E hënë, 17.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Merkeli nuk ka më thuajse fare aleatë, tek të cilët mund të mbështetet. Në nivelin evropian ajo ishte e izoluar që në fillim të krizës së refugjatëve.
Merkeli (ende) bën sehir
Disa fjali ngjiten si çamçakëz tek ai që i ka nxjerrë nga goja. Nga fjali të tilla nuk shpëton kurrë. Ish-kancelari Gerhard Schröder tha njëherë në rini, në vitet 1980:"Dua të futem aty brenda!"

Socialdemokrati e kishte fjalën për zyrën e kancelarit, derën e së cilës po e tundte me forcë. Shumë vite më vonë Schröderi e arriti me të vërtetë objektivin e tij të formuluar në një moment hareje të shfrenuar. Kjo fjali ka që atëherë status kulti.

Fjalia më e famshme e Angela Merkelit që prej kësaj vere është: "Do t'ia dalim mbanë!" Ajo u tha në lidhje me krizën e refugjatëve, për përballimin e së cilës pasardhësja e Schröderit në post ishte shumë e bindur. Nëse vazhdon të jetë e bindur, për këtë nga dita në ditë mund të shprehet dyshim.

Gjithnjë e më e izoluar

Merkeli nuk ka më thuajse fare aleatë, tek të cilët mund të mbështetet. Në nivelin evropian ajo ishte e izoluar që në fillim të krizës së refugjatëve.

Shumica e vendeve u ndienë të zënë në befasi nga gjermanët, kur ata hapën kufijtë me bujari, para së gjithash për njerëz nga shteti i luftës civile, Siri.

Në rrugën për në Gjermani, karvanet e refugjatëve kërkojnë që atëherë rrugë gjithnjë e më të reja në kufijtë e jashtëm të BE. Kulturë mikpritjeje të llojit gjerman ata kanë gjetur pak në këtë rrugë. Edhe në atdheun e Merkelit atmosfera ka ndryshuar.

Kur dy kolegët më besnikë të kabinetit, Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere dhe Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble distancohen nga kancelarja, ajo duhet të alarmohet.

Kufizimi i bashkimit familjar, që kërkohet prej kolegëve të kancelares gjithsesi nuk përshtatet me strategjinë e propaganduar deri tani nga Merkeli.

Mund të spekulosh, nëse Merkeli e ka nënvleftësuar dimensionin e ardhjes së refugjatëve, në aspektin sasior, cilësor, psikologjik.

Faktet janë të qarta: që tani mungojnë strehime të përshtatshme për refugjatët. Ndihmësit profesionistë dhe vullnetarë janë gjithnjë e më të mbingarkuar, vlerat në anketime për parti populiste si Alternativa për Gjermaninë (AfD) janë në rritje.

Edhe një fjali tjetër e ish-kancelarit Schröder

Merkeli ka gjoja besim të pakufizuar te Ministri i saj i Brendshëm. Po të mos e kishte, ajo duhet ta shkarkonte de Maizière-n. Ose shumë i kritikuari mund të largohet vetë.

Shkak për këtë ai ka prej kohësh: në fillim të periudhës legjislative iu desh që t'ia dorëzojë karrigen e shefit në Ministrinë e Mbrojtjes gruas numër dy në partitë unioniste, Ursula von der Leyen. Dhe para disa javësh, Merkeli emëroi koordinator për refugjatët shefin e Zyrës Kancelarore, Peter Altmaier.

Koha ka ardhur pa dyshim që Merkeli të përcaktojë sërish tonin në çështjen e refugjatëve. Po të dështojë në këtë detyrë, një ditë mund të thuhet: "Zonja Merkel kishte zemër, por ja që nuk kishte plan." Edhe kjo fjali është e paraardhësit të saj, Gerhard Schröder.

Autor: Marcel Fürstenau, DW

Publikuar: 12.11.2015 | 18:02
Lexuar: 856 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime