Sejdiut i shërben posti i Kryetarit të LDKsë për ta mbajtur postin e Presidentit të Republikës dhe i duhet posti i Presidentit të Republikës për të ruajtur kontrollin mbi LDKnë. Për hir të kësaj loje të vogël interesash, një vend i tërë ka pranuar të anashkalojë Kushtetutën e tij.
Armand Shkullaku
Gjykata e re Kushtetuese e Kosovës ka rastin të hyjë në histori me një vendim të saj që do të arsyetojë ligjshmërinë ose jo të mbajtjes njëkohësisht të postit të Kryetarit të shtetit dhe Kryetarit të ngrirë të një partie politike nga një person i vetëm.
Ky vendim do të përbënte një moment kyç për demokracinë në Kosovë, duke dhënë shembullin se ligji është mbi të gjithë dhe mbi gjithçka, por do të mbahej mend edhe si një akt moral, aq shumë i nevojshëm për një shoqëri ku parimet dhe vlerat njerëzore po vihen çdo ditë e më tepër në pikëpyetje.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të vendosë atë që çdokush e di dhe e pret, por që deri tani të gjithë kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh. Fatmir Sejdiu nuk mund të jetë edhe President i Republikës edhe Kryetar i LDKsë.
Mbajtja e këtyre dy funksioneve drejtuese nga një person i vetëm përbën një shkelje të Kushtetutës dhe shpikja e termit të ngrirjes është një interpretim krejtësisht personal dhe jokushtetues për të përligjur pikërisht këtë shkelje.
Kush është ai autoritet juridik që e ka legjitimuar një interpretim të tillë, dhe mbi të gjitha, kush është ai organ apo komision ligjor që ndjek dhe heton nëse Presidenti i përmbahet ngrirjes së njërit post dhe shkrirjes së postit tjetër? A ka njeri që beson se emërimet e ministrave të LDKsë në Qeveri janë bërë pa përfshirjen e Fatmir Sejdiut? Po termat e vazhdimit të koalicionit PDK-LDK, a kanë marrë miratimin e Kryetarit jokryetar? A ka pjesë Sejdiu në caktimin e strategjisë elektorale të partisë së tij?
Vështirë të mendosh se kreu i shtetit nuk influencon në këto çështje, përkundrazi është ai që vendos dhe ato nuk kanë të bëjnë fare me funksionin e tij si President i Republikës. Sado i ngrirë të jetë Sejdiu, interesat e LDKsë ndikojnë çdo ditë në vendimet dhe veprimet e tij politike. Për sa kohë kemi një inventim dhe interpretim personal të termit ngrirje e funksionit, por mbajtje e tij, për sa kohë që asnjë autoritet tjetër nuk mund të përcaktojë ngrirje-shkrirjet e mundshme, për sa kohë ka dyshime evidente që Presidenti ndikohet nga pozita e tij partiake, Gjykata Kushtetuese duhet tu japë fund dilemave të tilla ligjore duke legjitimuar mbajtjen e vetëm njërit post. Presidenti, veç të tjerave, është edhe simbol i unitetit kombëtar, është mbi partitë politike dhe duhet të përfaqësojë vetëm ngjyrat e shtetit. Asnjë ngjyrë tjetër, sado e zbehtë ose sado e ngrirë, nuk ka arsye ta kompromentojë pozitën e tij.
Në Rastin Sejdiu duket sikur Kushtetuta është vënë në siklet prej tij dhe jo ai prej Kushtetutës. Nuk do të ishte fundi i botës nëse Fatmir Sejdiu do të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të LDKsë, madje do tia kishte rritur pikët vetes dhe do të kishte shënuar një precedent pozitiv për demokracinë e re kosovare. Ai mund ta kishte bërë këtë akt të paktën de jure, për ti dhënë seriozitet dhe autoritet shtetit të saposhpallur, dhe de facto të vazhdonte të merrej me punët e LDKsë. Mirëpo, Sejdiu as formalisht nuk e respektoi Kushtetutën dhe asnjëanësinë e kreut të shtetit. Ai nuk e bëri këtë për një arsye të thjeshtë, sepse i frikësohet humbjes së kontrollit mbi LDKnë nëse e lëshon postin e Kryetarit. Ashtu siç u tremb kur shkarkoi Blerim Kuçin që nisi reformat për ndryshim, ashtu siç u tremb kur përfshiu në Qeveri krahun opozitar në LDK, dhe ashtu siç trembet tani duke mos lejuar garë për Kryetar të ri në parti. Sepse, Sejdiut i shërben posti i Kryetarit të LDKsë për ta mbajtur postin e Presidentit të Republikës dhe i duhet posti i Presidentit të Republikës për të ruajtur kontrollin mbi LDKnë. Për hir të kësaj loje të vogël interesash, një vend i tërë ka pranuar të anashkalojë Kushtetutën e tij. Gjykata Kushtetuese është e vetmja që mund të rivendosë dinjitetin e shtetit përballë interesave të individëve, cilëtdo qofshin ata.
Por, Gjykata Kushtetuese duhet ta marrë një vendim të tillë jo vetëm mbi argumentime dhe interpretime juridike. Ajo duhet të vendosë edhe në emër të një morali që për një shoqëri është po aq jetik sa institucionet e saj. Gjykata duhet të tregojë se asnjë individ, sado i fuqishëm qoftë, nuk mund të jetë mbi ligjin. Se në një shoqëri ku nuk njihet dorëheqja, ku nuk përfillen qytetarët dhe injorohet opinioni publik, ka ende mundësi për të ndryshuar diçka. Vendimi i Kushtetueses do të jetë një akt që do përcaktojë shumë në të ardhmen sjelljen e njerëzve me pushtet dhe do të ndikojë në besimin e qytetarëve tek demokracia kosovare. Prandaj, ai do të jetë një vendim historik. Fati i një individi, kushdo qoftë ai për momentin, është fare i parëndësishëm. Gjykata e re Kushtetuese e Kosovës duhet të zgjedhë.