E hënë, 19.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sonte unë kam një ndjenjë të veçantë të them disa fjalë për një mik, një koleg dhe një intelektual me përmasa globale, siç është Dejvid Filipsi, autori i librit Çlirimi i Kosovës. Diplomacia këmbëngulëse dhe ndërhyrja e SHBA-ve, që ne e përurojmë në ambientet tona, tashmë të shndërruara në arenë të avancimit të vlerave të mirëfillta shkencore, kulturore dhe kombëtare.
Fjala e Rektorit të USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, me rastin e përurimit të librit të David Phillips



Dejvid Filipsi me prejardhje është amerikan, por, po të thellohemi pak në jetën dhe veprimtarinë e tij, shpejt vijmë në përfundimin se ai është një shqiptar kaluar shqiptarit. Këtë e bazoj në faktin, që ai përmbi dy dekada ia ka kushtuar çështjes shqiptare, duke e sensibilizuar përmes shkrimeve të tij të mbështetura me të dhëna të thukëta faktografike opinion amerikan dhe atë botëror që t’i kthejnë sytë kah ne, kah padrejtësitë historike dhe shoqërore, kah represioni politik dhe ideologjik i paparë ndaj nesh. Dhe të gjithë këtë ai e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë me një vetëdijesim tepër reflektues dhe, pa mëdyshje, mund të them se i gjithë angazhimi i tij për çështjen shqiptare e lëviz Dejvidin intelektualisht përpara, sa të duket sikur ai shtrihet dhe ngjizet në lëkurën tonë.



Në këtë person të vetëm, ne hasim në intelektualin dhe humanistin e pashoq, dhe ndër të tjera në sociologun dhe historianin e ideve politike, puna reflektuese dhe këmbëngulëse e të cilit i shërben korrekturës së dëmtimeve nga pushtimet barbare, që janë bërë ndaj popullit shqiptar në vazhdimësi, por edhe vetëreflektimit të dhimbshëm ndaj dukurive të shëmtuara postkonfliktuoze, që mund ta gërryejnë nga brenda membranën e përgjithshme kombëtare.

Unë nuk njoh autor tjetër t’i ketë kënduar me aq pasion dhe kompetencë shkencore vuajtjes historike të një populli të tërë, por edhe etjes së tij për liri dhe demokraci. Librin që e përurojmë sonte, Çlirimi i Kosovës. Diplomacia këmbëngulëse dhe ndërhyrja e SHBA-ve, mishëron në vete hermeneutikën historike të ngjarjeve të luftërave më të reja në hapësirën e Ballkanit, me theks të veçantë të luftës së Kosovës të vitit 1999, ndërthurjeve shoqërore-politike dhe prapaskenës së diplomacisë së SHBA-ve në trajtimin e çështjes shqiptare, kanalizimin e saj dhe realizimin e pavarësisë si aktin final të një procesi, i cili, siç mund të shohim gjatë leximit, nuk ka qenë aspak i lehtë, madje edhe për superfuqinë botërore, siç janë SHBA-të, të cilat është dashur të manovrojnë me mjeshtri përmes boshtit tradicional të sociologjizmit evropian dhe ideologjizmit komunist, për të sheshuar stereotipat dhe njëmendësinë mesjetare ballkanase.


Renditja me mjeshtri e ngjarjeve në mënyrë zinxhirore në libër, duke filluar nga shpërbërja e Jugosllavisë, luftërat për mëvetësi, ndërhyrja ndërkombëtare dhe deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, bëjnë që në secilin prej nesh të rilindin imazhet e dy dekadave më parë, kur të gjithë jetonim me ëndrrën e Kosovës dhe njëkohësisht frikësoheshim se nuk do ta mbërrinim kurrë ditën, që Kosovën ta shihnim të pavarur. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të tmerreve dhe mizorive, që i ka shkaktuar regjimi i Millosheviqit ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë, por Dejvidi i ka integruar ato me një mjeshtëri të rrallë në librin e tij Çlirimi i Kosovës, sa të duket sikur ngjarja rrjedh nga mendimet e tua si lexues, vetëm në një formë më të sofistikuar, në një formë prej historiani kompetent, jospekulues siç dalin shumica, të cilët historinë e shkruajnë vetëm nga prizmi i bindjeve dhe emocioneve personale dhe përmbyten në historinë e dyzuar të një realiteti të vetëm.

Ka një moment në libër, kur Dejvidi e përshkruan shkuarjen në Prishtinë të senatorit Bob Dole me bashkëpunëtorët e vet, edhe pse ishte paralajmëruar nga autoritetet e Beogradit dhe peshkopi Artemije se rreziku ishte i madh nga “terroristët” shqiptarë, që mua më ngjalli kujtime nostalgjike, sepse pikërisht fjalët e senatorit Dole drejtuar peshkopit Artemije në Hotelin Grand “mos i prekni shqiptarët”, më është adresuar edhe mua si student i Prishtinës atëbotë dhe pjesëmarrës në ato protesta të përgjakshme, që mund të kishin rezultuar fatale për shumicën prej nesh, duke pasur parasysh egërsinë dhe brutalitetin e policisë serbe ndaj studentëve dhe popullsisë, që protestonin për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Mirëpo, jo vetëm senatori Bob Dole, por edhe shumë personalitete politike dhe kongresmenë amerikanë kanë dhënë kontribut të madh në zgjidhjen e çështjes shqiptare si: Bill Klintoni, Xhorxh Bushi, Riçard Holbruku, Kristofer Hilli, Eliot Engeli, Medlin Olbrajt, Xhozef Diogardi dhe shumë të tjerë, të cilët i hasim në këtë libër, madje Diogardi me bashkëshorten e tij, ka qëndruar krah për krahu me profesor Fadil Sulejmanin dhe bashkëpunëtorëve të tij përballë tytave të policisë maqedonase në vitin 1994 në mbrojtje të Universitetit të Tetovës, i cili edhe falë mbështetjes së Steit Departamentit u bë realitet.

Nga ky libër, unë mësova edhe shumë gjëra, që vërtet nuk i kam ditur, për të cilat i jam shumë mirënjohës Filipsit, i cili nuk ka lënë pa çuar, siç thuhet, gur e dru, për të ardhur tek e vërteta historike. Ai ka hulumtuar për shumë vite, ka ndërmarrë disa udhëtime nga SHBA-të për në Kosovë e rajon, për të intervistuar figura politike , intelektuale dhe këdo, që ka pasur informacione mbi ngjarjet e Kosovës, vetëm e vetëm që t’i japë historiografisë një libër historik për të qenë mbi çështjet e Kosovës dhe, me plot bindjen e them, se ai ia ka arritur qëllimit si askush tjetër më parë. As kërcënimet, shantazhet, mbështetja për muri nga ana e langonjve të Millosheviqit në Dejton, nuk e kanë munduar dhe frikësuar Filipsin, por përkundrazi e kanë inkurajuar atë edhe më tej në rrugën e tij drejt së vërtetës dhe humanizmit.


Në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, profesorëve, studentëve dhe mbarë popullit shqiptar, unë ju shpreh falënderimet më të sinqerta, profesor Filips për qartësinë depërtuese, me të cilën po na e servon këtë dokument të kohës, ju faleminderit për mbështetjen e pakompromis që po na jepni përmbi dy dekada neve shqiptarëve, faleminderit popullit amerikan, qeverisë Bush dhe Klinton që e ndihmuat popullin e Kosovës më në fund ta përjetojë pavarësinë, lirinë dhe demokracinë.

Me këtë rast, Universiteti Shtetëror i Tetovës edhe një herë dëshmoi se u është përkushtuar botimeve me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar andaj, përkthyesen Mr.sc. Gjyla Çeliku e uroj për punën e kryer dhe që ia ka dalë mbanë të na japë një përkthim të shkëlqyer në gjuhën shqipe.
Tetovë, më 21 nëntor 2015

Publikuar: 23.11.2015 | 14:28
Lexuar: 723 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime