E mërkurë, 21.11.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në këtë konferencë, fjalë mbajti shefi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal në Komunën e Gostivarit, Pajtim Saiti i cili mes tjerash tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shkak se ka për qëllim rritjen e zhvillimit ekonomik të Komunës së Gostivarit.
U mbajt Konferenca për shfrytëzimin e potencialeve të Sektorit të turizmit në Komunën e Gostivarit



Komuna e Gostivarit si dhe Organizatat Joqeveritare “Karriera Ime” dhe Qendra për Zhvillim Malor nga Shkupi, organizuan sot në Gostivar Konferencës për shfrytëzimin e potencialeve të Sektorit të turizmit në Komunën e Gostivarit.

Në këtë konferencë, fjalë mbajti shefi i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal në Komunën e Gostivarit, Pajtim Saiti i cili mes tjerash tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shkak se ka për qëllim rritjen e zhvillimit ekonomik të Komunës së Gostivarit.

“Kam kënaqësi që sot në cilësinë e përfaqësuesit të Komunës të marr pjesë në këtë aktivitet të parafundit të projektit që Komuna e Gostivarit është duke e realizuar në bashkëpunim me organizatën “Karriera Ime” dhe Qendra për Zhvillim Malor nga Shkupi. Një projekt shumë me vlerë për promovimin e turizmit në Komunën e Gostivarit, projekti i cili është duke u realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar me Bashkinë e Korçës dhe të financiar nga Unioni Evropian”, tha mes tjerash Saiti.

Rreth realizimit të projektit foli përfaqësuesi i Qendrës për Zhvillim Malor nga Shkupi, Konstantin Ciriviri, i cili bëri me dije se: “Në suaza të projektit u ndërtuan dy shtigje malore për këmbësorë në Malin Sharr dhe Malin e Thatë në gjatësi rreth 180 kilometra, u vendos sinjalistika e nevojshme, u krijuan vendpushime, ulëse dhe tavolina, qo do të thotë u krijuan kushte që një turist i huaj do të fiton përshtypjen se ndodhet në një vend turistik evropian.

“Ekziston potencial natyror për krijimin e produkteve turistike. Po ashtu, përparësi është multikultura dhe që për një turist paraqet përjetim interesant. Dhe kjo mund të paraqet vetvetiu një produkt turistik. Elementi i tretë që është interesant është emri i qytetit dhe që aludon ngrohtësi dhe mikpritje. Në treg, për një operator turistik do të thotë një element i rëndësishëm dhe paraqet një trend që viset e tjera do të duhet ta krijojnë si traditë në 50 apo 60 vitet e ardhshme, kurse këtu e gjejmë si trashëgimi civilizuese” tha përfaqësuesi i Qendrës për Zhvillim Malor, qendër kjo partnere në realizimin e projektit. Ai tha se Gostivari për dy tre vite do të jetë në hartën kryesore për turizmin malor në nivel të shtetit.

Visar Ademi nga organizata partnere “Karriera Ime”, foli rreth analizës së bërë me sektorin e biznesit nga fusha e shërbimeve hoteliere dhe turistike. Ademi tha se janë hulumtuar përmes anketave 100 kompani vendore nga Gostivari.

“Pasuritë malore që janë në rajonin e Gostivarit duhet të kombinohen me ushqimin tradicional, me shërbime hoteliere dhe shërbime plotësuese në turizëm. Ne analizuan 100 kompani gostivarase kryesisht restorante, piceria, hotele, motele dhe agjenci turistike. I pyetëm se çfarë fuqish punëtore u nevojiten. Përgjigja e përgjithshme ishte se fuqia punëtore që atyre u nevojitet nuk është në nivelin e duhur, për shkak se u mungojnë kompetencat në arsim që atyre u nevojiten për tu kyçur direkt në punë”, tha mes tjerash Ademi i cili si zgjidhje për këtë ofroi krijimin e Qendrës së Karrierës në nivel të Komunës, organizimin e panairit të punës, por edhe sigurimin e fondit të bursave nga ana e kompanive për përgatitjen profesionale të kuadrove të talentuara dhe që në të ardhmen në bazë të marrëveshjes do të obligoheshin të punojnë tek kompanitë në fjalë për periudha të caktuara.

Ky aktivitetet erdhi si pjesë e projektit “Zhvillimi i Produkteve të integruara turistike për rritje të qëndrueshmërisë ekonomike të Gostivarit dhe Korçës, dhe paraqet projekt për bashkëpunim ndërkufitar të mbështetur financiarisht nga Unioni Evropian.

Qëllimi i përgjithshëm është të rritet zhvillimi ekonomik i Komunës së Gostivarit dhe Korçës përmes krijimit të kapaciteteve për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, përmes investimit në burimet njerëzore, intervenime të vogla në infrastrukturë dhe themelimi i sistemit për funksionim të integruar të gjithë aktorëve lidhur me turizmin.

Konferenca përmbyllëse e projektit do të mbahet më 11 Shkurt në Sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit, ku do të paraqiten të gjitha aktivitetet e realizuara në kuadër të këtij projekti.



Publikuar: 09.02.2016 | 21:06
Lexuar: 638 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime