Një raport i fundit amerikan zbulon se në nëntokën e vendit aziatik ka pasuri të jashtëzakonshme minerare. Ar, kobalt, litium, hekur dhe bakër. Përdorimi i kujdesshëm dhe dashamirës i këtyre rezervave natyrore mund ta nxirrte vendin një herë e mirë nga varfëria dhe ta shndërronte në një oaz mirëqenieje dhe stabiliteti.
Është thesari i fshehur i Afganistanit. Një shpellë e jashtëzakonshme e tipit të Ali Babait, vendi ku ndodhen pasuri të jashtëzakonshme, që mund të ndryshonin ekonominë dhe fatin e një kombi të tërë, që sot është i zhytur në varfëri të madhe. 1000 miliardë dollarë minerale të rralla, që ruhen në nëntokën afgane mund të ndryshojnë fatin e historisë së të gjithë zonës.
Ky është shansi i papritur për rigjallërimin e një populli dhe largimin e tij nga paratë e narkotrafikut me të cilat mban frymën gjallë te paratë e nxjerra me djersën e ballit, përmes ofertave bujare të një nëntoke që mund të jetë një bekim i madh. Por mund të jetë edhe ironia e radhës që do të zgjojë lakmitë e vendeve të tjera që do të konkretizohej në zhvatje dhe në krijim të një situate të dhunshme, e cila do ta zhyste edhe më keq vendin në degradim, siç ndodh me shumë vende afrikane sot me nëntokë të pasur por mbitokë të përgjakur.
Lajmi tronditës vjen nga një studim i Pentagonit, i cili ka rënë në dorë të gazetarëve të New York Times. Ekspertët ushtarakë thonë se Afganistani, me këtë pasuri nëntokësore, mund të shndërrohet në një Arabi Saudite, për shkak të mineraleve të çmuar që ka në nëntokën e tij. Shefi i komandantëve të ushtrisë, gjenerali Petraeus, konfirmon: Kjo nëntokë ka një potencial të padëgjuar.
Ky është konkluzioni në të cilin kanë dalë gjeologët amerikanë pas vitesh të gjatë të kërkimeve shkencore dhe në terren. Puna e tyre mban aktualisht vulën e administratës aktuale të Obamës, që ka caktuar një zyrtar të lartë që të merret me të gjitha dosjet ekonomike-ushtarake. Studimi flet për ekzistencën e mineraleve shumë të rralla në sasi të mëdha, por krejtësisht të pashfrytëzuar. Janë sasi shumë herë më të mëdha nga ato që mendohej se ndodheshin nën nëntokën afgane. Lista e këtyre mineraleve të çmuar nis me litiumin, që është një mineral gjithnjë e më i kërkuar, për shkak se është një element kryesor për bateritë e kompjuterëve dhe të telefonave celularë.
Kërkesa për to është shtuar shumë, edhe si pasojë e nevojës për krijimin e makinave elektrike dhe hibride. Më pas vjen ari, kobalti dhe rezerva të pallogaritshme metalesh të tjerë jo aq të çmuar, por po aq të rëndësishëm për industrinë dhe të kërkuar nga tregu si hekuri, bakri, alumini. Janë metale për të cilat ekonomia e vendeve në zhvillim ka një nevojë shumë të madhe. Janë të gjitha lëndë të para për sektorë të ndryshëm të industrisë dhe si pasojë mund të ndryshojnë tërësisht peizazhin e ekonomisë afgane dhe fatet e luftës. Ekspertët dhe gjeologët amerikanë parashikojnë një të ardhme në të cilën Afganistani do të shndërrohet në një nga fuqitë më të mëdha minerare të botës, duke bërë pjesë kështu në klubin ekskluziv të vendeve të tilla si Rusia, Kanadaja dhe Australia. Është një skenar ëndërr që do ta shndërronte vendin e varfër në një Zvicër të vërtetë të Azisë Qendrore dhe në një oaz mirëqenieje dhe stabiliteti.
Një thesar i padukshëm, vlerën e të cilit e nuhatën edhe rusët 30 vjet më parë, që mund ti japë fund një herë e mirë vuajtjeve të një populli të tërë që ka parë deri më tani vetëm ditë të këqija, për shkak të intolerancës fetare, dhunës dhe varfërisë. Dalja e një lajmi të tillë ka ngjallur sigurisht dhe dyshimet e pritshme. Veçanërisht, duke qenë se vjen nga Pentagoni. Aktualisht amerikanët po pësojnë humbje të vazhdueshme në terrenin afgan me 20 ushtarë të vrarë vetëm së fundi, që përbën edhe bilancin më të rëndë që nga fillimi i luftës. Ofensiva e fundit e Marjasë nuk ka dhënë rezultatet që priteshin. Beteja e madhe për marrjen e Kandaharit vazhdon e gjatë dhe e dhimbshme dhe pa rezultate të dukshme. Presidenti afgan, Karzai, nuk është më një person i besueshëm dhe tani bën lojëra të dyfishta e me raste edhe të trefishta, duke mos gëzuar më besimin e amerikanëve, për të cilët situata është bërë edhe më e vështirë.
Karzai kërkon aleancë të fshehtë me të gjithë faktorët e fuqishëm të rajonit, duke filluar me Rusinë, Iranin, Kinën dhe talebanët. E gjithë strategjia e gjeneralit Steli Mc Crystal e bërë nga Barack Obama po humbet besueshmërinë. Zbulimi i papritur i thesarit duket si një veprim i fundit i dëshpëruar i amerikanëve në një moment shumë të vështirë për ta. Në Uashington, askush nuk i ka harruar premtimet e pambajtura të ish-presidentit Bush dhe zëvendësit të tij, të cilët para dhe gjatë luftës premtuan se nafta që gjendej në nëntokën e Irakut do ti kishte mbuluar të gjitha shpenzimet e luftës dhe do të kishte sjellë begati jo vetëm për irakianët, por edhe për amerikanët.
Por të paktën këtë herë, zbulimi i rezervave minerare ka mbështetje të forta. Sipas specialistëve, sigurisht që ka ende punë për tu bërë në lidhje me avancimin e zbulimeve, por ajo që është e rëndësishme është se zbulimi është i vërtetë dhe i jashtëzakonshëm. Madje edhe ekspertë dhe zyrtarë të ministrisë së brendshme afgane komentojnë se zbulimi do të jetë shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e ekonomisë afgane dhe ndryshimin e jetës në këtë vend. Prej kohësh dihej se ky vend ruante në thellësitë e nëntokës rezerva të jashtëzakonshme mineralesh të çmuara, por askujt deri më tani nuk ia kishte marrë mendja se bëhej fjalë për sasi shumë të mëdha.
Që nga viti 2004 shkencëtarët merren me këtë çështje në Afganistan, me matje, analiza dhe kontrolle në terren. Hartat gjeologjike që gjendeshin në bibliotekën e Kabulit janë studiuar dhe hulumtuar të gjitha. Në to kishte edhe harta të përpiluara nga sovjetikët, të cilët gjatë viteve të pushtimit të Afganistanit kanë kryer gjithashtu për hesap të tyre kërkime të pafund. Në këto harta amerikanët gjetën edhe konfirmimin e supozimeve të tyre të deriatëhershme. Moska, menjëherë pas sulmit në vitin 1979, dërgoi grupe gjeologësh dhe shkencëtarësh në terren, për të zbuluar llojet dhe sasitë e metaleve të çmuara dhe zbulimet e para ishin premtuese. Më pas gjithçka u la në harresë nga situata e rëndë që shkaktoi në vend Ushtria e Kuqe në vitin 1989. Sot ekziston prova që Bashkimi Sovjetik ishte duke shtënë në dorë një pjesë të këtyre pasurive në atë kohë.
Pas rusëve janë amerikanët ata që në gjurmët e sovjetikëve dhe të hartave të përpiluara prej tyre nisën kërkimet sistematike, një pjesë e të cilave të sofistikuara si satelitët që mbulonin thuajse 70% të territorit afgan. Bëhet fjalë për aparatura të pajisura me rezonanca elektromagnetike dhe gravitacionale. Por tani që doli në pah ky thesar, kush do tua mbushë mendjen afganëve se në fakt është thesari dhe jo lufta kundër talebanëve shkaku i vërtetë i fatkeqësive dhe konflikteve të vazhdueshme në vend, duke filluar nga britanikët, sovjetikët dhe tani amerikanët? Për Amerikën, shqetësimi i madh është një tjetër, ai që një vend me një pasuri të tillë si Afganistani nuk ka në fakt asnjë lloj tradite në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese të metaleve.
Nëse ky zbulim do ti hapte rrugën urisë që kanë shumë shtete për materialet e nëntokës afgane, atëherë nuk do të përjashtohej as mundësia e ndonjë katastrofe mjedisore nga zbrazja e menjëhershme e rezervave dhe prishja e ekuilibrave. Amerikanët e dinë se afganët nuk janë të përgatitur për të tretur dhe përfituar nga kjo pasuri dhe ata thonë se do ti ndihmojnë në një ndërmarrje të tillë. Ndërkaq vjen edhe lajmi se Presidenti Karzai dhe autoritete të tjera të larta të vendit janë vënë në dijeni të pasurive që fsheh nëntoka e tyre.
Lajmi i ekzistencës së një pasurie të tillë në nëntokën e Afganistanit mund të shkaktojë ndërkohë një valë të re korrupsioni për më tepër që pretendentët nuk mungojnë. Kina prej kohësh ka shfaqur një aftësi të madhe penetrimi në ekonominë afgane, nën hundën e forcave të NATO-s. Talebanët, në vend që të tregohen më të hapur ndaj mundësisë së negocimit, mund ta konsiderojnë thesarin si një thelë të majme, për të cilën ia vlen që të mos i ulësh armët për ta poseduar dhe zotëruar dhe kjo do të zgjaste luftën, viktimat, e si pasojë vendi do të binte thellë e më thellë në varfëri. Por le ta lëmë mënjanë pesimizmin për momentin dhe të shpresojmë se ky zbulim do të ndryshojë me të vërtetë situatën, këtë herë për mirë në një vend që ka njohur vetëm errësirë. (gazeta shqip)