Një anglishte e thjeshtëzuar që të lejon të komunikosh nga Londra në Pekin. Është anglishtja e globalizuar, e kritikuar shumë, por e folur nga 4 miliardë persona.
Gjuha më e folur në botë, tha dikur princi Karl i Anglisë, me një nga batutat e tij më të arrira, nuk është anglishtja e pastër, por global english, anglishtja jokorrekte, pa gramatikë, e çrregullt, që të huajt flasin midis tyre, apo për të komunikuar kur duhet me banorët e Britanisë së Madhe, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, me pak fjalë me ata që anglishten e vërtetë, anglishten e Shekspirit kanë nisur ta flasin qëkur erdhën në jetë, qëkur nisën të pinë qumësht me biberon. Kjo gjuhë bazike, e thjeshtëzuar në maksimumin e thelbit të saj, e përzierë në internet, reklama, muzikë dhe filma vizatimorë, ka një emër dhe një filozofi: bëhet fjalë për globish, që vjen nga shkrirja e fjalëve global dhe english e që përdoret pak a shumë në mënyrë korrekte nga rreth dy të tretat e popullsisë mbi tokë. Në të kaluarën ishin perandoritë që i impononin një gjuhë të hapur e të qartë njerëzimit.
Për shembull, latinishtja u përhap në Mesdhe dhe në të gjithë Europën nga legjionet e Çezarit të Romës antike. Anglishtja pushtoi planetin duke ndjekur ekspansionin e perandorisë britanike, që në kulmin e lavdisë së saj dominonte një të katërtën e tokave të të gjithë globit. Kështu i erdhi radha një versioni të ri anglishteje, asaj amerikane, kur në gjysmën e dytë të shekullit XX SHBA-ja rrëzoi nga froni Britaninë e Madhe si superfuqi planetare, duke bërë për vete botën jo vetëm me forcën ushtarake dhe ekonomike, por mbi të gjitha me soft power të kulturës së tyre të masës, filmave të Hollivudit, rokut dhe kohët e fundit gjuhës së uebit, të Microsoftit dhe Apple-s, Google dhe Facebook-ut. Risia është se globish të cilës e përjavshmja Newsweek i ka dedikuar një artikull shumë të gjatë, nuk avancon në mendjet e ushtrisë të një fuqie ekonomike apo të një fuqie kulturore.
Ajo është gjuha e fitimtarëve, që e mësuan dhe e modeluan sipas nevojave të tyre. Globish është anglishtja e epokës së avionëve low cost, e tokës së sheshtë, jo të rrumbullakët, sipas metaforës së Thomas Friedman, se format e reja të komunikimit dhe transportit që eliminojnë distancat kulturore dhe gjeografike. Është gjuha e mesazheve në Twitter, gjuha qe thotë u r gr8 (you are great) që përmbledh në 160 karaktere dashurinë dhe vdekjen, letërsinë dhe gazetarinë. Është gjuha e miliardave të emigrantëve të rinj dhe të mërguarve. Anglishtja tradicionale ndaloi në vend, sepse ishte gjuha e diplomacisë, e tregtisë, e financës, e aviacionit dhe pastaj e internetit.
Globish ka postuar anglishten tradicionale madje edhe pasardhësen e saj, atë amerikane, për arsyen e thjeshtë se është gjuha e të gjithëve. Si për ironi të fatit globish është shpikur nga një francez, qytetar i një prej vendeve më shoviniste të tokës, ku fjalët angleze nuk lejohen, madje shpesh kanë efekt komik si në rastin kur thuhet ordinateur në vend të kompjuter. Jean Paul Nerriere, një inxhinier informatik i IBM-së, kuptoi gjatë një eksperience pune në Lindjen e Largët se biznesmenët që nuk kishin anglishten si gjuhën e tyre të nënës, komunikonin në anglisht me klientët japonezë dhe koreanë shumë më lehtë se drejtuesit e kompanive amerikane apo britanike. Arsyeja ishte shumë e qartë: mes të huajve flitej një anglishte më e thjeshtë, më pak korrekte, më pak e artikuluar, por shumë e thjeshtë për tu kuptuar mes tyre.
Anglishtja ka një milion fjalë, një fjalor i mirë përmban gjysmë milioni një gazetë si Times përdor 40 mijë, një tabloidi shumë popullor si Sun i mjaftojnë 7 mijë, por Nerriere ka llogaritur se globish, ka një fjalor me jo më shumë se 1500 fjalë e që janë më se të mjaftueshme. Për shembull, në vend të fjalës nephew (nip), një fjalë jo e thjeshtë për tu thënë me globish përdoret the son of my brother, një frazë më e gjatë, por shumë e thjeshtë për tu prononcuar dhe me kuptim të pagabueshëm. Pasi u largua nga IBM, Nerriere shkroi një libër, Globish dhe krijoi një faqe interneti globish.com, për të treguar me detaje rreth zbulimit të tij. Robert McCrum, një linguist anglez dhe autor i një libri mbi historinë e anglishtes, tani ka shkruar një tjetër me të njëjtin titull si libri i Nerriere.
Kulla e Babelit nuk është zhveshur tërësisht. Në botë ekzistojnë akoma dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë 5000 gjuhë të ndryshme, thotë McCrum. Po kur një indian dhe një meksikan duan të drejtojnë një kërkim së bashku në një laborator në Tajlandë, konsulentët e të cilit janë izraelitë, mes tyre komunikojnë, si në të folur ashtu edhe në të shkruar në globish, një lloj anglishteje e reduktuar në maksimum, por shumë e kuptueshme. Edhe pse kjo do ti çmendte paksa mësuesit tanë të anglishtes, ajo që mund ti ngushëllojë është fakti se njerëzit kuptohen shumë mirë dhe me lehtësi mes tyre kur flasin globish. Sot të gjithë dimë pak globish, madje përpara se të mësojmë ta flasim: taxi, love, sex, phone, airplane, drink, one, thank you, please, good bye, të cilat janë fjalë universale, baza nga ku të nisesh pa frikë.
Me pak fjalë kjo është fitorja e anglishtes, rezultat i pashmangshëm i globalizimit. Por sot pyetja që shtrohet është kjo: ishte globalizimi që solli globish apo globish që solli globalizimin? Sido që të jetë, anglishtja për të gjitha triumfon, sepse vendet që kishin anglishten si gjuhën e tyre të nënës kishin komplikime edhe mes tyre. Dy popuj të ndarë nga e njëjta gjuhë, batuta e famshme e Oscar Wilde mbi anglezët dhe amerikanët ilustrohet më së miri nga një barsoletë e vjetër mbi dy njerëz të bardhë që humbën, secili për hesap të vet në Afrikën e zezë dhe pas shumë muaj rreziqesh dhe përpjekjesh u takuan në një lëndinë. U përqafuan të emocionuar, pastaj njëri prej të dyve nisi të fliste. Tjetri e pa i shtangur pa thënë asnjë fjalë. Atëherë filloji të gërmëzojë me ngadalë atë çka tha: I am American. Where are you from?. Tjetri u përgjigj : Liverpool.
Me globish nuk besoj se do të kishte pasur keqkuptime apo moskuptime të këtij lloji. Paradoksi qëndron në faktin se ndërsa anglishtja e thjeshtëzuar po triumfon, në Angli do të ndërtohet për herë të parë një akademi e anglishtes, në mbrojtje të gjuhës së Mbretëreshës, të kërcënuar nga shkurtimet e krijuara nga multikulturalizmi, chinglish e kinezëve, spanglish e hispanikëve, franglish e francezëve, e kështu me radhë. Në SHBA, anglishtja ka humbur terren përballë përparimit të spanjishtes, të kinezishtes dhe asaj koreane: në vitin 1980 vetëm 23 milionë amerikanë flisnin një gjuhë të ndryshme nga ajo angleze; në 2007 u bënë 55 milionë dhe numri i tyre vazhdon të rritet.
Gjithmonë e më shumë njerëz flasin broken english, me të cilën bën batuta princi Karl dhe gjithmonë e më pak flasin Queens English, anglishten perfekte të madhërisë së saj. Autori i Globish tregon se si çdo të premte në mbrëmje në kampusin e universitetit të Pekinit, qindra studentë mblidhen poshtë pemëve të një sheshi të pagëzuar me emrin English Corner për të biseduar në anglisht. Flasin në mënyrë primitive për gjithçka nga David Bechkam te Paris Hilton, përsërisin fraza të gatshme shkëmbejnë mirësjellje në fjalët please dhe thank you, për të përfunduar të gjithë në kor me një thënie entuziaste: yes, we can. Ndoshta duan të thonë që një ditë edhe Kina mund të jetë e lirë dhe demokratike. Por për momentin synojnë diçka më pak të komplikuar: që edhe ata mund të flasin anglisht, ose më mirë në globish.
Anglishtja 1 milion fjalë
Suksesi i një gjuhe përcaktohet nga numri i njerëzve që e flasin dhe rekordi i anglishtes në këtë fushë sigurisht që nuk mund të diskutohet. Nga interneti tek aviacioni, nga diplomacia te shkenca, nga turizmi tek akademia, ajo është kthyer në gjuhën e botës, në një mjet të domosdoshëm për të komunikuar në kohën e globalizimit. Por, suksesi i një gjuhe varet edhe nga shtrirja e fjalorit të saj dhe në këtë fushë gjuha e Shekspirit mendohet se do të vendosë një rekord të ri: pas një muaji, e më konkretisht në orën 10:20 të 10 qershorit, fjala e njëmiliontë angleze do të jetë zyrtarisht pjesë e fjalorëve. Nëse një milion fjalë ju duken pak, ose nuk ju duken shumë, mendoni se janë dyfishi i atyre që përbëjnë gjuhën e dytë me më shumë fjalë në botë: kinezishten. Për më tepër, qëndron shumë lart nëse e krahasojmë me italishten me 300 mijë fjalë, spanjishten me 250 mijë dhe frëngjishten me 100 mijë fjalë. Ai që ka bërë klasifikimin e gjuhëve me numrin më të madh të fjalëve dhe që tregoi se anglishtja është duke e kaluar pragun e 1 milionëshit, është një institut i quajtur "Global Language Monitor", me qendër në Teksas.
Për hir të së vërtetës, jo të gjithë anglezët do të betoheshin se e njohin mirë gjuhën e tyre. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, nga ana tjetër epërsia e anglishtes varet pikërisht nga lehtësia për të huazuar terma të huaj, për ti krijuar dhe përshtatur me evolucionin e shoqërisë. E në fakt, kishte të drejtë princi Karl kur tha se gjuha më e përhapur në botë nuk është anglishtja e pastër, ajo që flet Mbretëresha Elizabet, por "Broken English", gjuha jokorrekte, pa gramatikë, që flitet nga emigrantët dhe nga miliarderët e huaj, për të cilët nuk është gjuha mëmë. "Një gjuhë pasurohet falë atyre që e përdorin dhe prova qëndron në asimilimin e vazhdueshëm të fjalëve nga hip-hopi, nga Bollywoodi, nga interneti. Megjithatë, ka më shumë njerëz që flasin anglisht në Kinë, sesa në vendet e ish-Komonuelthit britanik", tregon Pau Payack, gjuhëtar i qendrës "Global Language Monitor". (shqip)