Qëndrimin në Kosovë kësaj here e kam përjetuar me emocione më të mëdha, pse ishte vizita ime e parë një muaj pas shpalljes së Pavarësisë. Tani e kemi shtetin tonë, kjo ishte përgjigjja më e zakonshme që me jepnin miqtë e mi të shumtë, por edhe njerëzit e thjeshtë kur, pas urimit E gëzofshim Pavarësinë, i pyesja se si ndihen tani.
Pa mbështetjen e Shqipërisë, dinamikat do të mund të ishin më të ngadalshme
Nga Robert Goro
Po, Kosova e ka shtetin e vet tashmë. E fitoi me gjakun dhe sakrificat e brezave të tërë. Në Kosovë nuk ka shtëpi që nuk ka derdhur gjak për lirinë, do të thoshte këngëtarja e njohur Adelina Ismaili, që kishte ardhur në atdheun e vet për të prezantuar këngën e saj më të re, me titull Trimit tim.
Kosova e ka shtetin por qeveritarët dhe politikanët e saj po ndërgjegjësohen se tani duhet edhe ta bëjnë shtetin, një tjetër frazë që e dëgjon prej kujtdo.
Muaj më parë, e kisha komentuar me titullin Njeriu i duhur, në kohën e duhur, rezultatin e zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku kishte fituar partia Demokratike e Hashim Thaçit. Ishte koha e duhur, pse shpallja e pavarësisë në momentin e qeverisjes së ish luftëtarëve të UÇK-së, përbënte dhe kurorëzimin më të mirë të asaj lufte të pabarabartë që filluan djemtë e Kosovës diku në vitin 1993, e që arriti kulmin dhjetë vjet më parë, shi në mars 1998, duke shkaktuar një vit më vonë ndërhyrjen vendimtare të NATO-s.
Pavarësia është kulmimi i asaj që ne e kemi ëndërruar në shekuj, por edhe një angazhim i yni për synime më të mëdha, më tha me plot të drejtë zëvendëskryeministri i Kosovës dhe zëdhënës i qeverisë, Hajredin Kuçi, i cili krahas angazhimit të tërësishëm në politikë që në vitet e para të Çlirimit, ishte dhe pedagog i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, gjatë intervistës që vijon më poshtë:
- Fillimisht do të doja, ndonëse disi i vonuar, tju uroja edhe juve për shpalljen e Pavarësisë...
- Pavarësia është rezultat i sakrificave të shekujve me radhë, por të kulmuara me aktivitetin politik dhe ushtarak të viteve të fundit e në veçanti me luftën e do të thoja se gjenerata me radhë kanë grumbulluar atë emocionin e tyre dhe emocionet e shprehura në kuptimin pozitiv për vendin, shkalla e lartë e sakrificës ka rezultuar edhe në mbështetjen e madhe ndërkombëtare në shtetin e pavarur dhe sovran dhe unë do të doja të përshëndesja gjithë shqiptarët kudo që janë për kontributin e tyre, gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe besoj se kahjet e historisë kanë marrë rrugë të mbarë. Nuk është vonë të urohet, asnjëherë, kjo është një ngjarje që ka ndodhur jo për një jetë, por ka ndodhur për jetë të jetëve dhe një gjë që ka ndodhur nuk mund të çndodhet më. Do të thoja se është edhe një kulmim i asaj që ne kemi ëndërruar me shekuj, por edhe një angazhim i yni për synime më të mëdha.
- Megjithatë, kur po mbushet muaji që është shpallur pavarësia, Kosovën e ka njohur një numër prej 26 shtetesh, (shënimi im: intervista u krye të shtunën, më 15 mars), në kohën që mendohej se do të kishte një bum të vërtetë. A ndihet e zhgënjyer qeveria nga ky zhvillim?
- Mendojmë se njohja ka ndodhur në mënyrën më të shpejtë të mundur dhe është njohja më unikale që i ka ndodhur ndonjë shteti në botë. Kjo është njohja më kualitative dhe ne e kemi quajtur njohje kualitative për nga rëndësia e shteteve që na kanë njohur, në radhë të parë SHBA dhe shtetet kryesore të BE-së, dhe shtete të tjera me ndikim. Ne kemi një njohje të madhe kualitative, gjërat çdo ditë po lëvizin më shpejt, dhe ne kemi një dinamikë më të madhe se vendet e tjera. Qeveria e Kosovës po ndihet shumë mirë dhe shumë e rilaksuar në kuptimin e mbështetjes ndërkombëtare, ne po punojmë vazhdimisht edhe me miqtë tanë që ti gëzohemi në fazën e dytë njohjes numerike, që do të thotë do të rritet numri i shteteve që na njeh, dhe më pastaj jemi të interesuar për njohjen e konsoliduar që e quajmë, që nënkupton në çdo mekanizëm ndërkombëtar të kemi shumicën e domosdoshme për anëtarësim. Pra mund të them se në këtë drejtim gjërat kanë ecur më mirë se sa e kemi paramenduar.
- Më vjen mirë që e dëgjoj këtë. Kur do të bëhet emërimi i ambasadorëv e të parë dhe kur do të emërohet ministri i jashtëm?
- Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me disa vende në botë, javën e kaluar miratuam ligjin për marrëdhëniet me jashtë, domethënë, për shërbimin diplomatik dhe konsullor, ky vendim ka krijuar bazën juridike, jemi në konsolidim të qëndrimit tonë për të pasur ministrinë e jashtme, dhe faza e tranzicionit kërkon një konsultim të thellë me faktorin vendor dhe atë ndërkombëtar, por mendoj se qershori do të jetë muaji i ambasadave të para të Kosovës.
- Posti i ministrit të jashtëm dhe atij të mbrojtjes po përflitet shumë. Po thuhet se ekziston një marrëveshje ndërmjet dy partive kryesore. A do ti përmbaheni kësaj marrëveshjeje, apo do të zgjidhet një person nga shoqëria civile?
- E para e punës, nuk ka asnjë nevojë që të zgjidhet dikush nga shoqëria civile; dy partitë ekzistuese i kanë kapacitetet e domosdoshme që të nxjerrin një kuadër jo vetëm për këtë ministri, por edhe më shumë, në kuptimin e besimit qytetar dhe në kuptimin e kualitetit. Nga ana tjetër, logjika që në Kosovë të udhëheqin njerëz pa legjitimitet qytetar ka mbaruar, me fitoren e PD dhe me qeverisjen e kryeministrit Thaçi si njeriu më i votuar dhe më legjitim në Kosovë. Në Kosovë nuk mund të qeverisë një njeri që ka 3 për qind. Por do të qeverisë ai që ka shumicën e votave, si e vetmja mënyrë për të qevrisur në demokraci. Ne do të jemi të kujdesshëm që të zgjedhim personalitete që përfaqësojnë jo interesin partiak, por interesin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në anën tjetër, besoj se jemi në konsolidim e sipër dhe të respektimit të marrëveshjes. PD do ta respektojë me përpikmëri marrëveshjen e arritur dhe mendoj se është puna më e vogël se kush do të jetë personi, më shumë e rëndësishme është se sa funksionale do të jetë ajo ose ato ministri dhe sa do të jenë efektive për Kosovën.
- Kohët e fundit po flitet e shkruhet shumë se Kosova ende ndodhet nën katër pushtete. Kur parashikohet që Kosova të gëzojë me të vërtetë sovranitetin e plotë, jashtë kuadrit të rezolutave dhe jashtë mbikqyrjes ndërkombëtare, nuk po them jashtë kujdesit ndërkombëtar?
- E para, duhet të them se Kosova është në fazën e tranzicionit, këtë tranzicion po e bën edhe me bashkësinë ndërkombëtare, në radhë të parë me OKB-në, por edhe me misionin e ri të Bashkimit Europian. Në aspektin e sigurisë jemi në bashkëpunim të përhershëm me NATO-n dhe unë mendoj se NATO do të qëndrojë për një kohë të gjatë në Kosovë. Përndryshe, vala e transferimit të kompetencave shkon në drejtim të qeverisë së Kosovës dhe ne kemi transferuar ca kompetenca, besoj se deri në muajin qershor përfitimet e transferimit do të jenë të dukshme. Por në asnjë rast nuk ka ndonjë kompetencë që qeveria e Kosovës nuk e ka ose nuk do ta ketë. Bashkërendimin me faktorin ndërkombëtar ne do ta thellojmë, pse ne jemi shtet i pavarur, ne jemi qeveri serioze, shtet serioz.
- Megjithatë, unë mendoj se ende qeveria e Kosovës vazhdon të ndodhet nën një test, nga suksesi i të cilit varet edhe ardhmëria e shtetit të Kosovës. A mendoni edhe ju kështu?
- Vetë jeta do të jetë test çdo ditë, por testet e mëdha kryhen shumë rrallë në jetë; në këtë drejtim ne e kemi kryer testin kryesor, pjekurinë, në kuptimin e fitimit të pavarësisë dhe njohes ndërkombëtare. Kosova ka fituar mbështeje ndërkombëtare, është ndoshta vendi me mbështetjen më të madhe në botë, në kuptimin e fuqisë ekonomike, politike që kemi ne; dhe nga ana tjetër, ne jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta thellojmë. Ne nuk e kemi logjikën e refuzimit të bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, por as të pranimit të çdo gjëje. Por mbi të gjitha Kosova është e interesuar që të krijojë marrëdhënie të mira ndërkombëtare, të ecë nga ecin rrugët e shteteve të demokracisë, të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimeve globale që dalin në botë. Kosova përveç që është mirënjohëse për gjithë atë kontribut që kanë dhënë SHBA-të, shtetet e BE-së dhe vende të tjera, Kosova pra ka për obligim që edhe qytetarët e Kosovës të kenë orientim për lëvizje properëndimore.
- Analistë të ndryshëm me të cilët ka biseduar, më kanë theksuar një fakt: që aktualisht ekziston një pakt pajtimi, pajtim politik ndërmjet forcave kryesore politike në Kosovë, që më së shumti ndoshta është bërë në kuadër të elaborimeve për pavarësinë. Çfarë mendoni se janë garancitë që ofron ky lloj pajtimi, kështu që të jetë në një plan më afatgjatë?
- Këtu janë dy faktorë kryesorë: faktori i parë që është i vërtetë, në Kosovë nuk ka pasur opozitë dhe nuk ka pasur as tani për sa i përket proceseve të përgjithshme si, pavarësimi i vendit, ndërtimi i infrastrukturës legale, çështjes së kontrollit të tërësisë territoriale dhe funksionimit institucional. Faktori i dytë me rëndësi është se në Kosovë po qeveriset kur pushteti legal dhe legjitim është i ngjizur. Ata që qeverisin Kosovën e kanë garancinë e plotë edhe për sigurinë, edhe për stabilitetin, edhe për angazhimin, por njëkohësisht kanë mbështetjen qytetare dhe ndërkombëtare.
- Megjithatë kam përshtypjen se qeveria juaj, e cila është me të vërtetë e para që qeveris në mënyrë legjitime, po të kemi parasysh historikun e bashkëqeverisjeve, ka një sfidë jashtëzakonisht të vështirë përveç ndërtimit të shtetit dhe njohjes ndërkombëtare, dhe e kam fjalën në jetën e përditshme të qytetarëve, ku treguesit nuk janë dhe kaq të kënaqshëm. Dhe nga ana tjetër, në prag të konferencës së donatorëve, cilat mendoni se janë kapacitetet e Kosovës me qëllim që kjo konferencë të ofrojë jo thjesht një përkrahje apo asistencë ekonomike, por të ofrojë projekte të rëndësishme të cilat vërtet do të kenë ndikim në jetën e përditshme dhe rritjen e nivelit ekonomik të qytetarëve.
- Pavarësia për ne nuk është vetëm emocion, por është edhe mundësi, për një jetë më të mirë, për siguri dhe zhvillim të vendit dhe të kombit tonë. Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për sfidat që ka në planin ekonomik, mbi bazën e saj ne kemi tentuar të bëjmë projekte konkrete për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kemi vënë prioritetet tona. Prioriteti i parë është rendi dhe ligji, është ekonomia, infrastruktura, energjial, arsimi dhe shëndetësia, duke mos lënë anash edhe bujqësinë etj. Për këto projekte kemi resurse që mendojmë ti shfrytëzojmë. Resurset e para janë natyrale, të Kosovës, apo ato nacionale, qoftë ato të Kosovës dhe njerëzore, resurset e dyta, mendojmë nga investimet e huaja dhe donacionet ndërkombëtare por edhe institucionet monetare ndërkombëtare dhe resursi i tretë është diaspora jonë. Ne do të mundohemi që ti koordinojmë këto të trija me kujdes, dhe ti shfrytëzojmë në dobi të mirëqenies ekonomike të qytetarëve. Kemi projekte për këtë, do ti lëvizim gjërat, pa një optimizëm që këtu do të bëhet ndonjë mrekulli e madhe, por me garanci se do të bëjmë më të mirën e mundshme. Në këtë drejtim shkon edhe interesimi ynë për konferencën e donatorëve, ne jemi të bindur që konferenca e donatorëve do të bëjë dy gjëra, do ta krijojë mundësinë e stabilitetit ekonomik në kuptimin e infrastrukturës kapitale, që ne do të tentojmë ta rritim shumën e donacioneve për Kosovën dhe e dyta që ato donacione të jenë në përputhje me prioritetet e vendit tonë, që nënkupton se edhe marrin donacione, por dhe zhvillojmë orientimet strategjike të Kosovës. Kemi formuar grupe pune, kemi filluar lobizimin, kemi krijuar projekte, kemi angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë; besoj se do të jemi konkurentë të mirë, do të jemi seriozë dhe do të kemi donacione të cilat do të na ndihmojnë që në fazën e ndërtimit të shtetit të bëjmë infrastrukturën e domosdoshme.
- Në axhendën e qeverisë tuaj, çfarë vendi zënë marrëdhëniet me Shqipërinë?
- Mendoj se kjo është punë rutinë, nuk është një punë e veçantë që qeveria e Kosovës e trajton si me vendet e tjera. Me Shqipërinë është aspekti i rutinës së bashkëpunimit, jo vetëm në kuptimin politik, por edhe ekonomik e kulturor, ne kemi nxitur njerëzit nga Kosova por edhe vetë qeverinë që të jemi bashkarisht konkurrentë në projektet ndërkombëtare. Rrugët janë hapur tani, kërkohet që kapacitetet tona politike, ekonomike, kulturore ti bashkojmë dhe bashkarisht të konkurrojmë në botën moderne. Ne kemi mundësi që të ndihmojmë njeri tjetrin me përvojat e mira, besoj që këtu ekziston edhe besimi dhe ndjenja për ndihmë. Unë mendoj që edhe Shqipëria ndihet më mirë në këto raporte, por edhe Kosova e ka një shans më të madh. Marrëdhëniet me Shqipërinë nuk përbëjnë lajm, marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë janë rutinë dhe ne çdo ditë e nxisim këtë aktivitet.
- A është e vërtetë ajo që thuhet, se disa nga ambasadat e Shqipërisë nëpër botë, por edhe pranë organizmave ndërkombëtarë do të bëjnë përkohësisht edhe punën e përfaqësimit të Kosovës?
- Ne duhet ta pranojmë se Shqipëria ka ndihmuar edhe në planin diplomatik, i gjithë populli shqiptar ka ndihmuar edhe në luftën për liri të Kosovës, dhe të gjitha qeveritë shqiptare. Do të thoja se populli dhe politika shqiptare kanë qenë unike për çështjen e Kosovës dhe ndoshta pa një përkrahje të tillë edhe dinamika e çlirimit dhe e pavarësimit të Kosovës do të kishin qenë më të ngadalshme; dhe për këtë ne i jemi shumë mirënjohës Shqipërisë. Nga ana tjetër, ne duhet ti lëvizim disa gjëra, nuk duhet të hezitojmë në kuptimin e hapjes së mundësive, dhe nuk besoj se do të ketë diçka që do ta pengojë bashkëpunimin tonë.
Unë mendoj që askush në rajon dhe më larg nuk duhet ti frikësohet bashkëpunimit të kosovës me Shqipërinë, përkundrazi, duhet ta shohin si mundësi, ngase Shqipëria dhe Kosova janë të orientuara për paqe, për stabilitet, për bashkëpunim, edhe ndërshtetëror, por edhe rajonal, të dyja për integrim euroatlantik. Pra fizikisht, gjeografikisht jemi të ndarë, por qëllimet dhe aspiratat i kemi të njëjta.
- Qeveria juaj dhe personalisht kryeministri Thaçi vazhdimisht i janë drejtuar komuniteti serb që jeton në Kosovë, me mesazhe bashkëpunuese, integruese, por këto mesazhe, si i thonë fjalës, kanë trokitur në vesh të shurdhër... Ju si mendoni, cila është perspektiva e këtij komuniteti në Kosovë, do të jetë vazhdimisht një burim tensioni, do të integrohet? Kur të vijë puna e shtetësisë së Kosovës, si do të veprohet me këta?
- Qeveria e Kosovës dhe vetë kryeministri ka bërë një dallim, do të thoja, tepër të sukseshëm, duke dalluar Serbinë nga qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë. Për ne Serbia është një vend fqinj që në momente të caktuara nuk ka një politikë paqedashëse ndaj Kosovës. Por qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, janë qytetarë të kosovës dhe qeveria, kryeministri, të gjithë ne, kemi obligime ndaj tyre. Në këtë drejtim i kemi trajtuar si qytetarë të barabartë, kemi krijuar infranstrukturën e domosdoshme legale për ta, kemi krijuar dhe ofruar kushtet e sigurisë dhe natyrisht kushtet për një mirëqenie ekonomike të barabartë me qytetarët e tjerë. Jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me ata, i kuptojmë tensionimet për të cilat kemi mirëkuptim. Përndryshe, ne kemi qeveri multietnike, kemi bashkëpunim ditor, kemi bërë vizita edhe simbolike në familjet dhe fshatrat e tyre dhe pas pavarësimit të Kosovës, kemi dhënë garanci të plota që kosova është një shtet që po ndërtohet për gjithë qytetetarët e saj, shumice dhe pakicë. Në këtë drejtim e më shumë po hiqen iluzionet se ka një qendër tjetër për serbët e Kosovës përveç Prishtinës dhe po hiqet edhe ndikimi i Beogradit. Bashkëpunimi me Serbinë për komunitetin serb në Kosovë duhet të jetë urë, dhe jo si lëvizje e Beogradit për ta riintegruar Kosovën në Serbi. Ne duhet të punojmë më shumë, jo vetëm në kuptimin e fjalëve, po në kuptimin e ndryshimit të gjendjes së tyre. Kosova nuk do të ketë dhe nuk ka nevojë të ketë problem në marrëdhënieretnike.
- Megjithatë, për mendimin tim, një sfidë jashtëzakonisht e madhe dhe shumë e afërme, ka të bëjë me zgjedhjet e 11 majit në Serbi. Pyetja e të gjithëve është se a do të lejohet që të ngrihen qendra votimi edhe në Kosovë...
- Në radhë të parë, Kosova i konsideron ato zgjedhje si një çështje të Serbisë, mendojmë se është një shans i mirë që populli serb të ketë një kthesë, në kuptimin e vetëdijësimit të tyre. Ne jemi të bindur që në Serbi ka më shumë njerëz racionalë, se sa iracionale dhe besoj që një qeveri demokratike në Serbi do ti ndihmonte bashkëpunimit në rajon, por do të kishte një perceptim pozitiv edhe për Kosovën. Sido që të jetë, fati i Kosovës është i ndarë: zgjedhjet në Serbi janë çështje e popullit serb, Kosova me asnjë veprim nuk dëshiron të ndikojë në rezultatin e atyre zgjedhjeve, sikurse rezultatet e atyre zgjedhjeve asnjë ndikim nuk do të kenë në politikën dhe zhvillimet e Kosovës. Pra këto janë dy zgjedhje të ndara, në dy shtete të ndara.
- Po në rast se do të tentohet që të krijohen qendra votimi? Cili do të jetë vendimi i qeverisë, apo kjo do të lihet në kompetencë të UNMIKU-t?
- Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë një vendim për një çështje të tillë. Ajo që dua të them është se do të bëjmë zgjidhjen më të mirë për Kosovën, për qytetarët serbë, por edhe për raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar. Ne duhet të dallojmë se ka një ndryshim: është tjetër gjë mbajtja e zgjedhjeve si rezultat i votimit dhe i demokracisë, dhe tjetër mbajtja e zgjedhjeve për të krijuar perceptimin se po e kontrollojmë Kosovën. Kjo e dyta është e papranueshme, por ne do të marrim në kohë vendimin e duhur.
- Qeverisë maqedonase i është bërë presion nga politikanët shqiptarë atje, që të njohë pavarësinë e Kosovës para se, siç kërkon Shkupi, të bëhet përcaktimi i vijës kufitare. Nga ana tjetër, një tjetër vend i rajonit, që nuk fqinjëzohet drejtpërdrejtë me Kosovën, është Greqia. Do të doja të më thoshnit opinionin e qeverisë tuaj për rëndësinë që i kushtoni njohjes prej këtyre dy vendeve. Është e një rëndësie rutinore, në vazhdën e njohjeve që bëjnë shtete të tjerë, apo ka një rëndësi të veçantë, me që bëhet fjalë për shtete ballkanike?
- Çdo njohje e pavarësisë së Kosovës është e mirëseardhur dhe e domosdoshme, Kosova ka nevojë jetike për secilën njohje, pa marrë parasysh për cilin shtet bëhet fjalë. Por ne kemi nevojë gjithsesi edhe për njohje për shkak të mundësive të bashkëpunimit bilateral me vendet në rajon, në veçanti ato që kemi fqinjësi. Maqedonisë nuk i është bërë presion, i është bërë kërkesë...
- Më falni, kur përmenda fjalën presion, kisha parasysh presionin e partive politike shqiptare atje...
- Nuk e marrim njohjen e Kosovës si rezultat të presionit, por si rezultat të vullnetit dhe të bashkëpunimit bilateral dhe rajonal. Mendoj se Maqedonia, përveç se ka respekt për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ka dhe nevojë që ta bëjë një njohje të tillë. Nga ana tjetër mendoj se çështja e përcaktimit të kufirit me njohjen duhet të ndahen, janë procese të ndara krejtësisht. Nuk e di pse dikush ngutet që përcaktimi i kufirit të bëhet shumë shpejt. Kosova do ti kryejë obligimet e veta, do ta respektojë dokumentin Ahtisaari, dhe do të bashkëpunojë ngushtë, edhe me Maqedoninë, edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ne kemi sinjale se njohja do të ndodhë shumë shpejt, por do të ndodhë si rezultat i një bashkëpunimi e mirëkuptimi dhe nevojave bilaterale.
Në raport me Greqinë, ne kemi nevojë për njohje, ne jemi në kontakte të përhershme. Greqia ka qenë mbështetëse e proceseve të deritanishme në Kosovë, besojmë që me kohë do të jetë mbështetëse e njohjes së Kosovës dhe presim që të kemi bashkpunim, edhe në fushën politike si anëtare e BE-së, edhe në fushën e sigurisë si anëtare e NATOI-s, por edhe në bashkëpunimin ekonomik, qoftë në investimet nga shteti, qoftë ato private.
- Ju falënderoj dhe uroj që në intervistën tjetër të flisni vetëm ju dhe të më tregoni vetëm arritje...
- Faleminderit për interesimin, dhe për mundësinë që të shpreh këto mendime. Ashtu siç po zhvillohen gjërat në Kosovë edhe unë do të mundohem që ne tju përgjigjemi me punën tonë...
TRIBUNA