E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka vlerësuar se marrëveshja ka për qëllim trajtimin e shumë temave të rëndësishme që kanë të bëjnë me zbatimin e reformave në të gjitha fushat. “Kjo marrëveshje kontribuon në paqësimin e situatës në vend.
Të gjithë janë fitimtarë


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë të dielën se të gjithë janë fitimtarë me arritjen e marrëveshjes për tejkalimin e krizës në Maqedoni.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka vlerësuar se marrëveshja ka për qëllim trajtimin e shumë temave të rëndësishme që kanë të bëjnë me zbatimin e reformave në të gjitha fushat. “Kjo marrëveshje kontribuon në paqësimin e situatës në vend. Është një e arritur e madhe e partive politike me të cilën do të trajtohen shumë tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me zbatimin e reformave në të gjitha fushat.

Marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në fushën e investimeve, do të ndikojë pozitivisht në vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Gjithashtu, do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të avancimit të raporteve me vendet fqinje, si dhe do të ketë avancim në raportet ndëretnike sepse në këtë vend varet shumë se si ndërtohen marrëdhëniet në mes të dy komuniteteve më të mëdha”, ka deklaruar Ahmeti, duke shtuar se marrëveshja do të zbatohet në përpikëri.

“Nuk duhet shfaqur asnjë dilemë sepse partitë politike nënshkruese kanë përgjegjësi morale, kombëtare dhe shtetërore për ta zbatuar marrëveshjen. Garantues të kësaj marrëveshje janë Brukseli dhe Uashingtoni. Një koordinator special nga Brukseli do ta përcjellë tërë procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje”, ka theksuar ai.

Ahmeti ka bërë me dije se nga kjo marrëveshje shqiptarët do të përfitojnë, pasi ajo ngre përfaqësimin e tyre në struktura shtetërore. “Të gjithë janë fitimtarë me këtë marrëveshje. Në këtë drejtim edhe shqiptarët e kanë suksesin e tyre.

Do të thotë, pjesë e marrëveshjes është respektimi i marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucione”, është shprehur lideri i BDI-së, duke shtuar se shqiptarët nuk kanë nevojë për më shumë se dy parti politike. Në këtë kontekst, ai ka thënë se paraqitja e shumë partive në proceset zgjedhore bën ndarjen e votës së tyre që mund të rezultojë me humbjen e mandateve në Parlament.

Z. Ahmeti, si e vlerësoni marrëveshjen e arritur për tejkalimin e krizës në Maqedoni?

Ahmeti: Kjo marrëveshje kontribuon në paqësimin e situatës në vend. Është një e arritur e madhe e partive politike. Me arritjen e kësaj marrëveshje do të trajtohen shumë tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me zbatimin e reformave në të gjitha fushat. Marrëveshja do të ndikojë në rikthimin e stabilitetit politik, por edhe në fushën e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sepse ka pasur një hezitim të investitorëve dhe disa kompani të mëdha shpallen moratorium për investimet e tyre si rezultat i situatës politike. Sigurisht se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht edhe në vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Gjithashtu, do të ketë një lëvizje pozitive në drejtim të avancimit të raporteve me vendet fqinjë, si dhe do të ketë avancim në raportet ndëretnike dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë vend varet shumë se si ndërtohen marrëdhëniet në mes të dy komuniteteve më të mëdha. Gjithashtu, kjo marrëveshje tregoi se komuniteti ndërkombëtar, BE-ja, ShBA-të dhe NATO-ja, është i interesuar që ky vend ta zë hapësirën e merituar në strukturat euroatlantike, me çka u tregua se Maqedonia ngelet në krye të agjendës për zgjidhje të problemeve me të cilat ajo ballafaqohet.

Sa ka gjasa të zbatohet kjo marrëveshje?

Ahmeti: Nuk duhet shfaqur asnjë dilemë në zbatimin e saj, sepse partitë politike nënshkruese kanë përgjegjësi morale, kombëtare dhe shtetërore për ta zbatuar marrëveshjen, kurse garantues të kësaj marrëveshje janë Brukseli dhe Uashingtoni. Një koordinator special nga Brukseli, në bashkëpunim të përafërt me përfaqësues të katër partive më të mëdha, do ta përcjellin tërë procesin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Kjo ngjarje ka ndodhur në momentin kur zhvilloheshin shumë ngjarje të rëndësishme në Evropë. Do të thotë, nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje nuk do të ketë dobi vetëm Maqedonia, por edhe rajoni në përgjithësi sepse ka shumë çështje në Ballkanin Perëndimor që kërkojnë angazhime të përbashkëta. Nuk duhet harruar se BE-ja i kushtoi vëmendje të madhe Maqedonisë në kohën kur po ballafaqohej me krizën greke dhe me negociatat me Iranin. Kjo flet se Ballkani perëndimor mbetet prioritet për Brukselin.

Shqiptarët, çfarë do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, sepse është thënë se roli i tyre ka mbetur minor në këtë marrëveshje?

Ahmeti: Të gjithë janë fitimtarë me këtë marrëveshje. Në këtë drejtim edhe shqiptarët e kanë suksesin e tyre, sepse pjesë e marrëveshjes është respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucione, marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet me fqinjët, ku përfshihen edhe Kosova dhe Shqipëria, por edhe integrimi në NATO dhe BE. Njëkohësisht, nëpërmjet reformave sistemore, sundimi i ligjit do të përafrohet me standardet evropiane duke eliminuar mundësitë e proceseve me paragjykime etnike. Gjërat nuk mund t’i ndajmë në baza etnike sepse me demokratizimin dhe avancimin e çështjeve që kanë të bëjnë me integrimet, anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të përfitojnë edhe shqiptarët, sepse Maqedonia nuk mund të ecë përpara duke i ndarë qëllimet në baza etnike. Gjithashtu, më duhet ta përmend edhe ekspertizën e hollësishme të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që do të realizohet me ndihmën e z. Piter Fejt dhe Institutit Evropian për Paqe. Ky proces në fund të vitit do të prodhojë rekomandime për politika të qëndrueshme në frymën e marrëveshjes paqësore që rregullojnë marrëdhëniet midis dy komuniteteve shumicë në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Në mandatin e ardhshëm, a do të kemi përfaqësim më të madh të shqiptarëve në institucionet kryesore?

Ahmeti: Sigurisht se çështjet do të shkojnë në drejtim të duhur. Çdo ditë e më tepër shqiptarët po avancojnë sa i përket përfaqësimit në struktura drejtuese dhe në dikastere të ndryshme të shtetit. Dhe ky avancim do të rritet në të ardhmen, ndërsa sa për krahasim, në këtë mandat shqiptarët ushtrojnë mbi 30 % të pushtetit ekzekutiv me 8 ministra, nga të cilët 2 janë zëvendëskryeministra.

Mirëpo për t’u fuqizuar roli i shqiptarëve, duhet të ketë unitet më të madh mes tyre.

Ahmeti: Në Maqedoni, me rastin e këtyre negociatave, shqiptarët kanë qenë shumë unikë. Kemi qenë shumë afër njëri-tjetrit në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta të dy partive më të mëdha shqiptare. Nuk ka pasur asnjë kontradiktë dhe kemi treguar përballë të tjerëve unitet mendimi dhe veprimi. Prandaj, në çaste të rëndësishme shqiptarët janë bashkë për realizimin e qëllimeve të tyre.

Do të vazhdojë ky unitet edhe më tutje?

Ahmeti: Për qëllime madhore sigurisht se ky unitet do të vazhdojë, por dallimet mbesin edhe më tutje në mes të dy partive shqiptare sepse, po të kishte mendime të njëjta, atëherë nuk do të kishte nevojë të ekzistonin dy parti politike për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Mirëpo, shqiptarët nuk kanë nevojë për më shumë sesa dy parti politike, sepse këtu votohet mbi baza etnike dhe paraqitja e shumë partive në proceset zgjedhore bën ndarjen e votës së shqiptarëve dhe në një proces të tillë elektoral ne mund të humbim katër deri në gjashtë mandate në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Sa më shumë parti shqiptare që garojnë në zgjedhje parlamentare, aq më pak deputetë shqiptarë zgjidhen në Kuvend.

Intervistoi: Shqipe Hetemi, Epoka e re

Publikuar: 22.07.2015 | 14:33
Lexuar: 2710 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime