E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Politika botërore nënkupton aktivitetet politike me shumë përmasa, që mbi 7 miliardë njerëz, 200 shtete dhe dhjetëra-mijëra organizata të shoqërisë civile kryejnë anembanë rruzullit.
Zhvendosja e fuqisë në politikën botërore

Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk krijohen vetvetiu dhe në mënyrë të pakontrolluar; por si rezultat i ndërhyrjeve, përplasjeve dhe bashkëpunimeve, që aktorët e mëdhenj bëjnë me metoda të ndryshme...

Politika botërore nënkupton aktivitetet politike me shumë përmasa, që mbi 7 miliardë njerëz, 200 shtete dhe dhjetëra-mijëra organizata të shoqërisë civile kryejnë anembanë rruzullit.

Vetëm se kjo politikë nuk trajtësohet falë pjesëmarrjes së barabartë të të gjithë këtyre faktorëve, por me ndikimin e disa shteteve rajonale dhe globale, që kanë dalë më në plan të parë ndërmjet tyre. Edhe pse jo të gjitha, shumica e ngjarjeve dhe zhvillimeve në botë konkretizohen sipas rolit të fuqive të mëdha.

Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk krijohen vetvetiu dhe në mënyrë të pakontrolluar; por si rezultat i ndërhyrjeve, përplasjeve dhe bashkëpunimeve, që aktorët e mëdhenj bëjnë me metoda të ndryshme.

Në thelb të këtij procesi qëndrojnë përpjekjet ndërmjet shteteve të fuqishme, të cilat hera-herës duken si konflikte dhe herë të tjera si bashkëpunime.

Në shumicën e rasteve, përplasjet ndërmjet fuqive të mëdha nuk janë përballime të drejtpërdrejta dhe reciproke, pasi ato realizohen kryesisht në mbarë botën dhe posaçërisht në rajonet e influencuara nga këto fuqi.

Thënë ndryshe, fuqitë e mëdha e bëjnë luftën e tyre për dominim dhe pushtet në rajone kritike dhe nëpërmjet aleatëve. Këto procese të politikës botërore përgjithësisht nuk janë aq të qarta dhe të kthjellëta sa të shikohen me sy të lirë.

Për këtë nevojitet një sy i mprehtë dhe i kujdesshëm, që në përgjithësi nuk u mungon akademikëve dhe ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare në universitete apo OJQ të ndryshme.

Sot, çështja më kritike e politikës botërore është zhvendosja e fuqisë ndërmjet katër shteteve të mëdha, që vërtiten rreth problemeve të Ukrainës dhe Sirisë, si kryqëzime të kontinenteve të Evropës, Afrikës dhe Azisë.

Krizat ukrainase dhe siriane tregojnë qartë zbehjen e fuqisë së botës perëndimore (SHBA-BE) përkundër gjallërimit të influencës lindore (Rusi-Kinë).

Shkëputja e Krimesë nga territoret e Ukrainës dhe aneksimi i saj nga Rusia, por edhe rezistenca e regjimit sirian të Esadit pavarësisht tentativave të shumta për rrëzimin e tij, rezultojnë një grusht i rëndë dhe me pasoja serioze për Uashingtonin dhe Brukselin.

Operacionet perëndimore për të integruar Kievin dhe Damaskun me sistemin perëndimor evropian, duke ndryshuar regjimet dhe qeveritë në këto shtete, kanë dështuar të paktën deri më sot. E parë nga këndvështrimi i kundërt, aktualisht këto operacione vijojnë me suksesin e Rusisë.

Përfundimet negative të kësaj lufte tronditin thellë jo vetëm fuqitë e mëdha dhe shtetet aleate/bashkëpunëtore të tyre, por njëherësh edhe Evropën, Lindjen e Mesme dhe rendin botëror në përgjithësi. Tërmeti, që po lëkund fuqishëm politikën globale, po i tërheq me shpejtësi këto rajone dhe botën drejt destabilitetit.

Tërmeti me epiqendër Ukrainën po trondit Bashkimin Evropian, ndërsa ai me epiqendër Sirinë, Lindjen e Mesme në veçanti dhe botën islame në tërësi.

Aq sa BE-ja, e cila dikur pretendonte të trajtësonte rajonin e Evropës, tani ka hyrë në një krizë serioze. Përveçse është duke humbur ndikimin e saj përreth Evropës, BE-ja po përballet gjithashtu me kriza në fushën e integrimit politik, në energjetikë dhe ekonomi.

Unioni nuk është më aq joshës sa dikur për vendet fqinje dhe hapësirat gjeografike pranë tij. Kriza ekonomike, që nisi në Greqi dhe në rast se nuk zgjidhet me urgjencë duket se do të përhapet shumë shpejt në vende të tjera, me në krye Spanjën, ka bërë që Bashkimi Evropian të tkurret ndejshëm.

Sot, BE-ja po shtypet nën peshën e problemeve me burim rajonet përreth saj, të cilat, dikur, ajo vet përpiqej t’i transformonte. Në këtë pikë duhet shtuar edhe gjendja dëshpëruese dhe e pashpresë karshi valës së emigrantëve, që vjen nga Mesdheu.

Evropianët, ndërkohë që vazhdojnë të humbasin fuqi në Evropë, së bashku me SHBA-të ata janë përballë një “erozioni muskulor” të përmasave më serioze në Siri dhe të gjithë Lindjen e Mesme.

Dështimi në rrëzimin e regjimit të Esadit në Siri ka shkaktuar përhapjen e vrullshme të klimës kaotike në rajon. Organizata si DAESH-i dhe Al-Kaida, pavarësisht origjinës së burimeve dhe mbështetësve të tyre, sfidojnë e kërcënojnë jo vetëm rajonin, por njëkohësisht edhe vendet perëndimore bashkë me vlerat e tyre.

Këto grupe terroriste dëmtojnë rëndë vlerat e qytetërimit, iluminizmit perëndimor, si dhe politikat, që kjo pjesë e botës mbron prej shekujsh.

Shkaqet e dobësimit të fuqisë perëndimore (nën drejtimin e BE-SHBA) në Lindjen e Mesme mund të përmblidhen në tri pika:

1- Brukseli dhe Uashingtoni s’kanë arritur dot vazhdimësinë e procesit të demokratizimit, çmilitarizimit dhe emancipimit, që mori hov me Pranverën Arabe. Madje tashmë ky proces është shumëzuar me zero. Në Libi, Egjipt, Siri dhe Irak janë shfarosur pothuajse të gjitha vlerat e mbrojtura dhe trumbetuara nga vendet perëndimore, por këto të fundit nuk janë ndjerë aspak, ose shumë pak.

2- Disa rrethe mediatike dhe politike pretendojnë se pjesa dërrmuese e organizatave terroriste – ku ia vlen të përmendet DAESH-i – në një mënyrë apo tjetrën, direkt ose indirekt, mbështeten nga vendet perëndimore. Edhe sikur të jenë shpifje, qarkullimi i këtyre pretendimeve mjafton për të lëkundur imazhin e botës perëndimore.

3- Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila është themeluar me nismë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe evropianëve, e ka humbur plotësisht efektin e saj në një periudhë të tillë kaq kritike. Dështimi i pranisë amerikane, britanike dhe franceze përballë asaj ruso-kineze, si brenda ashtu dhe jashtë platformës së OKB-së, shpalos lakuriqësisht zhvendosjen e fuqisë në politikën botërore.

Sakaq, nuk mungojnë disa nisma për ta ndalur ose rikthyer pas këtë proces të zhvendosjes së fuqisë. Rënia e shpejtë e çmimeve të naftës shkaktoi me të vërtetë një tkurrje të ekonomisë ruse dhe mbart në vetvete gjasat e një pasqyrimi negativ në politikat për dominim dhe pushtet.

Mirëpo recesioni ekonomik i Rusisë nuk provokon me doemos ndryshime në politikat e Kremlinit kundrejt Ukrainës dhe Sirisë, të paktën për një hark kohor afatshkurtër dhe afatmesëm. Po ashtu, ka shumë mundësi që Kina, e cila ka një ekonomi ende të fuqishme, t’i shkojë në ndihmë Rusisë për rrafshimin e shqetësimeve ekonomike.

Autor: Prof. dr. Ramazan Gozen

Pedagog i degës së Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Marmara” në Stamboll

Trt Albanian

Publikuar: 05.06.2015 | 18:04
Lexuar: 856 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime