E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Ata dinë t’i vlerësojnë bijtë e vet dhe t’i ndëshkojnë kolaboracionistët të veshur me petkun e bartësve të koncepteve qytetare mashtruese.
No pasarán







Arbër Ademi

Jo rrallëherë e kemi dëgjuar shprehjen “partner strategjik” nga eksponentët e politikës. Madje, disa prej tyre, duke parë ëndrra me sy çelë, pretendonin të bëheshin pjesë e qeverisjes duke u thirrur në fitoren e partnerit strategjik që vinte nga blloku politik maqedonas. Në të njëjtën frymë ishte edhe qëndrimi i një politikani shqiptar se “ne jemi kapaku i kësaj tenxhereje”, me rastin e arsyetimit të koalicionit të partisë së tij humbëse me partinë fituese maqedonase. E po, cila parti maqedonase nuk kishte dashtë të ketë një partner të këtillë? Me thënë të drejtën, duke pasur parasysh se si funksionojnë ato, vështirë e kanë që t’iu rezistojnë flirteve të kësaj natyre, apo më mirë të themi këtij servilizmi të paskrupullt.

Eh BDI-ja dhe Ali Ahmeti edhe pse e dinë këtë gjë, ata edhe më tutje vazhdojnë me mburrje të thonë se ne kemi partneritet të përjetshëm me shqiptarët. E po tash burra, bëjuni ballë goditjeve. Bëjuni ballë fushatave të errëta, të tipit të dosjeve të dikurshme, që kanë për qëllim të përbaltin BDI-në dhe personalitetin e z. Ahmeti. Bëjuni ballë, se qendrat që kanë orkestruar këto goditje nuk ua falin lehtë fitoret që i keni korrur në të kaluarën. Nuk ua falin mburrjen që po demonstroni.

Të dashur miq, duke lënë ironinë me një anë, i konsideroj si mjaftë brengosëse tentativat që vijnë nga qarqe të errëta për të shkatërruar BDI-në, si pasuese të UÇK-së, sikurse PPD-në e dikurshme. Jo pse mund të përsëritet ky skenar, sepse edhe orkestruesit e dinë se nga shqiptarët nuk do të tolerohet realizimi i të njëjtit, por për nga efektet që mund të shkaktohen nga këto goditje në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Edhe vetë jemi dëshmitar se nga qarqe të caktuara maqedonase dhe nga disa shqiptarë të trajnuar prej tyre gjithnjë e më shumë po propagandohet se partitë shqiptare nuk i kanë dalë zot kërkesave të shqiptarëve, se ato janë të delegjitimuara në sytë e popullit, se pakënaqësia e elektoratit shqiptar gjithnjë është në rritje, se nuk ka nevojë të organizohemi në formacione politike etnike, e kështu me radhë. E gjithë kjo luftë speciale po ndërmerret me qëllim që të shfrytëzohet elektorati shqiptar për të bërë alternim politik në kampin maqedonas. Pra, duke na u paraqitur si shpëtimtar, partitë maqedonase synojnë t’i shfrytëzojnë votat e shqiptarëve për të mundur oponentin politik në bllokun e tyre. Përndryshe, s’ka se pse të na i qajnë hallin.

Përveç kësaj, jemi dëshmitar edhe të inkurajimit të parcializimit politik të shqiptarëve nga elemente të politikës maqedonase. Duke u udhëhequr me idenë se sa më shumë parti, më pak potencë politike tek shqiptarët, ideatorët e fragmentarizmit të mëtutjeshëm politik të shqiptarëve synojnë të shmangin ballafaqimin me një BDI politikisht të fuqishme, duke tentuar kështu rrënimin e organizimit më të suksesshëm politik të shqiptarëve, pas daljes në skenë të UÇK-së në vitin 2001. Andaj, nuk janë të rastësishme konstrukcionet tendencioze të bëra ditëve të fundit nga eksponentë të shërbimeve sekrete kundër Ali Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të ngjashme me ato të dosjeve të fabrikuara më parë të njohura për opinionin. Nuk janë aspak befasuese dëshmitë e rreme të Bogoevskave, e as hyrjet pompoze të shoqëruara me konkluzione paraprake tendencioze me rastin e publikimit të “bombave” me përmbajtje boshe. Nuk do të na habisin as idetë se na nevojiten organizime politike multietnike, gjoja se të njëjtat do të mund t’i artikulojnë më me sukses kërkesat e shqiptarëve, e as tentativat e tjera për të joshur elektoratin shqiptar. Nuk përjashtojmë as “inkurajimet” apo “ndihmat” të tipit të Pavle Trajanovit për të shkëputur disa njerëz nga BDI-ja me qëllim të formimit të ndonjë partie të re shqiptare, ashtu siç u veprua në rastin e PPD-së në vitet ’90.

Por, kot e kanë. Një gjë e tillë nuk kalon. Shqiptarët, në kurriz të të cilëve u bërën eksperimente në të kaluarën, me lehtësi dallojnë se kush më së miri mund t’i jetësoj idealet e të parëve. Shqiptarët dallojnë se kush doli nga sakrifica e popullit, e kush nga laboratorët e qarqeve politike maqedonase. Ata dinë t’i vlerësojnë bijtë e vet dhe t’i ndëshkojnë kolaboracionistët të veshur me petkun e bartësve të koncepteve qytetare mashtruese. Njerëzit të cilët shembën themelet e Jugosllavisë lehtë e kanë t’u bëjnë ballë fushatave të egra dhe të ndyra të porositura nga elemente të caktuara në bllokun politik maqedonas për motive mashtruese dhe përfituese. Shqiptarët janë zot të vetvetes, zot të fatit të tyre!

Publikuar: 09.09.2015 | 14:17
Lexuar: 797 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime