Dhe në fund tiranasi më i pushtetshëm, pa dyshim që është Bamir Topi. Për herë të parë Tirana ka një udhëheqës kombëtar, duke realizuar në këtë mënyrë një ëndërr të hershme të tiranasve.
Bamir Topi ua ngrohu zemrat tiranasve kur u zgjodh President. Sepse banorët me prejardhje autoktone prej shekujsh e kanë ndjerë kompleksin se i kanë qeverisur të ardhurit. Por nëse bëjmë një histori të shkurtër të figurave që ka prodhuar qyteti 393 vjeçar dhe kryeqyteti 83 vjeçar rezulton e kundërtat. Janë të paktën 13 personalitete që i kanë dhënë Tiranës dhe gjithë Shqipërisë në të gjithë historinë moderne dhe të vjetër.
Ata nisin që nga Sulejman Pashë Bargjini, që në gushtin e vitit 1614 nguli një shpat në venin ku sot është busti dhe tha Kjo tokë do të quhet Teheran, e deri së fundmi te zgjedhja e Bamir Topit si President i Republikës, që shkaktoi një ngazëllim mes të gjithë komunitetit autokton tiranas. Dhe nuk është çudi, Bamir Topi është kreu i parë i shteti shqiptar që del nga qyteti i Tiranës. Gazeta Tirana Observer boton sot 13 figurat shtetare që arritën majat e pushtetit, shoqëruar kjo me biografitë tyre përkatëse.
Si fillim e nisim me atë që quhet themelues i Tiranës, e ka shënuar emrin e vetë në histori, sepse më 1614, pasi fitoi një betejë në Teheran mori bekim nga Porta e Lartë për të themeluar një qytet me emrin e kryeqytetit Iranian. Dhe sot zyrtarisht ai njihet si themeluesi i Tiranës. Vetëm shtatë vite më parë për nder të tij u ndërtua një bust në vendin ku hodhi themelet e Tiranës. Por si atëherë që e kundërshtuan, që themeloi këtë qytet, busti i Sulejman Bargjanit u kundërshtua si një vepër e keqe arti.
Gani Bej Toptani është tiranasi i dytë që ka emrin në listën e njerëzve të shquar që ka nxjerrë Tirana. Pinjoll i një familjeje të njohur që do të nxirrte gjithmonë personazhe pikante në histori, Gani Bej Toptani është i pari ministër i Ekonomisë në qeverinë e parë shqiptare. Vëllai i madh i Esat Pashë Toptanit do të kish të njëjtin fund si Esati. U vra në Kostandinopojë.
Esat Pashë Toptani është një tjetër pinjoll i familjes së njohur Toptanase. Një figurë që mbart me vetë shumë polemika dhe kundërshti. Ministër Mbrojtje, kryeministër i Shqipërisë dhe një iniciator i një sërë lëvizjesh të armatosura. U vra në Paris nga Avni Rustemi, në emër të lëvizjes kombëtare me akuzën se tradhtoi interesat e Atdheut.
Janë të rralla femrat që kanë bërë emër në Shqipëri. Më shumë se iniciatore direkte ato kanë qenë këshilluese dhe kanë pasur një ndikim të madh te njerëzit. E tillë është dhe Sadije Toptani, e ëma e Mbretit Ahmet Zogu.
Një pinjolle familjes Toptani, Sadija është njeriu që mbase indirekt me mbështetjen e familjes së saj i shtroi rrugën të birit, për të arritur në fronin mbretëror. Historianë të ndryshëm shkruajnë se ndikimi i saj në vendimmarrjen e Zogut për çështje lokale nuk ka qenë i vogël. Sadije Toptani u nda nga jeta kur Zogu ishte shpallur mbret dhe u varros te Kodrat e Liqenit, në një memorial mbretëreshe. Memorial i cili u hodh në erë nga komunistët pas marrjes së pushtetit.
Qazim Mulleti që kemi parë në filmat e realizmit socialist nuk ka asnjë lidhje me personazhin historik që jeton në një kohë të trazuar për Tiranën. Njeriu me kulturën perëndimore u përpoq të sillte një tjetër frymë në Tiranë. Kundërshtar i Ahmet Zogut dhe një reformator i vërtetë, Qazim Mulleti është një nga figurat që i bën nder Tiranës.
Gati një hero legjende i kohëve moderne.
Ndërsa të tjerët ishin intelektualë të mirëfilltë, Myzlim Peza, ishte një njeri i luftës. Një nga iniciatorët e luftës kundër pushtuesve dhe komandanti i të parës çetë luftarake. Më vonë do të ishte një nga mbështetësit kryesorë të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në Luftën Çlirimtare. Ndërsa me nisjen e luftës brenda llojit, në radhët e Partisë Komuniste, Peza do të tërhiqej në mënyrë të butë në fshatin ku nisi dhe betejën e tij.
Beqir Balluku është ndër të paktët tiranas që ylli i karrierës u shkëlqeu gjatë regjimit komunist. Por kjo do të zgjaste vetëm për pak kohë, ministri i Mbrojtjes do të ekzekutohet nga shokët që dikur luftuan me të, me akuzën për tradhti dhe armik i popullit.
Një tjetër intelektual tiranas që ka bërë emër gjatë kohës së komunizmit ishte dhe Abdyl Këllezi. I shkolluar në Itali, Këllezi ishte një nga intelektualët më në zë të kohës dhe mbajti detyra të rëndësishme në sistemin komunistit. Por fundi i tij nuk ndryshoi shumë nga ai i shumë të tjerëve. U arrestua me të ashtuquajturin grup armiqësor dhe pushkatua.
Sali Kelmendi nuk është një tiranas 100 karatsh, siç mund të thotë dikush. Kjo për shkak se vetëm e ëma e tij është nga kryeqyteti. Por i lindur dhe rritur në Tiranë, ishte ndër njerëzit që iu dha mundësia më shumë për të treguar se ishte pjesë e këtij qyteti. Kryetar i parë i Bashkisë së Tiranës në sistemin pluralizmit, Kelmendi është nga kryebashkiakët që u përpoq të ndryshonte fytyrën Tiranës, duke e bërë atë më moderne. Albert Brojka është një tjetër kryebashkiak i Tiranës që ka dhënë një kontribut jo të vogël. Ai ishte qytetar i parë i Tiranës gjatë viteve 1993-1996 dhe u përpoq të ndërtonte një metropol modern.
Edi Rama, padyshim është një nga kryebashkiak më të mirë që ka pasur Tirana. Por jo vetëm kaq, është dhe politikani që për herë të parë merr drejtimin e Parisë Socialiste, gjë që e rendit atë ndër tiranasit më të suksesshëm.
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë demokratike, Dashamir Shehi është një nga njerëzit e kryeqytetit më të pushtetshëm në pluralizëm. Një politikan ku origjina e tij duket se ka ndikuar më shumë në vendimet politike.
Dhe në fund tiranasi më i pushtetshëm, pa dyshim që është Bamir Topi. Për herë të parë Tirana ka një udhëheqës kombëtar, duke realizuar në këtë mënyrë një ëndërr të hershme të tiranasve.
Sulejman Pashë Bargjini
Zyrtarisht njihet si themeluesi i qytetit të Tiranës. Në verën e vitit 1614, fituesi i një beteje në Iran për llogari të perandorisë Osmane, Sulejman Bargjjini merr bekimin nga sulltani për të themeluar një qytet në kërthizë të Shqipërisë dhe ai të ishte i plotfuqishëm. Kështu, pasi nguli një shpatë në vendin ku sot është monumenti i tij, nisi ndërtimet e një xhamie, një hamami dhe një furrë buke. Por, Sallman beu ia rrëzoi natën. Kjo solli zemërimin e portës së lartë, e cila urdhëroi prerjen e kokës së tij. Pas ekzekutimit të beut, fiks në atë vend nisi të marrë jetë qyteti më i ri i vendit, Tirana, varianti Tehran, i kryeqytetit të Iranit ku kishte luftuar Bargjini, që tashmë njihet si themelues i qytetit.
Gani Bej Toptani
Saga e familjes së Toptanëve nis që me krijimin e shtetit shqiptar. Në qeverinë e parë të drejtuar në Ismail Qemali, nuk kish si të mungonte një figurë e familjes së njohur tiranase. Gani bej Toptani është dhe ministri i parë i Financave në historinë e shtetit Shqiptar. Vëllai i madh i Esat Pashë Toptanit do të kish një karrierë dhe një fund tragjik, si vetë Esati. Një personazh që i solli jo pak shqetësime portës së lartë, por e pagoi shtrenjtë. Në vitet e fund të jetës, Gani Toptani shkoi në Kostandinopojë, ku u fut të truprojat e Sulltani Abdyl Hamitit. Pas një rivaliteti me një tjetër oficer të gardës, Gani Beu u gjend i vrarë nga një person i quajtur Hafiz Pasha.
Esat Pashë Toptani
Kur përmendet Esat Pashë Toptani, emri i tij krijon një konotacion negativ. Një ministër Lufte në qeverinë e Ismail Qemalit dhe kryeministër në qeverinë e Durrësit, ai njihet si një personazh kundër rrjedhës që e çonte Shqipërinë në krijimin e shtetit. Por damka më e madhe ndaj tij është ajo që shumë kundërshtarë e kanë akuzuar për shitje të trojeve për llogari të Malit të Zi. Kjo solli ekzekutimin e tij nga Avni Rustemi në Paris. Ndërkohë, së fundi disa studiues kanë hedhur tezën se nuk janë të vërteta faktet që e bëjnë tradhtar Esat Pashë Toptani. Gjithsesi në historinë zyrtare asgjë nuk ka ndryshuar. Për atë aty ende shkruhet tradhtar dhe ne do të vazhdojmë të themi se është një nga figurat më negative që ka nxjerrë Tirana dhe tërë historia e Shqipërisë.
Sadije Toptani
Në fakt përveç emrit Nënë Mbretëreshë dhe bijë e një familje shumë të madhe autoktone tiranase, Sadije Toptani nuk njihet se ka pasur ndonjë aktivitet politik dhe shtetëror. Por fakti që ajo ishte nënë e mbretit Zog, padyshim që ka emrin e saj në historinë e Tiranës dhe të gjithë vendit. Sadije Toptani ishte një grua shumë e pasur dhe fakti që burri i vdiq shpejt i dha asaj të drejtën për të menaxhuar vetë të gjitha punët, pronat, por edhe ambiciet për të drejtuar shpirtërisht Ahmetin në drejtimin dhe në karrierën e tij. Sadije Toptani ka një fund tragjik jo thjesht me vdekjen saj, por pas vdekjes. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, varri i saj në kodrat e Liqenit u hodh në erë me një vendim të veçantë.
Qazim Mulleti
Qazim Mulleti është mishërim i asaj se si mund të ndryshojë historia në mënyrë të katërciptë. Një intelektual me formim të jashtëzakonshëm, me studime në Austri e Itali dhe me një aktivitet mjaft të njohur, duke pasur detyra si prefekt dhe kryetar i Bashkisë, pas komunizmit vlerësohet si një figurë injorante, anadollake dhe e pa vlerë. Por pas vitit 1990 ka një lloj rehabilitimi të figurës së tij. Një fakt tjetër domethënës është se ai njihet si një njeri i afërt me Zogun, por të dhënat flasin se ai është dënuar nga një gjykatë në Vjenë si një nga organizatorët e atentatit ndaj Ahmet Zogut, ku mbeti i vrarë adjutanti i tij dhe u plagos ministri Libohova. Vdiq në Itali, pasi u arratis më parë se të vinin komunistët në pushtet.
Myslym Peza
Në vitin 1942 radio BBC jep një lajm të rrallë. Sipas spikerit, në Shqipëri janë hedhur pushkët e para të rezistencës ndaj fashistëve italianë. Bëhej fjalë për një çetë të vogël në fshatin Pezë, afër Tiranës, dhe njeriu që e udhëhiqte atë quhej Myslym Peza. Më tej falë aftësive të tij dhe organizimit që ai i bëri jo vetëm kësaj çete, fama e tij u ngrit në qiell sidomos kur u çlirua vendi. Njihej si një luftëtarë race, por që pas çlirimit mbajti edhe detyra shtetërore. I dalë më shumë nga gjiri i popullit dhe nga lufta partizane, Mysym Peza vazhdon të ketë emrin e tij në histori si një idealist që luftoi për Shqipërinë. Është nga të rrallët që shfrytëzimi që i bënë komunistët nuk ia kanë venitur meritat për atë që ka bërë në luftë. Padyshim është një nga figurat më të spikatura që ka nxjerrë Tirana.
Beqir Balluku
Ministër Mbrojtje dhe një ish-partizan, fundi i tij nuk kishte si të ishte ndryshe. Pjesë e një politike komuniste dhe qeverisë së Enver Hoxhës, Beqir Balluku, në mënyrë shumë qesharake nga hero shpejt u kthye në armik i popullit. Janë shumë interesante deponimet e tij në gjykatë, kur vetë me gojën e tij shprehet se kishte bërë veprimtari antiparti dhe antiushtri. Kur në fakt edhe një fëmijë e kupton që vetëm këtë nuk e ka bërë kurrë. Por fati i keq i tij ishte që kishte një pozitë në sistemin komunist, që fillimi dihej, por më shumë se të gjitha dihej fundi. Ai ishte i pashmangshëm që do të dilte armik. Kështu as Beqir Balluku, një luftëtar i spikatur në luftë, rezultoi armik, dhe fatkeqësisht u ekzekutua nga sistemi i asaj kohe.
Abdyl Këllezi
Një intelektual dhe patriot tiranas. I shkolluar në kryeqytetin e Italisë, Abdyl Këllezi ishte një nga njerëzit që, edhe pse me kulturë perëndimore, iu përshtat regjimit komunist dhe dha kontribut gjatë Luftës. Më pas do të merrte një sërë detyrash të larta në administratën e regjimit komunist. Që nga ministër i Financave, anëtar i Komitet Qendror të Partisë, zëvendëskryeministër dhe një sërë funksionesh të tjera drejtuese. Por prishja e marrëdhënieve më Kinën do të bënte që dhe për Këllezin të vinin ditët e këqija. Arrestohet si pjesë e grupit armiqësor së bashku me Koço Theodhosin, Beqir Ballukun, Hito Çakon e Petrit Dumen. Pas një gjyqi të montuar, dënohet me pushkatim. Këllezi ishte ndër të paktët kryeqytetas që u përfshi në vendimmarrjen komuniste dhe që pati një fund të hidhur.
Sali Kelmendi
Një qytetar autokton i Tiranës, njihet si kryetari i parë i bashkisë së kryeqytetit në pluralizëm. Sali Kelmendi ka emrin e vetë në historinë e Tiranës si një njeri që menaxhoi i pari problemet e para të kapitalizmit. Mendoni sa vështirësi kishte në atë kohë që të menaxhoje një qytet, që njërën këmbë e kishte në komunizëm dhe dëshirën për ta futur në shinat e ekonomisë së tregut. Megjithatë, Kelmendi nuk iu shmang dot akuzave që i kanë bërë kundërshtarët, sidomos për lejet e dhëna dhe hapjes së kioskave në të gjithë Tiranën. Vetëm në parkun Rinia, gjatë kohës që ai ishte kryebashkiak, janë dhënë 70 leje shfrytëzimi për kioskat.
Albert Brojka
Albert Brojka është një nga figurat më pozitive të Tiranës. Tërheqja e tij nga politika është një dëm jo vetëm për kryeqytetin, por edhe për politikën shqiptare. Një personazh që më shumë ka qenë nderi i kryeqytetit, se sa të mbante mbi shpinë ato akuza që ka vënë opozita ndaj tij. Një ministër i qeverisë Berisha, ai fitoi bindshëm në kryeqytet në zgjedhjet lokale dhe qëndroi në detyrë pesë vjet. U largua, në fakt, pa lënë ndonjë vepër të madhe që të mbahet mend. Por vlerat e tij më të mëdha janë politike. Natyra konsensuale dhe komunikuese i ka dhënë pikë maksimale. Ndërsa në menaxhim nuk tregoi ndonjë spikatje të dukshme.
Edi Rama
Ndoshta Tirana nuk kishte parë që një banor i saj të bëhej një ditë me atë famë, me atë pozitë dhe me atë pushtet sa ka pasur dhe ka Edi Rama. Një intelektual race dhe një publicist po i tillë, Rama spikati në krye të Ministrisë së Kulturës. Por boomi i tij ishte kur u zgjodh kryetar i bashkisë së kryeqytetit. Emri i tij në histori, padiskutim është i shkruar si një njeri që transformoi qytetin dhe u dha shpresë banorëve të Tiranës. Jo thjeshtë se fitoi çmimin Kryebashkiaku më i mirë i botës, por se është transformuesi i Tiranës. Nga ana tjetër, zgjedhja e tij në krye të PS-së nuk ka pasur të njëjtën shkëlqim. Kjo dhe për kondicionet, që ai e mori partinë bashkë me problemet e mëdha të saj. Megjithatë, Rama mbetet, në mos figura më e rëndësishme, një nga personazhet më të spikatura që nga themelimi i qytetit në vitin 1614.
Dashamir Shehi
Nuk ishte pa kuptim, që Presidenti Sali Berisha e emëroi Dashamir Sheun si zëvendëskryeministër. Djaloshi nga një familje autoktone tiranase ishte taktika më e mirë e Berishës në atë kohë për të pasur votat e banorëve autoktonë të Tiranës. Dhe Shehi në fakt e justifikoi jo vetëm këtë detyrë, por edhe atë pjesë të aktivitetit të tij politik, duke marrë shumë vlerësime. Padyshim që është një nga personazhet më interesantë të politikës dhe një nga personalitetet më të mëdha që ka nxjerrë kryeqyteti në vitet e pluralizmit. Sot është kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe ka ambicie shumë të mëdha në politikë.
Bamir Topi
Ekstremi tjetër i Sulejman Pashë Bargjinit e ka emrin Bamir Topi. I pari është themeluesi i Tiranës, i dyti është një tiranas puro, që aktualisht mban detyrën e kreut të shtetit. Bamir Topi njëkohësisht është i pari qytetar i Tiranës që mban detyrën më të lartë në të gjithë historinë e shtetit dhe kombit shqiptar. Kjo ka sjellë një kënaqësi të veçantë ndër banorët e Tiranës, të cilët për hir të së vërtetës gjithnjë janë mësuar të qeverisen nga të ardhurit nga qytete dhe fshatrat e tjerë të vendit. Topi është pinjoll i një prej familjeve më të spikatura në vend, dhe si tillë ai është një pronar i vjetër tokash dhe pronash, duke risjellë edhe një herë në vend pozitën e atyre që u quajtën në mënyrë të turpshme, klasa të përmbysura.