E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Deklarata e Prizrenit ka qenë dokumenti bazë për ndërprerjen e konfliktit të armatosur dhe hapjen e dialogut për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Deklarata e Prizrenit i hapi rrugën dialogut politik dhe MO-së


Abdulla Mehmeti

Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) që nga dalja e saj e parë më 16 shkurt 2001, në Tanushë dhe më 14 mars të po këtij viti në Tetovë, për një kohë të shkurtë i hapi luftimet edhe në shumë vendbanime të tjera shqiptare në Maqedoni.

Vetëm tre muaj pas fillimit të konfliktit të armatosur, faktori politik i brendshëm dhe ai ndërkombëtar ndërmorën aktivitete për ndalimin e tij, me qëllim t’i hapin rrugë dialogut politik mes palëve në konflikt.

Pas bisedimeve të gjata e të mundimshme, mes përfaqësuesve të gjitha partive politike pjesëmarrëse në qeverinë e atëhershme të Republikës së Maqedonisë, me lehtësues ndërkombëtarë të këtyre bisedimeve, zgjidhja u arrit me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, e cila u nënshkrua nga përfaqësuesit e katër partive kryesore, kryetari i shtetit dhe lehtësuesit ndërkombëtarë, më 13 gusht 2001, në Shkup.

Pas 14 vjet përpjekje të vazhdueshme të subjekteve politike shqiptare për implementimin e plotë të kësaj Marrëveshje, ka zëra që atë e vlerësojnë si dokumentin më të rëndësishëm me peshë ndërkombëtare, i cili u ka siguruar shqiptarëve të këtushëm përparim të gjithanshëm dhe avancim të statusit të tyre politik-kushtetues, ndërsa një pjesë e studiuesve, analistëve dhe njohësve të rrethanave politike në vend, janë të mendimit se kjo Marrëveshje as për së afërmi nuk i ka zgjidhur problemet në këtë vend, veçanërisht marrëdhëniet ndëretnike mes dy popujve shumicë, shqiptarëve dhe maqedonaseve, por situata ka eskaluar në përmasa dramatike dhe shqetësuese për të ardhmen e këtij shteti.

Marrëveshjes së Ohrit i parapriu Deklarata e Prizrenit, e nënshkruar nga dy përfaqësuesit e partive politike shqiptare, pjesëmarrëse në qeverinë e Maqedonisë, Arbën Xhaferit (PDSH), Ymer Ymerit (PPD) dhe përfaqësuesit politik të kryengritësve shqiptarë (UÇK), Ali Ahmetit, e nënshkruar në Prizren, më 22 maj 2001.

Deklarata e Prizrenit ka qenë dokumenti bazë për ndërprerjen e konfliktit të armatosur dhe hapjen e dialogut për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Nga ky aspekt shtrohet nevoja e leximit, njohjes, studimit, analizës së mëtejme dhe interpretimit të drejtë të këtij dokumenti, i cili bashkë me Marrëveshjen e Ohrit është dashur të sjellin ndryshime rrënjësore dhe të sigurojnë barazi të plotë mes bashkësive kombëtare shumicë në këtë vend.

Duke marrë parasysh se ky dokument ka qenë në dispozicion vetëm të disa subjekteve dhe studiuesve të autorizuar, por nuk është publikuar për opinionin e gjerë, me rastin e 14 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit ua prezantojmë tekstin e plotë të kësaj deklarate, me shpresë se do t’u shërbejë studiuesve për thellimin e studime shkencore të mëtejme, ndërsa opinionit më të gjerë për vlerësimin e saj të drejtë.

Në vazhdim ju prezantojmë tekstin e plotë të kësaj Deklarate dhe fotografinë nga akti i nënshkrimit të saj:

DEKLARATA E LIDERËVE SHQIPTARË TË MAQEDONISË LIDHUR ME PROCESIN PAQËSOR E REFORMUES NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË

Liderët shqiptarë të Maqedonisë, të vetëdijshëm për momentin historik nëpër të cilin po kalon Republika e Maqedonisë dakordohen për veprim të përbashkët mbi pikat e një konsensusi të gjerë kombëtar dhe shoqëror i cili duhet ta reformojë Republikën e Maqedonisë në mënyrë që të jetë shtet demokratik i të gjithë qytetarëve dhe i të gjitha bashkësive kombëtare.

Konsensusi i arritur mes liderëve shqiptarë mbështetet mbi këto pozicione parimore:

– njohjen e faktit se reformat për të cilat angazhohen shqiptarët kanë qëllim ruajtjen e integritetit dhe karakterit multietnik të Maqedonisë,

– njohjen se nuk ka zgjidhje ,,etnike territoriale” për problemet në Republikën e Maqedonisë dhe se çdo përpjekje për të ,,coptuar etnikisht” territoret u sjell dëm vet qytetarëve të Maqedonisë dhe paqes në rajon,

– njohjen se nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet në RM,

– njohjen se procesi i transformimit të RM duhet të shkojë vetëm drejt integrimeve euro-atlantike,

– njohjen se zgjidhja do të gjendet brenda një procesi vendor politik me lehtësimin e SHBA-ve dhe BE-së.

Në bazë të këtyre parimeve, liderët shqiptarë të Maqedonisë janë të vendosur që të marrin pjesë në procesin e dialogut reformist duke i trajtuar këto çështje:

– amendamentet në Kushtetutën e Maqedonisë,

– përdorimi i papenguar i gjuhës shqipe si njërës prej gjuhëve zyrtare të Maqedonisë,

– përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit,

– zgjerimi kompetencave të pushtetit komunal,

– sekularizimi i plotë i Kushtetutës, d.m.th, Shtetit,

– vendosja e demokracisë konsensuale në çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare, d.m.th, kufizimi i procesit të mbivotimit në fushat që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me të drejtat etnike,

– e drejta për komunikim të lirë e të papenguar në hapësirën kulturore shqiptare.

Gjithashtu brenda këtij debati janë masat për transformimin e jetës së anëtarëve të UÇK-së në forma të ndryshme profesionesh civile duke përfshirë edhe ato brenda institucioneve qeveritare.

Brenda këtij debati, një vëmendje e veçantë do të jetë mbi:

– rehabilitimin dhe risocializimin e plotë të të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së,

– rindërtimin e fshatrave dhe ekonomive familjare të shkatërruara gjatë luftimeve si dhe përkujdesjen ndaj viktimave të luftës (invalidët e luftës, familjet e të vrarëve, bonjakët, etj.

– kryerjen e shërbimit ushtarak në ARM, brenda komunës së lindjes.

Në dialog, i cili do të zhvillohet brenda tryezës së rrumbullakët të liderëve të koalicionit të tanishëm qeveritar, duke u kryesuar nga Kryetari i Republikës e me lehtësim të SHBA-ve dhe BE-së, do të krijohet forma konsensuale e pjesëmarrjes së faktorit politik shqiptar.

Publikuar: 17.08.2015 | 14:35
Lexuar: 826 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime