E premte, 10.09.2010
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kur ishte ende e re, i pëlqente që të luante me motrën e saj më të madhe në lëndinën pas shtëpisë ku banonin në Barry, Wells, një qytet i vogël bregdetar, që nuk njihet shumë, por që është një perlë e vërtetë e natyrës.
Julia e vogėl, rruga e gjatė pėr t’u bėrė Kryeministre











Tani, pasi preku vdekjen me dorë, pasi la pas familjen dhe nisi një jetë të re në anën tjetër të planetit. Julia Gillard, nga vajzë e vogël, u shndërrua në politikanen më të fuqishme femër në botë. E mërkura që shkoi do të mbahet mend gjatë në politikën e Australisë, si një ditë me një impakt të jashtëzakonshëm e të papritur, si dita kur befas iku nga pushteti një Kryeministër dhe në vend të tij, me një organizim zgjedhjesh të beftë, u vendos në krye të qeverisë së Australisë një grua, një politikane.

Ajo u shndërrua në Kryeministren e parë grua të vendit, duke pasuar Kevin Rudd, ish-kryeministrin që kishte humbur shumë pikë para elektoratit, që nga momenti kur erdhi në pushtet tre vjet më parë, pas një fitoreje plebishitare të Partisë Laburiste. E ndërsa Kryeministrja e re ka nisur tashmë punën, miqtë, familjarët dhe fqinjët e vjetër në Barry pyesin veten se si është e mundur që “Julia e vogël” u bë kaq e madhe.

Halla e saj, Mildred, thotë: “Ajo ka bërë kaq shumë përpara. Unë mendoj se do të jetë një Kryeministre e jashtëzakonshme, sepse gjithmonë ka qenë mbi të gjitha një njeri i dashur dhe i drejtë”. Në fakt, rrugëtimi nga qyteza e vogël e Wells-it drejt Australisë së madhe që ndodhet në anën tjetër të botës, ka qenë i gjatë dhe një udhëtim i mrekullueshëm. Gillard lindi në një familje të klasës punëtore, në shtator të vitit 1961. I ati, Xhon, vinte nga një familje me shumë fëmijë dhe punoi fillimisht si polic e më pas si nëpunës i vogël.

E ëma, Moira, ishte një punonjëse civile në një stacion policie. Në moshën 3-vjeçare, Julia për pak sa nuk vdiq për shkak të një pneumonie. Halla e saj, që tani është 82 vjeçe, thotë: “Ne menduam se do ta humbnim vajzën e vogël dhe të sëmurë. Julia kaloi një kohë të gjatë në spital dhe ishte shumë e brishtë dhe e pamundur për një kohë. I ati dhe e ëma i qëndronin te koka gjatë gjithë kohës, derisa situata nisi që të përmirësohej”.

Ishin pikërisht mjekët që rekomanduan lëvizjen e familjes nga Wells-i me klimë të lagësht, në Australi. Kështu, në moshën 4- vjeçare, Julia dhe prindërit, së bashku me motrën e madhe, Alison, u larguan përgjithmonë në Australi. “Ditën që ata ikën, unë i përcolla deri në stacionin e trenit, për t’i ndihmuar të mbanin plaçkat e për t’u dhënë lamtumirën, sepse kushedi se kur do të shiheshim. Ndërsa prisnim trenin, qamë të gjithë një copë herë në krahët e njëri-tjetrit.

Sapo mbërritën në Australi, ata më shkruan letra, ku më thoshin se Julia e vogël ishte shumë zemërthyer dhe e kishte marrë malli për Wells-in e saj, po edhe se e kishte lënë pa dashur, në shtëpinë e vjetër, arushin e saj të preferuar, i cili i mungonte shumë. Ishte arushi të cilin e kishte pasur gjatë gjithë kohës në spital dhe me të cilin kishte kaluar ditë shumë të vështira”, rrëfen halla.

Familja e Kryeministres së ardhshme ishte nga ato familje të shumta britanike, që lanë vendin në fillim të viteve ‘60, për të filluar një jetë të re në Australi. Fillimisht familja e Julias kishte ndërmend që të vendosej në Melburn, por më pas një çift i rekomandoi Adelajden. Julia kishte një fëmijëri të lumtur dhe në shkollën e mesme arriti rezultate shumë të mira me mësime. Në moshën 16-vjeçare, familja e saj u kthye sërish në Wells për të vizituar vendin që kishin lënë pas.

Ja çfarë thotë një fqinj i atëhershëm: “Më kujtohet kur erdhi Julia, e cila u habit pa masë nga dëbora që kishte rënë, sepse në Adelajde nuk binte kurrë. Asaj i pëlqente që të ngrohej në vatër dhe të bisedonte për gjërat që i interesonin më shumë”. Një ditë, ndërsa ishin ende për vizitë në Wells, halla e pyeti të mbesën nëse kishte ndërmend që të martohej. Julia u skuq menjëherë dhe u përgjigj shumë e sigurt në vetvete: “Oh, unë nuk do ta bëj kurrë një gjë të tillë. Unë dua që të kem një karrierë dhe dua të arrij një ditë në majë. Nuk kam kohë për martesë dhe fëmijë”.

Julia e vogël, rruga e gjatë për t’u bërë Kryeministre
Kur u kthye sërish në Australi, Gilliard studioi ligje dhe punoi për një firmë ligjore, para se të zhvendosej në politikë. Që në fillim ajo zgjodhi që të anëtarësohej në radhët e Partisë Laburiste. Kur hyri në Parlament, në vitin 1998, Gilliard u tall për zërin e saj hundor, mënyrën se si i mbante të krehura flokët, shijen jo të mirë të veshjeve dhe dështimin e plotë për të bërë jetën e zakonshme të një femre, përfshi krijimin e një familjeje dhe sjelljen në jetë të fëmijëve.

Ndërsa vajza e tyre ngjiste shkallët e suksesit, prindërit e saj, që kishin dalë në pension dhe jetonin në një fshat, po mësoheshin pak nga pak me famën e së bijës. “Ne erdhëm në këtë vend me aspirata modeste, të punonim shumë dhe të shkollonim vajzat tona, por ja që jeta ka të papritura”, ka deklaruar i ati i Kryeministre së re. Ndërsa për të ëmën, e bija, Julia e saj e vogël, me siguri që do të jetë një Kryeministre shumë e mirë dhe nuk do ta harrojë kurrë të shkuarën dhe vendin nga erdhi.

Kryeministrja jeton e pamartuar prej shumë kohësh me partnerin e saj, një parukier. Për sa i përket fëmijëve dhe zgjedhjes për të mos pasur fëmijë, në një intervistë të fundit Julia ka thënë se i admiron ato gra që ia kanë dalë në krye të kenë edhe fëmijë edhe karrierë, por për sa i përket asaj, ajo nuk do të kishte arritur kurrë në maja nëse do të kishte krijuar një familje normale. (shqip)

Publikuar: 26.06.2010 | 18:35
Lexuar: 139 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime