Çmimi "Onufri" është cilësuar, pa diskutim, ngjarja jo më e rëndësishme, por ndoshta e vetmja që prezanton sistemin e artit shqiptar në nivele ndërkombëtare. Dikur ekzistonte Bienalja e Tiranës, projekt i cili startoi në një moment kur bienalet po mbinin si kërpudha në të gjitha qytetet anembanë Globit.
Ekspozita Onufri sjell artistë të rinj e të vjetër, piktura, skulptura, apo projektime audio-vizuale
Anja Skura
Prej pesëmbëdhjetë vjetësh, Galeria Kombëtare e Arteve organizon aktivitetin më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Shqipëri. Ky edicion i Onufrit, vjen si një paraqitje e skenës më emergjente të artit shqiptar dhe kuratori është fokusuar në një numër të vogël artistësh, por të prezantuar në mënyrë të zgjeruar në ekspozitë. Çmimi "Onufri" është cilësuar, pa diskutim, ngjarja jo më e rëndësishme, por ndoshta e vetmja që prezanton sistemin e artit shqiptar në nivele ndërkombëtare. Dikur ekzistonte Bienalja e Tiranës, projekt i cili startoi në një moment kur bienalet po mbinin si kërpudha në të gjitha qytetet anembanë Globit.
Tashmë, Bienalja e Tiranës evidentohet thjesht si një kujtim. Megjithatë, duket se tashmë sistemi i artit në Shqipëri ka gjetur ekuivalencën e tij. Çmimi "Onufri", më në fund është konsoliduar jo thjesht si një prurje e artistëve emergjentë, por si një aktivitet dinjitoz, për t'u konsoliduar në arenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor. Ky konkurs mbështetet nga Ministria e Kulturës. Ekspozita Onufri sjell artistë të rinj e të vjetër, piktura, skulptura, apo projektime audio-vizuale. Punimet janë të sjella në përputhje dhe me temë nga realiteti shqiptar. Teknika dhe materiale të shumëllojshme, që sjellin që nga printimet në letër e deri te pikturat me vaj dhe naftë mbi kanavacë. Një vend të veçantë kanë zënë dhe projektimet, të cilat pasqyrojnë video me tema të caktuara. Kështu, artisti Dritan Zeneli, Fani Zgurro e shumë të tjerë, kanë zgjedhur që artin e tyre ta shpalosin mes kuptimësisë që sjellin imazhet në videot e tyre. Por jo vetëm kaq. Në ekspozitë paraqiten dhe skulptura, të cilat janë domethënie të jetës së përditshme shqiptare.
Nuk mungon edhe teknika e të vizatuarit në letër vetëm me laps të zi, ekspozime të cilat janë vërtet të arrira dhe që vijnë shumë teknike përmes dorës së Yllka Gjolleshës. Ekspozita e përvitshme Onufri këtë vit, vjen nën kurimin e profesorit italian të fenomenologjisë Riccardo Caldura. Ai ka zgjedhur si titull një varg të Gëtes, A e dini vendin ku lulëzojnë limonat? dhe ka ndryshuar fjalën e fundit me paradokset'. Në fakt, Gëte i referohet Italisë si vendit të limonëve, ndërsa Caldura e huazon shprehjen, duke iu referuar Shqipërisë si vendit të paradokseve. Artistët pjesëmarrës do të jenë : Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurat Xhafa, Driant Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro. Artisti i huaj që do të jetë i ftuar është Bert Theis nga Luksenburgu, i cili do të sjellë në Tiranë një projekt që e ka prezantuar në mjaft muze prestigjiozë të Europës. Ashtu si çdo vit tjetër, Galeria Kombëtare do të japë çmimin Onufri, ceremonia e të cilit do të mbahet në Tiranë në 14 -Janar 2009 në Galerinë Kombëtare të Arteve. Juria e çmimit Onufri 2008 do të jetë e përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë të arteve pamore.
Histori
Onufri, kimografi i madh shqiptar
Onufri është i njohur si piktori më i madh ikonograf i Shqipërisë. Megjithatë, ai është zbuluar vetëm në vitet '40- nga një shkencëtare bjelloruse, Viktori Puzanova, fati i të cilës e bëri që të qëndronte në Shqipëri, pas një kalvari që e ka lidhjen që më Revolucionin socialist më 1917 në Rusi. Onufri ka lindur në shekullin e XVI në Shqipërinë e Mesme.
Ka hamendësi për në Berat, sipas asaj që ai ka thënë, por edhe në Shpat, ku në kishën e vogël të Valshit, që ai e ka pikturuar vetë- është ende një varr i paidentifikuar. Mësohet se ka lindur më 12 Qershor sepse është Dita e Shën Onufrit. Dihet fare pak nga jeta e Onufrit. Deri në vitin 1547 ai pikturoi në Berat. Më 1547 në Berat dhe Kostur dhe më 1555 në Shelçan. Në fakt, pak më parë dora e tij ka pikturuar edhe në fshatin e vogël të Valshit më 1554.
Në kohën e Onufrit, piktura sakrale, bizantët ndiqnin kanunet e Paleologëve. Kur ai pikturonte motivet bizantine, duhet thënë se Onufri e lironte veten nga ngushtimet që i imponoheshin në artin e tij. Ai ka pikturuar peizazhe, qytete, fshatarë, barinj shqiptarë dhe veçanërisht kalorës. Shën Gjergji, që ka bërë ai, mendohet si një nga kalorësit që ka luftuar në autoritetin e Skënderbeut dhe është shumti ynë kryesor kombëtar. Nga stili i tij mund të hamendësojmë që ka elementë, që mund ta afrosh atë me Rilindjen Europiane. Ai ka qenë një mjeshtër i portretit, duke u futur më aq sa mundi në botën e brendshme të karaktereve të tij. Në punën e tij, ai nuk ndoqi ligjet e perspektivës negative, që do të thoshin objektet e largëta, ti bënte më të afërta se ato që ishin në planin e parë. Tek ai shihet dhe fillesa e pikturës realiste e peizazhit.
Por tipari më karakteristik i tij është e kuqja, që ai e aplikoi jo vetëm në ikona, por edhe në afreske, që sot është e njohur me "E kuqja" e Onufrit. Sot nuk njihet mënyra se si ai e përgatisë të kuqën dhe kështu ai e ka arkivuar këtë teknologji bashkë më historinë e vetës së tij në botën mistikë, në atë botë që u mundua të gjithë jetën vetëm të pikturonte.
Ekspozita me fotografi dhe dokumente arkiv
Është çelur ekspozita me fotografi e materiale të tjera arkivore, ekspozuar në Muzeun Kombëtar. Kjo vjen në Tiranë me rastin e "100-vjetorit të Kongresit të Manastirit" (14-22 Nëntor 1908). E ideuar në kujdesin e historianit kosovar, Mehmet Gjoshaj, në bashkëpunim me autorë dhe historianë të tjerë të këtij institucioni. Gjoshaj është shprehur se "Ekspozita e hapur trajton ngjarjen madhore të Kongresit të Manastirit dhe ngjarjet kryesore që paraprinë unifikimin e alfabetit të parë të gjuhës shqipe.
Nëpërmjet kësaj ekspozite, ne përkujtojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës, arsimit dhe historisë sonë kombëtare, dijetarët dhe delegatët që krijuan a, b, c, e parë shqipe". Në stendat e ekspozuara në këtë muze gjenden fotografi dhe dokumente arkiv, ngjarjet e pasqyruara në rend kronologjik, duke filluar nga shtrirja gjeografike e ilirëve dhe pasardhësve të tyre shqiptarë, shqiptarët në kohën e pushtimit osman, dëshmi të shkrimit të gjuhës së parë shqipe, Lidhja e Prizrenit etj.
Midis tyre spikat ngjarja më e rëndësishme, mbajtja e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, (Kongresi i Manastirit) iniciativë e 26 klubeve dhe shoqatave atdhetare në shumë qytete dhe krahina, që u pasua me themelimin e shkollave të para në gjuhën shqipe. Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit u mblodh më 14 Nëntor 1908 në qytetin e Manastirit dhe kishte si qëllim, njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në të ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, por dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Pas diskutimesh, parimisht, u pranua nga të gjithë se alfabeti i shqipes duhet të mbështetej në alfabetin latin. Ekspozita tematike muzeore do të qëndrojë e hapur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar për gjatë 10 ditëve.
Akademia e Shkencave, konkurs për kryesi të re
Në një konferencë për shtyp, kryetari aktuali Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku, i cili ishte zgjedhur i përkohshëm në këtë post, hapi fushatë për zgjedhjen e kryesisë së re të Akademisë së Shkencave. Zgjedhjet do të bëhen në 7 Shkurt, afati i fundit për pranimin e kërkesave të akademikëve që duan të konkurrojnë në këtë post, është data 17 Janar. Sipas Biçokut, të gjithë akademikët e rregullt (të cilët janë të gjithë nën moshën 75-vjeçare) dhe akademikët e përhershëm, kanë të drejtë të konkurrojnë për postin e kryetarit.
Pas procesit të reformimit, në zgjedhjet e 4 Dhjetorit të 2008-ës, si akademikë të përhershëm u zgjodhën Shaban Demiraj dhe Teki Biçoku. Ndonëse duheshin tre të tillë, një nuk mori votat e mjaftueshme. Ndërkohë që anëtarët e asociuar të Akademisë, nga të cilët deri tani janë përzgjedhur 11 nga 15 që duhet të jenë, nuk kanë të drejtë të konkurrojnë për kryetar të Akademisë së Shkencave, por mund të konkurrojnë për poste të tjera si zëvendëskryetar, sekretar shkencor dhe për postin e dy kryetarëve të seksionit. Sipas Biçokut, për zgjedhjen e kryesisë së re të Akademisë së Shkencave, në zgjedhjet e 7 Shkurtit kanë të drejtë të votojnë të gjithë.
Kryetari i ri do të qëndrojë për një mandat 4-vjeçar, ndërkohë që postet e tjera e kanë mandatin 5-vjeçar. "Akademia e Shkencave i ka marrë të gjitha masat për organizimin e fushatës, duke vënë në dispozicion të konkurrentëve sallat e Akademisë, faqen e internetit, si dhe takime me mediat, për të paraqitur platformat e tyre në lidhje me zhvillimin dhe drejtimin e Akademisë. Në bazë të Ligjit 9655, kandidatët kanë të drejtë të konkurrojnë vetëm për një post",- ka theksuar Biçoku, të cilit si anëtar i përhershëm i jepet e drejta të konkurrojë sërish për të qenë në krye të Akademisë.
Ndërkohë që nuk do ta kenë këtë mundësi akademikët që, sipas ligjit të reformimit, u përjashtuan nga Akademia, sepse i kishin kaluar të 75-at. Teki Biçoku, kryetari aktual, u dekretua nga Presidenti Topi për një mandat të përkohshëm më 22 Shkurt 2008. Më parë, Asambleja e Akademisë zgjodhi në krye të Akademisë, Rexhep Meidanin, por ai nuk u njoh si i tillë. Zgjedhja e kryesisë së re të Akademisë së Shkencave, teorikisht shënon edhe përfundimin e procesit të reformimit. Konflikti midis Akademisë së Shkencave dhe Qeverisë nisi më 14 Nëntor të vitit 2007, kur Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri "Për Akademinë". Shkrirja e instituteve kërkimore të Akademisë në muajin e fundit të vitit 2007, ishte pasoja e parë e këtij reformimi shkencor.
Akademisë iu shkëputën institutet kërkimore shkencore, që ishin në varësi të saj. Gjashtë institute krijuan Qendrën e Studimeve Albanologjike, e cila edhe sot ka një status ende të papërcaktuar përfundimisht e që varet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Akademikët dolën kundër qeverisë në këtë pikë, duke u shprehur se universitetet tona nuk ishin gati dhe nuk kishin kushte të përshtatshme për zhvillimin e kërkimit shkencor në strukturat e tyre. Për më tepër, me këtë hap, Akademia e Shkencave u kthye më së shumti në një institucion honorifik. Reformimi i Akademisë së Shkencave ngjalli një debat edhe më të madh midis akademikëve dhe Qeverisë edhe kur Qeveria çoi në Kuvend ndryshimet në ligjin e parë që ishte miratuar, por që ishte bllokuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Fillimisht, debati u përqendrua në kriterin që vendosej në draft, i cili përcaktonte moshën 70 vjeç si kufirin kur përfundonte anëtarësia në Akademi. Pas kundërshtimit të akademikëve dhe të opozitës, kjo moshë u caktua 75 vjeç. Por sërish, në bazë të këtij kriteri shumë akademikë të njohur si Dritëro Agolli, Shaban Demiraj, Kristo Frashëri e të tjerë të njohur nuk kishin më të drejtë për të qenë anëtarë të Akademisë. Por Qeveria e miratoi ligjin, duke shtuar se në Akademi do të kishte 3 anëtarë të përhershëm dhe tre nderi që do të zgjidheshin edhe pse mund të ishin mbi 75 vjeç. Zgjedhja e kryesisë së re nuk pritet të sjellë ndonjë ndryshim të madh në zhvillimin e Akademisë së Shkencave, e cila tashmë merret kryesisht me projekte shkencore të vetat.