Imagjinoni një prijës të moshës së internetit, që sapo ka shpëtuar nga falimenti një nga ikonat më të famshme e më me reputacion të medias së shkruar botërore Le Monde.
Kur ishte adoleshent, ai vuri pasuri të mëdha me linjat e seksit dhe shfaqjet erotike. Sot, ai është një nga drejtuesit e Le Monde, gazetës legjendare
Imagjinoni një 40 e ca vjeçar, miliarder, i cili e ka nisur gjithçka nga hiçi, që mban xhinse dhe nga pamja e jashtme duket si një menaxher i një grupi këngëtarësh rok. Imagjinoni tani një vizionar, sipas disave, shpesh edhe të pamëshirshëm, një manjat biznesi, që mbështet çështjet e së majtës radikale.
Imagjinoni një prijës të moshës së internetit, që sapo ka shpëtuar nga falimenti një nga ikonat më të famshme e më me reputacion të medias së shkruar botërore Le Monde. Imagjinoni një burrë, interesat e biznesit të të cilit variojnë nga ato të ngritjes së dyqaneve të seksit, novacionet në internet, të drejtat për disa nga këngët klasike franceze. Imagjinoni një miliarder që ka ide të çuditshme për tu zbavitur, siç është ajo e futjes së bashku me shokët nëpër shpella të thella, si dhe eksplorimi i kanaleve dhe katakombeve që ndodhen në nëntokën e Parisit. Për të gjetur një njeri të ngjashëm me 42-vjeçarin Xavier Niel, ndoshta do tju duhet që të shkoni në Kaliforninë e Veriut, nëpër katakombet e Silicon Valley.
Atje po të ishit me fat mund të gjenit vetëm dikë sa gjysma e Xavier, një njeri që është unik në botë për sa i përket aventurave të biznesit që ka ndërmarrë dhe përzierjes e futjes së hundëve në ndërmarrje nga më të ndryshmet. Disa e konsiderojnë atë si Bill Gates francez. Ai ka pasur një aftësi të jashtëzakonshme që të ngrejë nga hiçi një perandori krejtësisht të re biznesi, në një vend që më tradicional nuk bëhet. Franca, jo vetëm që është një vend konservator, por edhe antibiznes. Ndaj ndryshe nga Bill Gates, i cili e realizoi ëndrrën e tij në Shtetet e Bashkuara, Xavier e bëri realitet në një ambient shumë herë më të vështirë. Këtë javë ky zotëri bleu botën. Ai ishte një nga tre biznesmenët francezë që përfundoi një ndërmarrje të suksesshme për blerjen e Le Monde, gazetës më prestigjioze franceze në gjuhën frënge. Jashtë Francës njerëzit kanë folur shumë për mënyrën me të cilën ai bëri paratë e pasurisë së tij të madhe, pra me biznesin e erosit dhe linjave telefonike të seksit.

Gazetat e së gjithë botës nuk lanë gjë pa thënë për të dhe titulli Baroni i pornografisë blen gazetën prestigjioze është një nga më tolerantët. Megjithatë Xavier nuk është më tashmë një baron pornografie. Një nga aftësitë e tij ishte që e kuptoi më herët se të gjithë në Francë rëndësinë e internetit. Blerja e Le Monde do të realizohet në shtator dhe do të ketë vlerë prej 100 milionë eurosh. Xavier dhe dy bashkëpronarët e tjerë, sipërmarrësi i modës, Pierre Berge, si dhe bankieri Matthieu Pigasse kanë premtuar se do ta trajtojnë dhe do të investojnë për këtë gazetë, duke pasur parasysh se ajo është një e mirë publike. Ata kanë premtuar edhe se do tu japin gazetarëve të drejtën e vetos në zhvillimet e gazetës dhe emërimet e gazetarëve dhe drejtuesve të lartë të gazetës. Presidenti francez, Sarkozy, i cili është fërkuar në të shkuarën me Xavier tentoi shumë që ta bllokonte një marrëveshje të tillë.
Kur ai thirri në zyrë kryeredaktorin e gazetës, Eric Fottorino, një muaj më parë Presidenti e quajti Xavier si njeriu i shfaqjeve erotike.
Ai i kujtoi drejtuesit të lartë të gazetës se miliarderi ka kaluar në vitin 2004 një muaj në burg nën akuzën e ofrimit të seksit me pagesë, në një nga dyqanet e tij erotike, por kjo akuzë ra më pas, e pabazuar në prova. Sarkozy përmendi edhe faktin se në vitin 2006, Xavier ishte gjobitur për një akuzë të ngjashme me atë që u burgos. Por me sa duket ndërhyrja e Sarkozy ka qenë kundërproduktive. Ai jo vetëm që nuk arriti që ta ndalonte shitjen e gazetës tek treshja e mësipërme e sipërmarrësve, por krijoi një reagim të menjëhershëm tek gazetarët, të cilët menjëherë pas këtij takimi e ndanë mendjen që do vendosnin në favor të Xavier. Megjithatë Sarkozy nuk është politikani i vetëm që nuk e ka me sy të mirë biznesmenin dhe guximtarin sipërmarrës Xavier.
Një numër i madh politikanësh të tjerë e dinë se ai mund të bëhet shumë i hidhur me ta, madje edhe me një pjesë të botës së biznesit. Ky mund të ketë qenë edhe shkaku i ndërhyrjes së Presidentit. Xavier ka një histori të gjatë armiqësish me grupet e mëdha dhe tradicionale të komunikimit në Francë me të cilët Sarkozi e ka shumë mirë. Pallati Elize i druhet mundësisë që konsorciumi i drejtuar nga Xavier mund të transformojë gazetën Le Monde që aktualisht ka një qëndrim të majtë në një atmë të fuqishme kundër Sarkozy në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2012. Por këto janë frikëra të pabaza. Një gazetë që do të merrte shumë njërën anë do të humbiste tërësisht besueshmërinë në sytë e lexuesit dhe ky do të ishte fundi.
Megjithatë Presidenti nuk shqetësohet tërësisht kot duke qenë se Xavier, vitet e fundit, ka mbështetur financiarisht dy websajte investigative, të cilët kanë nxjerrë shumë të fshehta qeveritare kohët e fundit. Në një moment të jetës së tij, Xavier ka qenë anëtar bordi i një grupi libertarian, antiamerikan i njohur si Reseau voltaire i drejtuar nga Thierry Meyssan, një nga mbështetësit më të famshëm të teorive konspirative për ngjarjet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Xavier aktualisht nuk bën pjesë më në grupin e tij, por në një intervistë të fundit deklaroi se ndihet shumë pranë tij intelektualisht.
Por kush është në të vërtetë Xavier Niel dhe çfarë kërkon konkretisht ai që të bëjë me të shkëlqyerën, por shumë të shtrenjtën Le Monde?
Xavier ka lindur më 25 gusht të vitit 1967 në periferinë industriale dhe të varfër të Creteil në lindje të Parisit. Prindërit e tij ishin nga shtresa e mesme ose e ashtuquajtura klasë administrative, që nuk ka lidhje as me elitën politike, as me atë drejtuese. Xavier i ri nuk shkoi në universitet, sepse nuk kishte nevojë që ta bënte një gjë të tillë.
Karrierën e tij si sipërmarrës e nisi që në moshën 16-vjeçare, duke zhvilluar aplikime për grupet e mëdha mediatike si Minitel, një perkursor i internetit i krijuar nga France Telecom, që në atë periudhë ndodhej nën pronësinë e shtetit. Në moshën 19-vjeçare hyri në botën e Minitel Rose që bënte bashkë bisedime erotike mes njerëzve të ndryshëm, apo krijonte kontakte dhe lidhje mes tyre përmes telefonit të bashkëngjitur me kompjuterin. Bëhet fjalë për një aparaturë që ndodhej në të gjitha shtëpitë e francezëve. Shërbimi i ofruar nga Niel quhej 3615 DUCUL. Pas këtij suksesi të parë, ai si njeri që nuk kënaqej kurrë me arritjet e tij u hodh në një tjetër shërbim, këtë herë me Minitel, që gjithashtu ofronte shfaqje erotike dhe më pas ngriti edhe dyqane seksi. Ndryshe nga shumë biznesmenë francezë, Niel nuk u verbua nga suksesi i madh fillestar i Minitel, por nuhati që në hapat e parë suksesin e një mjeti të ri, që sapo kishte hyrë në treg: interneti.
Në vitin 1993, kompania e tij Iliad nisi që të ofronte aksesin e parë të internetit WorldNet, të cilin ai e shiti shtatë vjet më pas për shifrën 40 milionë euro. Novacioni i tij më i madh në vitin 2002 ishte Freebox, që ofronte broadband, telefon dhe televizion kabllor, të gjitha në një paketë të vetme, me një kosto prej 29 eurosh në muaj. Kjo shifër dhe kjo ofertë ishte shumë konkurrente në treg. Sot Iliad ka 5000 të punësuar dhe një vlerë tregu prej 3.7 miliardë dollarësh. Dy të tretat e aksioneve janë në pronësi të Niel. Vitin e kaluar, ai bëri një tjetër goditje fitimtare pas fitores së një kontrate për krijimin e një shërbimi të katërt të telefonisë celulare në Francë në vitin 2012. Dhe kjo sigurisht në kundërshti me Sarkozy. Xavier ka planifikuar gjithashtu që të investojë 1 miliard dollarë për shtrirjen e kabllove të tij të fibrave optike në shtëpitë e të gjithë francezëve për të rivalizuar France Telecom.
Ai parashikon që do të reduktojë në këtë mënyrë faturat e telefonit fiks të francezëve, por edhe ato të celularit në vitin 2012. Xavier dhe bashkëshortja e tij i çojnë fëmijët në shkollë shtetërore dhe vetë Xavier ka një zyrë të cilën e ndan me disa nga kolegët e tij, duke mos pranuar që të ulet në një zyrë më vete. Ai është shumë i ndrojtur si njeri. Ndryshe nga miliarderët e tjerë francezë, të cilët ia kanë nisur nga zeroja si Bernard Arnault apo Francois Pinault, Xavier nuk ka miq të ngushtë politikanët apo figura të showbiz. Ai nuk shkon kurrë nëpër darka mondane, por një herë në javë me shokët e tij eksplorues nëpër katakombet e Parisit. Një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij thotë se Niel është prototipi i biznesmenit të shekullit të ri dhe fatkeqësisht ai i ka shokët e pakët në Francë.
Ai është i vendosur dhe i përkushtuar në atë që bën, por nuk e ka qëllim në vetvete pasurimin dhe pushtetin. Ai është një person i këndshëm dhe i gatshëm për të të ndihmuar sa herë që ke nevojë, madje mund të të ndihmojë përtej çdo imagjinate thotë miku i tij. Xavier ngulmon se pavarësisht se është një miliarder, dëshira e tij është që ti shërbejë publikut. Pasuria e tij dhe opinionet e majta nuk përbëjnë asnjë pengesë për të. Më pëlqen që tu shpall luftë monopoleve dhe tua përplas në fytyrë establishmenteve. Nuk e keni idenë sa më zbavit kjo gjë, shprehet Xavier. Ai është shumë i dhënë edhe pas bamirësisë.
Në jetë të duhet një shtëpi dhe një makinë. Pasi i siguron ato, ke një zgjedhje për të bërë: ose ta harxhosh pjesën tjetër të parave duke blerë vepra arti e duke u ulur për ta kaluar jetën përballë tyre, ose ti përdorësh paratë për të ndihmuar njerëzit. Ndërkaq pyetja normale është: A është investimi i Xavier në Le Monde produkt i mendjes së tij të mprehtë? A është për të kjo gazetë një minierë ari për mbështetjen e ambicieve të tij në fushën e telekomunikacionit, apo investimi i tij është një ambicie për një gazetari serioze? (shqip)