E martė, 22.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Do të ishte çudi, po të ishte ndryshe. Apo, sikur ky do të përfundonte nga vdekja që ka emrin sëmundje, aksident, rastësi.
Vdekja e artistit dhe arti i vdekjes





Blerim Shala

Vdekja e kësisoj e Bekim Fehmiut, duke i shkuar asaj, para se ajo të kishte mbërritur tek Ai, është Epilogu i vetëm i mundshëm i gjithë Jetës që ky pati deri me 16 qershor të këtij viti.

Do të ishte çudi, po të ishte ndryshe. Apo, sikur ky do të përfundonte nga vdekja që ka emrin sëmundje, aksident, rastësi.

Edhe Vdekja duhej ta merrte emrin e Tij. Apo, të ishte vullnet i tij sipëror.

Bekim Fehmiu u bë Njeri në një familje që kishte Parime, atëherë kur ato nuk vlenin pesë pare, që mbante dinjitetin, atëherë kur ruajtja e tij, me çdo kusht, fare lehtë të çonte në litar të varjes, para togës së pushkatimit, në zhdukjen e quajtur varri i panjohur.

Bekim Fehmiu ishte bir i një familje, e cila ishte pjesë e një populli që përbëhej prej robërve në Atdheun e tyre, prej refugjatëve të shpërndarë në të katër anët e Botës, prej martirëve që ishin shqepur kudo nëpër Kosovë, prej të burgosurve që gjendeshin gjithkund, në shtetin e atëhershëm.

Ky kurrë nuk do të harrojë familjen dhe popullin e vet. Dhe gjithmonë do të përpiqet ta bëjë jetën sipas Parimeve dhe Dinjitetit.

Këtë do ta bëjë edhe atëherë kur pikërisht për shkak të këmbëngulësisë së tij, për t’i respektuar Parimet, ai do të dëmtohej.

Gjithçka në jetën dhe karrierën e tij, duhej t’i nënshtrohej Dinjitetit.

Në jetë ka qenë Njeri dhe shqiptar. Ka mbrojtur pa kurrfarë kompromisi identitetin e tij kombëtar, dhe atë identitetin artistik. Ky nuk e ka aktruar shqiptarizmin, si shumë prej nesh. Nuk e ka simuluar as njerëzoren. Si shumica prej nesh. Dhe ky ka qenë artist i madh, i tillë që njihen me gishtat e një dore në qindvjetëshin e një kombi.

Bekim Fehmiu e ka ditë një gjë fare mirë, që nga rinia e tij e hershme: Nuk ke si të jesh me Parime dhe me Dinjitet, kur je i pafuqishëm.

Dhe kur u ligështua, me shëndet, ai e diti që kishte ardhur çasti kur Parimet që e mbajtën në jetë, duhet të shndërrohen në Parime që do ta dërgojnë në vdekje.

Kanë thënë filozofët antikë, ata që janë themeli i dijes së Qytetërimit Perëndimorë, që të filozofosh, do të thotë, të mësosh se si duhet të vdesësh.

Për ta forcuar jetën e atyre që mbesin pas teje. Pos tjerash.

Kështu bëri Bekim Fehmiu. U përqafua fuqishëm me vdekjen, dhe na tha që ne, duhet ta përqafojmë jetën më fort se kurrë.

Publikuar: 21.06.2010 | 22:37
Lexuar: 607 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime