E shtunë, 25.10.2014
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Individë të shumtë me gjithë barrën e madhe të fajit për shkeljen me çizme në dinjitetin tonë, edhe më tutje marshojnë me mbarë injorancën e vet për të shtypur çdo vlerë reale që tenton të vendoset mbi injorancën, e cila përpiqet që veten ta shndërrojë në standard të përgjithshëm të vlerave shoqërore. Aktualisht, ky është rreziku më i madh që na kanoset ne shqiptarëve këtu në Maqedoni
Ta mposhtim antikombėtaren












Mahi NESIMI

Zhvillimi i një shoqërie është i suksesshëm dhe i shëndoshë nëse e ndjek rrjedhën normale, nëse ec e ndërtohet sipas proverbit popullor: “Gurrë, gurrë bëhet murr”. Rrugëtimi sipas kësaj rregulle të pashkruar, por të “standardizuar” nga përvoja jetësore dhe historia e zhvillimit të shoqërive, por edhe civilizimeve është bërë pjesë e të gjithë popujve që kanë vepruar dhe veprojnë në mënyrë racionale dhe me sens të veçantë për të definuar përparësitë gjatë shtegtimit drejt ardhmërisë më të mirë, natyrisht për vete.

Shikuar nga ky kënd, ne si popull, posaçërisht ne në Maqedoni, asnjëherë nuk kemi ndërtuar ndonjë strategji, sado minimale, në asnjë segment. Nuk kemi përcaktuar asnjë interes parësor afatgjatë ose afatshkurtër të cilin dëshirojmë ta realizojmë.

Të prirë për punë kuturu e të pasistemuar zhvillimi ynë gjatë dy dekadave të kaluara dhe sukseset e arritura, kryesisht janë të natyrës “aksidentale” respektivisht të “imponuara” nga rrethana ose ndodhi që kanë edhe shenja paralajmërimi për aktivitete të mundshme, të cilat kanë mundur të rezultojnë me efekte konkrete edhe për mirën tonë.

Kështu, në mungesë të strategjisë politike, ne kemi ecur pas ngjarjeve që i ka imponuar koha. Ne nuk kemi qenë kreatorë as të politikës shtetërore as të politikës kombëtare. Ne kemi shërbyer si servis për riparimin e mekanizmit që me ose pa dashje dikush e ka vënë në lëvizje. Në këtë rol ne jemi gjendur mirë dhe devotshmërisht e kemi kryer rolin që na është caktuar. Natyrisht, nuk kemi qenë edhe aq naivë dhe gjatë kryerjes së detyrës kemi bë edhe ca shmangie që kanë shkuar ne favorin tonë.

Të prirë për të ecur pas ndodhive të “imponuara”, me ne si aktor, dhe shpeshherë edhe kuaj troje, dukshëm e kemi dëmtuar veten. Për këtë askush, asnjëherë nuk ka bartë kurrfarë përgjegjësie, madje as politike e as morale.

Përkundrazi, individë të shumtë me gjithë barrën e madhe të fajit për shkeljen me çizme në dinjitetin tonë, edhe më tutje marshojnë me mbarë injorancën e vet për të shtypur çdo vlerë reale që tenton të vendoset mbi injorancën, e cila përpiqet që veten ta shndërrojë në standard të përgjithshëm të vlerave shoqërore. Aktualisht ky është rreziku më i madh që na kanoset neve shqiptarëve këtu në Maqedoni.

Ne tani gjendemi në krizë serioze të identitetit njerëzor, moral, intelektual e qytetar. Ne po shndërrohemi në nëpërkëmbësh të ardhmërisë sonë. Më falni, por nuk janë këto shkarravitje të rastësishme. Janë pasqyrë globale e dalë nga ajo që çdokush, ditë për ditë e vëren kudo që sillet. Kudo që gjendet.

Hallet tona gjatë dy dekadave asnjëherë nuk iu nënshtruan ndonjë analize përmbajtjesore, sepse atëherë do të duhej të ballafaqohemi me të vërtetën, me realitetin e hidhur se jemi të prirë të flasim pa kurrfarë argumentesh, pa fakte - me emocione e folklorizëm. Ne ende u besojmë të pavërtetave që vetë i sajojmë dhe plasojmë në opinion.

Ne shtiremi se e duam lirinë, por në fakt i bëjmë hyzmet anarkisë. Ne shtiremi se e duam arsimin, por na e kënda që të arsimohemi me sa më pak mësim e dije. Ne bëjmë çmos që profesori të na kalojë pa mësuar. Pra, jemi fuqimisht të interesuar të mbetemi të paditur!!! Në këtë drejtim, në këtë dukuri të instaluar, prijnë njerëzit e shkolluar me çka definitivisht shpaloset injoranca dhe mediokriteti që po rrënjoset ditë për ditë.

Të ballafaquar me këtë gjendje të mjerueshme dhe me tendencat për të vazhduar edhe më tutje, në këtë mënyrë ne urgjentisht na nevojitet një esullim i fuqishëm. Na nevojitet ndërtim i klimës për kritikë të qëndrueshme dhe objektive. Është evidente se shumë veprime tona janë kryekëput në vijën e antikombëtares. Prandaj, na nevojitet një kthesë e madhe në ndërtimin e vetëdijes së njëmendët kombëtare. Na nevojitet një frymëmarrje e vërtetë patriotike. Është koha e fundit për të definuar mirë dhe qartë, për ta ndarë me vijë të trashë, kombëtaren prej antikombëtares. Tashmë duket se jemi mbështetur për muri, dhe duhet të mbledhim të gjitha forcat për të reformuar shumëçka në vetëdijen tonë.
Hatri, mëshira, falja janë kategori morale. Ato, si të tilla, në shoqëritë me vetëdije të ulët morale dhe njerëzore vetëm e ndihmojnë papërgjegjësinë, e shtojnë kriminalizimin dhe dekadencën. Si shoqëri me pretendime megalomane, më nuk mund ta përballojmë këtë krizë. Andaj, na duhet veprim i organizuar. Mobilizim i përgjithshëm duke nisur çdokush nga vetja. Ne duam të ndërtojmë shtëpi të mirë por në themelet e saj nuk guxojmë të vendosim tjegulla, sepse një ditë ajo do të shtrembërohet po mund edhe të shembet.

Publikuar: 17.06.2010 | 20:11
Lexuar: 824 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime