E hënë, 19.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Politikanët dhe politikëbërësit tanë, është mirë që të nxjerrin mësime jo aq nga pësimet që mbajnë autorësinë e tyre, sa nga prania ndërkombëtare, me qëllim që tash e tutje t’ju japim epërsi vlerave.
Shteti i së drejtës, jo me fjalë, po me vepra










Seladin Xhezairi

Grupet e punës të katër partive politike, të përforcuara me ekspertë ndërkombëtarë, nga sot e deri më 16 gusht, do të jenë në pushim. Burime të afërta me takimet e zhvilluara këtë javë, ndërkaq lënë të kuptohet se qëndrimet lidhur me paketën zgjedhore, tashmë të vendosur mbi tryezën negociatore, janë tepër të kundërta: kjo ka të bëjë me listën zgjedhore, kompetencat për përcaktimin e autenticitetit të saj, përbërjen dhe ingjerencat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, votimin e diasporës.

Gjithashtu, për pas pushimeve është lënë të hapet çështja e prokurorit të posaçëm që do të merret me zbardhjen e megaskandalit të përgjimeve. Duket se prania e kreut të Shoqatës ndërkombëtare të Prokurorëve, Xhejms Hamilton, i cili ka një përvojë 30 vjeçare në këtë fushë dhe ishte pjesë e ekipit të Komisionit Evropian që, në ballë me diplomatin Rejnhard Pribe, përgatiti Raportin e ekspertëve për Maqedoninë, ka për të bërë që krahas verës, edhe në shtator të kemi një vjeshtë tepër të nxehtë politike.

Por, të presim e të shohim: Aktualisht, vëzhguesit e vëmendshëm, ndajnë bindjen se pas megaskandalit të përgjimeve dhe Marrëveshjes së dy qershorit, Maqedonia, e ballafaquar me një krizë të rëndë politike, ndodhet në udhëkryq. Prania dhe ndikimi i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar euro-amerikan për arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund krizës, pos që provojnë vendosjen e vendit, në njëfarë mënyre nën protektorat ndërkombëtar, shtrojnë edhe dilemën për kapacitetin, por edhe përgjegjësinë politike të politikëbërësve tanë që t’i çojnë deri në fund punët për atë që emërtohet si rivendosje e besimit të qytetarëve në institucionet aktualisht të diskredituara të sistemit.

Kjo punë bëhet më e rëndësishme, por edhe e vështirë, po të kihet parasysh se përvoja e deritashme e mosfunksionimit të institucioneve të sistemit ka prodhuar bindjen se ato, pra institucionet dhe në radhë të parë, gjyqësori, nuk kanë pasur kut të njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve. Së këndejmi, vendosja e shtetit të së drejtës, rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet, gjithësesi se nënkupton edhe përshëndetjen apo thënë më mirë heqjen dorë nga skenarët ogurzinj që deri tani, kanë prekur disa herë edhe marrëdhëniet ndëretnike.

Prandaj, politikanët dhe politikëbërësit tanë, është mirë që të nxjerrin mësime jo aq nga pësimet që mbajnë autorësinë e tyre, sa nga prania ndërkombëtare, me qëllim që tash e tutje t’ju japim epërsi vlerave. Pikënisje për këtë janë para së gjithash zgjedhjet – të lira e të ndershme, me oferta të kapshme e jo me shitje dersi, por me vesh për dertet e qytetarëve që, dorën në zemër, nuk janë as të pakta e as të vogla. (Tv Art)

Publikuar: 04.08.2015 | 13:14
Lexuar: 779 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime