E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Miqtë tanë me ‘llambën e Diogjenit’ kërkojnë faktorët për të siguruar paqe të qëndrueshme, stabilitet politik, institucione të besueshme, sundim të ligjit, liri, barazi dhe prosperitet.
Fatmir Besimi: Mesazhe









Fatmir Besimi

Shtëpi të shembura, jetë të shuara dhe qytetarë të frikësuar! Ky ishte imazhi i fundjavës që lamë pas, pikërisht në ‘Ditën e Evropës’… Mesazhe ngushëllimi dhe shprehje të shqetësimit erdhën nga gjithë që duan paqen, stabilitet dhe prosperitet në vendin tonë SHBA, NATO, Bashkimi Evropian dhe vende tjera mike.

Të shqetësuar për kartolinat me skena trishtuese nga Kumanova, ata përçuan mesazhe të qarta për të stabilizuar gjendjen në vend. Mesazhet erdhën e po vijnë nga vende që ndërtuan paqen mbi tokën e përgjakur të tyre.

Për ta respektuar të kaluarën dhe gjitha sakrificat e tyre, po aq edhe më shumë për ta përqafuar të ardhmen, ata ngritën vlera që sot i shohim dhe i prekim. U bënë bashkë në emër të paqes për një të ardhme më të mirë. Edhe për ta rruga nuk ka qenë aspak e lehtë, ndaj dhe ne duhet të ndjekim shembullin e tyre, pikërisht edhe sot kur kushedi për të satën herë na e kërkojnë – në emër të paqes, të jetës, të vendosjes së vlerave e standardeve demokratike edhe ndër ne!

Të bërë bashkë, ambasadori i SHBA dhe ‘pesëshja evropiane’, gjegjësisht ambasadori i Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë, ndezën dritën e alarmit për urgjencën e ndërmarrjes së hapave konkret për të dalë nga humnera.

Miqtë tanë me ‘llambën e Diogjenit’ kërkojnë faktorët për të siguruar paqe të qëndrueshme, stabilitet politik, institucione të besueshme, sundim të ligjit, liri, barazi dhe prosperitet.

Jo si slogane politike e burokratike, por si parime themelore të një demokracie funksionale! Në emër të kësaj, prandaj nuk duhet të mjaftohemi vetëm me shprehjen e ndjenjës së keqardhjes dhe solidarizimit. Duhet zbardhur qëllimin, arsyet dhe të ketë përgjegjësi për të gjitha, pa përjashtim!

T’i shohim gjërat nga prizmi i të mirës e të mbarës, të shohim të ardhmen nga dritarja e një ngrehine të përbashkët që të gjithë po themi se e duam!

Marrëveshja e Ohrit është një kompromis, është sukses i përbashkët yni që dha shans paqes në rrugën drejt së ardhmes euro-atlantike të Maqedonisë.

Na duhet edhe shumë punë për tolerancë, për respekt të ndërsjellët, për të rritur mirëbesimin jo vetëm me llafe! Duhet të jemi më të hapur dhe më të guximshëm për të tejkaluar sfidat. Të pajtojmë gjithë spektrin e shoqërisë, të shikojmë gjërat që na bashkojnë, jo ato që na përçajnë.

Me gjuhën e kompromisit, jo të konfliktit, me qasje përfshirëse, jo përjashtuese, me qasjen e bashkëpunimit, jo të konfrontimit, me gjuhën e arsyes e jo të forcës, të sigurojmë çatinë euro-atlantike të shtëpisë sonë të përbashkët, të punojmë për pajtimin e tërësishëm ndërmjet komuniteteve të etnive të ndryshme, të kemi ligje e institucione para te cilave të gjithë do të jenë të barabartë! Vetëm atëherë do ia dalim të kemi atë mirëbesimin e shumëpritur të qytetarit, pa dallim përkatësie kombëtare e fetare, vetëm atëherë do ia dalim të heqim njëherë e përgjithmonë shprehjet e tipit ‘për dikë nënë e për dikë njerkë’!

Rrugëdalje nga ky qorrsokak do ishte vendosja e dialogut ndërmjet liderëve politik duke vënë në rend të parë interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe vendit.

Kjo nënkupton heqjen dorë nga interesat e ngushta e objektivat partiake, por duke vënë në plan të parë interesin e përgjithshëm dhe për hir të tij, si kauzë mbi kauza, duhet bërë kompromisin! Ky proces duhet të fillonte që dje!

Sot duhet vepruar, nesër do jetë vonë! Nga ky proces duhet të dalë agjenda që është prioritet imediat i vendit: asgjë e re, e thënë shumë herë edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, në Konkluzionet e Këshillit Evropian, në mesazhet e partnerëve tanë strategjik (të saktësoj SHBA, vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së)!

Po të merremi vesh për platformën me përmbajtje dhe dinamikë të qartë për implementimin e saj, tjetra është çështje kohe kur dhe si do bëhet.

Na duhen institucione, qeveri dhe legjislaturë, që do e implementojnë këtë në mënyrë efektive që do hapin rrugën drejtë të mirës së përgjithshme, përtej interesave të pjesshme!
Kjo nënkupton se të gjithë, po përsëris të gjithë, duhet të jemi të përgjegjshëm.

Le të mos harrojmë mesazhin monumental të Kenedit: ‘Mos pyet çka bëri vendi për ty, por çka bën ti për vendin tënd?’.

Prandaj, le të japim tani mesazhin tonë jo vetëm për miqtë që na e duan të mirën, por para së gjithash për ne vetë ndaj njëri-tjetrit dhe për brezat që do të vijnë! Them me bindje se këtë mund ta bëjmë dhe mund t’ia dalim. Vetëm se: duke vënë gishtin në mendje dhe me një përkushtim të sinqertë, të kapshëm e pa hile!

(Autori është zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane në Republikën e Maqedonisë)

Publikuar: 21.05.2015 | 16:27
Lexuar: 828 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime