Zyrtarë të Prokurorisë Publike kujtojnë se gjatë fazës së hetimeve kanë hasur në shumë kandidatë që asnjëherë nuk kanë qenë studentë në Gjakovë, dhe si rrjedhojë nuk e kanë ditur se në cilën pjesë të qytetit ndodhej ish- Shkolla e Lartë.
Tetëdhjetekatër mësimdhënës të komunës së Malishevës vazhdojnë të japin mësim në shkollat fillore dhe të mesme të kësaj komune, pavarësisht se ndaj tyre tashmë janë ngritur aktakuza për falsifikim të diplomave.
Për katër muaj sa kanë zgjatur hetimet e Prokurorisë Publike të Gjakovës, zyrtarë të këtij institucioni kanë arritur që të identifikojnë mësimdhënësit që kanë marrë diploma false në ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë, për tu punësuar më pas në ndonjërën nga shkollat e Malishevës.
Zyrtarë të Prokurorisë Publike kujtojnë se gjatë fazës së hetimeve kanë hasur në shumë kandidatë që asnjëherë nuk kanë qenë studentë në Gjakovë, dhe si rrjedhojë nuk e kanë ditur se në cilën pjesë të qytetit ndodhej ish- Shkolla e Lartë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Gjakovës, Masar Vula, thotë se për të marrë një diplomë, një kandidat ka paguar prej 2 mijë deri në 4 mijë e 500 euro, ndërsa kujton se ka hasur në kandidat që diplomën e ka marrë para pesë vjetëve, ndërsa provimin e fundit e kanë dhënë katër vjet më pas.
Procesi ka përfunduar për të gjitha rastet, aktakuza është ngritur dhe është dërguar në gjykatën e kompetente për gjykim, pra në Gjakovë. Ne i kemi filluar hetimet, dhe e kemi ngritur aktakuzën. Aktakuza është ngritur për të gjithë, edhe për zyrtarët e ish-shkollës së lartë që kanë dhënë diploma, edhe për kandidatët të cilët kanë qenë studentë, thotë Vula, duke shtuar se ekzistojnë kandidatë mbi të cilët rëndojnë akuza për falsifikim të diplomës, për dhënie të mitos dhe akuza tjera.
Ai pohon se në aktakuzë janë të përfshira veprat e ndryshme penale, duke filluar nga dhënia dhe marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, e deri te falsifikimi i dokumentacioneve.
Sipas tij, varësisht nga veprat që kanë bërë, personat e përfshirë në këtë rast mund të dënohen me kohëzgjatje të ndryshme të dënimit me burg. Sipas tij, vetëm për marrje të ryshfetit një person mund të dënohet deri në pesë vjet.
Derisa tregon një pjesë të dosjes me qindra faqe, prokurorja e lëndës, Shpresa Bakia, pohon se me 25 mars të këtij viti ka dorëzuar lëndën në Gjykatën Komunale të Gjakovës, lëndë kjo që sipas saj përbëhet nga mijëra faqe.
Këtu e sheh sa ka qenë dosja. Kemi dalë para se ti dorëzojmë në gjykatë, që të mbetet dëshmi se sa e madhe ka qenë lënda, thotë Bakia, duke treguar një foto, ku përveç saj dhe dosjes shihen edhe disa punëtore tjera të prokurorisë.
Kjo prokurore pohon se derisa ka bërë hetime është vizituar nga mësimdhënës, nga të cilët është pyetur se çfarë të bëjnë, të vazhdojnë punën, apo ta lënë atë, ndërsa, për këtë ajo thotë se iu ka sugjeruar të vendosin vetë.
Lënda pushon në gjykatë
Kanë kaluar rreth tre muaj që kur dosja e mësimdhënësve, të dyshuar se kanë falsifikuar diplomat është zhvendosur në Gjykatën Komunale, por nga ai moment duket se asgjë nuk ka lëvizur.
Kryetari i kësaj Gjykate, Agim
Muhaxhiri, thotë se arsye pse nuk ka filluar gjykimi është numri i madh i lëndëve që presin për tu zgjidhur, e të cilat sipas tij, duhet të kryhen para lëndës së arsimtarëve. Problem tjetër, sipas tij, është edhe numri i vogël i gjyqtarëve.
Deri në ditën e sotit është respektuar afati ligjor që është gjashtëdhjetë ditë. Është kryer konfirmimi i aktakuzës, i cili nënkupton vlefshmërinë e provave të prokurorisë, a janë ato prova të vlefshme apo jo, dhe kanë dalë që janë të vlefshme, thotë Muhaxhiri.
Kryetari i Gjykatës pajtohet se lënda e mësimdhënësve do të duhej të gëzonte privilegj duke i kaluar të tjerat që presin në radhë, por ai nuk është i sigurt se kjo mund të ndodhë. Duhet të kenë prioritet, por unë ju tregova arsyet pse nuk mundemi ta bëjmë një gjë të tillë, thotë ai.
Komunarët nuk interesohen
Në tërë këtë rrëmujë, më së paku të interesuar duken drejtuesit e Komunës së Malishevës, në rajonin e së cilës japin mësim mbi tetëdhjetë mësimdhënës, që dyshohet se i kanë diplomat false.
Nënkryetari i Komunës, Rexhep Mazreku, nuk është në gjendje të japë një sqarim për situatën e krijuar me të diplomuarit e rrejshëm.
Pavarësisht se hetimet kanë nisur nga viti i kaluar, dhe janë përmbyllur para dy muajve, drejtuesit e komunës së Malishevës nuk e kanë suspenduar asnjë mësimdhënës.
Se di, është marrë ndoshta drejtori i arsimit me këto çështje. Si nënkryetar që jam, nuk e di. Nuk mund të them asgjë, thotë Mazreku, duke mos dashur të komentojë më gjerësisht.
Ndonëse nuk preferon të flasë për rastin në fjalë, ai nuk e mohon faktin se Komuna nuk i ka suspenduar mësimdhënësit, ngase pas kësaj do të duhej të jepte paga për mësimdhënësit e suspenduar dhe për të punësuarit e tjerë që do të vinin në vend të tyre.
Faktin se drejtuesit e komunës së Malishevës nuk janë interesuar për fatin arsimtarëve dhe fëmijëve që mësohen nga ta, e pohon edhe kryeprokurori Masar Vula.
Ai thotë se prej se kanë filluar hetimet, asnjëherë kryetrari i kësaj komune, Isni Kilaj, nuk është interesuar se deri ku kanë shkuar hetimet.
Vërejtje në ngecjet e komunës ka edhe deputeti i Asamblesë Komunale, Fetah Rudi, i cili kujton se kjo çështje është nisur në fillim të vitit të ri shkollor 2006/07, kur sipas tij kanë konkurruar studentë të ndryshëm, ndërsa më pas kanë sjellë diplomat.
Ky person, i cili në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal ka kërkuar informata se deri ku ka shkuar procesi, thekson se Komuna nuk është duke bërë sa duhet, për ti shpëtuar fëmijët nga arsimtarët me diploma false.
Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Besa Bytyçi thotë se kjo ministri është në pritje të një veprimi nga organet e rendit dhe drejtësisë, pas së cilit, MASHT do të ndërmarrë masa.
Hetime edhe për Rahovec
Kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Gjakovës, Masar Vula, thotë se hetime të ngjashme janë duke u zhvilluar edhe në komunën e Rahovecit.
Ai thekson se nga kjo komunë nën hetime janë tridhjetë mësimdhënës, të cilët, sikurse ata të Malishevës, janë pajisur me diploma false në ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës. (zëri)