Projekti / Pas studimeve universitare shtohet stazhi dhe provimi për të marrë licencën e mësuesit.
Zv.ministrja e Arsimit shpjegon reformën në mësuesi: Mësuesit e vjetër "nuk do të preken"
Dy ditë më parë gjatë konferencës "Reforma më mësuesi", Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, e cilësoi programin Bachelor, si jofleksibël dhe masterin profesional si të pamjaftueshëm, për të dhënë mësim në shkollat e mesme. Kjo reformë ka nisur në formën e një projekti pilot në Universitetin e Elbasanit "Aleksandër Xhuvani". Zv.ministria për Arsimin e lartë, Nora Malaj, shpjegon në intervistën e mëposhtme se çfarë do të ndodhë në sistemin arsimor shqiptar pas aplikimit të kësaj reforme.
Znj. Zv.ministre, çfarë ndryshimesh do të sjellë në sistemin arsimor reforma në mësuesi? Do të ndryshojnë programet masterit?
Nuk do të hiqet as masteri njëvjeçar dhe as ai dyvjeçar. Formimi kurrikular i sistemit të mësuarit do të reformohet dhe standardizohet sipas modeleve më të mira në drejtim të masterit. Kjo është e reja e kësaj reforme. Më pas do të realizohet procesi i praktikës, i cili është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Më pas, të gjithë ata që do të marrin të drejtën për të dhënë mësim do të licencohen sipas proceduarave për profesionet e licencuara. P.sh., kandidati, pasi ka përfunduar universitetin, dëshiron të punojë në sistemin 9-vjeçar ose në sistemin e mesëm.
Dikur nxirreshim tituj "mësues i shkollës së mesme ose mësues i shkollës 9-vjeçare", që përcaktonin se ku mund të punonte. Tani nuk do të ketë mësues të shkollës së mesme, por në bazë të diplomës për mësues kandidati do të zgjedhë degët e masterit. Sipas degëve të masterit, ai do të specializohet dhe në momentin që specializohesh nuk do të ndodhin më lëvizje. Ai që mbaron për mësues në sistemin 9- vjeçar nuk do të shkojë mësues në shkollën e mesme dhe anasjelltas. Ky profilizim i ngushtë krijon standardizimin e mësuesit dhe ky standardizim rrit mësimdhënien.
Kjo do të thotë se do të rritet numri i viteve të arsimimit për mësuesit?
Nuk ndryshon asgjë për sa i përket viteve të arsimimit. Rritet vetëm thellimi drejt dijeve të mësuesisë. Vitet e arsimit janë të njëjta. Problemi është se eksperienca që do të marrin këta kandidatë për mësues dhe e drejta e licencimit të tyre nuk do të merret as pas tri vitesh dhe as pas pesë vitesh. Por, pasi të kenë kaluar një periudhë stazhi dhe pasi të kenë kaluar provimin e dhënies së profesionit të licencuar. Do të ndodhë njësoj si me mjekësinë, farmacinë arkitekturën.
Si do të realizohet procesi i licencimit?
Studentët do të kryejnë sistemin trevjeçar, do të bëjnë master të nivelit të parë ose të dytë, pra master profesional ose master shkencor, ku njëri do të jetë me 90 kredite dhe tjetri me 120 kredite, njëri do të jetë një vit e gjysmë, tjetri do të zgjasë dy vite. Masteri profesional do të përfundojë me kërkim shkencor dhe tjetri do të përfundojë me punë shkencore dhe me një temë të mbrojtur në kërkimin shkencor në drejtim të didaktikës dhe problematikave që lidhen me mësuesinë.
Atëherë, ky student kandidat për mësues do të bëjë një praktikë mësimore, e cila do t'i atashohet pranë një shkolle dhe nëpërmjet profesionit të rregulluar do të marrë licencën. Pasi të licencohet, do të jetë i aftë për t'u futur në sistemi arsimor.
Çfarë do të ndodhe me ata studentë, të cilët këtë verë përfundojnë masterin njëvjeçar për mësuesi?
Këta studentë do të vazhdojnë të njëjtën procedurë që kanë ndjekur deri tani. Kjo reformë do të hidhet si projekt pilot, pra fillimisht do të pilotohet dhe më pas do të masivizohet.
Kjo do të thotë që ata studentë që përfundojnë masterin njëvjeçar do të japin mësim vetëm në shkollat 9-vjeçare?
Po. Ndërsa ata që do të duan të japin mësim në shkollat e mesme duhet të bëjnë masterin dyvjeçar. Që aktualisht ofrohet në universitet. Aktualisht universitetet ofrojnë të dy programet e masterit, një dhe dyvjeçar.
Ky program masteri njëvjeçar që po ndjekin studentët, si do të konvertohet në momentit që do të masivizohet reforma?
Do të konvertohet siç është masteri normal. P.sh., kandidati për mësues të Gjuhës dhe Letërsisë ka përfunduar arsimin trevjeçar, dhe ka përfunduar programin e masterit. Por këtë program nuk e ka zgjedhur si master shkencor, por e ka zgjedhur master profesional, njëvjeçar. Në momentin që përfundon masterin njëvjeçar, ai automatikisht kalon si mësues në sistemin e arsimit 9-vjeçar, ku mund të bëhet mësues i Gjuhës dhe i Letërsisë.
Më pas, kur të aplikohet kjo reformë, presupozohet që të gjithë mësuesit të kalojnë nëpër këtë sistem. Të gjithë mësuesit e rinj nuk mund të ushtrojë profesionin në rast se nuk do të licencohen në bazë të ligjit për profesionet e lira.
Por, për ata mësues që kanë kryer studimet sipas sistemit të vjetër, katërvjeçar çfarë do të ndodhë?
Askush nuk do të penalizohet, asnjëri nuk rrezikon vendin e punës. Këtu bëhet fjalë për mësuesit e rinj, jo për ata që kanë një stazh pune. Edhe këta do të integrohen, por procesi i integrimit të tyre do të jetë diçka tjetër që do të shihet në një qasje tjetër.
Janë institucionet kompetente që do të merren me këtë problematikë. Kuptohet, ky është hapi i parë dhe ky është horizonti i pritjes. Pasi të realizohet do të formatohet me gjithë standardet. (shekulli)