E kundërta e cilësisë së dobët të një universiteti publik, nuk duhet të jetë me çdo kusht hapja pa kriter e një universiteti privat. Praktika ka dëshmuar se kundërvënia e modelit të pareformuar të arsimit publik është përcjellur jo rrallë me manire tregtarësh, ku vrapi për të hapur universitet privat, nuk ka patur gjithmonë në themel motivin iluminist, por me çdo kusht, atë material.
Universiteti, dilemat e një prosperiteti
Lindita SEJDIU
Shqetësimet për mungesën reale të cilësisë në arsim u shfaqën në momentin, kur menduam se e zgjidhëm përfundimisht çështjen e arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Maqedoni. Jo vetëm përpjekjet për harmonizimin e arsimit të lartë në vend me ato, që përcaktohen në Kartën e Bolonjës, por edhe vetë cilësia e mësimdhënies në arsimin sipëror, janë sfidat kryesore që bashkëshoqërojnë njëra tjetrën në këtë rrugëtim të vështirë.
Gjithëpërfshirja gjeografike në procesin e arsimit sipëror, përveç anëve pozitive, i ka edhe ato negative. Përvoja po tregon se filialat universitare, nëpër qytete nuk po rrezatojnë kulturë të mirëfilltë akademike. Vendet ku janë të locuara këto filiala universitare, shumë pak reflektojnë kulturë urbane dhe njerëzit, që kalojnë aty afër e kanë vështirë të identifikojnë një institucion të mirëfilltë arsimor. Aty ke kafene të hapura shpejt e shpejt, fytyra njerëzish që vetëm me universitetin nuk kanë asnjë pikëtakim, parkim veturash pa kriter, tollovi, shamatë etj.
Derisa arsimi nuk trajtohet, si interes nacional i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, arsimi gjithnjë do të jetë me një cilësi të ulët. Cilësia e mësimdhënies jo rrallë mund të vërehet edhe në tekstet mësimore, që studentët i përdorin. Shumë nga tekstet që blihen dhe përdoren nga studentët kanë për autorë vetë pedagogët e lëndës. Një vështrim në këto tekste të bën të qartë se në një pjesë të mirë të tyre, edhe kur nuk janë plagjiatura të pastra, tekstet notojnë në plagjiaturë: grafikët dhe figurat ilustruese, ashiqare të marra nga libra të huaj, nuk citohen se çfarë autorësie kanë e nga janë marrë; në to mungojnë referencat e literatures, që është përdorur për të hartuar tekstin. Në të shumtën e rasteve, këto tekste kanë mangësi të theksuara gjuhësore dhe si të tilla i bëjnë gati të papërdorshme. Përveç autorëve që i shesin, e që si kuptojnë as vetë, të tjerët nuk kanë kurrfarë dobie prej atyre teksteve.
Garantimi i cilësisë në arsimin sipëror, nuk mund të bëhet vetëm me llafe. Ajo është një sfidë që mund të mbahet nën kontroll, përmes një legjislative efikase dhe kritereve të rrepta e të vërteta të akreditimit.
Ndarja klasike në arsim publik e privat, nuk nënkupton edhe dallimet ekstreme në cilësinë e mësimdhënies. Ka raste që një fakultet a department i universitetit publik, ka nivel më të lartë të mësimdhënies, se sa një fakultet i ngjashëm në universitet privat, dhe anasjelltas. Askush nuk ka të drejtë të paragjykojë a priori (mos)cilësinë, vetëm e vetëm pse njëri universitet është privat, e tjetri publik, apo anasjelltas. Fundja, vetë statusi i universitet nuk garanton kurrfarë cilësie, por janë mekanizmat tjerë që e bëjnë një universitet të jetë i kompletuar, apo i cunguar në pikëpamje të kuadrit, financimit, cilësisë së mësimdhënies, reformave të brendshme, procesit të evaluimit etj.
E kundërta e cilësisë së dobët të një universiteti publik, nuk duhet të jetë me çdo kusht hapja pa kriter e një universiteti privat. Praktika ka dëshmuar se kundërvënia e modelit të pareformuar të arsimit publik, është përcjellur jo rrallë me manire tregtarësh, ku vrapi për të hapur universitet privat, nuk ka patur gjithmonë në themel motivin iluminist, por me çdo kusht, atë material. Materializmi i idesë për të hapur universitet privat, si kundërvënie gjoja e modeleve të pareformuara të universiteteve publike, instalon në skenën tonë arsimore prototipin e tuxharëve universitarë.
Askush nuk do dëshironte të jetojë me iluzionin, se një ditë do të gdhijmë me shpresën që arsimi sipëror në Maqedoni do të shërohet përfundimisht nga plagët, që i merr nga privatizimi i gabueshëm, apo nga reformat e ngadalshme. Por, shteti, megjithatë, duhet të sigurojë mekanizma, që do ta mbronte arsimin sipëror nga individë të caktuar, të cilët për motive financiare tregtojnë me ardhmërinë e gjeneratve të ardhshme.