Nga një fëmijëri e varfër në sundimin e Mao Ce Dunit, në listën e 10 femrave më të pasura të botës. Manjatja kineze, Zhang Xin, rrëfen për artin, punët, suksesin dhe familjen.
Fëmijërinë e kaloi një pallat 5-katësh ngjyrë gri në periferitë e Pekinit, duke ngrënë mëngjes drekë e darkë oriz të lirë së bashku me vëllezërit, motrat dhe prindërit punëtorë. Për të siguruar më shumë para për të mbajtur frymën gjallë nisi që në moshë të hershme punën në fabrikë ku kalonte 12 orë në ditë e etur për çdo qindarkë që do të shtonte në tryezën e familjes pak oriz më shumë. Por në moshën 20-vjeçare mundi që të siguronte një pasaportë të Hong Kongut dhe me disa para që kishte vënë mënjanë fluturoi në Britani. Aty me ndihmën e bursave dhe të kredive fitoi vendin e parë në universitetin e Sussex dhe më pas i kompletoi studimet me një master në Kembrixh.
Sot, pas dy dhjetëvjeçarësh pune të jashtëzakonshme Zhang ndodhet në zyrën e bukur të një grataçiele në mes të Pekinit dhe pamja e saj rrezaton atë lloj vetëbesimi që ta jep përvoja dhe njohja e vetvetes. Dhe në fakt, Zhang ka të drejtë të ndihet e tillë duke qenë se është jo vetëm një nga gratë pasanike të Kinës që e nisi gjithçka nga hiçi, por mbi të gjitha është edhe një nga gratë më të pasura në të gjithë botën. Në fillim të këtij muaji ajo u cilësua nga revista Forbes si një nga 10 miliarderet e botës që e kishin nisur gjithçka nga e para me një pasuri personale prej 2 miliardë dollarësh.
Sigurisht që në botën e më të pasurve të planetit pasuria nuk është ndonjë kushedi se çfarë, por të paktën krahasuar me Mbretëreshën e Anglisë ajo është 5 herë më e pasur. SOHO, kompania e pronave që ajo themeloi së bashku me të shoqin ka pasur dhe ka një rol të madh në transformimin e Pekinit dhe të ndërtimeve kryesisht.
Gjithçka ka ardhur në mënyrë graduale dhe është ndërtuar mbi baza të forta, thotë miliarderja ndërsa jep intervistën e parë për median që pas daljes së emrit në listën Forbes Më kujtohen ditët kur e kishim shumë të vështirë që të paguanim faturat dhe rrogat e njerëzve që kishim punësuar dhe më pas ecjen përpara nga një kompani me borxhe në një kompani që pak nga pak nisi të kishte fitim. Me kalimin e kohës patëm luksin që herë pas here edhe të pushonim, por kohët e para kanë qenë torturuese.
E megjithatë, nga pamja e jashtme, kur e takon Zhang nuk ka asgjë prej miliardereje dhe nga pamja duket si një nënë fëmijësh e shtresës së mesme. Nuk ka asnjë veshje firmato, asgjë ekstravagante, apo të tepruar. Veshja e saj është e thjeshtë dhe makijazhi në fytyrë shumë i kursyer. Të vetmet gjëra të shtrenjta që ajo mban janë dy byzylykë të vegjël të florinjtë. Kur e pyesin se çfarë makine ka ajo përgjigjet se di që ka një Lexus, por nuk mban mend numrin dhe vitin e prodhimit. Edhe sot kur ka miliarda në llogarinë bankare, Zhang është shumë e matur dhe nikoqire.
Për shembull, ajo nuk ndërmerr kurrë fluturime në klasin e parë edhe pse mund ta bëjë një gjë të tillë pa problem, por i pëlqen që të udhëtojë si pasagjere e zakonshme. Nuk bëhet fjalë nëse i mban, apo jo xhepi. Kur shoh se sa punë ka dadoja e fëmijëve të mi dhe të tjerë që punojnë gjithë ditën dhe për të cilët bileta ime mund të jetë një rrogë mujore them: oh jo. Për mua vlen edhe një fluturim në një klasë më të ulët. Zhang tani është 45 vjeç dhe ka lindur në Kinën e së shkuarës, pikërisht në pjesën e dytë të Revolucionit Kulturor (1966-1976).

Ajo është bija e brezit të tretë të disa emigrantëve kinezë që shkuan në Burma dhe më pas u rikthyen në Pekin në vitet 50 të tërhequr kryesisht nga ideja e Kinës së Kuqe. Familja e saj jetoi për një kohë të gjatë në një nga ato godinat të cilat qeveria i ngrinte për punëtorët. Në Kinën e viteve të fëmijërisë dhe rinisë sime kishte vetëm 2 lloj ushqimesh të dyja shumë të këqija. Pjata e parë ishte orizi, gjithmonë i zier dhe me fare pak yndyrë, sepse yndyra ishte një luks për ne. Pjata e dytë ishin patatet, por këto ishin më të rralla. Në ato vite, Pekini ishte një qytet shumë i shëmtuar dhe gri.
Gjithçka ishte gri, rrugët, ndërtesat dhe njerëzit të gjithë të veshur në këtë ngjyrë. Të gjithë ishin të trishtuar, madje edhe qielli nuk ishte kurrë i kaltër. Të gjithë visheshin njësoj me rroba doku dhe i vetmi ndryshim mes njerëzve ishte mënyra se si i mbanin flokët, të kapur, të lëshuar, të gjatë, apo të shkurtër. Të pasurit dhe klasat, apo shtresat e ndryshme shoqërore nuk ekzistonin. Edhe puna në fabrikë nuk ishte e lehtë dhe nuk solli ndonjë ndryshim për mirë në jetën e Zhang.
Ishte e tmerrshme që të çoheshe çdo ditë herët në mëngjes dhe të bëje deri vonë të njëjtën punë monotone pa pushim. Çdo ditë që niste e re mendoja se do të më sillte ndonjë ndryshim, por në fund të ditës ikja e zhgënjyer në shtëpi me shpresën se atë që nuk ma kishte sjellë kjo ditë do të ma sillte e nesërmja. E gjithë puna bëhej për ca para më shumë të cilat në fakt nuk ta ndryshonin aspak jetën.
Pas ikjes së saj në Britani, Zhang pa një jetë tjetër dhe të tjera dyer u hapën para saj. Me shkollimin e saj në zhvillim ekonomik ajo pati mundësinë që vendin e parë të punës ta gjente në Wall Street në bankën Goldman Sachs. Në vitin 1994, ajo ishte e gatshme që të rikthehej në Kinë e joshur si shumë bashkatdhetarë të saj që kishin studiuar jashtë që të përfitonte nga mundësitë që të ofron një ekonomi të zhvillim dhe që ecën me ritme të shpejta. Një mik i saj i tha që me shumë përfitim në atë periudhë ishte biznesi i pronave dhe ai i ndërtimeve, veçanërisht në qytetet e mëdha të Kinës, të cilat po përjetonin një bum të paparë në këtë drejtim. Kështu, ajo kontaktoi me një tjetër person që kishte ndërmend që të çelte një biznes të tillë. Edhe ai vetë vinte nga një fëmijëri dhe familje shumë e varfër. Ky njeri katër ditë pas takimit të parë me Zheng do ti propozonte asaj për martesë dhe më pas së bashku do të themelonin edhe kompaninë SOHO China.
Së bashku e nisën gjithçka nga e para, fillimisht me borxhe të mëdha derisa arritën që ta shndërronin një kompani shumë fitimprurëse qenë vitin 2007 kapi 1 miliard dollarëshin dhe në këtë mënyrë hyri në tregun e aksioneve. Që nga ajo periudhë, vitet e një pune të jashtëzakonshme nisën që të japin fryte shumë të mira dhe tashmë paratë nuk përbënin më një problem. E megjithatë, historia personale e Zhang nuk është aspak unike revista Forbes që e ka listuar edhe atë së fundi si një milionere e bërë vetë nxjerr një fakt shumë interesant.
Një pjesë e madhe e grave që kanë arritur një pasuri të madhe vijnë nga Kina e viteve të Mao Ce Dunit dhe tashmë jetojnë dhe punojnë në Kinën e fuqishme që i ngjan më shumë një shteti kapitalist edhe pse ruan të njëjtën formë regjimi si në kohën e Maos, pra sistemin njëpartiak. Janë gra që kanë lindur dhe janë rritur në një botë gri madje të përgjakur, në borën e absurdit të madh të Revolucionit Kulturor dhe më pas arritën që të kalonin në ekstremin e pasurisë dhe të pushtetit duke nisur gjithçka nga e para në një botë kapitaliste e duke u rikthyer në një tjetër Kinë me mundësi shumë më të mëdha për aktivitetin e lirë.
Zhang nuk është si ca kinezë të tjerë nostalgjikë për ditët e sundimit të Maos gjatë të cilave njerëzit ishin të barabartë dhe nuk kishte diferenca mes të pasurve dhe të varfërve, por ajo e kupton dhe e ka të qartë që në njëfarë mënyre Kina komuniste ishte themeli i suksesit që po gëzojnë sot shumë gra si ajo. Mao e çliroi gruan. Ai tha se gratë mbajnë gjysmën e qiellit. Ne të gjithë u rritëm me idenë e barazisë së burrit me gruan. Në Kinë nuk kishte diferenca në paga dhe në llojin e punës që bënte mashkulli dhe femra. Gjithçka ishte e barabartë, thotë Zhang.
Ndërkaq, ajo nuk është vetëm një biznesmene e suksesshme dhe shumë e pasur, por mbi të gjitha është një nënë, nëna e dy djemve me moshë 10 dhe 11 vjeç, të cilëve ajo u kushton shumë kohë dhe u jep shumë dashuri pavarësisht punëve të shumta që ka. Nuk bëj më punë përtej orës 6 të pasdites dhe nuk punoj sigurisht edhe gjatë fundjavave. Në një kornizë mbi tryezën e saj të punës ndodhet e gjithë familja, ndërsa diku më tutje ajo ka një vizatim që ia kanë bërë djemtë asaj. Në fundjavë jam e tëra për fëmijët e mi, jam një nënë e zakonshme që shkon me djemtë në ndeshjet e futbollit apo bën shëtitje të ndryshme.
Ajo pohon se nuk i ka pëlqyer shumë që e kanë nxjerrë në listën e më të pasurave të botës në revistën amerikane. Që të jem e sinqertë më duket si një servilizëm dhe jam e bindur që si unë e mendojnë edhe shumë gra të tjera në pozitat e mia. E kam të vështirë që ta konsideroj veten super të pasur, pra të jem e kategorizuar botërisht si e tillë. Jemi rritur në një botë tjetër, ku fjala i pasur ka qenë gjithmonë më shumë si një sharje.
Për sa i përket të ardhmes së Kinës, Zhang është e bindur që Kina do të vazhdojë që të përparojë dhe të japë mundësi për ata që duan të merren si ajo me biznes, por ndërkohë ajo është gjithashtu e shqetësuar për drejtimin në të cilin po shkon shoqëria kineze. Rritja ekonomike e pashoqëruar me një rritje të mirëqenies shpirtërore nuk është e mjaftueshme. Qeveria aktualisht përballet me më shumë probleme se më parë dhe kjo është një provë e vërtetë për ta. Njerëzit kanë ndryshuar dhe kanë nevojë edhe për ndryshime strukturore. Tani që kanë ekonominë kinezët nuk duhet që të ndalen me kaq. (shqip)