E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Suksesi mund të arrihet vetëm me bashkimin e pakicave (elitave) për të mirën e shumicës (popullit). Kështu është e nevojshme që elita e zgjedhur (udhëheqjet partiake dhe shtetërore) dhe elita e përhershme (inteligjencia e të gjitha llojeve) të jenë sa më afër dhe në një vijë. Ndryshe nuk mund të pritet as harmoni ndërmjet tyre as kënaqje e aspiratave të shumicës.
Mjaft me politikėn “dy kėmbė me njė shkallė”




Po mbushen dy dekada të pluralizmit partiak dhe veprimit institucional politik të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo periudhë, sado e shkurtër dhe e pakët për kthesa të mëdha e të qëndrueshme, megjithatë, nuk ka qenë e shkurtër dhe e pamjaftueshme për të ndërtuar një vizion dhe strategji për kahet e zhvillimit. Fatkeqësisht, deri më tani ka munguar vizioni dhe strategjia. Mu për këtë arsye, është evidente se ende shumë gjëra nuk janë të vendosura në binarë të shëndoshë. Kjo gjendje është e pranishme kudo (pa përjashtim), në çdo segment të jetës shoqërore. Natyrisht, ajo diku është e shprehur më shumë, diku më pak. Por, nuk mund të thuhet se diku punët i kemi mirë. Për shkak të hapësirës nuk do të lëshohem në regjistrimin e segmenteve ku na duhet angazhim.

Shkaku për këtë gjendje jo të mirë qëndron në paaftësinë e organizimit tonë për të ndërtuar strategji të qëndrueshme zhvillimore. Pse-në e manifestimit të kësaj paaftësie duhet kërkuar dhe konstatuar në mungesën e vizionit të partive politike shqiptare për të vepruar sipas kohës dhe rrethanave. Si koha ashtu edhe rrethanat e përgjithshme, gjatë tërë kësaj periudhe kanë diktuar ekipin dhe profesionalizim të madh të subjekteve politike shqiptare. Madje shumë, dukshëm, më të madh se partitë politike maqedonase. Pse mendoj kështu? Thjesht, për arsye se çdokush e ka ditur se në asnjë institucion me relevancë shtetërore nuk ka të punësuar shqiptarë. Se asnjë institucion, tekstualisht asnjë, nuk kontrollohet nga shqiptarët. Si rrjedhojë ka qenë e ditur se politikanët shqiptarë nuk kanë qasje në kurrfarë të dhënash relevante për zhvillimin e shoqërisë.

Kështu, shpresat e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë, pa të drejtë, janë mbështetur vetëm të deputetët e zgjedhur. Jo se nuk është dashur të pritet prej tyre, por objektivisht ata kanë qenë si në pozitën e zogut në shkretëtirë. Partitë politike nuk ngritën as qendra shërbyese profesionale, as mekanizma përkatës për ndihmë vetes dhe strukturave të veta të shpërndara në pushtete. Qasja dhe veprimi i këtillë, vetëvrasës, i strukturave politike partiake, pavarësisht nga motivet që janë udhëhequr: padituria, mendjemadhësia, ndërkëmbëzat e brendshme (lexo: injoranca dhe mediokriteti) dhe të jashtme (lexo: ndikimi i strukturave të fshehta) ka rezultuar me vërshimin e politikës së shuarjes së zjarrit të ndezur nga struktura të caktuara joshqiptare po edhe shqiptare.

Kjo jo njëherë ka prodhuar vështirësi të shumta gjatë ndërtimit të qëndrimeve për të realizuar një interes të caktuar kombëtar. Por, në vazhdim “ka pushuar” angazhimi dhe, të egzaltuar nga suksesi, strukturave politike u është dashur kohë që të përcaktojnë pikën tjetër strategjike të angazhimit. Kësaj i thonë bërja e politikës “dy këmbë me një shkallë”.
Veprimi i këtillë tashmë thuajse është standardizuar dhe fitohet përshtypja se udhëheqjet politike nuk janë të preokupuara me ngritjen e tyre profesionale dhe shndërrimin në qendër shërbyese. Për dallim nga vitet e mëparshme, kryesisht deri në vitin 2002, ose më shkurt, deri në periudhën postkonfliktuale, tani arsyet e veprimit me avazin e vjetër janë më të shumta dhe duken më të qëndrueshme.

Mendohet se përfshirja e shqiptarëve në institucionet e sistemit është shumë më e favorshme dhe se institucione të shumta drejtohen nga shqiptarët. Ky mendim është mjaft sipërfaqësor, sepse nuk përkon as për kah forma as për kah përmbajtja. Së pari, shqiptarët as formalisht nuk drejtojnë institucione të rëndësishme shtetërore. Së dyti, vetëm drejtimi i institucionit nuk është edhe garanci e ushtrimit të kontrollit të tij, sepse për një gjë të tillë nevojiten kuadro të mirëfillta profesionale. Në kuadër të kësaj nevojitet edhe bashkëpunim i disa institucioneve, ngaqë pa këtë institucioni që drejtojnë shqiptarët, mund të bllokohet dhe vetvetiu të mbetet në margjina e të komprometohet.


Ndër arsyet tjera që relativizojnë fuqizimin profesional të subjekteve politike përmendet edhe udhëheqja e shqiptarëve me shumë ministri të ndryshme që nënkupton edhe kontrollin ndaj drejtorive dhe agjencive nën ingerenca të saj. Fatkeqësisht, përvoja ka dëshmuar se as këtu punët nuk kanë shkuar si duhet, sepse interesa të ndryshme nacionale maqedonase kanë ndikuar në anashkalimin e udhëheqësit-ministrit shqiptar. Përvoja dëshmon se kjo ndodh edhe kur janë në pyetje interesat shtetërore. Pse veprohet kështu, është temë shumë e gjerë. Por të gjitha rrethanat flasin se udhëheqja, si me ministri si me institucione të ndryshme, nuk është e mjaftueshme për një zhvillim të qëndrueshëm, të standardizuar dhe pa hope.

Ndryshimet e ministrive shpesh shkaktojnë ndërprerjen e kahes dhe hovit të zhvillimit, andaj edhe sjellin deri te zhgënjimi i strukturave të asaj sfere. Mandej fillojnë arsyetimet e ndryshme pse ka ndodhur kjo dhe cilat janë të mirat e të këqijat. Në arsyetimet mungon si profesionalizmi ashtu edhe “armata” që orienton opinionin. Mungesa e orientimit të opinionit bëhet për mungesë të ideologjisë partiake si instrument themelor i udhëheqjes me një popull ose me një pjesë të tij, qoftë ai shumicë ose pakicë-pozitë ose opozitë. Në këtë vazhdë, vlen të theksohet se për udhëheqje të suksesshme dhe përmbushje të aspiratave popullore nuk është e mjaftueshme vetëm mbështetja në patriotizmin e natyrshëm që dominon masat.

Suksesi mund të arrihet vetëm me bashkimin e pakicave (elitave), për të mirën e shumicës (popullit). Kështu është e nevojshme që elita e zgjedhur (udhëheqjet partiake dhe shtetërore) dhe elita e përhershme (inteligjencia e të gjitha llojeve) të jenë sa më afër dhe në një vijë. Ndryshe nuk mund të pritet as harmoni ndërmjet tyre as kënaqje e aspiratave të shumicës. Elitës së zgjedhur i nevojitet pushteti për të qeverisur, por nuk mund të qeverisë suksesshëm pa mbështetjen e elitës së përhershme. Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet sa i nevojitet elitës së përhershme pushteti. Megjithatë, ajo duhet të kyçet dhe të ndihmojë në ndërtimin e strategjisë zhvillimore. Sa do të kyçet inteligjencia në ndërtimin e strategjisë, nuk është në duart e saj, por të strukturave partiake.

Elitës së zgjedhur i nevojitet pushteti për të qeverisur, por nuk mund të qeverisë suksesshëm pa mbështetjen e elitës së përhershme. Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet sa elitës së përhershme i nevojitet pushteti

Publikuar: 01.07.2010 | 20:11
Lexuar: 473 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime