Albin Kurti përfaqëson një figurë jashtëzakonisht sugjestive politike në rrafsh ballkanik, një nga mendjet më të spikatura të shoqërisë kosovare dhe sigurisht ai e zgjodhi kohën e krijimit të partisë. Madje me precizion të tepruar.
Mentor NAZARKO
Jo thjesht kur klasa politike në pushtet është e përfshirë në krizë besimi, por kur dhe EULEXi, që premtoi ta godiste këtë klasë politike, po heziton ta bëjë, si për ti dhënë të drejtë Kurtit dhe lëvizjes së tij se EULEXi nuk u nevojitet institucioneve të Kosovës. Kurti në një farë mënyre zgjodhi dhe mënyrën sesi do të arrestohej - si kryetar partie! Ai u pagëzua në rolin e ri me arrestimin dhe dënimin e tij. Ai e dinte fare mirë se do të arrestohej sapo të dilte në publik për të shpallur krijimin e partisë. Kështu që u përpoq të maksimizonte efektet pozitive për subjektin e vet të konvertuar në parti politike. Një kalkulim i hollë, që dhe me veprimin e trashë të policisë së Kosovës dha efekte pozitive për Kurtin e mësuar me burgje.
Është fare e qartë se Kurti e provokoi vetë policinë, e cila me siguri ka qenë pasive në nevojën për arrestimin e tij. Por, ai doli në publik për ta sfiduar atë dhe reagimi i saj ishte tërësisht i shpërpjesëtuar. Mbi të gjitha, dërgimi i Kurtit në burg ishte një gabim i madh i policisë së Kosovës, me shumë gjasa i koordinuar dhe me ndërkombëtarët, që gjithashtu bëjnë gabim të madh që miratojnë skema të tilla. Nuk është ndonjë mençuri e madhe as lirimi nga dy akuza politike dhe dënimi i Kurtit me një akuzë ordinere, që supozohet se do ta pengojë përfshirjen e tij në listën e kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme.
Me shumë të drejtë, kritikë të Qeverisë thonë se policia, prokuroria, gjykatat nuk po arrestojnë apo nuk dënojnë ata që dyshohen për korrupsion, por dikë që është ideologjikisht kundër sistemit mikst politik në Kosovë. Ndërkombëtarë, plus establishmenti lokal. Por, sa janë gjasat për sukses të Kurtit? Ai gjithnjë ka bërë thirrje që të bojkotohen zgjedhjet dhe mund të mendohet se bojkotuesit janë votuesit e tij potencialë apo realë. Mirëpo, shifrat e abstenuesve në Kosovë janë fiktive. Në Kosovë njerëzit vazhdojnë të votojnë në përqindje të madhe. Ndoshta diku tek 70-75%.
Ata që thonë se votojnë vetëm 42%, sa është shifra zyrtare, gabojnë, pasi mbështeten në shifrën zyrtare të listës së votuesve ku përfshihen edhe emigrantët, madje edhe serbët. Nëse llogaritet si e zbritur nga kjo listë shifra e emigrantëve, plus një pjesë e madhe e serbëve, atëherë mund të kuptosh se shifra e votuesve është diku tek 70-75%. Por, cilët janë mbështetësit e Kurtit? Për të arritur në një përfundim të saktë duhet të analizohet cili është bazamenti i tij ideologjik. Kurti është një figurë intelektuale antiglobaliste, pra përfaqësues i së majtës ekstreme, të arsimuar shumë mirë që në terrenin e Kosovës përkthehet kështu. Vetëvendosja është kundër ndërkombëtarëve; më specifikisht kundër perëndimorëve (EULEX); kundër KFORit, megjithëse nuk shfaqet shumë me forcë (hiq rastin e fundit të vizitës në Prishtinë të shefit të shtabit të ushtrisë serbe).
Duke qenë kundër perëndimorëve, megjithëse jo në mënyrë të fortë, Kurti rrezikon të konsiderohet dhe si antiamerikan. Ndërkohë, duke qenë antiglobal, Vetëvendosja pretendon në mënyrë skolastike se regjimi ndërkombëtar është neokolonialist, diçka jorealiste, sa kohë që ndërkombëtarët nuk erdhën në Kosovë për burimet e saj ekonomike, por për të përzënë serbët prej andej. Kurti është artikuluar me forcë kundër varësive ekonomike nga jashtë, kundër sistemit ekonomik ekzistues në Kosovë (tezat e tij ekonomike në fakt përfaqësojnë pjesën më të shëndetshme të mendimit të Vetëvendosjes. Kurti është nacionalist në rrafshin komunikativ. Ai është shprehur pro bashkimit me Shqipërinë, duket ekstremist në kontestet kufitare të Kosovës me fqinjët dhe Serbinë në veçanti. Për këtë arsye, Kurti ka kontakte me shoqata dhe grupime të ndryshme edhe jashtë Kosovës, që janë deklaruar pro bashkimit.
Kurti dhe djemtë e tij përfaqësojnë një grupim idealistësh, ndaj duket sugjestive se si ky subjekt mbahet në këmbë nga pikëpamja financiare. Më në fund, Kurti synon të përfaqësojë edhe atë pjesë të shoqërisë kosovare që kërkon ritme shumë të shpejta zhvillimi, që ka nivel të lartë intelektual, që nuk ka komplekse ndaj të huajit, etj. Për të gjitha këto arsye, mbështetësit e Kurtit mund të jenë: ish-anëtarë të UÇKsë, të pakënaqur nga mosintegrimi i tyre, ndoshta pjesa më idealiste e UÇKsë, që nuk është pasuruar pas luftës, nuk është përfshirë në institucione, etj. Kjo pjesë nuk sheh arsye të ndihet mirënjohëse ndaj ndërkombëtarëve, pasi ka luftuar dhe beson se çlirimi i Kosovës është arritur prej forcave të brendshme. Këtyre i duhet bashkuar një pjesë individësh asnjanës, apo mosbesues, snobë ndaj të gjithë politikës në përgjithësi.
Sigurisht, kjo pjesë ka kulturë, ka formim të mirë intelektual. Kjo pjesë realisht bojkoton me vetëdije zgjedhjet. Dikush thotë se brenda Vetëvendosjes ka edhe trashëgimtarë të familjeve të ballistëve, por nuk shihet asnjë lidhje ideologjike mes ballistëve dhe të majtës që përfaqëson Kurti. Pas një prerjeje sociologjike të mbështetësve potencialë të Albin Kurtit dhe Lëvizjes së tij, shtrohet pyetja: Po rezultati? Megjithëse Lëvizja e Kurtit duket tërheqëse me mënyrën si funksionon, me kreativitetin e saj, është shumë e vështirë të besohet, ashtu siç thuhet, se Kurti ka mbështetje masive tek rinia. Rinia e Kosovës nuk është kundër europianëve, apo kundër perëndimorëve, siç bën Vetëvendosja. Nëse ka një pjesë të kësaj rinie me këto parametra, ajo duhet të jetë e vogël.
Numri i madh i pjesëmarrësve në protesta nuk do të thotë domosdoshmërisht se ata janë që të gjithë votues potencialë të Vetëvendosjes. Kjo pjesëmarrje mund të vijë pasi në Kosovë ka shumë arsye për protestë, por partitë politike të opozitës, përjashto grupet e interesit, nuk protestojnë për asgjë. Në këtë kuptim, ata që duan të protestojnë e gjejnë me vend ti përngjiten Vetëvendosjes që proteston shpesh. Vetëvendosja pastaj duket shumë elitare (hiq aksionin politik që e ka mediatikisht efektiv) për të qenë një parti masive në Kosovë.
Janë disa rreziqe për Vetëvendosjen si parti. Vetëvendosja ka nevojë për strukturë territoriale, që kërkon para për tu ngritur. Vetëvendosja nuk i di truket e mbledhjes, vjedhjes, ruajtjes së votës. Vetëvendosja mund të konsumohet politikisht. Në momentin kur ajo do hyjë realisht si parti politike, ndaj saj mund të vendosen kufizime në hapësirë mediatike, njëlloj si për parti të tjera, ose ajo duhet ta blejë hapësirën. Nëse deri më tani ajo e kishte atë gratis, tani logjikisht askush sduhet tia falë atë. Pra, zvogëlohen shanset e rritjes së saj nëpërmjet mediatizimit.
Gjithsesi, dalja e Kurtit në skenën politike kosovare dëften një të vërtetë që mund të vlejë dhe për Shqipërinë. Ekziston hapësira për subjekte të reja, për idealistë, për rebelizëm transversal ndaj të gjithë klasës politike majtas dhe djathtas. Ndoshta në këtë pikë Kosova është më përpara se Shqipëria. Këto ndjeshmëri, këta individë, në Kosovë kanë arritur të gjejnë hapësirë, të afirmohen, dhe pse jo mund të kenë sukses elektoral.
Shqipëria është ende në pritje të Kurtit të vet.