Bashkëpunim i ngushtë me qytetarët, identifikimi i nevojave, prioriteteve të tyre dhe të mbarëvajtjes së jetës së kryeqytetit, duke punuar me mjaft seriozitet në ofrimin e një alternative qeverisëse cilësore dhe dinjitoze, ashtu siç e meriton vetë Tirana, kryeqyteti ynë i dashur.
Flet deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska
Në këndvështrimin e demokratëve, e gjithë këmbëngulja e Edi Ramës për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, është një lojë për të mbajtur me çdo kusht karrigen e kryebashkiakut të Tiranës. Në një intervistë të dhënë për Tirana Observer, deputetja e PD-së, Lajla Përnaska, deklaron se koha kur është zhvilluar greva e urisë nga deputetët socialistë, nuk ishte e rastësishme, por një strategji e Ramës për të bllokuar proceset integruese të Shqipërisë. Veç krizës, Përnaska rrëfen përgatitjet e Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe strategjinë për fitore.
A mund të quhet e kapërcyer kriza në vend, ndërkohë që opozita merr pjesë në punimet e Kuvendit por nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj për transparencën e zgjedhjeve?
Rama nuk e ka aspak hallin tek transparenca apo kutia, por tek karrigia e kryebashkiakut, të cilën kërkon ta mbajë me çdo kusht. Ai e ka provuar mendësinë e tij të bllokimit, krizës e bojkotit, gjatë gjithë kohës që ai drejton PS. Ishte tërësisht e papranueshme, madje primitive, rikthimi i praktikës së bojkotit nga ana e Ramës, për ta cenuar, apo bllokuar funksionimin e Parlamentit dhe institucioneve të lidhura me të. Sigurisht kjo praktikë dështoi pasi nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi ajo nuk mund të jetë pjesë e një kulture demokratike, e një sistemi demokratik. Nga ana tjetër, i gjithë opinioni politik e institucional ndërkombëtar, i të gjithë spektrit politik, në asnjë moment nuk e ka pranuar bojkotin e Ramës, e as grevën e tij. Angazhimi ynë ka qenë konsekuent dhe i palëkundur, në mbrojtje të shtetit ligjor dhe të sistemit institucional që me aq mund e punë është ngritur e zhvilluar në historinë tonë post-komuniste, me një asistencë bujare dhe nga komuniteti ndërkombëtar. E gjej pozitiv faktin, e pjesëmarrjes së kolegëve socialistë në komisionet parlamentare dhe në seancë të plotë parlamentare, pra filluan të ushtrojnë detyrën themelore për të cilën i është besuar mandati i deputetit.
Komisioni i Jashtme i PE-së miratoi rezolutën për liberalizmin e vizave. Ndërkohë që në një pikë të saj është përcaktuar si kriter zgjidhja e ngërçit politik, çfarë oferte do ti bëjë mazhoranca opozitës për rinisjen e një dialogu normal mes palëve?
Është e qartë, Rama ka bërë çdo lloj përpjekje për të bllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimit të vendit. Nuk ishte rastësi as koha në të cilën u organizua dhe greva e urisë, pra para marrjes se vendimit të liberalizimit të vizave, as vendi, për të bllokuar jetën normale institucionale dhe qytetare. Mazhoranca ka vullnetin e plotë për të kapërcyer çdo lloj situate politike, por jo duke i dhuruar pushtet në tavolinë Z.Rama, gjë që ai e ka provuar se e kërkon me çdo formë tashmë. Ne mbetemi të vendosur për të konsoliduar shtetin ligjor dhe për të vazhduar integrimin e vendit.
A ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet vendore duke parë që kryeministri Berisha dhe kreu i Bashkisë Edi Rama, janë duke bërë inaugurime masive?
Patjetër që fushata e zgjedhjeve vendore po troket tashmë. Ne po punojmë me strukturat e PD-së për të bërë organizimin dhe vënien në efiçencë të plotë të tyre, si të strukturave të PD, edhe ato të Lidhjes Demokratike të Gruas dhe Forumit Rinor të PD. Fitorja e Bashkisë së Tiranës është një sfidë e rëndësishme jo vetëm për PD, por për mbarë qytetarët e neglizhuar të këtij qyteti nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë. Prej kohësh z.Rama e ka braktisur detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Praktikisht qyteti i Tiranës nuk ka Kryetar Bashkie. Në këto tre vitet e fundit, qytetarët e Tiranës e kanë parë z. Rama të merret me gjithçka tjetër por jo me problemet dhe shqetësimet me të cilat përballen çdo ditë banorët e kryeqytetit.
Në zgjedhjet lokale të 2011, Partia Demokratike do të dalë e vetme apo në koalicion me LSI-në?
Besoj se në koalicion me LSI, si pjesë e marrëveshjes politike që ne kemi realizuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Pse është harruar nga Partia Demokratike mbledhja e Këshillit Kombëtar, pasi ishte planifikuar që të mblidhej që në muajin e parë të këtij viti?
Partia Demokratike funksionon në të gjithë strukturat e saj në të gjitha nivelet. Është kompetencë e kryetarit të PD të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, në një moment që ai e gjykon të përshtatshëm për jetën politike të partisë.
Sipas pikëpamjes suaj, pas një viti qeverisje, a ka nevojë qeveria Berisha për ndryshime në kabinet, dhe cilët janë emrat që mund të rrezikojnë?
Unë jam për qeverisje dinamike dhe ripërtëritja e ekipit qeverisës në gjykimin tim sjell impakte pozitive.
Duke qenë se majta prej tre mandatesh mban Bashkinë e Tiranës, cila do të jetë ajo figurë e mazhorancës që do ti kthejë të djathtës pushtetin në kryeqytet?
Po aq sa figura e nxjerrë nga ne, ka rëndësi dhe besimi i pjesës dërrmuese të kryeqytetasve, se edhe për Tiranën, po troket koha për ndryshim!
Cila do jetë strategjia e mazhorancës për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës?
Bashkëpunim i ngushtë me qytetarët, identifikimi i nevojave, prioriteteve të tyre dhe të mbarëvajtjes së jetës së kryeqytetit, duke punuar me mjaft seriozitet në ofrimin e një alternative qeverisëse cilësore dhe dinjitoze, ashtu siç e meriton vetë Tirana, kryeqyteti ynë i dashur.