E martė, 22.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Mediumi ynë publik po shkon rrugës së fundit të tij. Këtë e dëshmon edhe Bordi i ri - i krijuar me kaq ngut dhe politikisht i filtruar deri në skajshmëri - i cili do ta ketë të pamundshme që t’i kundërvihet presioneve politike.
Na ishte njėherė njė RTK






Baton Haxhiu

Nuk ka pasur moment më të keq për Radiotelevizionin Publik të Kosovës që të mbetet pa kreun e tij, sesa koha para fillimit të fushatës zgjedhore. RTK’ja ka mbetur e tillë pasi Kuvendi i Kosovës për dy vjet e ka lënë pezull ndërrimin e strukturës së vjetër të Bordit që i kishte kaluar të gjitha mandatet. Bordi i ri është zgjedhur me procedurë ekstra të shpejtë, që është praktikë e pazakonshme për Kuvendin.

Më habit fakti se Kuvendi e bëri përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e ri brenda vetëm një javë. Me seancë të shpejtuar dhe me idenë e përfaqësimit të gjerë (nga emrat shihet se shumica prej tyre nuk kuptojnë shumë nga mediumet) ky institucion ka bërë gjithçka që Bordi i ri ta fillojë punën para fillimit të fushatës zgjedhore.

Pasi lexova emrat e gjashtë anëtarëve të përzgjedhur për Bordin e ri të RTK’së, nuk më mbetet gjë tjetër përveç se të përpiqem t’i rikujtoj disa konstatime lidhur me atë se çfarë përfaqësojnë drejtori i Radiotelevizionit Publik dhe Bordi i një medium publik.

Kushti elementar në fushën e gazetarisë është liria për të transmetuar. Pa këtë liri, mediumi nuk mund të zhvillohet dhe të funksionojë në mënyrë normale. Që një drejtor të jetë udhëheqës i mirëfilltë i mediumit, është e kuptueshme që ai të ketë nevojë për hapësirën e ushtrimit të përgjegjësisë dhe profesionalizmit.

Në kohën kur po formohet Bordi dhe kur do të zgjedhen drejtorët, me liri editoriale nuk duhet të nënkuptohet që njerëzit të cilët do ta udhëheqin RTK’në të jenë të lirë të transmetojnë edhe informacione të anshme, të rreme dhe acaruese. Objektiviteti profesional është themeli i mediumit të suksesshëm, prandaj ai nuk duhet të rrezikohet në asnjë mënyrë. Kjo do të jetë detyra më e vështirë e strukturave të reja të RTK’së dhe Bordit.

Tash është koha më delikate, por njëkohësisht edhe më e rëndësishme, që të formohet një Bord i RTK’së i cili do ta iniciojë dhe përkrahë krijimin e gazetarisë së mirë. Por, aktualisht, a është e mundur kjo në Kosovë? Unë mendoj se jo, sepse ekziston një prezencë dhe ndikim i hatashëm i politikës në mediumin tonë publik. Me sigurinë më të madhe mund të them se drejtorët e rinj e të pafuqishëm do bëhen pjesë e atij ndikimi, sepse do të sforcohet ideja politike e menaxhimit të Radiotelevizionit Publik, sipas së cilës, RTK’ja nuk është e askujt, pra as e publikut.

Për të dalur nga kjo situatë, Radiotelevizionit Publik sot më shumë ka nevojë që të udhëhiqet nga një profesionist i mirë, sesa nga një menaxher burokrat. RTK’ja ka nevojë vitale për një injeksion të fuqishëm të gazetarisë profesionale, i cili do t’ia mbante gjallë ato pak shpresa për rimëkëmbje. Në të kundërtën, rrënimi i saj do të përshpejtohet edhe më shumë dhe do forcohet sistemi i cili me përpikëri do ta bëjë bunkerizimin e RTK’së.

Të gjithë simptomat flasin se Radiotelevizioni Publik do të shndërrohet (nuk do gaboja fare nëse them qysh tash), në një medium që i përcjellë vetëm ritualet e qilimave të kuq të politikanëve të cilët defilojnë njëri pas tjetrit, gjë e cila qartë do të jetë vazhdim i fenomenit ballkanik të mediumeve publike. Me këtë kam për qëllim ta përkujtoj dukurinë e cila është e përbashkët për të gjithë ata drejtorë rajonalë që kanë bërë tifozllëk në funksion të politikës.

Kjo që po ndodh këto ditë me RTK’në nuk e bën aq të vështirë parashikimin e së ardhmes së mediumit, sepse menaxhimi i ri i RTK’së nuk do të jetë vetëm një devijim i thjeshtë nga e kaluara, por reminishencë e asaj që ndodhi në regjion me binomin “politikë/medium publik”.

Është e qartë se iniciativat politike për kontroll të plotë të këtij mediumi, përveç dobësimit të tij strukturor, do të mund të krijojnë edhe paranojë politike.

Kontrollimi total i RTK’së nga politika dikujt edhe mund t’i duket si përfitim politik, por ky hap do të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm për shoqërinë kosovare. Mediumi ynë publik po shkon rrugës së fundit të tij. Këtë e dëshmon edhe Bordi i ri - i krijuar me kaq ngut dhe politikisht i filtruar deri në skajshmëri - i cili do ta ketë të pamundshme që t’i kundërvihet presioneve politike.

Publikuar: 20.06.2010 | 16:00
Lexuar: 692 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime