E rrallë për një aktore, dy trofe, dy Globë të Artë për dy roe të ndryshëm
Kate Winslet, që ëndrronte të fitonte një "Oscar" me "Titanik", ja ku ndodhet një hap larg çmimit të Akademisë Amerikane të Filmit. Dy net para, ajo u vlerësua me 2 Golden Globe, çmime parathënese për tek çmimet Oscar.
E mbushur me emocione, aktorja angleze është ngjitur në skenën e ceremonisë, e mbajtur në Beverly Hilton Hotel në Los Anxhelos, për të tërhequr trofetë për rolin më të mirë dramatik në filmin "Revolutionary Road" dhe aktorja më e mirë jo protagoniste për "The Reader". Janë të parët Globë të Artë që Winslet fiton në karrierën e saj, pavarësisht se është nominuar 7 herë në 12 vjet.
Ndërsa merrte çmimet, e veshur me një fustan të zi, aktorja 33-vjeçare, me sytë me lot, është shprehur: "Më falni, sepse nuk e kam për zakon të fitoj gjëra" dhe gjithë falënderimet e mundshme ia ka drejtuar të shoqit, regjisorit anglez, Sam Mendes dhe dy fëmijëve të saj që po ndiqnin nëpërmjet ekranit nga shtëpia.
Ndërsa Winslet ishte mbretëresha e mbrëmjes, filmi më i mirë i edicionit të 66 të çmimeve Golden Globe, u shpall filmi dramatik "The Millionaire", i regjisorit Danny Boyle. Po ky film është vlerësuar edhe në tri kategori për regjinë, skenarin dhe kolonën zanore.
Një nderim për veprën postume të aktorit Heath Ledger, për personazhin e Xhogerit tek "Kalorësi i zi".
Trofeu për aktorin më të mirë i shkoi Mickey Rourke, për interpretimin tek "The Wrestler", një vepër dramatike që e ktheu në ekran pas shumë vitesh mungesë.
Komedia më e mirën është "Vicky Cristina Barcelona", e Woody Allen.
Aktori më i mirë në kategorinë e komedisë është Colin Farrell, për interpretimin në "In Bruges", dhe aktorja më e mirë Sally Hawkins, për rolin tek filmi i Mike Leigh "Happy go lucky".
Nga seritë dramatike, si më e mira u vlerësua "Mad Men".
Dhe nga kategoria e filmit më të mirë të huaj, fitues ka dalë filmi i animuar "Vals with Bashir" i Ari Folman.
Shekulli