E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në një intervistë për “Shekulli”-n ai na tregon se, ideja për të realizuar këtë film i ka lindur nga ngjarjet e vitit 2012, ku katër ish- të përndjekur politik i vunë zjarrin vetes.
Një film për ish-të përndjekurit dhe hapjen e dosjeve


Një ish- i burgosur politik duhet të rifillojë jetën atje ku e ka ndërprerë. Por përpara se të bëjë paqe me të shkuarën, duhet të falë persekutorët e tij. Një udhëtim i gjatë, që ka si qëllim të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe arsyet se përse një i pafajshëm është dënuar padrejtësisht dhe cilët janë personat që janë përfshirë në këtë vendim.

Kjo ngjarje trajtohet në filmin "Contromano 4" me regji të Andamion Murataj. Në një intervistë për “Shekulli”-n ai na tregon se, ideja për të realizuar këtë film i ka lindur nga ngjarjet e vitit 2012, ku katër ish- të përndjekur politik i vunë zjarrin vetes.

Sipas tij, nuk mund të qëndrosh indiferent ndaj këtij akti, sepse ky është një detyrim, që ua kemi të dënuarve të ndërgjegjes dhe fëmijëve tanë, të cilët nesër do të na thonë: Ç’ndodhi?

Andamion, jeni duke punuar për realizimin e filmit “Contromano 4”. Një film që ka për subjekt ngjarje nga jeta e ish- të përndjekurve politik...

Ideja fillestare e filmit më ka lindur në vitin 2012, kur shpërthyen protestat e ish të përndjekurve politikë, ku katër prej tyre njëri pas tjetrit i vunë zjarrin vetes. Një akt i rëndë ky i rezistencës, që s’kishte si të mos sillte në mend aktin e studentit Jan Palach, i cili më 16 Janar 1969 i vuri zjarrin vetes, si akt ekstrem i protestës civile antikomuniste kundër pushtimit të Çekosllovakisë nga trupat ruse. Akti i vetëmohimit të këtyre ish të dënuarve të ndërgjegjes u përpoq të instrumentalizohej politikisht, por sakrifica e tyre sublime për kauzën e tyre e tejkalonte interpretimin pragmatik dhe theksonte pikërisht, që ende kishte njerëz që sakrifikonin për një kauzë, që shumëkush e quante të harruar apo të mbyllur. Çështja e marrëdhënieve të shoqërisë sonë me komunizmin, nuk besoj të quhet e mbyllur pa u vënë drejtësia në vend dhe pa u prononcuar qartë si shoqëri.

Megjithëse kisha disa vite që po e bluaja idenë e një ndërmarrjeje të tillë, mundësia m’u krijua pas një thirrjeje për projekte filmike, të organizuar nga “Puglia Film Comission” në Itali në kuadrin e projektit “Memoria”, që ka të bëjë me filma me temë nga kujtesa historike e dy vendeve tona.

Unë aplikova si shumë autorë të tjerë, italianë dhe shqiptarë. Konkurrenca ishte e lartë, po ashtu dhe kushtet e dorëzimit të projektit ishin shumë të forta. Megjithatë projekti im, “Contromano” u shpall fitues ndër 70 projekte të propozuara, italiane dhe shqiptare. Kjo për mua ishte një mundësi e artë për të realizuar njërin nga episodet që përbëjnë filmin e gjatë, “Contromano 4”.

Por cila është historia e “Contromano 4” dhe cilët janë aktorët e përzgjedhur?

"Contromano 4" është një film artistik i metrazhit të gjatë, i përbërë nga katër filma të shkurtër, të ndërlidhur midis tyre, si katër episode të jetës së Adrian Borës, i cili ka vendosur të rifillojë jetën aty ku ia kanë ndërprerë. Përpara se të bëjë paqe me të shkuarën dhe të falë persekutorët e tij, Adrianit i duhet të ndërmarrë një udhëtim të gjatë, për të mësuar të vërtetën mbi arsyet dhe personat e përfshirë në dënimin e tij të padrejtë. Por a është Adriani i përgatitur të përballojë atë çka fsheh dosja e tij?

Edmond Budina interpreton rolin e Adrian Borës, i cili është karakteri kryesor i të katër episodeve. Eva Alikaj interpreton rolin e ish të dashurës me të cilën Adrian Bora ritakohet pas shumë vitesh ndarjeje. Po peshën më të vështirë të këtij episodi të sapo xhiruar e mban Birçe Hasko, me karakterin e Gazi Fundos, një ish oficer sigurimi, që ka përgjuar jetën e Adrianit dhe mban dosjen e tij. Që në fillim kisha parashikuar Birçe Haskon ose Albert Verrinë. Unë u takova disa herë me të dy dhe përfundimisht vendosëm që të vazhdojmë procesin me Birçe Haskon, i cili dua të theksoj që me këtë karakter arrin një nga interpretimet më komplekse të karrierës së tij.

Andamion, realisht sa e gjeni ju veten te ky skenar dhe çfarë mendoni për hapjen e dosjeve në Shqipëri?

Mua gjithmonë më ka interesuar të bëj një film, për atë sesi shoqëria jonë po përballet me procesin e katharsisit të së shkuarës së diktaturës komuniste. Debati për ligjin e lustracionit dhe hapjen e dosjeve, i cili është shtruar shumë e shumë herë në parlament dhe si në asnjë vend tjetër ish komunist, është rrëzuar në mënyrë të çuditshme nga parlamenti.

Çështja e marrëdhënieve të shoqërisë sonë me komunizmin nuk besoj të quhet e mbyllur pa u prononcuar qartë si shoqëri dhe pa vënë drejtësinë në vend. Sot e kësaj dite, ish bashkëpunëtorë të sigurimit, ende janë anëtarë të parlamentit, ende mbajnë poste drejtuese ne pushtet dhe ende u bëhen fshehtësish barrierë çdo zëri për transparencë.

Po koncepti regjisorial si do të jetë? Në cilët vende vendoset ngjarja?

Filmi përbëhet nga katër filma të shkurtër, të vendosur në katër vende të ndryshme europiane. Karakterit kryesor i duhet të udhëtojë për të takuar dikë nga e shkuara e tij, që ka pasur impakt në rrjedhën e ngjarjeve.

Është një film i kohëve tona, por në formatin e rrëfimeve mitologjike, ku heroit i duhet të ndërmarrë udhëtimin, për tu përballur me shumë vështirësi e barriera, për të mundur mostrën dhe për tu kthyer në shtëpi me bashkën e artë… Secili nga këta katër episode filmikë ka një “gjendje shpirtërore” të vetën. Janë si katër stinë të ditëve të mbrapme nga jeta e Adrian Borës.

Për mua, është i rëndësisë së dorës së parë stili dhe imazhi i filmit. Më interesonte një stil gati dokumentaresk dhe pa pretendime formaliste në dukje, gati spontan. Imazhi që kisha në kokë e që më duhej të transmetoja me këtë film ishin filmimet e gjyqeve të kohës së komunizmit, që eksperienca jonë i ka përjetuar bardhë e zi, në formatin e televizorit 4x3. Ishte shumë e rëndësishme për mua të replikoja këtë eksperiencë dokumentareske të kronikave të kohës. Ndaj dhe vendosa që për të revokuar këtë eksperiencë sociale tonën si shoqëri, edhe pse filmin e kemi xhiruar në format të gjerë e me ngjyra, të aplikojmë formatin 4x3 bardhë e zi.

Dhe për të kapur këtë sens dokumentaresk, zgjodha të bashkëpunoj me drejtorin e fotografisë, Gary Griffin, një ndër kameramanët më të mirë të dokumentarit në botë. Gary ka xhiruar dokumetarin "Educating Peter", fitues i çmimit “Oskar”, si edhe "Autism Is a World", dokumentar i nominuar sërish për “Oscar” në 2005. Gary gjithashtu ka fituar “Sundance Cinematography Award” me "The Education of Shelby Knox", 2005.

Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj të tjerë në këtë projekt?

Ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer të punoj me një grup pune të përbërë nga shqiptarë dhe të huaj, por po ashtu dhe nga profesionistë e jo profesionistë të filmit. Më duhet të përmend bashkëpunimin e shkëlqyer në skenarin e filmit, me mikun tim Fatos Xhabrahimi, i cili, ashtu si dhe unë është shkolluar dhe jeton në Amerikë dhe ka qenë gjithnjë i ndjeshëm mbi problemin e ish të persekutuarve të komunizmit.

Ndërkohë që, Gary Griffin ka qenë një ndër mësuesit e mi më të mirë kur bëja masterin për film në “American University” në Washingon DC. Në semestrin e dytë, Gary më mori si asistentin e tij dhe punuam disa vite bashkë. Ky ishte bashkëpunimi i parë profesional me të, pas më shumë se 12 vjetësh që kam kryer studimet. Por ajo që dua të theksoj, është se pa punën e shkëlqyer të grupit shqiptar, do të kishin qenë të pamundur niveli dhe cilësia e këtij produksioni. Kisha vërtet kënaqësinë të bashkëpunoj për skenografinë dhe kostumet me artisten vizuale, Gerta Oparaku, që ndoshta e ka skenografinë e parë për film, Bashkëpunova me Zamir Liçon, i cili është jo vetëm një editor vizionar, por edhe menaxher produksioni i shkëlqyer. Asistent regjisori nga Kosova, Durim Kryeziu, është një ndër njerëzit më te dedikuar me të cilët kam punuar. Duke pasur parasysh vështirësitë që mbart realizimi i një produksioni të tillë në Shqipëri, është një listë e gjatë emrash, si: Sonila Demi, Albana Qinami, Erjon Zade, Besa Niko, Genc Buxheli e shumë të tjerë, të cilëve iu jam mirënjohës, jo vetëm për punën në set, por dhe për suportin që na kanë ofruar, që nga lokacionet, deri te akomodimi e transporti etj.

Ku do të bëhen xhirimet e tjera dhe kur mendohet që filmi të jetë gati?

Pjesa e mbështetur nga “Puglia Film Comission” thuajse ka mbaruar dhe pritet mbështetja e Shqipërisë për pjesën e saj, që në fakt duhej të kishte qenë e para në radhë, pasi askund nuk mund të aplikosh pa mbështetjen e vendit të origjinës. Jemi në proces aplikimi me dy vende të tjera europiane, të cilët do të procedojnë pas vendimit të Shqipërisë.

A mendoni se realisht, dosjet do t’i shërbenin konkretisht shoqërisë sonë?

Unë nuk jam sociolog, psikolog apo politolog. Unë jam kineast dhe si i tillë, vë re, që shoqëria jonë ka shpërthime si rrallëkund, në lidhje me këtë subjekt. Fakti që katër ish - të burgosurve politikë i vunë zjarrin vetes, nuk mund të më lerë indiferent. Jeta e këtyre karaktereve, mua si artist më prek në nivelin më personal, jashtë çdo politike të ditës. Një ngjarje e tillë, është diçka që na shprish rehatinë e rutinës sonë të harresës së të shkuarës për hir të së ardhmes.

Ashtu si Gjermanitë, pa ekuivoke, u ndanë edhe me të shkuarën naziste, edhe me atë komuniste, ne si shoqëri nuk mund të fusim kokën në rërë e të bëjmë sikur këtu nuk ka ndodhur hataja. Ky nuk është një detyrim, që ne ia kemi vetëm të dënuarve të ndërgjegjes, por më tepër se çdokujt, mendoj se ia kemi fëmijëve tanë, të cilët një ditë, për tu siguruar për dinjitetin tonë, do të na pyesin: Ç’ndodhi?

A i shërben shoqërisë sonë hapja e dosjeve? Është një shprehje, që për shoqërinë tonë tingëllon si prej orakulli: “Those who cannot remember the past are condemned to repeat it.” (Ata që e harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta përsërisin).

Valeria Dedaj, Shekulli

Publikuar: 09.09.2015 | 11:32
Lexuar: 643 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime