Martesa e Viktoria, dasma që do të gëzojë gjithë Suedinë Nesër, princesha suedeze Viktoria do të vërë kurorë me të fejuarin e saj, një ish-trajner fitnesi. Kjo ngjarje është e rëndësishme për vetë monarkinë, duke qenë se bëhet fjalë për mbretëreshën e ardhshme të vendit dhe gjithashtu edhe për median, e cila është e etur për histori sentimentale.
Suedezët, si dhe pjesa tjetër e botës, kur bëhet fjalë për dasma që kanë rëndësi të madhe, si ajo e mbretëreshës së ardhshme, tregohen shumë të ndjeshëm. Kështu, pas tetë vitesh pritjeje torturuese, pas refuzimit fillestar të të atit, pas kalimit të dy sëmundjeve vdekjeprurëse - bulimisë për Viktorian dhe transplantit të veshkave për bashkëshortin e saj të ardhshëm - mbretëresha e ardhshme e Suedisë, ose princesha e kurorës dhe ish-trajneri i saj i sportit, Daniel Westling, më në fund do ti thonë njëri-tjetrin po dhe me këtë rast do të marrin edhe dhurata.
Sipas një zakoni suedez, që është praktikuar edhe në familjen mbretërore, dhuratat e martesës hapen dhe tregohen para martesës dhe kjo për të gëzuar sa më shumë çiftin. Në rastin e çiftit mbretëror, dhuratat fillojnë me serviset e gotave dhe të pjatave, çarçafët dhe rrobat e gjumit, një vit pagesë të energjisë elektrike në shtëpinë ku ata do të vendosen pas martese dhe një kalë të gjelbër prej druri.
Po ky çtë jetë vallë? Këtë askush nuk e di, gjithsesi është një dhuratë e pazakontë që si shumë të tjera do të përfundojnë në qilarin e pallatit mbretëror, që është i mbushur me dhurata dasmash dhe ceremonish të tjera. Ndryshe nga princesha e kurorës norvegjeze, Mette-Marit, e cila vjen gjithashtu nga një familje e shtresës së mesme norvegjeze dhe me disa njolla në të shkuarën e saj para se të martohej me princin bukurosh Haakon, princesha suedeze Viktoria kaloi shumë kohë pra se të vendoste për martesën me trajnerin e saj të sportit.
Sipas fjalëve të saj ishte një marrëdhënie që erdhi duke u rritur dhe forcuar me kalimin e kohës, derisa në një moment u poq dhe vendimi erdhi krejt natyrshëm. Madje historia e saj e dashurisë, për shkak të durimit që e karakterizoi, konsiderohet si një shembull edhe për suedezët. Vështirësitë për këtë martesë ishin të shumta, por më në fund dita e madhe erdhi dhe tani media e së gjithë botës kërkon që të përfitojë nga rasti për të treguar një histori përrallash.
Në Stokholm, për ditën e madhe, pritet që të vijnë rreth 2300 gazetarë. Oborri mbretëror është i shqetësuar për faktin se mos përfaqësuesit e medias do të kalojnë numrin e të ftuarve në dasmë, apo edhe atë të njerëzve të zakonshëm që do të ndodhen nëpër rrugë në momentin e daljes së çiftit nga pallati për përshëndetjen tradicionale. Për këtë dasmë gjithçka do të jetë e hapur dhe nuk do të këtë të drejta ekskluzive për asnjë media të veçantë. Në fund të fundit, kjo dasmë nuk ka të bëjë fare me shoubiznesin.
Ceremonia do të transmetohet drejtpërsëdrejti në televizionet e disa vendeve të Europës dhe ndërkohë janë transmetuar gjatë gjithë javës dokumentarë në lidhje me çiftin. Madje ka nga ata që parashikojnë një audiencë më të madhe të ceremonisë krahasuar me atë të ndeshjeve të futbollit. Audienca nuk ka qenë kurrë më e përcaktuar dhe e ndarë se në këtë rast. Gjysma e botës do të shohë topin, ndërsa gjysma tjetër do të shohë mbretërit që vënë kurorë.
Për sa i përket medias, më të interesuarit janë tabloidet, të cilat, në raste të tilla, gjurmojnë çdo detaj që mund të bëjë bujë dhe të shesë gazetën. Për sa i përket shikuesve të televizorit, parashikohet që ata të jenë rreth 500 milionë, që do të thotë se në këtë rast kemi një thyerje të rekordit krahasuar me ndjekësit e ceremonisë së princeshës Diana me princin Çarls. Dhe kjo martesë nuk ka të bëjë aspak me sharmin prej borëbardhe të nuses, por me triumfin e një vullneti të hekurt. Sepse Viktoria është e kundërta e Lady D.
Nëse një dasmë mbretërore zakonisht ka të bëjë me aspektin e jashtëm të një ceremonie, kjo e mbretëreshës së ardhshme të Suedisë ka të bëjë me një triumf të qëndrueshmërisë ekonomike të një vendi edhe në kohë krize dhe paqartësish politike. Bota është në prag të kaosit dhe ky çift, i cili do të kurorëzohet të shtunën, është shembulli i një qëndrese dhe sigurie të madhe. Ajo është një shprehje normaliteti dhe premtimi për një mënyrë jetese larg luksit dhe më pranë mundësive të shtresës së mesme, një mënyrë që ka qenë përherë pjesë e ekzistencës së familjes mbretërore suedeze.
Viktoria është e vërtetë. Dashuria e saj është e vërtetë. I fejuari i saj është i vërtetë.
Oborri mbretëror dhe mbreti në veçanti u tronditën dhe u zhgënjyen fillimisht nga zgjedhja e saj dhe vendimi për të vënë kurorë me një trajner sporti. Danieli nuk kishte para, as shkollimin e duhur dhe as gjakun blu për tu martuar me një mbretëreshë të ardhshme. Mbi të gjitha, mbiemri i tij nuk shfaqej gjëkundi në pemën gjenealogjike të aristokracisë europiane. Por me kalimin e viteve, të gjithë mbetën të befasuar dhe të impresionuar.
Djaloshi i ri, i cili merrej me trajnime sportive, nuk shfaqi asnjë anë negative, arrogance apo mendjemadhësie, përkundrazi mbeti i njëjti deri në fund. Megjithatë ai ishte një atlet i jashtëzakonshëm.
Vjen nga një familje që ndodhet në një qytet me 3000 banorë dhe ka jetuar me njerëzit e tij në një shtëpi prej druri. E ëma e dhëndrit punonte në postën e qytezës, ndërsa i ati për zyrën e shërbimeve sociale. Danieli ka edhe një motër. Me pak fjalë kjo ishte bota e tij e thjeshtë, para se të njihte gruan e ëndrrave.
Në momentin e vendosjes së çiftit për të jetuar bashkë, pallati mbretëror i caktoi Danielit një skuadër të tërë mësuesish, specialistësh dhe trajnerësh të sjelljes me etiketë që do të shndërronin thesarin e princeshës në një diamant të denjë për tu shfaqur nëpër mbrëmjet gala të aristokracisë së lartë.
Ata e mësuan djalin të flasë në disa gjuhë të huaja dhe për çështjet më të rëndësishme të politikës dhe ekonomisë dhe të sillej denjësisht nëpër tryezat e banketeve mbretërore. Fillimisht ai shfaqi interes të dukshëm në historinë e vendit të tij dhe atë të mbretërve suedezë.
Kjo ndoshta për arsyen e thjeshtë se, pavarësisht se do të martohet me mbretëreshën e ardhshme të vendit të tij, Daniel, si bashkëshorti i saj nuk do të quhet kurrë mbret. Viktoria ia ka bërë të qartë që në fillim një fakt të tillë.
Daniel do të jetë përjetësisht princ Daniel, duka i Vastergotland. Jo keq për një mësues fizkulture. Ai do ta kalojë jetën duke qëndruar një hap pas mbretëreshës së ardhshme Viktoria dhe ndoshta mund edhe të acarohet herë pas here siç i ndodh shpesh bashkëshortit të mbretëreshës së Danimarkës, Henrik, i cili ka ankesa për mënyrën se si e trajton bashkëshortja e tij me gjak blu.
Ose ndoshta do të depresionohet si Klausi i mbretëreshës Beatris të Holandës, ose do të zhvillojë një ndjenjë humori dhe aventure si bashkëshorti i mbretëreshës së Britanisë së Madhe, Filip.
Por ndoshta roli dytësor është ai që i përshtatet më shumë një njeriu si Daniel. Për sa i përket princeshës Viktoria, ajo është shumë kokëfortë dhe novative në çdo gjë që bën dhe me rastin e martesës ka vendosur që të ndryshojë edhe një pjesë të rëndësishme të ceremonisë. Ndryshe nga tradita e deritanishme, sipas së cilës çifti shkon së bashku drejt altarit, ajo ka këmbëngulur që hapin drejt martesës ta bëjë krah për krah me të atin, i cili më pas do tia dorëzojë të bijën Danielit, që ndërkohë pret në altar.
Ajo do që gjërat të jenë më konservative. Por ndërkaq priftërinjtë i janë lutur që të mos e bëjë një gjë të tillë. Pikësëpari, sepse kjo nuk është tradicionale. Por princesha ka vendosur për një ceremoni të tillë për tu reaguar të gjithëve se i ati e miraton lidhjen e saj. Dhe në fakt ai nuk është i vetmi. Të gjithë suedezët e kanë miratuar tashmë këtë histori dashurie që nisi si shumë e çuditshme dhe me paragjykime, por që tani mbështetet nga të gjithë. Jo më kot kjo verë do të konsiderohet nga suedezët si vera e dashurisë.
Aeroporti i Stokholmit quhet tani zyrtarisht: Love Stokholm 2010 dhe suedezët janë të vendosur për të nxitur edhe vetë biznesit e turizmit me rastin e këtij eventi të jashtëzakonshëm për të gjithë Skandinavinë. Mesazhi është i qartë: të gjithë të bëjnë pjesën e tyre. Të gjitha firmat më të mëdha dhe të fuqishme të vendit si Ericsson, Volvo dhe Ikea kanë në logot e tyre zemrat e dasmës.
Madje edhe grupi legjendar Abba kanë kompozuar posaçërisht për çiftin një këngë që do ta këndojnë për herë të parë ditën e martesës dhe në prani të të sapomartuarve. E ndërsa familja dhe suedezët janë të lumtur për këtë rast, personi tragjik i familjes është motra e vogël e Viktorias, Madelene e cila sapo ka anuluar fejesën e saj. Ndërsa personi që për një kohë të gjatë shkëlqeu si ylli i aristokracisë europiane ishte mamaja e Viktorias, gjermania e bukur e cila u martua me mbretin suedez.
Ylli i saj shkëlqeu deri në momentin që në skenën mbretërore u shfaq Diana, princesha ndjellëse e Uellsit. Deri në atë kohë, ishte princeshë Silvia në qendër të vëmendjes së shtypit rozë. Ajo e çliroi familjen mbretërore suedeze nga një krizë e gjatë legjitimiteti. Por ajo diti edhe si të bënte për vete zemrat e popullit të saj të ri dhe të detyronte me sharmin e saj edhe socialistët, që deri në atë kohë kishin kërkuar për heqjen e monarkisë. Por tani në vend ka një debat të ri në lidhje me financimin e familjes mbretërore.
Ka nga ata që mendojnë se, duke qenë se familja po bëhet gjithnjë e më tepër e zakonshme, duhet të heqë dorë nga një sërë shpenzimesh të kota dhe të tepruara. Por për sa i përket Viktorias, ajo e di se monarkia mund të shndërrohet për vendin e saj në një forcë unifikuese e kohezive dhe mbi të gjitha pozitive dhe se ajo do të ndihmojë në kapërcimin e dallimeve dhe diferencave mes shtresave. Pajtim mes shtresave të ndryshme. Kjo është motoja e Suedisë së re, që do të përjetojë këtë fundjavë një nga momentet më të nxehta që prej shumë vitesh.