Studentët me korrespondencë kanë qenë të privuar nga të drejtat
për konvikt dhe në anën tjetër dy herë të diskriminuar, të paguajnë më shumë dhe në diplomë tiu shënojë studentë me korrespondencë.
Shpresat e maturantëve për një vend në Universitetin e Prishtinës janë rritur. Rektori i këtij universiteti, Mujë Rugova, ka deklaruar të martën se në këtë universitet në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2010-2011 do të regjistrohen 18 mijë brucoshë. Për të realizuar këtë vendim, ai ka theksuar rritjen e disiplinës në mesin e stafit akademik, duke konsideruar në anën tjetër hapësirë të mjaftueshme për të përballuar këtë numër të studentëve, por edhe shtimin e stafit akademik ku paraqitet nevoja.
Rektori ka përmendur edhe hapjen e degëve të reja të Juridikut në Pejë dhe të Ekonomikut dhe Juridikut në Gjilan si degë të këtyre fakulteteve në UP, kurse ka konfirmuar regjistrimin e studentëve të Fakultetit të Edukimit nga Gjilani dhe Prizreni në qendër në Prishtinë, ku ky fakultet do të ketë dhe objektin e ri.
Rugova ka thënë se numri i studentëve në UP tash është më i ulët sesa në vitet e 80-ta kur UP-ja kishte edhe më pak hapësira sesa tash dhe numër më të madh të studentëve.
Megjithëse nuk është mohuar numri i vogël i profesorëve i cili në disa fakultete qëndron 1 profesor-100 studentë, ky fakt, sipas prorektorit për çështje akademike Bajram Berisha ka shtyrë Rektoratin të mendojë për kompensimin e stafit akademik, i cili do të bëhet gradualisht.
Ndërkohë Rugova ka vendosur për sivjet që të ulet numri i studentëve me korrespodencë dhe ai numër të kthehet në të rregullt, meqë sipas tij këto lloj studime vetëm sa kanë ngarkuar buxhetin e familjeve të tyre, të cilat është dashur të paguajnë nga 250 euro për semestër dhe ndërkohë këta studentë të diskriminohen nga disa të drejta në raport me studentët e rregullt. Sipas tij, askund në botë nuk ka studime të tilla (me korrespondencë).
Studentët me korrespondencë kanë qenë të privuar nga të drejtat
për konvikt dhe në anën tjetër dy herë të diskriminuar, të paguajnë më shumë dhe në diplomë tiu shënojë studentë me korrespondencë.
Krijimi i më shumë vendeve për studime të rregullta dhe zvogëlimi i atyre me korrespondencë, sipas Mujës ka diktuar që shuma për semestër të studimeve të rregullta të bëhet 75-80 euro, nga 50 sa ishte deri më tash.
Planet për pranimin e studentëve të rinj kanë përfshirë edhe çështjen e regjistrimit të studentëve që vijnë nga familjet e dëshmorëve apo janë invalidë të luftës. Rektori Rugova tha se do të nënshkruhet memorandum mirëkuptimi me shoqatat e dala nga lufta, por do të shmanget ndërhyrja me lista e këtyre shoqatave gjatë regjistrimit të tyre, mirëpo ka pohuar se fëmijët e dëshmorëve apo vetë ata konkurrentë që kanë marrë pjesë e janë invalidë të luftës do të kenë 5-10 pikë shtesë nga fakultetet gjatë konkurrencës me të tjerët. Shpallja e konkursit për pranimin e studentëve të rinj do të bëhet pas publikimit të rezultateve të akreditimit më 7 korrik, kur do të dihet fati i shtatë njësive akademike të UP-së që janë në proces të akreditimit.
UP-ja edhe sivjet do të organizojë provimin pranues për studentë. Përderisa 70 për qind e rezultatit do ti takojë provimit të maturës, 30 për qind e rezultatit do të jenë nga provimi pranues. Rektorati ka theksuar se dhe këtë vit studimet për ata që do të pranohen në drejtimin e fizikës apo matematikës do të jenë falas, kurse në përgjithësi në drejtimet deficitare do të ketë stimulim me bursa. Rektorati për këtë vit ka krijuar edhe hapësira më të mëdha. Fakulteti i Edukimit do të zhvendoset në objektin e ri dhe objekti i tanishëm i Edukimit do të shfrytëzohet nga Juridiku dhe Ekonomiku, Fakulteti i Arteve do të zhvendoset në objektin e UP-së të liruar nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe objekti i tanishëm ku janë Artet do të përdoret nga fakultetet që kanë nevojë për shtim hapësire. (zëri)