Për çudi, edhe pas Samitit dëshpërues të Luksemburgut, pyetja e vetme që vazhdon të parashtrohet më së shpeshti këtë javë ka të bëjë pikërisht me durimin e shqiptarëve. Të gjithë duket se janë të shqetësuar për atë se deri kur do të durojnë shqiptarët.
Ermira Mehmeti
Javën që shkoi, në Samitin e Luksemburgut, Maqedonia nuk arriti të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Unionin Evropian. Ndryshe nga çishte menduar, tashmë po duket sikur sukseset e mëdha po zëvendësohen me disfata të mëdha. Përpos reagimeve jo fort potente të opozitës dhe partive shqiptare (këto reagime janë konzistente, natyrisht), duket sikur askush nuk u shqetësua nga rezultati i këtillë i samitit dhe për më shumë, ky vendim u cilësua si i pritshëm, jo si surprizë. Kjo gjendje defetiste krijon përshtypjen se Maqedonia ka nisur të adaptohet me disfatat e njëpasnjëshme në planin ndërkombëtar. Disfatat pastaj, në kërkim justifikimi, deri te qytetarët e rëndomtë (lexo trupi votues), po arrijnë të paketuara si triumfe, madje edhe historike.
Por, qasja e këtillë sipas së cilës disfatat në arenën ndërkombëtare prezantohen si triumf në atë kombëtare, rrezikon të na mbyllë në një qark vicioz të dështimeve të njëpasnjëshme. Për pasojë, qytetarët rrezikojnë të mësohen me dështimet e këtilla, dhe me kalimin e kohës, mosmarrja e datës për negociata me UE dhe moshyrja në NATO do të mund të duket si diçka fare e zakonshme. Mosmbyllja e kontestit për emrin që e kushtëzon integrimin tonë evropian dhe atë në NATO, qartazi rrezikon që këtë çështje ta shndërrojë në një tip të kontestit të ngrirë. Kjo nënkupton se kontesti do të jetë përherë prezent, por njerëzit do të mësohen të jetojnë me të dhe nuk do tu bëjë përshtypje. Ai do të aktualizohet ose dinamizohet varësisht nga momenti politik apo ndonjë garë eventuale zgjedhore, apo ndonjë arsye tjetër.
Sipas kësaj logjike, palët në vazhdimësi do të deklarojnë se po bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje, dhe kjo do ti mbajë gjallë negociatat, takimet e rregullta ose të kohëpaskohshme në nivel kryeministrash apo negociatorësh do të zhvillohen edhe më tej, por ato nuk do të kenë për qëllim që të prodhojnë zgjidhje, pra, nuk do të jenë negociata kualitative. E, megjithatë, palët do të pohojnë se po kërkohet rrugëdalja. Mosarritja e kompromisit vazhdimisht do ti përsërisë raportet negative dhe në këtë mënyrë do të betonohet mbajtja e Maqedonisë jashtë nga strukturat euroatlantike në periudhë të pacaktuar. A është kjo përgjigja e vërtetë për dilemat e Maqedonisë?
Një kërkim i thjeshtë nëpër internet do të rezultojë me një listë shumë të gjatë të kontesteve të ngrira (kryesisht lidhur me territore), në të gjitha kontinentet e botës. Por, konfliktet e këtilla të ngrira ekzistuese në botë nuk është se ofrojnë ndonjë përgjigje të përshtatshme për Maqedoninë. Maqedonia ka zgjedhur integrimin në NATO dhe në UE si përgjigjen më të mirë për çështjet e hapura dhe është pajtuar për një model shtetformues sipas standardeve perëndimore.
Sipas kësaj, nga Maqedonia pritet që të ndërtojë vlera për të cilat do ta çmojnë dhe me të cilat do të identifikohen demokracitë perëndimore. Për më shumë, konteksti aktual i Ballkanit Perëndimor kërkon nga politikëbërësit që të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme të kontesteve të hapura dhe prandaj, as Maqedonisë e as rajonit nuk i konvenon mbajtja e një kontesti të ngrirë, gjegjësisht mbajtja e hapur e një elementi themelor për ekzistimin e një shteti, në një regjion të brishtë dhe me histori të freskëta të luftërave të përgjakshme.
Po, cilat mund të jenë pasojat nga shndërrimi i kontestit për emrin në një kontest të tillë të ngrirë? E para dhe më tragjikja do të ishte largimi nga agjenda evropiane e vendit. Njerëzit do të ndjehen të lodhur nga të shpresuarit dhe nga pritja se ndoshta në këtë apo atë gjashtëmujor do të gjendet një zgjidhje. Ata do të bëhen apatikë dhe të painteresuar për Evropën dhe përparësitë që sjell integrimi për vendin.
Duke u larguar nga agjenda evropiane, ata do tu rikthehen agjendave tjera të cilat, për shkak të natyrës së shtetit, gjithsesi se do të jenë të veçanta, gjegjësisht paralele. Kjo pa asnjë dilemë, do ti polarizojë edhe më shumë grupet etnike dhe do ti mobilizojë ato rreth agjendave respektive. Përcaktimet pro integrimeve si diskurs ose përcaktim ideologjik, do të rrezikojnë të delegjitimohen plotësisht, ndërsa vetëm forcat që do të apelojnë për vlera të tjera do të gëzojnë mbështetje popullore. Ky nuk është një skenar që i nevojitet apo konvenon Maqedonisë!
Për çudi, edhe pas Samitit dëshpërues të Luksemburgut, pyetja e vetme që vazhdon të parashtrohet më së shpeshti këtë javë ka të bëjë pikërisht me durimin e shqiptarëve. Të gjithë duket se janë të shqetësuar për atë se deri kur do të durojnë shqiptarët. Por parashtrimi i problemit në këtë mënyrë është i gabuar. Sepse, është ironike që edhe pas një disfate kaq të madhe për shtetin dhe në rrethana kur kontesti për emrin rrezikon të shndërrohet në permanencë, i vetmi shqetësim i shprehur është pikërisht durimi i shqiptarëve.
Pyetja e vërtetë, në fakt, është deri kur do të durojnë maqedonasit, të cilët realisht janë duke u shndërruar në pengje të një politike vetizoluese dhe defetiste. Dhe pikërisht kjo është pyetja kryesore që këtyre ditëve dëgjohet në kampin etnik shqiptar: edhe sa do të durojnë bashkëqytetarët maqedonas para sa të vetëdijesohen se gjetja e kompromisit rreth emrit ka vetëm përparësi dhe se lidershipi i tyre gjendet para një momenti kur prej tij kërkohet që të zgjidhë problemet ekzistuese, jo të krijojë probleme të reja.
Përcaktimet pro integrimeve si diskurs ose përcaktim ideologjik do të rrezikojnë të delegjitimohen plotësisht, ndërsa vetëm forcat që do të apelojnë për vlera të tjera do të gëzojnë mbështetje popullore.