E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në bisedë për gazetën KOHA, Arif Asani shpjegon prapavinë e akuzave që po bëhen në adresë të tij, për të cilat thotë se kanë për qëllim të nxijnë rolin e BDI-së në ngjarjet e 9 majit në Kumanovë
Asani: U bëra target pas emërimit







Thotë se është bërë shkak i sulmeve menjëherë pasi është emëruar në detyrën e re. Vlerëson se caku përfundimtar nuk është ai, por partia BDI, e cila e ka emëruar në postin e zëvendësdrejtorit në DSK. Në bisedë për gazetën KOHA, Arif Asani shpjegon prapavinë e akuzave që po bëhen në adresë të tij, për të cilat thotë se kanë për qëllim të nxijnë rolin e BDI-së në ngjarjet e 9 majit në Kumanovë

KOHA: Kohëve të fundit, në disa portale të vendit ju kanë akuzuar për lidhje me rastin e Kumanovës. Ju për herë të parë flisni në këtë temë. Cila është e vërteta?

ASANI: Të fillojmë me radhë. Së pari, ngjarjet e Kumanovës ndodhën më 9 maj, ndërsa unë në detyrën zëvendësdrejtor në Drejtorinë për Sigurim dhe Kundërzbulim (DSK) jam që nga data 15 korrik e këtij viti. Dmth, dy muaj pas ngjarjeve të Kumanovës. E dyta, para kësaj unë kam qenë kryeshef në Sektorin Konvencional, që është një sektor që merret kryesisht me luftën kundër tregtisë ilegale të drogës, tregtisë me njerëz dhe me korrupsionin. Në këtë sektor jam që nga viti 2009 dhe gjatë kësaj periudhe, tre vjet me radhë jam trajnuar në Evropë dhe Amerikë me kolegë dhe ekspertë të ndryshëm të antidrogës dhe korrupsionit dhe si rezultat i punës time, për dy vjet me radhë jam shpërblyer me mirënjohje nga vendi dhe jashtë. Në shumë raste kam pasur bashkëpunim edhe me kolegët shqiptarë dhe kosovarë, ku kemi shënuar rezultate tejet pozitive. Kjo në pika të shkurta është karriera ime deri në ardhjen në detyrën e re, si zëvendësdrejtor. Përndryshe, emërimi im është rezultat i politikës kadrovike të BDI-së, e cila zëvendësoi një kuadër që duhej të kalonte në pension.



KOHA: E mirë atëherë, si i shpjegoni akuzat ndaj jush që vijnë pikërisht në këtë moment ?

ASANI: Së pari më duhet të them se asgjë nuk është e rastit. Sipas meje, e gjithë kjo ndërlidhet me emërimin tim në detyrën e re. Para kësaj, emri im nuk është lakuar në asnjë aferë. Përkundrazi, ka pasur shumë emra që janë përmendur për lidhje të dyshimta me rastin e Kumanovës, por jo edhe emri im. Unë u bëra target që nga dita kur erdha në këtë detyrë. Por nga ana tjetër, kur marr parasysh se këto akuza vijnë nga njerëz të cilët gjenden në Beograd dhe nuk janë shqiptarë, atëherë për mua sqarohen shumë dilema. Do ta kisha ndier veten shumë keq poqëse këto akuza do të vinin nga qarqe shqiptare në Prishtinë apo Tiranë. Po fundja, unë e di se nuk jam caku përfundimtar I kësaj fushate. Lirisht mund të them se po të ishte emëruar në funksionin tim ndonjëri prej heronjve më të mëdhenj shqiptarë, Skënderbeu apo Adem Jashari, këto qarqe antishqiptare do të mundoheshin të hedhin baltë edhe ndaj tyre për t’i njollosur. Me një fjalë, ata kanë për qëllim të shkaktojnë kaos në mesin e shqiptarëve duke dashur ta implikojnë me ;do kusht partinë shqiptare në pushtet në ngjarjet e Kumanovës, edhe pse argumentet flasin të kundërtën. Këto qarqe e dinë mirë këtë, por s’do të ndalen dhe do të angazhojnë tërë potencialin e tyre shpifës vetëm e vetëm për t’i dëmtuar politikisht shqiptarët.



KOHA: Po si e komentoni komunikatën e të ashtuquajturës UÇK, ku u tha se kanë hedhur në ajër veturën tuaj?

ASANI: Cila UÇK? Unë e njoh një UÇK tjetër. Është ajo që me ka mundësuar mua dhe shumë kolegëve të mi që sot jemi në këto struktura të policisë dhe po mundohemi të bëjmë punën tonë për të mirën e shqiptarëve dhe të këtij shteti që jemi përcaktuar se është i yni. E sa për komunikatën e kësaj U:K-je tjetër, të presim pak dhe të shohim se kush janë përpiluesit e saj të vërtetë. Më shërbimet në Kosovë , Shqipëri por edhe me ato të vendeve perëndimore është duke u punuar intenzivisht në zbulimin e autorëve të vërtetë të saj. Të presim edhe pak dhe të shohim se ku do të dalë fundi i këtij muhabeti.



KOHA: Është interesante të theksohet se shqiptarët në strukturat e Sigurisë së shtetit nuk kanë aq ndikim vendimtar për të qenë edhe cak i fushatave, të si; thoni ju, qarqeve antishqiptare?

ASANI: Unë ju thashë pak më parë se caku përfundimtar nuk është Arifi, Hasani apo Hyseni, por partia shqiptare në pushtet. Harrova të përmend edhe një fakt tjetër. Këto ditë në kuadër të DSK-së kemi arritur të bëjmë emërime dhe avancime të kuadrove shqiptare në pozita udhëheqëse. Për shkak të natyrës së profesionit tonë, nuk më lejohet t’i përmend me emra dhe detyrat e tyre të reja, por këtë e dinë shumë kolegë tanë që punojnë në MPB. Emërues i përbashkët i gjithë këtyre ndryshimeve është se gjithë këto kuadro shqiptare janë gjenerata e re e cila u punësua si rezultat i luftës së vitit 2001. Ndoshta edhe këtu mund të jetë motivi i sulmeve që po i përjetojmë këto dy muajt e fundit, Padyshim, forcimi i shqiptarëve në kuadër të shërbimit sekret dikujt po i pengon, edhe atë shumë bile. Por nga ana tjetër, ta them të drejtën , kjo më bën të ndihem edhe i lumtur. (V.M)

Publikuar: 06.10.2015 | 15:12
Lexuar: 692 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime