Suksesi për Alban Skenderajn nuk ka të ndalur. Edhe një tjetër videoklip me një këngë të re ka publikuar këto ditë. Tema e saj është universale. Për më shumë ai flet në këtë intervistë për Sh2.
- Përshëndetje Alban. Si ia kaluat tek festa e promovimit të videos së re?
Përshëndetje dhe juve! Shumë, shumë mirë! Ndonëse koha ishte pak e vrenjtur, nuk na pengoi që gjithçka të dilte siç ishte parashikuar. Videokënga u pëlqye... jam i kënaqur.
- Sa do të qëndroni këtë herë në Shqipëri?
Deri të hënën do të jemi këtu dhe pastaj do të largohemi sërish për në Gjermani.
- Kemi mësuar se jeni në përgatitje të albumit të ri në shqip. A është përcaktuar ndonjë datë për publikimin e tij?
Besoj se nga fundi i dhjetorit do të publikohet...
- Si do të titullohet?
Jemi ende në fazat përgatitore dhe ende nuk kemi vendosur për titullin, ndoshta sepse zakonisht titullin e albumit e vendos në fund fare kur është përfunduar gjithçka.
- Ju keni kënduar në italisht dhe anglisht së fundmi. Do jetë ndonjë këngë në këto gjuhë pjesë e këtij albumi?
Gjithsej mendohet të jenë 12-13 këngë dhe ndoshta thjesht për ti dhënë ngjyrë mund të vendosim dhe një apo dy këngë në gjuhë të huaj, them ndoshta, pasi një tjetër projekt është dhe albumi në gjuhën italiane.
- Urime! Kur mund të publikohet ky album?
Momentalisht jemi duke biseduar me disa shtëpidiskografike si Sony, Ëarner, Universaldhe pasi të biem dakord për pikat e kontratës, do pranohet oferta më e mirë.
- Do jetë ky një album me këngë tërësisht të reja apo përfshirë dhe hite nga repertori juaj i mëparshëm?
Do jetë një album me këngë komplet të reja, të kompozuara enkas për këtë projekt nga kompozitorë italianë.
- Po në Gjermani? Keni menduar të tentoni tregun muzikor gjerman?
Në Gjermani jam i fokusuar vetëm tek Miriami. Ajo këtu është e njohur, e suksesshme dhe unë mundohem që ta mbështes dhe ta përkrah në karrierën e saj. Ajo sapo ka përfunduar një kolonë zanore për një telenovelë gjermane, e cila do fillojë së shpejti në kanalin ZDF.
- Si më parë... është pak si një fjali e lënë përgjysmë, të cilës mund ti shtosh shumë fjalë. Po në rastin e tekstit të këngës suaj?
Nuk dua që kur të dëgjojnë këngët e mia, njerëzit të mendojnë se çfarë kam dashur të them unë, çfarë kam menduar unë, por dua që të gjejnë vetveten në këngët e mia, ti bëjnë ato të tyret dhe ti përshtasin me ngjarjet e tyre në jetë. Si më parë... është një këngë më tepër universale sesa personale.