Çka në këtë rast nuk është e lehtë, përkundrazi. Në fakt është edhe një sfidë me mentalitetin dhe zakonet e deritanishme, pasi për hir të së vërtetës divorcet në mosha mbi 60 vjeç kanë qenë një fakt jashtëzakonisht i rrallë edhe në vendet më të zhvilluara dhe kanë shkaktuar gjithmonë thashethemnaja e paragjykime për ato çifte që janë përfshirë në realitete të tilla.
Fenomeni që po shndërrohet në një tendencë
Dëshira për të rifilluar jetën nuk ka moshë. Mund të të vijë kur je i ri, por edhe kur i ke kaluar të 60-at dhe je gjysh e me thinja. Dhe në këto raste mund të qëllojë që edhe të divorcohesh në kërkim të një partneri, apo mënyre të re jetese. Këto quhen divorce gri, për shkak ndoshta të flokëve të bardhë të çifteve, por ndërkohë ngjyrat e tyre janë shumë më të çelura. Bëhet fjalë për njerëz që duan ta ndryshojnë rrugën e jetës si të ishin 30-vjeçarë, edhe pse kanë fëmijë në këtë moshë, madje më të mëdhenj.
Shkaqet e divorceve në moshë të tillë janë pak a shumë ato të divorceve në të gjitha moshat e tjera, me ndryshimin se po ndodhin gjithnjë e më shumë vitet e fundit dhe kjo vlen për të gjithë botën, edhe pse është ende një fenomen për të cilin flitet pak dhe mbi të gjitha akoma nuk është i studiuar, por që dihet se shkaktohet nga ndryshimi i kushteve të jetës dhe vetë zhvillimit të shoqërisë. Në rastin e këtyre divorceve, ku lidhjet e tyre mund të kenë zgjatur ndonjëherë dhe 40 vjet, ndryshimet janë të thella, jo vetëm shpirtërore, por edhe atyre që i takojnë mënyrës së jetesës, por edhe ndryshimeve të pronësisë e ndarjes së shumë të mirave materiale të përbashkëta të ndërtuara gjatë një jete të tërë.
Çka në këtë rast nuk është e lehtë, përkundrazi. Në fakt është edhe një sfidë me mentalitetin dhe zakonet e deritanishme, pasi për hir të së vërtetës divorcet në mosha mbi 60 vjeç kanë qenë një fakt jashtëzakonisht i rrallë edhe në vendet më të zhvilluara dhe kanë shkaktuar gjithmonë thashethemnaja e paragjykime për ato çifte që janë përfshirë në realitete të tilla.
Sipas psikologëve, jemi përballë një fenomeni, impakti social i të cilit duhet ende të vlerësohet, por që ka lidhje me zgjatjen e mesatares së jetesës, shtim të autonomisë financiare të çifteve, veçanërisht grave dhe ndërgjegjësim i njerëzve që nuk duan të heqin dorë nga ndryshimi dhe shanset e reja, edhe pse janë në një moshë në të cilën dikur jeta quhej e mbyllur. Sipas studiuesve të sociologjisë, njerëz kryesisht të një mirëqenieje dhe karriere të caktuar, duan që ta gëzojnë jetën pavarësisht moshës dhe situatës civile në të cilën ndodhen dhe për këtë nuk kanë asnjë lloj paragjykimi dhe nuk druhen të marrin përsipër edhe ndryshime rrënjësore dhe me pasoja në ekzistencën e tyre.
Njerëzit duan që të realizohen si të tillë, pavarësisht nga vitet që ikin pas dhe çka është pozitive është sensi i optimizmit që ata nuk e humbasin kurrë, pasi të duash të rifillosh gjithçka nga e para në moshën 60-vjeçare kërkon mbi të gjitha një gjendje shpirtërore shumë të lartë. Në moshën 60-vjeçare dola në pension, në moshën 62-vjeçare u bëra gjyshe dhe 65 vjeçe unë dhe im shoq vetiu menduam se jetët tona duhet që të vazhdonin në rrugë të ndryshme dhe jemi divorcuar me konsensus të plotë.
Sot unë jetoj në shtëpinë tonë në Romë, ndërsa ai në shtëpinë që kishim në bregdet dhe ka një marrëdhënie me një grua, ndërsa unë ende jo për momentin, por ndërkohë vazhdojmë të jemi miq të mirë, edhe pse historia jonë e dashurisë mbaroi. Ndërkohë kam mikeshat e mia, nipërit, udhëtoj nëpër botë dhe pse jo jam e gatshme që të dashuroj sërish. Gruaja që thotë këto fjali është një angleze me një karrierë normale, një nga të shumtat që ka vendosur të ndryshojë jetën, pasi është bërë gjyshe dhe e ka bërë një gjë të tillë me shumë paqe, maturë dhe optimizëm.
Për sa u përket shifrave të Europës Perëndimore, numri i divorceve të tilla në moshë të madhe në vitin 2000 ka qenë 3.2%, ndërsa në vitin 2007 kjo shifër shkoi në 8.3%. Pikërisht kjo tendencë e viteve të fundit, që prek ata që më parë konsideroheshin si mosha e tretë, është një nga objektet e studimit për sociologët dhe psikologët në të gjithë botën, sepse fenomeni është ende i paeksploruar. Në fakt ky fenomen është objekt studimi jo vetëm për psikologët dhe sociologët, por edhe për demografët, mjekët.
Kjo, sepse fenomeni duket se është njëherazi kulturor e kimik dhe lidhet edhe me ilaçe të tilla si Viagra, që për sa u përket meshkujve, ka bërë që ata të cilët prekin kufijtë e moshës ta gëzojnë seksualitetin edhe në moshë shumë të avancuar. Bëhet fjalë për 60-vjeçarët që u takon të kenë lindur pas Luftës së Dytë Botërore dhe kanë njohur bumin ekonomik, trazirat e vitit 68 dhe që kanë një qëndrim të ndryshëm ndaj traditave familjare krahasuar me brezin e para luftës, për atë të prindërve dhe gjyshërve të tyre, si edhe për vetë martesën.
Këndvështrimi për martesën ka të bëjë me atë që ajo nuk konsiderohet domosdoshmërish një lidhje që duhet të zgjasë përgjatë tërë jetës. Njëherazi është edhe vetë jeta ajo që ka ndryshuar ritëm, siç nënvizojnë edhe vetë shkencëtarët me moshën e pjekurisë, që gjithnjë e më shumë karakterizohet nga një gjendje e mirë shëndetësore dhe vetë jeta e njeriut është zgjatur shumë në krahasim me vite më parë.
Kjo bën që edhe në një moshë të avancuar njerëzit të mendojnë për projekte dashurie, të kenë ëndrra dhe madje të bëjnë plane për të ardhmen e tyre. Sigurisht që një divorc, edhe pse në moshën 60-vjeçare, nuk është një fakt i këndshëm dhe ka traumat që shoqërojnë divorcet e moshave më të hershme, por ama problemi më i madh në fakt nuk janë partnerët për njëri-tjetrin sa opinioni i familjarëve, rrethit familjar dhe atij shoqëror që reagon ende në mënyrë të çuditshme ndaj divorceve në mosha të tilla. Kjo, sepse bëhet fjalë për çifte të konsoliduara, të cilat kanë kaluar shumë vështirësi dhe një jetë të tërë së bashku aq sa për tu konsideruar të lidhur përjetë dhe befas, papritur gjërat ndryshojnë dhe ajo çka ishte e sigurt për të gjithë nuk është më.

Por të paktën gratë, në rastin kur mbeten vetëm, nuk konsiderohen më si viktima, si dikur, sepse ato shpejt gjejnë me se të merren dhe kujt ti dedikohen. Por ana e bukur e divorceve të tilla është dashuria për jetën, ndryshimin dhe mosheqja dorë nga realizimi i ëndrrave edhe në moshë të madhe. Ky është vërtet një ndryshim shumë i madh. Mbi të gjitha këta njerëz nuk duan më që ti nënshtrohen përjetësisht një lidhjeje dhe një ndjenje që mund të ketë marrë fund me kohë, vetëm për shkak të zakonit, apo opinionit publik.
Për sa u përket meshkujve, në përgjithësi ata sapo përfundojnë një lidhje kanë tendencë që të krijojnë të tjera të përkohshme dhe të shkurtra, ndërsa femrat tentojnë të krijojnë marrëdhënie më të qëndrueshme me partnerët e rinj. Sigurisht që shumë gjëra janë në dorë të pavarësisë ekonomike të çifteve dhe të partnerëve në veçanti dhe mbi të gjitha nga pavarësia ekonomike e kulturore e grave. Sigurisht që ndodhemi përballë thyerjes së një tabuje, ndaj së cilës fëmijët, tashmë të rritur, kanë mënyra të ndryshme reagimi dhe qëndrimi.
Për disa fëmijë 30-vjeçarë, ndarja e prindërve në një moshë të tillë madhore mund të jetë një goditje e vërtetë emotive. Ja çfarë thotë një 30-vjeçar i martuar për ndarjen e prindërve të tij, babait 67 vjeç dhe mamasë 64: Isha mësuar gjithmonë që ti dëgjoja të ziheshin me njëri-tjetrin, por mendoja se do të kishte vazhduar në këtë mënyrë përgjithmonë.
Një ditë, si një rrufe në qiell të hapur, deklaruan se do të divorcoheshin, sepse kishte kohë që nuk ishin të lumtur me njëri-tjetrin. Unë mendoj se situata mes tyre u përkeqësua pasi unë u martova dhe ika nga shtëpia. Ndoshta vetmia dhe fakti që ishin gjatë gjithë kohës përballë njëritjetrit bënë që të kuptonin se marrëdhënia e tyre kishte mbaruar prej kohësh dhe se ishte e kotë që të vazhdonin më tej.
Në këtë situatë vetmie plasi edhe konflikti dhe ishte nëna ime ajo që kërkoi divorcin e para. Më tha: Nëse do të vazhdojmë të jetojmë bashkë do të çmendemi. Unë e pranoj se u tremba, se çfarë do të bënin vetëm tani që ishin pleq. Sot ata janë divorcuar. Ime më jeton me të motrën, ka pensionin e saj prej mësueseje, ndërsa im atë është kthyer në vendlindje Sicili. Adhurojnë djalin tim dhe ndonjëherë takohen e bëjnë gjyshërit së bashku.
Vendime të tilla kanë filluar që të jenë më të shpeshta jo vetëm në vendet në veri të kontinentit europian, që tradicionalisht janë më liberale, por edhe në vendet në jug të tij, si Italia dhe Spanja, ku vlerat e familjes kanë qenë gjithmonë të shenjta.