E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gazetari i mirënjohur i ish-Jugosllavisë, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Al Jazeera Balkan, Goran Milic ka folur me gazetarin Rean Saiti në emisionin Fokus në TV Art
Intervistë e Goran Milic për emisionin Fokus në Tv Art


Tashmë tri javë jeni në Maqedoni. Kur e paramendoja këtë intervistë,e paramendoja që të flisnim për gjëra të bukura, rreth gazetarisë, televizionit. Çka mund të bëjë televizioni për të zbukuruar jetën e njerëzve. Por, për fat të keq në Maqedoni, ndodhën disa gjëra të këqija. Ju si gazetar me gjithë këtë përvojë, si e shihni këtë që po ndodh në Maqedoni?

- Edhe më parë ka qenë një situatë e tensionuar. Njerëzit thonë të mos flasim për kësi gjërash, ne jetojmë këtu shumë mirë. Por ju, nga përvoja e shihni se kjo nuk ndodh në shtete të tjera të Europës. Po ndodh një situatë e njëjtë edhe në Bosnjë e Hercegovinë edhepse atje më duket se ka një trend në rënie, me incidente të kohëpaskohshme. Mendoj se këtu ky trend nuk është në rënie, nuk është edhe aq tragjike dhe dramatike siç përshkruhet. Njerëzit jetojnë, bashkëpunojnë, punojnë, vizitohen mes veti, urojnë njëri-tjetrit Bajramin dhe Krishtlindjet. Një traditë mbetet. Nuk kam parë që shqiptarët të flasin keq për maqedonasit e as maqedonasit të flasin keq për shqiptarët. Por,kur ata shkojnë në shtëpi në rrethin e tyre familjar, mendoj se gjërat ndryshojnë, ndryshe duket atje.Këto janë opservimet e mia të para …

Keni takuar shumë shqiptarë. Mund të më thoni, një shqiptar i rëndomtë, në cilin është i zemëruar, shtetin apo politikanët e tyre?

- Unë mendoj se shqiptarët, më pak se nga të gjithë popujt e rajonit, merren me politikanët. Mendoj se ata tradicionalisht, siç kanë qenë të pabarabartë dhe të çkyçur nga shteti, ata nuk kanë patur punë shtetërore dhe ata janë mësuar që të gjinden. Vështirë kanë jetuar, shumë kanë punuar, por ky kapitalizëm që ka ardhur ata më së shumti i ka goditur, se sa tjerët që kanë qenë në sistemin socialist që mendojnë se të birin e tij duhet ta punësojnë diku, ta kapësh për dore, të gjejsh ndonjë lidhje …Ja edhe djali im do të punojë, vajza ime do të punësohet …Shqiptarët vet i kanë krijuar vendet e punës. Kanë punuar bashkë me familjen. Kur i kam pyetur shqiptarët: ”Në ç`mënyrë ju kur keni 5 vëllezër dhe njëri punon më pak”. Ai më shikon dhe më thotë “Asnjëherë nuk ma kanë parashtruar këtë pyetje. Si mund të punojë më pak?”. Kjo tek ne nuk ndodh. Natyrisht se diku mund të ndodhë. Kjo ëstë një traditë e shumicës dhe shqiptarët më pak mendojnë se politika u punon në kokë, atyre më së shumti u pengojnë këto gjërat tjera, si inspeksionet, padrejtësitë në terren lokal, ndalesa e qasjes në ndonjë treg, shitore apo terren. Aty nëse ndjehen të diskriminuar ata janë të zemëruar. Por, në përgjithësi për politikën shumë pak flasin. Kanë udhëheqësit e tyre që flasin dhe në krye të udhëheqësve vijnë polemikat. Populli i rëndomtë nuk është i ineteresuar për këtë….

Në të gjiha këto skena të këqija që ndodhën në Maqedoni, na ndodhi populli. Pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo maqedonas, të bashkuar. Në njëfarë mënyre i njohën lojërat politike. Mendoni se kanë nxjerrë mësime nga një e kaluar jo e largët, për gjithë atë që na ka ndodhur në këto hapësira?

- Në Ballkan ka një traditë. Unë do t`jua them nëse është e vërtetë. Në qytetin e Tuzllës në Bosnjë kanë shkruar në një mur, një citat nga shekulli 12. Kanë shkruajtur kështu:” Shumica e njerëzve kanë pak njohuri por pritje të mëdha dhe për këtë ata çdoherë do ta akuzojnë të kaluarën, për atë që u ka ndodhur, por edhe që do t'u përsëritet qysh nesër. Nëse nuk më kupton sot ti, një ditë ndoshta do të më kuptojë fëmija i fëmijës tënd”. Këtë asnjëherë nuk e kemi kuptuar që nga shekulli 12 e deri më sot. Atë që e kemi mësuar nga e kaluara nuk e kemi pranuar dhe nuk kemi nxjerrë mësime që këtë mos e përsërisim dhe kjo përsëritet. Ndoshta njerëzit kur shkojnë ndonjëherë jashtë dhe kam takuar shqiptarë edhe në Nju-Jork. Ata të gjithë kanë qenë për shtetin e Kosovës, kjo është e vërtetë. Tash kur Kosova është shtet tani vijnë mosmarrëveshjet: E kemi Kosovën shtet, ku është tani problemi duhet tash të punojmë. Duket se shqiptarët më shumë kanë punuar, kanë qenë më besnik dhe entuziast ndaj punës derisa nuk kishin shtetin e tyre se sa tani kur shteti është aty. Tash lindën problemet sociale, padrejtësitë, separatizmi, partikularizmi dhe ofensivmi. Gjithçka ndodh, por ajo më e vlefshmja tek populli shqiptar, puna, organizimi, familja dhe kursimi kjo bie poshtë kurse shteti është aty…

Dikur keni përshkruar këtë pesimizëm kolektiv në hapësirat ish-jugosllave. Shëndrrohet në zemërim dhe mllef dhe më pas në depresion kolektiv?

- Maqedonasit, fjalën e kam për maqedonasit orthodoks nuk janë në depresion. Ata janë të zemëruar.

Në cilin janë të zemëruar?

Një numër i madh i njerëzve që kam takuar janë të zemëruar me pushtetin. Tani, nuk kanë argumente konkrete. Thonë, ata janë hajdutë. U them “a keni dëshmi”? ”Ata punësojnë vetëm të vetët”. Ju nëse do të vini në pushtet, mbase nuk do t'i punësonit të tanët. Ne presim tashmë 9 vite. Ata janë të zemëruar për diçka që ndodh se nuk kanë kuptuar se çka do të sjellë koha e re. Nuk ka më vende pune të paramenduara. Vendose djalin tim diku atje, ai do të punojë diçka. Shërbimi shtetëror është në gjendje të mjerueshme. Shërbimi shtetëror ka rrogë të vogël, por megjithatë është një rrogë. Kurse puna private për ta është diçka që ende nuk mund ta pranojnë. Tek shqiptarët assesi nuk kam vërejtur depresionin. Por as që kam parë edhe zemërimin. Pata përshtypjen se tek shqiptarët gjithçka është normale. Mendoj se nuk kanë traditë të ankohen. Ata,kur ka qenë Kosova nën Serbi, as atëherë nuk kam vërejtur shqiptarë që ankohen. Ata flsinin për pabarazi,ata flsinin për dëshirën e tyre për shtet, por, jo që të ankohen. Edhe këta nëpër Kroaci që po i shoh, ëmbëltorë, artarë, asnjëherë nuk janë ankuar. Vetëm punojnë. Nuk është veti e tyre. As edhe në Nju-Jork asnjëherë nuk kam vërejtur shqiptarë që të ankohet. Në ndërtesën time ishte një njeri si shef I ndërtesës. Kishte njerëz që në Bronks kishin prona të tyre 1000 banesa. Kishte njerëz që sapo kishin ardhur dhe fillonin një jetë të vështirë. Asnjëherë nuk janë ankuar. Por, cili është problemi për këtë lemeri në Ballkan? Shikoni, toleranca vinë nga më i forti. Që dikush të jetë tolerant duhet të jetë më i fortë dhe tolerues ndaj të dobëtit. Për këtë shkak, në Ballkan të gjithë vetveten e paraqesin si viktimë. Në mënyrën kombëtare dhe individuale. Të gjithë shtojnë numrin e të vdekurve. Vërej se disa më shumti e festojnë Të Premten e Pashkëve d.m.th. kur ka vdekur Krishti, se sa Të Dielën kur është ringjallur. Të Dielën mbase festohet. Kulti i tragjedisë, kulti i Betejës së Kosovës dhe humbjes, kulti i të vdekurve, kulti i Jasenovcit etj…Kjo për ne paraqet mundësi, pasi që jemi të dobët dhe pasi që jemi viktima, të jemi jotolerues ndaj tjetrit. Kjo është e gjithë loja. Unë jam i mjerë dhe kam të drejtë ty të të them çka ka mjerimi. Shpeshherë edhe privatisht kam situata të këtilla. ”Çka dëshiron. A e di se çka më ka ndodhur mua? Çka të ka ndodhur? Kam mbetur pa punë! Mirë, gjejë një punë tjetër. Jo, askush mua nuk do të më punësojë për dallim prej teje që ke një punë…dhe fillon më pastaj të bërtasë. Ai fillimisht vetveten e sjell në pozicion se është i mjerë për të patur të drejtë që të më bërtasë mua apo dikujt tjetër. Kjo është një kulturë që nuk ekziston në botën protestante por është shumë e afërt me Italinë, Amerikën Jugore, Spanjën, Portugalinë, Greqinë e Bullgarinë dhe kjo është një kulturë në ortodoksizëm dhe katolicizëm por edhe në islamin evropian, janë shkaqet e ankesave masive. Do të thoja se, pa marrë parasysh rrezikun që mund të gaboj ose ju të më demantoni, në korpusin shqiptarë këtë e kemi shumë pak të pranishëm. Unë mendoj se turp është të ankohesh siç është turp të flasin për gjëra të këqija për familjen tonë…

Duhej qëmoti të ishit në pension. Pranuat një sfidë tepër të madhe, që të jeni pjesë e një projekti të madh siç është Al-Jazeera Balkans. Çka ofron Al-Xhazira Balkans, kurse të tjerët nuk munden apo nuk dinë?

- Ne kemi qenë stacioni i parë televiziv rajonal i lajmeve. Ishim të parët tash prezent janë edhe N1. Ne e provuam këtë. Nuk ishte planifikuar me Al-Xhaziran. Al-Xhazira ka këto grupe sipas gjuhëve. Është Al-Xhazira në gjuhën arabe që mbulon vendet që flasin gjuhën arabe, është Al-Xhazira në gjuhën angleze që mbulon vendet që flasin anglisht. Pasiqë anglishtja është paksa specifike lidhur me gjuhën amerikanë, atëherë e bënë edhe Al-Xhaziran amerikane. Deshtën edhe në gjuhën turke dhe kjo ende nuk është gjallëruar, ekziston vetëm si ueb-faqe e jo television sepse gjuhën turke e flasin 70-80 miliona njerëz. Atëherë një sarajevas që e kishte njohur Drejtorin e Përgjithshëm të Al-Xhaziras pasi që bashkë kishin studiuar dhe të dytë janë të rinj, më të rinj se leja ime e vozitjes. Ata takohen në Stamboll dhe në bashkësbisedim e sipër sarajevasi i propozon “Përse të mos e bëjmë një Al-Xhazira në Ballkan? Por ja Bosnja yte ka vetëm 4 milionë njerëz dhe kjo për ne është shumë pak. Jo, jo 20 milionë njerëz flasin gjuhën serbe, kroate, boshnjake etj dhe aq mirë meren vesh sikur të jetë kjo një gjuhë. Edhe maqedonasit dhe sllovenët e kuptojnë këtë gjuhë dhe kjo është 20 milionë e ca dhe përveç kësaj ata kanë edhe diasporën të paktën me 10 milionë, shumë mirë e pozicionuar, ekonomikisht të fortë dhe mendoj se këtu do të kenë llogari. Mirë – thotë ai-por a është kjo shtrenjtë? Jo, ne jemi të të lirët. Kështu filloi …Ne për ta gjithmonë jemi shumë interesantë sepse çdoherë marrim të parët teknologjinë më të re, jemi të vegjël, nëse dështojmë harxhimet janë të vogla që nuk guxon të ndodhë në Al-Xhazira English ku punojnë 3000-4000 njerëz,por në një operacion kaq të vogël kjo gjë funksionon. Kështu që edhe në këtë kuptim jemi pionerë dhe të parët. Sfida tjetër ishte që në një rajon të përfshirë nga luftërat ku deri dje luftohej, të kthejmë serbët, kroatët, boshnjakët, muslimanët, shqiptarët, maqedonasit, malazezët. Po shihni, mua malazezët ma kanë djegur shtëpinë. 750 m2 shtëpi në det trashëgim nga stërgjyshi dhe për mua kjo do të ishte ekzistenca jetësore. Por, sërish unë shkoj dhe zhvilloj intervistë me Millo Gjukanoviqin I cili këtë e ka urdhëruar. Por, nuk ka lidhje. Thjeshtë vendosëm në një mënyrë profesionalizmin, qasjen, pa emocione. Tek ne gazetari serb raporton për përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Me rregull shprehet me gjenocid, raporton në rregull, sikurse që gazetari kroat raporton për fitoren e Vuçiqit në zgjedhjet. Nuk do të thotë ish-çetniku fitoi zgjedhjet. Jo. Fitoi Kryeministri Aleksandër Vuçiq, fitoi shumicën, populli serb njohu këtë dhe këtë…Kjo është korrekte. Në fillim kjo gjë paraqiste “Ju lutem çka është kjo?”. Problemi i dytë ishte emri Al-Xhazira. Njerëzit flisnin a është kjo Al-Kaeda. D.m.th. a përmban “Al”nuk është gjë e mirë. Hap pas hapi tashmë tre vite emetojmë program dhe mendoj se çdo vit rritemi për 100%. Nuk ka ndonjë turbo shikueshmëri, por ka disa mjedisi që thjesht janë të varur nga Al-Xhazira. Ata shikojnë lajmet në ora 06.00, shikon dokumentaret tona dhe mendoj se jemi në ngritje dhe derisa jemi në këtë ngritje është mirë. Kur do të fillojë stagnimi dhe rënia atëherë do të mendohemi…

Serbët dhe kroatët ndoshta për shkak të emrit nuk e kanë pranuar si duhet, kurse boshnjakët nuk e ndjejnë si të tyren?

- Boshnjakët mbase kanë menduar se “ky TV është i yni, këtu do ta tregojmë drejtësinë tone”. Secili mendon se ka të drejtën e tij. Më pas ata thanë “Dëgjoni ju jeni të mirë, por nuk jeni tanët”. Unë u them ‘nëse do të ishim tuajit, në BeH ekzistojnë 46 televizione, prej të cilëve kushtimisht thënë 10 janë serbe, një e gjysmë kroate dhe 33-34 televizione boshnjake. Ne do të ishin televizioni i 34 boshnjak. Pse të harxhojmë para dhe t’i marrim njerëzit nga gjithë hapësira ish-jugosllave dhe të hapim gjithë këto korrespodentura….Mendoj se nuk ka lëvërdi. Unë nuk do të punoja në ndonjë program që do të ishte bosnjake. Në Kroaci mund të punojë në program kroat për shikuesit kroat. Por, ti je kroat sipas përkatësisë etnike, ti je redaktor atje, punosh në programin kroat, normalisht se do të punoj një program ndryshe se sa në Al-Xhazira që është rajonale. Por,nëse unë do të bëja programe boshnjake në Al-Xhazira kush do të shikonte atë?

Si e vlerësoni punën e korrespondencës në Maqedoni?

- Shumë mirë, shumë mirë. Millka Smilevska dhe kameramanët shumë mirë ia dalin. Tash kur ishte aksioni policor në Kumanovë dërguam edhe një gazetar. Kanë shumë punë. Kohë pas kohe vjen dikush të bëjë ndonjë dokumentar …por,Millka është senzacionale. Ne e kemi pagëzuar ‘Millka sypatrembur” për shkak se, mënyra se si e flet gjuhën serbe, mënyra se si mundohet që çdo fjalë të balancohet, por kjo që të mos shihet se në kokën e saj ajo kupton gjithçka…shumë mirë …Fundja unë i dua të tillët…Në Maqedoni megjithatë njerëzit janë të ndarë në baza nacionale dhe çdo komb do të dëshironte që të ketë gazetarin e përkatësisë së tij etnike që të raportojë për këtë dhe jam i sigurtë se ju shqiptarët nuk ia zini për të madhe Millkës se anon për dikend, se është antishqiptare, se te ajo ndjehet se maqedonasit janë të parët, shqiptarët të dytët etj…

A keni ndjerë ndonjë aversion nga udhëheqësia politike maqedonase ndaj Al-Xhaziras?

- Kam lexuar nëpër gazeta. Ishte një emision të cilin nuk e kemi punuar ne. Është punuar nga Al-Xhazira në gjuhën angleze. Sikur që ne porosisim edhe Al-Xhazira English nga produksioni i jashtëm kishte porositur një temë që u dukej interesante dhe e mirë.Ata janë bashkëpunëtorë të dëshmuar të Al-Xhaziras, ata këtë e bëjnë dhe Al-Xhazira English e emeton…Kur e bënë emetimin të njëjtën e bëmë edhe ne, sepse e kemi pa pagesë dhe është mirë të shihet se si dikush që nuk i përket këtij rajoni e sheh situatën në Maqedoni. Unë do të thoja se ky emision ishte një qasje më e thjeshtë, por të njëjtën gjë do ta bënte edhe BBC. BBC-ja nuk do të kërkonte se cila xhami është ndërtuar në vitin 1250, se cila kishë është ndërtuar në vitin 2018…me qëllim gaboj në vitet… Por atë që unë kam patur derisa kam qëndruar këtu…Kur ka parë ndonjë xhami më thonë “kjo është ndërtuar në themelet e një kishe që osmanët e kanë shkatërruar”, kur kam parë ndonjë kishë muslimanët më kanë thënë “kjo kishë është ndërtuar në themelet e një xhamie të cilët ata e kanë shkatërruar”. Askush nuk do t`ju thotë për të veten se e ka shkatëruar, por, për ata tjerët. Kjo gjë anglezëve nuk ju intereson. Ata janë shumë konkret dhe për këtë shkak këtu ndodhi një “shok” i vërtetë…Ndodhi afera e përgjimeve,afera me mediat. Mediat janë të pakënaqura por në natyrën e mediave është që të jenë të pakënaqura…

Mendoni se ky ka qenë shkaku që nuk arritët të intervistoni Kryeministrin Gruevski apo dikend tjetër nga Qeveria?

- Unë mendoj se 20 % mund të jetë ky shkaku kurse 80 % i shkakut mund të jetë se Kryeminsitri nuk dëshiron të intervistohet. Shumë rrallë ai jep intervista. Mund të japë intervistë në televizionet e tij kur ka ndonjë rast apo solemnitet. Por nuk më dha intervistë. Unë me të kam zhvilluar një intervistë para 6-7 viteve dhe po, kjo ishte me kërkesë të Qeverisë. Atëherë ishte me mua një ekip I TVM dhe zëri doli katastrofal dhe mezi arrita të ndajë 2 minuta që të dëgjohet diçka, për çka nuk ndjehem fajtor. Por nuk di që Gruevski jep intervista. Edhe TV slloven është ankuar dhe këta anglezët kur kanë xhiruar kanë thënë se pavarësisht kërkesave të përsëritura nuk kemi mundur të marrim intervistë nga Kryeministri. Kështu që, dëgjoni, çdokush ka të drejtë të vlerësojë se a ka llogari të jep ose jo. Është një rrezik. E dini si është? Shtypi mund të ndihmojë ose jo, por, nëse ju injoroni TV-të dhe intervistat në mënyrë afatgjate nuk bëheni simpatik…

As Kryeministri serb Vuciq nuk pranoi intervistë, por kur e bëtë këtë ai totalisht ndryshoi mendimin e tij rreth Jush dhe Televizionit tuaj?

- Ai më tha “kam filluar të mplaken dhe kam filluar të ju çmoj” dhe thotë që njerëzit ndryshojnë mendje…Por, ai shumë mendime ka ndryshuar. Tani, qëndrimet e tij politike dhe ekonomike, janë kopje të Gjingjiqit. Mendoj se tash ai është Gjingjiqi. E keqja është se serbët ende adhurojnë Gjingjiqin por, shumë vështirë janë duke pranuar Vuçiqin sepse Gjingjiqi nuk i zbatojë masat e reformave ekonomike që atëherë duhej të zbatoheshin kurse Vuçiqi në çdo tentim merr kundërgoditje sepse bota ështe këtillë tek ne. Të gjithë ne jemi për reforma vetëm jo atëherë kur kanë të bëjnë me ne. Unë kam bërë një anketë në Kroaci, para 5 viteve, para se të largoheshim nga Televizioni kroat. Në 600 njerëz në Kroaci bëmë një anketë: ”Mendoni se në Kroaci, në këtë moment, ka krizë ekonomike, politike apo morale? 95% thanë “Po”. Pyetja e dytë ishte: ”Mendoni se edhe Ju personalisht, me mos diturinë tuaj, jogatishmërinë për punë, bashkëpjesëmarjen në korrupsion dhe veprimeve tjera joligjore i keni kontribuar kësaj krize? 95% “Jo”. Unë, Jo.

Z.Miliq të flasim për gjëra të bukura. Në Al-Xhazira Balkans ekziston një emision I cili shikohet nga 7 – 77 vjeç. Alkimia e Ballkanit. Ky është një emsion të cilin mund të bëjë vetëm Goran Miliqi ku në rradhë të parë është njeriu i zakonshëm, njerëzit që kontribuojnë ekonomisë dhe gjithçka në shtetet e tyre. Prej ku lindi ideja për Alkiminë e Ballkanit?

- E provuam me Bosnjë e Hercegovinën ku ekzistonte një vajtim masiv. Nuk bën kjo nuk bën ajo…Unë pyesja a ka diçka të mirë këtu? Nuk ka asgjë. Thashë kështu do ta bëjmë: ”Kur ju vjen një i huaj në Sarajevë, ju çka i thoni? Ne u themi se këtu ka qenë shkaku i Luftës së Parë Botërore, se Sarajeva ka qenë në shtetrrethim, se kanë vdekur 11 mijë njerëz, se kemi qenë të djegur etj. Unë u them se “a përmendni se keni qenë qyteti i vetëm në botë që të gjithë qytetarëve u ka dhuruar nga një banesë..për asgjë. Dikund kanë paguar nga 10% ,por ju i keni marrë për asgjë. Po kjo nuk është lajm. U thashë “e dini çka…të gjithë keni fituar nga një banesë, pa para, por askush nuk ka thënë faleminderit. Kjo gjë është një fenomen. Askush asgjë nuk punon, të rinjtë janë të papunë…prit-them-të papunë janë ata të rinjtë që zgjedhin punët, që pretendojnë që duhet të kenë rrogë 1000 euro dhe të cilët mendojnë se dinë për 1000 euro. Ai që di për 1000 euro, ai edhe do ti fitojë këto para, por,ai që nuk di nuk mund t'i fitojë. Por,do të shohim pakëz nëpër Bosnjë, a po punohet diçka? Filluam dhe në çdo 10 km diçka punohet. Nuk është diçka masovike, por ata gjërat që punohen janë të shkëlqyer. Atje bëhen pjesë për Porshe, Mercedes, BMW. Këpuca sportive Adidas bëhen në Prnjavor dhe Derventë në Republikën Serbe. Të gjitha këto këpuca sportive,ato që reklamon Dejvid Bekam bëhen këtu. Vjen Kampionati Botëror në Brazil dhe pronari më thotë, nuk do ta bëni publike deri në Kampionatin Botëror, por është ekskluzive, se këto janë këpucët e futbollit që e gjithë bota do të luajë në Brazil dhe vetëm tek ne bëhen këto këpucë. Fellga për Porshe në Jajcë, në Shiroki Brijeg pjesë për Bentley, këpucë Prada në Tuzëll, Bekto Preciza bën asi ndriçimi që ka ndriçuar alenë e Tigrit në Bagdad kurse tash ka fituar punën e ëndrrës për të ndriçuar Mekën dhe Medinën. Paramendoni tash, kush mund të fitojë punën për të ndriçuar Mekën dhe Medinën ku kalojnë me miliona njerëz çdo ditë e çdo natë. Çfarë rekomandimesh duhet të kesh. Të këtillë ke shumë. Mobilje … ka shumë pak, por ka…Kështu edhe emisioni im i parë për Maqedoninë, ende mendohem…

Në Maqedoni do të jetë, çka ka në Maqedoni. Natyrisht kur gjithë këtë do ta tregojmë, në fund do të themi…Për fat të keq kësi gjëra ka pak, shumë pak që në Maqedoni të gjithë të jenë të kënaqur dhe rrogat të jenë më të larta se 300 euro. Por, në 8-9 emisionet e tjera do të shihni, atë fotografi që është pak më reale, është më e pikëlluar. Por kujtojeni këtë dhe mendohuni se përse mos të jetë e gjitha si kjo. Përafërsisht ky është mesazhi i Alkimisë së Ballkanit. Njerëz të suksesshëm, individë të suksesshëm që punojnë me vështirësi. Tek ju shqiptarët kam gjetur diçka. Në Tetovë një njeri merret me qumështore. Ai duket paksa gjysëm i shkolluar. Por, ai ka 500-600 kooperues. Ju duhet t'i grumbulloni 2-3 litra qumësht 10,12, 20 litra në 500 vende çdo ditë. Të organizosh këtë. Duhet të gjeni djalin e cili menjëherë nuk do të blejë Porshe dhe do të vozitet me të dhe të bëni 10 milionë litra qumësht në vit, të bësh djathë, paketime…prej asgjëje. D.m.th., njeriu që punon, natyrisht se punon 12 orë në ditë. Por, pse të mos punojë. Jeta është krijuar që të jetë e vështirë dhe të punosh. Pse puna të jetë diçka e keqe.

A do të ketë Alkimia e Ballkanit – Kosovë?

- Po do të ketë … Në vjeshtë do të nisin xhirimet….

- A hasët në Maqedoni në tregime të bukura derisa 3 javë qëndruat këtu?

- Më pak. Duhet të them më pak. Disa tregime të këtilla nuk i morën, shkaqet nuk i di. Drejtorët e disa fabrikave të tekstilit e të tjerë nuk ishin të gatshëm të na hapin dyert dhe të na tregojnë se çfarë prodhojnë dhe si punojnë. Dikund nga rruga ishte shumë larg, që për një storje të vozitemi 5 orë dhe të kthehemi, kohën e kishim të reduktuar. Por, në përgjithësi shumë pak ka…E dini çka. Në Maqedoni ende nuk ka ardhur deri tek ajo që kërkon bota. Kërkon në Afrikë dhe në Afrikë këtë e keni që ekziston diçka që është perfekte. Unë këtu nuk di për asnjë gjë që është perfekte. Këtu gastronomia është shumë e mirë. Ushqimi është shumë i mirë, po, nuk ekziston asnjë restorant që është perfekt: të ketë edhe ushqimin e mirë, shërbimin e mirë dhe ambientin e mirë. Diçka nga kjo është mbi ose nën mesataren. Nuk ka perfeksion dhe derisa nuk keni disa oaza të perfeksionit as shoqëria nuk do të shkojë përpara dhe mendoj se mentalisht njerëzit kësaj i frikësohen. Po, kjo është për mua perfekte. Tash vjen inspeksioni, tash mua do të më urrejnë. Më mirë unë pak ta ulë topin …

z.Miliq jemi kah fundi i emisionit. Është mëkat të mos ju pyesim rreth artit të udhëheqjes së një Tv Ditari?

- Po, Ditarin e Lajmeve…Dëgjoni…Sot është shumë vështirë se ç`ishte më parë. Më parë ne ishim vetëm, një ose dy udhëheqës në TV kurse televizione, sipas Kushtetutës së 1974-ës, kishte 8 dhe secili dinte fytyrën televizive. Kështuqë kolegu im Tihomir Ilievski sot është gazetari më i njohur, se di Slobodan Trajkovski, të gjithë i mbajnë mend. Sot keni 500 kanale dhe në këto 500 kanale, në orën 5 apo 6, ju në secilin kanal shihni nga 10-15 njerëz të cilët janë ulur në ndonjë studio dhe flasin për diçka. Kjo do të thotë 1000 njerëz në ditë. Si të jesh ndryshe nga të tjerët? Më parë 6 muaj dhe ju ishit ylli më i madh në Jugosllavi. Tani, 1000 njerëz. Kush do t'i mbajë mend. D.m.th., nuk guxoni të jeni më të mirë apo më të këqij, por duhet të jeni më ndryshe. Kjo të jeni ndryshe do të thotë talenti. Nëse ju mbeteni modest, apo si do të thoshin kroatët e mi-cudoredan, moralisht të pranuar, në njëfarë mënyre modest dhe në njëfarë mënyre tjetër edhe të dish dhe të bësh diçka që të tjerët se bëjnë, kjo është formula e vetme e suksesit. Dëgjoni, 1000 njerëz në ditë, të gjithë shikojnë, mirëdita-mirëdita, të gjithë janë të veshur mirë, gjithë duken mirë, të qethur, si? Kjo është shumë e vështirë. Kjo është njëjtë me atë se dikur ka patur një kafeteri në Shkup dhe të gjithë kanë shkuar atje dhe pronari ka qenë i pasur. Kur ka ardhur piceria e parë, të gjithë kanë shkuar atje, tash kemi 500 piceri dhe 1000 kafeteri dhe kush mund të jetë i pasur? Vetëm ai që është i veçantë…

Dhe krejt në fund. Zakonisht mysafirëve të mi u them të japin ndonjë mesazh për teleshikuesit tanë. Me ju ndryshe e paramendoj. Ti drejtohesh këtij populli …Kamera është këtu…dhe të paralajmërosh këto 3 javë gjatë qëndrimit tuaj në Maqedoni?

- Mesazhi im për shikuesit në Maqedoni, edhe maqedonasit edhe shqiptarët dhe gjithë qytetarët është që, në mungesë të ideve më të mira, më së miri është që të fitosh për jetë në mënyrën e vjetër. Kjo do të thotë, me punë. Nëse keni ndonjë ide të mirë, është shumë bukur të fitoni pa punë, por, nëse nuk keni ide – punoni. Punoni, sepse më mirë është që kot të punoni, se sa kot të fleni …

Publikuar: 09.06.2015 | 14:52
Lexuar: 951 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime