E martë, 11.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Më poshtë vijon një portret për njeriun e konsideruar mjeshtri i artit të kompromisit:
Stoltenberg mjeshtri i artit të kompromisit










I emëruar sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, ka hedhur hapat e tij të parë në një organizëm radikal kundër aleancës, përpara se të bëhej kampion i konsensusit të marrëdhënieve të mira me rusët.

Ekonomist në profesion, Stoltenberg, 56 vjeç, nuk ka pasur ndonjëherë prirje të veçantë për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, por 10 vite të kaluara në krye të qeverive të ndryshme atij i kanë dhënë një bllok me adresa ndërkombëtare shumë të sakta duke provuar edhe artin e të negociuarit.

Kreu i parë i NATO-s i dalë nga një vend kufitar me Rusinë, ish-kryeministri norvegjez ka patur marrëdhënie të mira me Moskën.
Nën autoritetin e tij, norvegjezët dhe rusët kanë arritur marrëveshje të rëndësishme për përcaktimin e kufijve të tyre në detin Barenc dhe heqjen e vizave për dy popullsitë fqinje.

“Eksperienca e Stoltenbergut dhe e Norvegjisë si fqinje e Rusisë, me siguri do të jetë e nevojshme”, vlerëson gazeta norvegjeze “Aftenposten”.

“Por, natyra e marrëdhënieve që Perëndimi duhet të ketë me Rusinë vendoset në vende të tjera dhe jo në organet e NATO-s”, shton e përditshmja norvegjeze duke iu referuar BE-së dhe mbi të gjitha Uashingtonit.

Kur ishte i ri, Jens Stoltenberg ishte kundërshtar i NATO-s dhe BE-së, dy organizata këto për të cilat ai më vonë u kthye në përkrahës.
Kur ishte adoleshent, me flokë të gjata, ai godiste me gurë ambasadën e SHBA-së si protestë ndaj bombardimeve në Haipong (Vietnam) nga “US Air Force” në vitin 1973.

Në vitin 1985, ai bëhet kryetar i Rinisë Punëtore e cila kërkonte daljen e Norvegjisë nga NATO-ja. Por nën udhëheqjen e tij kjo lëvizje më vonë u bashkua me Aleancën e Atlantikut Verior.

“Me sa duket idetë e tij radikale u venitën pak e nga pak me kohën por që nuk janë zhdukur krejtësisht”, shkruan gazeta “Wall Street Journal”.

“Stoltenberg kishte protestuar kundër provave bërthamore franceze në Mururoa duke marrë pjesë në një stafetë me biçikleta Oslo-Paris në vitin 1995”, kujton gazeta konservatore amerikane.

Nuk është një skifter

I lindur në një familje të përfshirë në politike, babai ishte ministër i Mbrojtjes dhe më pas i Punëve të Jashtme, ndërsa nëna Sekretare e Shtetit.

Jens Stoltenberg, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ia ka dedikuar karrierën e tij politikës.

Deputet që në vitin 1991, ministër i Energjisë dhe më pas i Financave, burri elegant me sy bojëqielli u bë në vitin 2000, një ditë pasi mbushi 41 vjeç, kreu më i ri i një qeverie norvegjeze. Një pozicion të cilin e mbajti për një kohë të shkurtër, por që e rimori sërish nga viti 2005 deri në tetorin e vitit 2013.

Nën drejtimin e tij, mbretëria nordike mori pjesë në luftën në Afganistan dhe në sulmet ajrore kundër Libisë së Muamar Kadafit.

Vend ku traditat pacifiste bashkëjetojnë më së miri me kulturën atlantiste, Norvegjia është, falë burimeve naftëmbajtëse, një nga të rrallët anëtarë të Aleancës që rrit buxhetin e saj për mbrojtjen kur të tjerët e ulin atë për shkak të krizës.

Shumë popullor në vendin e tij, Stoltenberg habiti të gjithë botën kur bërri thirrje që t’i kundërvihemi me më shumë demokraci dhe më shumë humanizëm sulmeve ekstremiste të Anders Behring Breivik, i cili vrau 77 persona më 22 korrik 2011.

I sprovuar me negociatat e vështira, ai është bërë mjeshtër i artit të kompromisit në atë pikë sa njerëzit pranë tij deklarojnë se ”ai u bën dalje konflikteve”.

“Askush nuk shikon tek Jens Stoltenberg një skifter në çështjet e politikave të sigurisë”, thotë Gunnar Stavrum, komentator i gazetës online “Nettavisen”. (TRT)

Publikuar: 25.12.2015 | 15:31
Lexuar: 720 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime