Mirëpo, ministri Beqaj nuk është rasti i vetëm që ka shpenzuar mijëra euro për një veturë, ai e ka vazhduar rrugën e kolegëve të tij. Muaj më parë edhe ministra të tjerë të kësaj qeverie si Ahmet Shala, Justina Shiroka-Pula... kishin blerë vetura superluksoze të tipit Mercedes.
Adrian Çollaku
Ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj, duket se veprimin e parë serioz për integrim e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian e ka ndërmarrë me blerjen e një veture superluksoze, e cila kushton hiç më pak se 51 mijë euro. Ndër ministrat më të rëndësishëm në kabinetin qeveritar Thaçi, Beqaj në vend si prioritet kryesor ta ketë integrimin e vendit drejt strukturave evropiane, ai prioritet ka vendosur veten dhe akomodimin e tij.
Mirëpo, ministri Beqaj nuk është rasti i vetëm që ka shpenzuar mijëra euro për një veturë, ai e ka vazhduar rrugën e kolegëve të tij. Muaj më parë edhe ministra të tjerë të kësaj qeverie si Ahmet Shala, Justina Shiroka-Pula... kishin blerë vetura superluksoze të tipit Mercedes.
Për këta të fundit ndoshta nuk duhet që të befasohemi aq shumë, por për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, gjithsesi duhet të befasohemi. Derisa ishte në krye të OEK-ut, Besim Beqaj kritikonte vazhdimisht institucionet e vendit për shpenzime marramendëse. Ai vazhdimisht ishte munduar që të mbronte interesant e bizneseve dhe të qytetarëve të Kosovës, por tani si duket kanë ndryshuar gjërat. Ai ka harruar kritikat e vazhdueshme që i kishte dhënë kësaj qeverie dhe natyrisht se tash ka hyrë në lojë dhe nuk mund ti shmanget asaj.
Këto shpenzime marramendëse jo vetëm të ministrit të Integrimeve Evropiane, por edhe të ministrave të tjerë pa dyshim se do ti dëmtojnë më së shumti tatimpaguesit kosovarë dhe do ti zhgënjejnë ata. Për më keq, derisa në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian gjithnjë e më shumë po shkurtohen shpenzimet në vetura dhe në privilegje të zyrtarëve shtetërorë, në Kosovë po ndodh e kundërta.
Kohë më parë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kishte marrë vendim për reduktimin e makinave dhe të shumë privilegjeve të zyrtarëve të lartë, në mënyrë që të bëjë shkurtimin e shpenzimeve. Njëjtë thuajse ka vepruar edhe presidenti i Francës, Nikola Sarkozy, i cili ka ndërmarrë veprime që ti shkurtojë shpenzimet qeveritare, duke reduktuar makinat dhe privilegjet e tjera të zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Dhe nëse këto veprime të krerëve të këtyre vendeve krahasohen me veprimet e qeveritarëve tanë, atëherë pa dyshim se në këtë situatë kemi të bëjmë me një paradoks në vete.
Ndonëse Kosova është ndër vendet më të varfra në Evropë dhe qeveritarët bëjnë shpenzime marramendëse në lukse, atëherë kjo tregon për papërgjegjësinë totale të zyrtarëve tanë qeveritarë, për keqpërdorimin e djersës së qytetarëve, për mostransperencën e punës së tyre, etj.
Qeveria e Kosovës në krye me Hashim Thaçin, duhet që të marrin shembull nga Franca, nga Shqipëria, e nga vende të tjera, që ti shkurtojnë shpenzimet në vetura, privilegje..., e jo ta shkurtojnë buxhetin për barna, apo për gjëra të tjera të domosdoshme për qytetarët e vendit. Thaçi dhe ministrat e tij duhet ta dinë shumë mirë se në Bashkimin Evropian nuk mund të integrohemi me Mercedesa. Në BE mund të shkojmë vetëm me punë dhe me qeverisje demokratike, transparente, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse.