratike, ves i vjetër ky, pajë e një kohe kur në emër të “parimeve komuniste”, shqiptarët, përmes Enver Hoxhës, “parapëlqenin të hanin edhe bar, për të mos shkelur parimet e marksizëm-leninizmit”, Erdogan edhe mund të refuzohet.

Mirëpo çmimet që vendosen në peshoren e ftohtë të interesave gjeopolitike, vende shumë më të mëdha dhe shumë më të pasura e të fuqishme se ne, i shqyrtojnë me laps dhe makinë llogaritëse në dorë.

Fjalët romantike janë padyshim më tërheqëse. Ato prekin zemrat dhe ledhatojnë deliret.

Ndërsa qeverisja e interesave gjeopolitike kombëtare, është, në këtë rast aspak poetike dhe sharmante. Ajo është e ngjashme me një mjelëse të ngratë fshati. Duhet të sjellë sa më shumë qumësht në shtëpinë e të gjithëve, pavarësisht ku e merr barin dhe jonxhën që lypset.

Sepse qumështi i sotshëm është më i ushqyeshëm sesa bari i djeshëm. Edhe për kritikët më të rreptë, që në krizën e qumështit, për shkak të mungesës së jonxhës, përsëri do të thoshin se fajin e ka qeveria.

Me të drejtë, sigurisht. Nëse qeveria i dëgjon. (Mapo)

Publikuar: 19.05.2015 | 14:48
Lexuar: 787 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime