Banorët e qytetit nuk iu nënshtruan asnjë pushtuesi, pësoi edhe tragjedi të mëdha e veçanërisht në pranverën e vitit 99.
Historia e çdo qyteti shqiptar ka një histori më vete, por ajo e Gjakovës në veri të Kosovës, qytetit 500 vjeçar është e veçantë. Banorët e qytetit nuk iu nënshtruan asnjë pushtuesi, turk, apo serb. Pësoi edhe tragjedi të mëdha.
Veçanërisht në pranverën e vitit 99. Pas vitesh e vitesh vuajtjeje tashmë kërkon paqe. Këtë e ka materializuar në monumentin e Nënë Terezës, të vendosur në lulishten qendrore të qytetit. Një monument që shpërndan pas vitesh e vitesh vuajtjeje e sakrificash, mirësi e paqe te shqiptarët, ashkalinjtë, romët e egjiptianët. Edhe pse shqiptarët janë shumica dërrmuese.
Dhe këtë e ndjen në Gjakovën që po rilind, Gjakova që ka vend për të gjithë
Këtë e ndjen edhe gjatë rrugës nga Prizreni. Në të dy anët e rrugës traktorët gjëmojnë. Thuajse nuk ka asnjë cep të tokës bujqësore pa u punuar. "Tokën nuk e kemi lënë djerr asnjë herë, as në kohën e serbit e jo më tani",- thotë fermeri Sherif Juniku nga Krusha e Madhe. Ndërsa anës rrugës pemët që sapo kanë çelur lulet, sikur i ftojnë banorët të përshpejtojnë mbjelljet e tokës. "Kam 3 ha tokë, një ha e kam mbjelle me grurë, 2 ha po i mbjell tani me misër. Çdo vit kam marrë një rendiment mbi 45 ha grurë dhe mbi 55 ha misër",- tregon Sherifi.
Tregimi i Hysamedinit
Takimi me Hysamedinin, një veteran i UÇK-së, të ngjall një ndjesi të veçantë. Ndërsa qëndron i ulur në lulishten përballë hotel "Pashtrikut", gëzohet kur e pyet për plagën e marrë. Se Hysamedini ka humbur këmbën e majtë. "Jam plagosur në Koshare, plaga mu gangrenizua dhe kur më çuan në Shqipëri, mjekët më thanë se e vetmja zgjidhje është prerja e këmbës. E pranova fatin, por nuk jam bërë pishman",- tregon Hysamedini.
Në pranverën e vitit 99 një pjesë e mirë e të rinjve gjakovarë iu bashkuan UÇK-së,. pati rreth 800 viktima, prej të cilëve 170 janë ende persona të zhdukur, pasi gjatë largimit nga Kosova, serbët u kujdesën të zhdukin gjurmët e krimeve të bëra.
Gjakova është një nga qytetet më të prekura nga barbaria serbe. Gjatë 3 muajve të asaj pranvere Gjakova u dogj në masën rreth 80 për qind. "Ndërsa u shkrumbua krejtësisht çarshia e vjetër, krenaria e qytetit ",- thotë Hysamedin Rexhepi, veterani i UÇK-së.
Barbarinë serbe e provoi edhe një nga monumentet unike të qytetit, xhamia e vjetër e Hadronit, e ndërtuar në vitin 1554. Ajo u rrafshua me tokën, por falë KFOR-it e donacioneve të tjera të huaja, ajo u rindërtua sërish ashtu siç ka qenë.
Për barbaritë serbe në Gjakovë të gjithë kanë kujtime të hidhura. Hasan Ukshini, shefi i informimit në komunë tregon: "Më kanë vrarë babën e nënën ditën kur është nënshkruar marrëveshja e Kumanovës, pra më 10 qershor. Rreth orës 21 kur kanë marrë vesh nënshkrimin e marrëveshjes e largimin e tyre nga Kosova serbët u janë turrur banesave për gjak. Në shtëpinë time ne vëllezërit ishim larguar me kohë. Serbët gjetën vetëm prindërit, të dy mbi 80 vjeçar dhe i masakruan."
Gjakovarët kanë derdhur lumenj gjaku për lirinë. Ndaj dhe nuk i harrojnë patriotët që kanë dhënë aq shumë për të. Nuk harrojnë patriotët e kombit. Këtë e sheh edhe në emërtimet e rrugëve të këtij qyteti. Kështu me vendimin nr. 5011-3371/2009 të datës 29/5/2009 të Këshillit Komunal u emërtuan rrugë me emra patriotësh si Haxhi Zeka e Ali Pashë Gucia, apo patriotët e shquar gjakovarë Sali Morina e Ferid Imami e deri te Skëndërbeu e Ali Pashë Tepelena. Ndërsa Këshilli Komunal me ceremoni të veçanta po i vendos emërtimet e reja të rrugëve, një proces që ende nuk ka përfunduar në këtë komunë.
"Mund të duket si zvarritje, por për vendosjen e çdo emërtimi të ri kryhet ceremoni e mirëpërgatitur. Se janë njerëz që i kanë dhënë shumë Gjakovës e Shqipërisë, ndaj duhen nderuar si e meritojnë",- pohojnë drejtues të komunës.
Gjakova po ringrihet
Gjakovarët thonë se ashtu si më parë sërish do të jenë ndër komunat më të zhvilluara në Kosovë. Se dikur Gjakova kishte 40 ndërmarrje shoqërore me mbi 30 mijë punëtorë. Por tani në pak prej tyre ka mbetur diçka. "Se shumica e makinerive u grabitën nga serbët, ndaj ndërmarrjet tani u ngjajnë skeleteve",- thotë Pashtrik Selmani, ish punëtor i ndërmarrjes "Dukagjini".
Është kjo një nga arsyet që privatizimi po zvarritet. Ato ndërmarrje kanë qenë shoqëri aksionare, mirëpo AKP-ja (Agjencia Kosovare e Pronave) për një periudhë të gjatë nuk i ka pranuar si të tilla. Pas shumë debatesh janë dëshmuar si të tilla vetëm fabrika e elektromotorëve dhe fabrika "Dukagjini", që tashmë janë privatizuar",- thotë Hasan Ukshini.
Ndërsa ende 38 ndërmarrje të tjera ende kanë një status të pazgjidhur. Vetëm së fundmi po bëhen përpjekje që edhe ato të vendosen në treg. Por zvarritja e këtij procesi dhe dëmtimi i saj ndër vite ka bërë që kjo pronë publike në Kosovë të shitet me çmime mjaft të ulta. Të paktën këtë pohojnë specialistët.
Ndërsa biznesi privat është drejt zhvillimit. Vetëm në qytet janë mbi 2000 biznese të ndryshme private. "Edhe pse me vështirësi, pasi po bie fuqia blerëse",- thotë Gazmend Sherifi, një pronar i mallrave ushqimore.
Gjakovarët i kanë sytë nga e ardhmja. Këtë e tregon edhe fakti që përgjatë gjithë rrugës ndesh biznese të ndryshme, veçanërisht të ndërtimit. Ndërtimi është një nga bizneset kryesore. "Në komunën tonë kemi të regjistruar 47 firma të ndryshme ndërtimi e të prodhimit të materialeve të ndërtimit",- tregon Hasani, punonjës në policinë tatimore.
Komuna për vitin 2010 ka një buxhet prej 14 milion eurosh që, sipas drejtuesve të saj i mundëson një zhvillim solid. Në këtë drejtim ajo ka edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar, veçanërisht KFOR-it Italian, që është i pranishëm në këtë komunë që në qershorin e vitit 99. (trt-shqip)