E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në një intervistë dhënë BBC-së ai tha se Maqedonia i konsideron si të rrezikshëm zërat për një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, ndërkohë që paralajmëroi se vitin e ardhshëm, si pjesë e Korridorit të Tetë do të nisë ndërtimi i hekurudhës që do ta lidhë këtë vend me Shqipërinë.
Ademi: Maqedonia kundėr ndarjes sė Kosovės













Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, tha se pritet që së shpejti ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, t'i ofrojë Shkupit dhe Athinës zyrtare një propozim të ri për emrin e Maqedonisë, i cili do të jetë i pranueshëm për të dyja palët.

Në një intervistë dhënë BBC-së ai tha se Maqedonia i konsideron si të rrezikshëm zërat për një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, ndërkohë që paralajmëroi se vitin e ardhshëm, si pjesë e Korridorit të Tetë do të nisë ndërtimi i hekurudhës që do ta lidhë këtë vend me Shqipërinë.

Me zotin Ademi bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se si e ka pritur koalicioni qeverisës kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme?

Ademi: Mendojmë se për momentin Maqedonia nuk duhet t'i ketë epërsi zgjedhjet e parakohshme, por epërsi e saj duhet të jetë stabiliteti i brendshëm politik dhe ai i përgjithshëm. Pastaj ai do të mund të mund të kontribuonte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në plotësimin e kritereve që kërkohen për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sigurisht, një prioritet tjetër, më i madh është edhe zgjidhja e çështjes së emrit dhe tejkalimi i krizës financiare që ka kapluar jo vetëm vendin tonë, por edhe vendet e rajonit dhe më gjerë. Prandaj ne vlerësojmë se epërsi duhet të jetë zgjidhja e këtyre temave që i përmenda dhe jo zgjedhjet e parakohshme.

Dua të sqaroj edhe këtë se, ne si parti në pushtet, duke kundërshtuar këtë, nuk themi se frikësohemi nga zgjedhjet. Përkundrazi, ne jemi të përgatitur për to, por duke qenë në pushtet sigurisht që përgjegjësitë dhe prioritetet i kemi të ndryshme nga opozita që edhe është e logjikshme që gjithmonë të tentojnë t'ia shkurtojnë jetën një pushteti.

BBC: Kur është fjala për epërsitë dhe përgjegjësitë, zoti Ademi, a ka ndonjë lëvizje në negociatat greko-maqedonase për emrin? Flitet se së shpejti ndërmjetësi ndërkombëtar, Metju Nimic, do të vizitojë Shkupin dhe Athinën...

Ademi: Sigurisht që takimet e drejtpërdrejta që kishin dy kryeministrat, Gruevski e Papandreu, gjatë muajve të kaluar, janë takime që japin edhe stimul, edhe shpresë, dhe japin sinjal se diçka po lëviz në drejtim të duhur rreth tejkalimit të mosmarrëveshjeve sa i përket çështjes së emrit i cili duhet thënë realisht se tani është pengesa më e madhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ne duke pasur tanimë një përvojë të hidhur siç ishte ajo e Bukureshtit, kur Maqedonia nuk u pranua bashkë me Kroacinë dhe Shqipërinë në NATO, jemi të vetëdijshëm që ky problem do të duhet të zgjidhet. Prandaj edhe takimet janë të drejtëpërdrejta, takimet janë intensifikuar dhe, ashtu siç e theksuat edhe ju, presim që mediatori Nimic të vijë tani me një propozim konkret i cili do të mund të ishte i pranueshëm për të dyja shtetet.

BBC: Një çështje tjetër zoti kryeministër, e përmendët edhe ju, është kriza ekonomiko-financiare. Kreu i opozitës, ish-presidenti Branko Cërvenkovski, ka akuzuar koalicionin qeverisës për atë që ai e quajti situatë të vështirë ekonomike dhe pastrim të madh të parave, për çka paralajmëroi edhe marrjen në përgjegjësi. Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Ademi: Sigurisht ato janë qëndrime politike të një lideri opozitar dhe nëse, eventualisht, ka shkelje, atëherë secili do të përgjigjet. Është e qartë se në çdo vend demokratik, në çdo vend ligjor, do të duhet të respektohen ligjet dhe ne parimisht jemi dhe kemi luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, kemi luftuar bartësit e funksioneve të ndryshme të cilët kanë shkelur ligjet, kështu që, parimisht, nëse eventualisht ka ndonjë që mund të ketë shkelur ligjet sigurisht që ai do të duhet të përgjigjet personalisht para organeve të drejtësisë.

BBC: Opozita shqiptare në Maqedoni, zoti Ademi, akuzon partinë tuaj, Bashkimin Demokratik për Integrim, se nuk po angazhohet sa duhet për investime edhe në pjesët e banuara me shqiptarë. Si i shikoni këto pretendime?

Ademi: Në këtë krizë financiare, në këtë krizë ekonomike që ka përfshirë edhe vendin tonë, ne tani jemi edhe në fazën e ribalancimit të buxhetit të vitit 2010. Kemi edhe projeksione të reja të cilat janë të harmonizuara edhe me parashikimet dhe me mundësitë që ka Maqedonia për të pasur një buxhet me komponente investuese dhe zhvillimore.

BBC: Cilat janë ato, mund t'i përmendni?

Ademi: Janë disa projekte infrastrukturore në rajonin e Likovës. Atje do të ndërtohet një ujësjellës rajonal që do të furnizojë disa vendbanime të kësaj komune. Gjithashtu është projekti i rrugës që do të lidhë Kumanovën me Haraçinën nëpërmjet Likovës. Fjala është për një rrugë rajonale që lidh mëse 40 mijë banorë. Kemi rrugën Tetovë-Jazhincë, në drejtim të kufirit me Kosovën e cila tanimë po rikonstruohet. Është rruga Dibër-Kërçovë që së shpejti do të fillojë të ndërtohet. Tanimë kanë filluar ndërtimet në zonën e lirë ekonomike në Tetovë. Këtu parashikohet të ngriten mbi 80 fabrika të vogla dhe të mesme dhe numri i përgjithshëm i punëtorëve që do të angazhohet pritet të arrijë rreth 8 mijë vetë.

Po përmend me këtë rast edhe segmente të Korridorit të Tetë në pjesën perendimore të vendit, rrugën Gostivar-Qafëthanë.

Vitin e ardhshëm pritet të nisë edhe ndërtimi i hekurudhës nga Kërçova që lidh Maqedoninë me Shqipërinë. Nëse do të ketë sukses koncesionimi i cili është në përfundim e sipër, shumë shpejt do të nis edhe ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë që lidh Shkupin me Kosovën.

Pra, është një varg projekteshj që sigurisht se nuk mund të realizohen brenda një muaji apo një viti, por janë projekte që do të kenë efekte në përmirësimin e kushteve për një jetë dhe mirëqenie sociale të banorëve të kësaj ane.

Ne kemi bërë goxha investime edhe në infrastrukturën shkollore që është shumë e rëndësishme për shqiptarët, sidomos në objektet e Universitetit Shtetëror të Tetovës, si në këtë qytet, por edhe në Kumanovë, Shkup, Gostivar.

BBC: Së fundi, zoti zëvendëskryeministër, si i shikoni ju në Qeverinë e Maqedonisë zërat e këtyre ditëve për një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, saktësisht, veriut të Mitrovicës me komunën e Preshevës?

Ademi: Mendoj se janë ide të vjetra, janë ide gjithashtu të rrezikshme dhe tendencioze, në radhë të parë për shqiptarët, sepse janë ide të cilat pikërisht shqiptarët do t'i dëmtonin më së shumti se çdo kënd tjetër në rajon.

Mendoj se këto ide jepen nga Serbia edhe për të defokusuar vëmendjen e opinionit nga ajo që ndodh me shtetin e ri, me institucionet e reja në Kosovë, me zhvillimin që ka Kosova dhe me zhvillimin që kanë popujt e rajonit në krahasim me Serbinë.

Mendoj që këto ide janë të papranueshme, në radhë të parë, për Kosovën dhe popullin e Kosovës dhe pastaj edhe për shtetet e tjera. Pra, e papranueshme është edhe për Maqedoninë.

Kosova tanimë po dëshmon se është shtet që prodhon stabilitet. Kosova është e pranuar nga një sërë shtetesh të botës dhe ata që e pranojnë pavarësinë e Kosovës e pranojnë sigurisht edhe planin e presidentit Ahtisari, i cili Kosovën e njeh me kufijtë administrativë dhe ata kufij tanimë janë kufij të njohur ndërkombëtarisht. Janë kufij të shtetit të Kosovës.

Publikuar: 01.07.2010 | 02:56
Lexuar: 730 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime