Këshilltarët si përfaqësues dhe artikulues të qytetarëve, pavarësisht mungesës së kompetencave vendimmarrëse dhe urdhërdhënëse, ata duhet gjithsesi ta ngrenë zërin kundër padrejtësive që i bëhen elektoratit shqiptar në Shkup.
Azam DAUTI
Këto fakte nuk mund të ndryshohen brenda natës, së paku mund tu thuhet NDAL punësimeve të maqedonasve, e jo ti thuhet drejtorit apo këshilltarit shqiptar: Të lejojmë të punësosh 3 punëtorë, por 2 prej tyre të jenë maqedonas e 1 shqiptar! Sipas kësaj ecje të breshkës, kur do të marrin hisen e tyre shqiptarët në Qytetin e Shkupit?!
Këshilltarët si përfaqësues dhe artikulues të qytetarëve, pavarësisht mungesës së kompetencave vendimmarrëse dhe urdhërdhënëse, ata duhet gjithsesi ta ngrenë zërin kundër padrejtësive që i bëhen elektoratit shqiptar në Shkup. Nëse ky elektorat i zgjodhi ata, atëherë detyrimisht dhe moralisht duhet tu tregojnë atyre dhe ndërkombëtarëve, që premtimet (të shpeshta), që ana e majtë dhe ana e djathtë e Vardarit do të jenë të njëjta, as në ëndrrat e përrallave frymëzuese nuk po rrëfehen, e lere më të bëhen. Ky problem i madh duhet të përcillet me një zhurmë të madhe mediale, por hapat kryesorë duhet ti bëjnë ata që e kanë mandatin e qytetarëve shqiptarë në Shkup.
Kujt i pengon aktualizimi i diskriminimit të shqiptarëve në Shkup?!
Nëse me dekada Qyteti i Shkupit është ndërtuar dhe vazhdon të zhvillohet drejtpërsëdrejti nga paratë e shqiptarëve të Shkupit dhe shtetit, që hyjnë në buxhet, së paku me proporcionalitetin e tyre. Ky proporcialitet shumëfishohet me frekuentimin e natyrshëm nga e tërë hapësira dhe diaspora kombëtare shqiptare 8 milionëshe. Paratë e tyre mbushin këtë konto të shtetit, që ndërtohet dhe investohet vetëm në pjesët ku graviton popullata maqedonase. E pabesueshme, por nëse ndonjë ekonomist e zbërthen këtë temë me numra dhe me shuma konkrete, atëherë shumë e qartë që fjala diskriminim do të paraqitet si shumë e butë në krahasim me diskriminimin real që e përjetojnë shqiptarët nga Qyteti i Shkupit.
Një mbijetesë dhe zhvillim me gjoks, kundrejt padrejtësive!
Nëse hyjmë brenda sistemit të funksionimit të administratës së Qytetit të Shkupit, institucioneve nën ombrellën e të këtij qyteti, si dhe në brendinë e institucioneve qendrore, jo që do të shihet qartë që elementi shqiptar është i padukshëm përskaj atij maqedonas, por do të vijmë në një përfundim shumë inkurajues: Si është e mundur që shqiptarët e Shkupit, përkundër kësaj trysnie dhe ngufatje të hatashme të qenies së tyre kombëtare të arrijnë të mbijetojnë?!
Aq më shumë, që edhe të tentojnë të zhvillohen kombëtarisht dhe njerëzisht në hapësirën kombëtare shqiptare?! Më vjen shumë keq, që unë nuk kam qasje (siç nuk kanë shumica e shqiptarëve) në të dhënat e sakta statistikore, në atë se sa shqiptarë janë të punësuar (e të mos flasim për pozicionime) nëpër këto institucione të Qytetit të Shkupit. Po i patëm këto informata të sakta, do të jetë shumë e qartë se sa e fuqishme është jeta dhe rrita e shqiptarëve të Shkupit, kundrejt të gjithë rrjepësve nga të gjitha shtresat dhe anët, shfrytëzuesve të fatkeqësisë së shqiptarëve që jetojnë në kurriz të shqiptarëve të Shkupit!
Ku janë këshilltarët dhe politikanët shqiptarë në Qytetin e Shkupit?!
Sa herë që hyjnë e dalin shqiptarët në Këshillin e Qytetit, ia fillojnë dhe mbarojnë me barcoletën se sa punë të madhe do të bëjnë, apo kanë bërë për kombin e tyre. Por, kur qytetarët e rëndomtë me kërkesat e tyre personale, trokasin nëpër këto organe të qytetit, shohin të vërtetën që asgjë kombëtare shqiptare nuk frymon as në Qytetin e Shkupit, e as në institucionet nën ombrellën e tij, atëherë shtrohet pyetja: Për cilin komb kanë menduar të zgjedhurit tanë?!
Ata do të ishin shumë më të vlerësuar, nëse prononcohen lirshëm dhe me sinqeritet para elektoratit, duke treguar qartë që punët nuk mund ti ndryshojnë ata, por liderët e tyre partiakë. Pra, ata që i mbajnë nën kontroll jo vetëm të gjitha strukturat partiake, por edhe të gjitha pazarllëqet politike, e që për hatër të partnerit të koalicionit flijohen mu shqiptarët e Shkupit! Por, këta këshilltarë, do të ishte mirë që njëherë e përgjithmonë të shohin interesin e qytetarëve që i votuan, e jo interesat parciale, për të mos thënë personale, të atyre që nuk mërziten shumë për këta qytetarë.
Kur proporcionalisht nuk ndahen as paratë për kulturë, për projektet e mëdha as që bëhet fjalë?!
Merreni me mend këshilltarët shqiptarë në Qytetin e Shkupit as atje ku është më së lehti të bëhet ndarja proporcionale e mjeteve, nuk kanë mundësi ta bëjnë, atëherë çka mbetet për pozicionimin e tyre në institucionet e qytetit, apo për ndarjen e drejtë të mjeteve për infrastrukturën e qytetit?! Përderisa ana e maqedonasve lulëzon me qindra investime, ajo shqiptare po vuan me qindra probleme e halle të natyrave të ndryshme ekzistenciale. Në vend që të investohet në shtëpitë që po rrënohen nga lagështia dhe vjetërsia e tyre, po ndërtohen dhe realizohen dëshirat e fëmijëve që ende nuk kanë lindur në anën ku maqedonasit gravitojnë më shumë.
Më vjen inat dhe turp të zbuloj një të vërtetë të hidhur që Qyteti i Shkupit për aktivitetet kulturore sivjet ndau afër 50 milion denarë, ndërkaq për kulturën shqiptare vetëm 3 milionë denarë, nuk e kam të qartë ku është 25 përqindëshi këtu?! Po këta këshilltarë ndajnë edhe 50 milionë të tjera për aktivitetet kulturore për 8 institucionet kulturore të qytetit (në të cilat nuk ka asnjë aktivitet kulturor shqiptar), nga të cilat ka të emëruar vetëm një drejtoreshë, ndërkaq të punësuar nuk besoj se ka më shumë se 2 apo 3 veta (ndoshta as kaq!), kundrejt qindra të punësuarve në këto 8 institucione kulturore të qytetit. Nëse, këto fakte nuk mund të ndryshohen brenda natës, së paku mund tu thuhet NDAL punësimeve të maqedonasve, e jo ti thuhet drejtorit apo këshilltarit shqiptar: Të lejojmë të punësosh 3 punëtorë, por 2 prej tyre të jenë maqedonas e 1 shqiptar! Sipas kësaj ecje të breshkës, kur do të marrin hisen e tyre shqiptarët në Qytetin e Shkupit?!
8 këshilltarët duhet të bëjnë politikë të ashpër dhe aktive...
Është shumë e qartë dhe e padiskutueshme që këshilltarët me ato pak kompetenca që i kanë, nuk mund ta ndryshojnë gjendjen e shqiptarëve. Por, me një strategji të fuqishme politike dhe aktive, madje edhe alarmuese për gjendjen e shqiptarëve, duke filluar nga vetë liderët e tyre, tek bahkëkoalicionuesit e tyre, e më pastaj edhe shumë më bindshëm (me fakte dhe argumente nga lagjet dhe vendbanimet shqiptare të lëna tërësisht në mëshirën e zotit) deri tek ambasadat më me relevancë në Shkup (SHBA, Gjermani, Turqi, Britani, Francë etj), besoj që suksesi në avancimin e pozitës së shqiptarëve në Qytetin e Shkupit nuk do të mungojë.
Nuk është turp të pranosh fajin, se nuk ke mundur të bësh asgjë, por është shumë fajësuese, nëse në vazhdimësi mashtron veten dhe të tjerët, se je duke avancuar pozitën e shqiptarëve në Shkup me një emërim udhëheqësi (i cili edhe mund të ndjehet i dënuar, nëse nuk ka hapësirë për veprim konkret, që do të ishte në të mirë të shqiptarëve). Prandaj, është e kuptueshme që gjendja e këshilltarëve shqiptarë në Qytetin e Shkupit pa mbështetje partiake është tejet e dobët, por bashkimi dhe fuqizimi i 8 këshilltarëve shqiptarë në një zë të përbashkët, në një projekt të përbashkët kombëtar, në një zhurmë institucionale për diskriminimin e hatashëm të qenies shqiptare nga institucionet e qytetit, do të ishte fuqia dhe mbështetja politike shumë më e madhe se sa e liderëve të tyre që nuk e ndjejnë Shkupin as si të tyre, por as si qytet shqiptar.