E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për të dalë nga koalicioni është tepër lehtë, mirëpo për të qëndruar aty është mjaftë vështirë dhe tepër me përgjegjësi shoqërore.
Roli i BDI-së në krizën politike të Maqedonisë







Arbër Ademi

Kriza politike dhe institucionale në vend me përmasat që ka marrë, ka bërë gjithkënd kureshtar lidhur me atë se cili do të jetë epilogu dhe si të arrihet tek një zgjidhje që do t’u ofrojë qytetarëve shpresë.

S’do mend se kjo kohë me këto turbulenca politike kërkon maturi, vigjilencë dhe qasje vizionare si mënyrë për kapërcimin e kësaj krize. Por, apo luajnë të gjithë politikanët me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive duke u udhëhequr nga interesat shtetërore, kjo mbetet për tu parë, megjithëse edhe deri më tani mjaft kemi parë.

Ajo çka na mbetet neve është që për këtë problem, si dhe për problemet e tjera shoqërore, të mendojmë me kokën tonë, në mënyrë kritike dhe konstruktive, e mos të gjykojmë në bazë të paragjykimeve dhe indoktrinimit nga të tjerët.

Ajo për të cilën gjithnjë e më shumë po flitet, diskutohet dhe debatohet është se pse BDI-ja nuk del nga koalicioni qeveritar dhe pse nuk revoltohet në drejtim të mbrojtjes të të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.

Për të dalë nga koalicioni është tepër lehtë, mirëpo për të qëndruar aty është mjaftë vështirë dhe tepër me përgjegjësi shoqërore.

Sikur asnjëherë me parë problemet e krijuara kërkojnë qasje institucionale, andaj dalja nga qeveria ashtu siç kërkojnë qarqe të caktuara më tepër do të ishte një tradhti ndaj elektoratit dhe popullit shqiptar në përgjithësi, si dhe padyshim do të përbënte kontribut në përshkallëzimin e mëtejmë të krizës politike.

Hipotetikisht mund të thuhet që ndoshta dikush punon në këtë drejtim që shqiptarët të dalin jashtë kontrollit dhe me këtë skenarë të realizohen interesat e armiqve shekullor.

Sidoqoftë, do të ishte e udhës që të kemi parasysh efektet e daljes eventuale të BDI-së nga qeveria. Së pari, nëse kësaj çështjeje i qasemi në mënyrë racionale nuk do ta kemi të vështirë që të parashikojmë se përshkallëzimi i krizës do të mund të rezultonte me zgjedhje të reja parlamentare.

Në kushtet kur BDI-ja do të hiqte dorë nga qeverisja me VMRO-në, retorika nacionaliste do të fitonte në intensitet në kampin maqedonas, dhe se duke parë raportin aktual të forcave politike, me shumë gjasë zgjedhjet e këtilla të parakohshme do t’i fitonte VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja.

Ç’farë risie do na sillnin zgjedhjet e tilla, unë do të thoja kurrfarë risie. Përsëri partitë fituese duke u udhëhequr nga parimi “fituesi me fituesin” do të detyroheshin që të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Por, çka nëse nuk organizohen zgjedhje të parakohshme, qoftë për shkak frikës se të njëjtat do t’i bojkotonte opozita apo qoftë për ndonjë arsye tjetër (përfshirë këtu edhe trysninë e ndërkombëtarëve)?

Përsëri, duke pasur parasysh raportin e forcave në Kuvend, mendoj se z.Gruevski s’do ta ketë të vështirë që t’i siguroj numrat e nevojshme për të vazhduar me qeverisjen. Këtu duhet ta kemi parasysh edhe Partinë Demokratike Shqiptare, pasi që ajo në të kaluarën nuk ka ngurruar për të flirtuar me VMRO-në, me qëllim që me të njëjtën të bashkëqeverisë.

Sidoqoftë, do të ishte e parëndësishme nëse qeveria e tillë do të kishte mbështetjen e një mazhorance më të tkurrur se sa ajo e sotmja, pasi që asgjë nuk do të ndryshonte, kurrfarë risie nuk do të ndodhte, ne edhe më tej do të ishim në qorrsokak.

Prandaj, jam thellë i bindur se në këto rrethana të palakmueshme politike, shumë më tepër se shmangia nga përgjegjësia, duhet treguar vlera, veprime konstruktive dhe vizion për ruajtjen e qetësisë, sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm, me të vetmin qëllim që të ruhet harmonia ndëretnike dhe karakteri multietnik i vendit.

Kur është në pyetje multietniciteti i vendit dhe ruajtja e raporteve ndëretnike, janë të detyruar të gjithë, si qytetarët e aq më tepër partitë politike të tregojnë maturi të lartë politike dhe konstruktivitet të cilat duhet të manifestohen përmes vlerave të tolerancës, bashkëpunimit dhe dialogut.

Proceset shoqërore nuk mund të menaxhohen me pasione, iracionalitet dhe mosdurim ndëretnik, por përkundrazi me veprime racionale të cilat përshkohen me vlera etiko-morale dhe politike.

Publikuar: 14.06.2015 | 02:00
Lexuar: 1361 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime