"Buxheti i Komunës së Tetovës, për vitin e ardhshëm është planifikuar në vlerë prej 23 milionë e 700 mijë euro, që në krahasim me vitin 2008 është më i lartë për 40 për qind", deklaroi përgjegjësja për financa dhe buxhet në Komunën e Tetovës, Florije Myftari në seancën e fundit të Këshillit të Komunës së Tetovës, që u mbajt të mërkurën e kaluar.
Sipas saj rreth 50% e të hyrave janë nga transferet dhe donacionet që kryesisht janë për shkollat fillore dhe të mesme dhe se rreth 50 milionë denarë janë mjete dedikuar transportit të nxënësve.
"Nga të hyrat vetjake është paraparë që të sigurohen 40% e vlerës së përgjithshme të buxhetit.
Ndarë sipas zërave të shpenzimeve, 47% për qind janë mjete të dedikuara për rrogat e të punësuarve, jo vetëm në komunë, por edhe në shkolla, në çerdhen e fëmijëve si dhe në njësinë e zjarrfikësve në Tetovë, ndërsa 33% e mjeteve janë parashikuar për shpenzime kapitale", sqaroi Miftari.
Si projekt më i madh, që duhet të realizohet vitin e ardhshëm, është ndërtimi i ujësjellësit të Tetovës, për të cilin janë paraparë rreth 289 milionë denarë, pastaj 10 milionë denarë për ndërtimin e kolektorit për pastrimin e ujit të pijshëm, e kështu me radhë.
Në anën tjetër, vërejtja kryesore e këshilltarëve të opozitës kishte të bënte me faktin se për kulturë dhe sport janë ndarë shumë pak mjete, gjegjësisht vetëm 4.8 milionë denarë.
Megjithatë, sipas kryesuesit të Këshillit të Komunës së Tetovës, Resi Abdurahmani, kjo vjen si pasojë e faktit se ka pasur shumë pak projekte nga sfera e kulturës dhe sportit.
Në seancën e sotme këshilltarët miratuan edhe raportin e punës të Këshillit të Komunës së Tetovës për vitin 2008, propozimvendimin për mirëmbajtjen e pastërtisë publike, ndarjen e mjeteve subvencion për NP "Geoinzhenering", propozimprogramin për rregullimin e tokës ndërtimore të kësaj ndërmarrjeje si dhe propozim programin për rregullimin e tokës ndërtimore për "Geoinzhenering" për vitin 2009.
Në fund të seancës këshilltarët miratuan propozimprogramin për aktivitetet që do të mbahen me rastin e festës së Vitit të Ri 2009 në Komunën e Tetovës.