E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Autorja Gjoni, për Radio Kosovën thotë se “Hajmalitë mistike” nuk kanë lindur në bestytnitë, por në forcën dhe në vullnetin e heqjes së maskave të këtij realiteti.
Gjoni: “Hajmalitë mistike” nuk kanë lindur në bestytnitë












Autorja shqiptare Pranvera Gjoni për Radio Kosovën thotë se “Hajmalitë mistike” nuk kanë lindur në bestytnitë, por në forcën dhe në vullnetin e heqjes së maskave të këtij realiteti.

Pranvera Gjoni, e cila jeton në Belgjikë, tashmë ka ardhur me vëllimin e ri poetik “Hajmalitë mistike”. Autorja Gjoni, për Radio Kosovën thotë se “Hajmalitë mistike” nuk kanë lindur në bestytnitë, por në forcën dhe në vullnetin e heqjes së maskave të këtij realiteti. Pranvera Gjoni, është autore edhe e “Atopsia e shpirtit”, “ Në hark të horizontit tim” dhe “Mendime të arnuara”!

Radio Kosova: Zonja, Gjoni! Poezinë e krijoni në Belgjikë, dhe sapo keni botuar vëllimin e katërt poetik “Hajmalitë mistike”. Çka do të thotë për një poete, të shkruaj larg atdheut?

Pranvera Gjoni: Poezia ka tek unë ka shpërthyer, ose më mirë të them ka marrë formën e plotë para pesë vjetësh. Them kështu sepse poezi kam shkruar që në moshë të pa pjekur, në mënyrë të konsoliduar. Libri im i parë ishte përgatitur kur unë kam qenë 18 vjeçare “ Përtej dashurisë”, por nuk u botua kurrë. Nuk ishte fati që të botohej, por riprovova pas tri vjetësh që të njëjtin libër ta botoja përsëri. Në atë kohë, kërkohej shumë para. E kisha të pamundur. Isha tashmë mama dhe dëshirat e mia, të Unit tim, ishin rritja e fëmijës. Poezia më ngeli jo pas dore, por riprodhohej dhe rikonfirmohej në mënyrë të vazhdueshme në shpirtin tim. Megjithatë, pas ikjes sime jashtë atdheut, poezia po më gërryente në çdo skutë të shpirtit dhe trupit, Nëpërmjet autostradës tashmë të njohur mbarë shqiptare dhe mbarë botërore, facebook-ut, duke i lexuar miqtë, mora iniciativë që të postoja dhe unë në këtë bulevard pjesë nga shpirti im. Duke parë euforinë e miqve të mi, që tashmë ishin të konfirmuar në botimet e tyre, në përmbajtjen dhe pasqyrimin e poezisë së tyre, mora shtytje që unë të botoja. Arrita që të botoja librin e parë “Autopsia e shpirtit”, i cili u mirëprit jashtë mase mirë. Nga 300 kopje nuk kam asnjë libër. Është falur, është dhuruar, por dhe është blerë.

Radio Kosova: Titulli i librit tuaj të fundit është “Hajmalitë mistike”! Ka të bëjë me bestytninë?

Pranvera Gjoni: Pyetje shumë e bukur. Realisht, para se të botohej libri, këtë titull e pata ndarë dhe me miqtë, por më është kundërshtuar. Unë jam etiketuar nga shumë miq dhe nga shumë kritikë një “dhi e egër”, në kuptimin ndoshta të kokëfortësisë, por nuk është kokëfortësia. Tek unë është brumi, brumi i gjithë i kohës dhe unë, këtë brumë kur merr formë, nuk mund ta hollojë. Pra, nuk mund ta ndryshoj për asnjë! “Hajmalitë mistike” kanë lindur jo në bestytnitë, por në forcën, në vullnetin, në transparencën, në heqjen e maskave të këtij realiteti, që jo pak herë është zhgënjyes, është tradhëtues, është amoral, që vret dhe djerrë shpresat e njeriut për jetën, qoftë në linjën e dashurisë, qoftë në linjën e atdheut, qoftë në përjetimin emocional si njeri, si nënë, si grua. Jo pak herë, për të mos thënë shumë herë, po atakohemi në shtypjen që i bëhet grave në të gjitha linjat. Më përket dhe mua një pjesë, pasi si autore e shfaqur vonë, quhem autore e re, dhe jo pak herë bërrylat godasin dhe vrasin jo pak shpirtin tim krijues. Megjithatë, Pranvera Gjoni, si “Dhi” me origjinë Tropoje dhe e moderuar në botëkuptimin e lirisë, të demokracisë së shpirtit, të forcës intelektuale, të iniciativave morale dhe të vazhdimësisë sime, si në punën krijuese e po ashtu dhe në vazhdimësinë e jetës, jam e pathyeshme në punën që bëj dhe në krijimet, nuk diskutohet.

Radio Kosova: Më shumë ju ka bërë të krijoni jetesa në Belgjikë, apo ajo derisa ishit në Shqipëri?

Pranvera Gjoni: Në momentin që ika nga Shqipëria, unë isha një, nuk mund të quhem zonjë, isha një zonjushë 26 vjeçare. Isha mama me dy fëmijë të vegjël. Dhe, në situatën e rëndë të mos sigurisë që u konfrontuam në atë kohë, kërkoja që fëmijët e mi të rritën në liri të plotë. Tek unë, gjëja më e dëshirueshme ka qenë liria, si liria fizike e po ashtu edhe liria shpirtërore. Njeriu pa liri shpirtërore nuk mund të krijojë, por edhe nuk mund të ec përpara. Unë shemba muret! Shemba të gjitha muret e ndrojtjes, shemba muret e mendimit të tjerëve me mua. Njoha vetveten, dhe njeriu në atë moment që ka takuar vetveten, ka takuar shpirtin e lirë. Këtë gjë ma bëri jo vetëm Belgjika si vend demokratik që është, por ma kanë bërë edhe studimet edhe leximet e shumta. Duke zbërthyer shpirtin tim si njeri, kam zbërthyer një pjesë të jetës që ne nuk e shohim. Është ajo pjesa e errët që fshihet tek një njeri. Ne e shohim vetëm 3 ose 4 %, thjeshtë vetëm sipërfaqen ose mimikën, por thelbësorja dhe përmbajtja e njeriut është një labirinth që nuk soset kurrë. Po të shikoni ecjen dhe vazhdimësinë time të krijimtarisë, jam gjithnjë në zbulim të të errëtave të këtij njeriu, të të kundërtave të tij.

Radio Kosova: Po pse pikërisht për anën e errët të njeriut?

Pranvera Gjoni: Sepse jo pak herë, në buzëqeshjen e maskuar të njeriut, fshihet një tradhti, një mallkim, fshihet një urrejtje, një smirë, fshihet një xhelozi. Dua ta zbulojë arsyen përse njeriu duhet të jetë i tillë? Përse njeriu që në njohje të parë, duhet të jetë paragjykues? Gjithmonë mundohem të jem gjykuese dhe gjykoj gjithmonë kur faktet flasin si drita e diellit. Por, duke qenë se jo pak herë jam paragjykuar, ndoshta është edhe kjo një element që më bën të sulmojë, të jem frontale. Jam e drejtpërdrejt edhe në krijimtari, pavarësisht që metafora ime, njihem për metaforë filozofike dhe është shumë e thellë, është ajo errësirë që po mundohem ta studiojë. Lumturia dihet, është si në dasmë, buzëqesh, je në eufori, në ekstazë... kurse errësira te njeriu, e ka atë ftohjen që je gjithmonë në një tërheqje litari, që mundohesh t’ia nxjerrësh fundin.

Radio Kosova: Atëherë, mesazhi juaj për lexuesin është?

Pranvera Gjoni: Mesazhi im për lexuesin, për krijimet e mia, është se ju, në momentin që ndjeni një dhimbje, të anashkaluar, si nga njerëzit tuaj apo nga problematikat jetësore, ndjeheni të vetmuar, lexojeni poezinë time. Do të gjeni optimizmin dhe vetveten. Kur ju të gjeni vetveten, nuk jeni kurrë vetëm!

Radio Kosova: Cilin nga librat tuaj: “Atopsia e shpirtit”, “ Në hark të horizontit tim”, “Mendime të arnuara”, dhe libri i fundit “Hajmalitë mistike”, e konsideroni si librin më të sukseshëm deri tani?

Pranvera Gjoni: Është një pyetje shumë e vështirë. Po rrënqethem nga kjo pyetje. Unë kam deklaruar që librat e mi janë fëmijët e mi të shpirtit dhe në fëmijët e t’u të shpirtit nuk mund të duash njërin më shumë se tjetrin. Pavarësisht se e ndjej ngjitjen time profesionale, ose më mirë të them se poezia ime ka marr formën më solide, më të lëmuar, më të mirë në librin e fundit, përsëri “Autopsia e shpirtit”, ngelet dera hyrëse, ai emocioni i papërmbajtur i imi, që më në fund një ëndërr 20 e sa vjeçare, u bë realitet. Pra, Pranvera nuk ngeli si Pranverë vetëm për veten e saj, por një pjesë e Pranverës është shpërndarë tek gjithë lexuesit shqiptarë. Kjo është një sadisfaksion, kurse poezia brenda saj, si profesionalitet brenda poezisë, si metaforë dhe vazhdimësi e pjekur, për mendimim tim është “Hajmalitë mistike”.

Radio Kosova: Çka është malli për ty?

Pranvera Gjoni: Largësitë e kanë krijuar mallin. Po të mos ekzistonin largësitë, malli nuk do njihej. Them që malli është i pa dimension. Në qoftë se qiellin nuk e kufizojmë dot, nuk e segmentojmë dot brenda një kuadrati, i njëjtë është malli. Unë e kam gjetur veten shumë euforike në momente kur shqiptarët shkëlqejnë në fusha të ndryshme, së fundmi ishte edhe futbolli. Edhe në momentin e humbjes, unë e ndjeva keqardhjen e gjithë sportdashësve shqiptarë, por megjithatë, kërkova pikën optimiste. Sporti dhe arti, nuk njohin kufij. Në këto manifestime gjithçka ishte kuq e zi. Flasë për shqiptarët pa kufij, flasë për degën tonë të madhe Kosovën, por edhe për katër degët e tjera, se Kosova po pi tashmë gjirin e nënës pas shumë vitesh. Gjithçka ishte unike. Atë që nuk po e bën dot politika, po e bën arti dhe sporti. Për ne që jemi jashtë atdheut, është një manifestim i jashtëzakonshëm, është një emocion i veçantë sepse unë e vuaj shumë mallin e atdheut tim, gjuhën shqipe, vuaj komunikim shqip. Pra, malli për atdheun është sikur malli i nënës për fëmijën ose sikur malli i fëmijës për prindërit. Në atdhe kam identitetin tim shqiptar, por dhe identitetin tim individual. Kam mall për prindërit dhe familjen. Malli gërryen gurin, nuk ka thënë kot populli. Malli është një plagë që nuk të merr jetën menjëherë, por të merr dalëngadalë dhe të shuan si flaka e qiriut.

Radio Kosova: Çka pas “Hajmalitë mistike”?

Pranvera Gjoni: Kam një libër me lirika dhe është hera e parë që vij me libër plotësisht me lirika. Jam në një dualizëm të titullit, pavarësisht që tek unë është i fiksuar. Brenda librit e gjithë tematika, pavarësisht që është lirika, është dashuria e atdheut që për mua është lule e dhimbjes, dashuria e nënës është lule e dhimbjes, është babai im që vuan nga sëmundja dhe unë nuk mund t’ia mjekoj dhimbjen është lule e dhimbjes, humbja e dashurisë, dhimbja për fëmijën...e gjitha përfaqëson bukurinë nëpërmjet dhimbjes. Gjykoj që ky është libri im i ardhshëm. Ndoshta do të vij një libër tjetër më përpara që është në gjuhën holandeze. Është libër psiko – filozofik “Polet”, që i tëri ka të bëjë me të kundërtat brenda njeriut. Ndoshta do të bëj një pushim të vogël në botimet shqip.

Radio Kosova: Diçka për fund të bisedës së sotme?

Pranvera Gjoni: Çdo libër që lexohet hap një dritare, të jep një stimulim, të jep një shpresë, një kënaqësi. Të drejton një rrudhë brenda trurit. Sa më shumë që lexojmë, aq më shumë jemi të kulturuar, të edukuar, do të jemi edhe të dashuruar me jetën.

Publikuar: 09.11.2015 | 17:18
Lexuar: 687 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime