E mėrkurė, 23.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kuadri ligjor i përmirësuar në fushën e barazisë gjinore është një hap i rëndësishëm, por sërish mbetet vetëm një hap, i cili duhet ndjekur me iniciativa të tjera konkrete që sigurojnë de facto një shoqëri të mundësive të barabarta.
Feminizimi i varfėrisė dhe fuqizimi ekonomik i grave





Eglantina Gjermeni

Statusi dhe pozicioni i grave në një shoqëri të caktuar varet drejtpërdrejt edhe nga niveli i zhvillimit dhe i demokracisë që ekziston në këtë vend. Statusi i gruas shqiptare, në këto 20 vite tranzicioni, është ndikuar e vazhdon të ndikohet nga niveli i zhvillimit ekonomik dhe social i shoqërisë shqiptare. Si rrjedhojë, të gjitha problemet sociale, me të cilat shoqëria shqiptare është përballur në periudhën e tranzicionit janë ndier thellësisht edhe nga gratë dhe vajzat.

Kuadri ligjor i përmirësuar në fushën e barazisë gjinore është një hap i rëndësishëm, por sërish mbetet vetëm një hap, i cili duhet ndjekur me iniciativa të tjera konkrete që sigurojnë de facto një shoqëri të mundësive të barabarta.

Në raport-progresin e Bashkimit Europian për Shqipërinë 2009 theksohet se: “barazia gjinore është e garantuar me ligj, por zbatimi i këtij kuadri ligjor edhe politikave është i pamjaftueshëm. Progresi i pjesshëm i arritur në fushën e të drejtave të grave, kryesisht me plotësimin e kuadrit ligjor nuk mund të jetë ai i duhuri, duke qenë se ekziston një hendek mes asaj që është shkruar në ligj edhe zbatimit të tij. Si në çdo fushë tjetër, zbatimi i ligjeve dhe monitorimi i zbatimit të tyre, mbeten sfidë e madhe për të gjitha institucionet e një shteti që po ndërton demokracinë”.

Ajo që shikojmë në realitetin tonë rëndom është që gratë dhe vajzat kanë përjetuar edhe përjetojnë varfëri, papunësi, diskriminim gjinor dhe moshor, përfaqësim të ulët në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, akses më të pakët në shërbime shëndetësore edhe sociale, dhunë në familje, etj., probleme të cilat tregojnë se jemi ende larg një shoqërie ku të drejtat e grave zbatohen dhe respektohen si pjesë e të drejtave të njeriut. Statistikat, studimet flasin për një diskriminim të dukshëm të grave në disa aspekte: pjesëmarrjen në tregun e punës, në diferencimin në sistemin e pagave, në nivelin e papunësisë, si dhe në qasjen ndaj pronës private.

Shpeshherë ndodh që gratë edhe vajzat pavarësisht arsimimit të tyre, për hir të shumë faktorëve kulturorë, socialë, ekonomikë nuk arrijnë të përfitojnë frytet e dijes së tyre, në tregun e punës. Gjetja edhe ruajtja e një balance mes jetës personale edhe profesionale mbetet në fakt një sfidë e madhe për gratë, duke ndikuar në angazhimet e tyre dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në tregun e punës. “Tavani i qelqtë” apo një lloj pengese “e padukshme” pengon promovimin dhe rritjen e tyre në karrierë, duke i mbajtur gratë dhe vajzat në pozicione më të ulëta edhe më pak të paguara.

Arritja e barazisë gjinore u bë një nga 8 Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara në Samitin e Mijëvjeçarit në Nju Jork në vitin 2000. Një nga konkluzionet e këtij samiti ishte se zhvillimi i asnjë vendi nuk mund të konsiderohet i kënaqshëm, nëse gratë dhe burrat nuk marrin pjesë plotësisht në vendimmarrje, në jetën ekonomike dhe sociale, në tregun e punës, në arsim etj.

Një nga aspektet kryesore për plotësimin e objektivit të tretë të mijëvjeçarit, arritjes së barazisë gjinore, është fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave. Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave mund të arrihet përmes krijimit të mundësive të punësimit, ofrimit të kredive lehtësuese për sipërmarrje, nxitjes dhe mbështetjes së grave sipërmarrëse, mosdiskriminimit në tregun e punës, uljes së informalitetit të punës së grave, krijimit të kushteve lehtësuese për kujdesin ndaj fëmijëve, ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale, etj. Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në minimizimin e rasteve të dhunës në familje, trafikimit të grave dhe vajzave dhe problemeve të tjera sociale. Grupe të veçanta të grave siç janë gratë e moshuara, gratë me aftësi të kufizuara, gratë e zonave rurale, gratë rome, gratë viktima të dhunës në familje apo trafikimit duhet të vazhdojnë të trajtohen me përparësi si grupe me nevoja specifike, për të siguruar fuqizimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Viti 2010 është konsideruar nga Bashkimi Europian si viti i luftës kundër varfërisë dhe përjashtimit social. Duke qenë se Shqipëria është një vend i cili kërkon të integrohet në Bashkimin Europian, politikat tona të punësimit do të jenë në përputhje me direktivat e BE-së dhe standardet e Strategjisë së Lisbonës për punësimin. Modeli i mbrojtjes shoqërore që duhet të synojmë është flexicurity, kombinim i fleksibilitetit për punëdhënësit me mbrojtjen e sigurinë për punëmarrësit.

Ajo që duhet të arrijmë është krijimi i mundësive të barabarta në tregun e punës, eliminimi i diskriminimit gjinor dhe moshor në punësim, eliminimi i diskriminimit gjinor në paga e shpërblime dhe rritja e fleksibilitetit në tregun e punës për të dy prindërit, sidomos për nënat të cilat vazhdojnë të luajnë rolin kryesor të përkujdesjes në familje.

Nxitja e iniciativave sipërmarrëse të grave dhe promovimi i modeleve të suksesshme të tyre, duhet konsideruar si një përqasje proaktive për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave, jo thjesht të tyre si sipërmarrëse, por edhe atyre grave edhe vajzave që ato punësojnë.

Forcimi i rolit të institucioneve shtetërore dhe jofitimprurëse që mbrojnë të drejtat e njeriut në përgjithësi edhe të grave në veçanti do të bëjnë të mundur minimizimin e diskriminimit në tregun e punës edhe në përgjithësi në shoqërinë shqiptare.

Përvoja e vendeve të zhvilluara tregon se çelësi i suksesit është rishpërndarja e pushtetit, përkujdesjes dhe punës mes grave dhe burrave. Ky qëllim edhe vetë zhvillimi i shoqërisë mund të arrihet vetëm nëse shteti, në bashkëpunim me organizatat e punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe me partnerë të tjerë socialë hartojnë reforma dhe struktura që lehtësojnë këtë proces. Këto struktura i lejojnë gratë dhe burrat të zgjedhin të dyja mundësitë të kenë familje e fëmijë, si edhe jetë profesionale edhe të ardhura përmes punës.

Përmes integrimit gjinor në politika edhe strategji të lidhura me tregun e punës, synohet që gratë edhe burrat të kenë mundësi të barabarta dhe askush prej tyre mos të diskriminohet për shkak të gjinisë. Instrumentet kryesore për integrimin gjinor në strategjitë për zhvillim janë në fakt strategjitë për uljen e varfërisë dhe zhvillimin ekonomik, politikat e shpenzimeve publike, si dhe shprehja e tyre në buxhetin kombëtar. Në këto kushte, integrimi gjinor në buxhetin kombëtar, duke krijuar një zë të ndjeshëm gjinor, nuk do të thotë që të krijohet një buxhet i veçantë për gratë apo për burrat, por përfshin një përpjekje për të ndarë sipas përkatësisë gjinore shpenzimet sipas ndikimit të ndryshëm që kanë te gratë dhe burrat, si dhe duke ndërmarrë veprime të cilat i përgjigjen apo adresojnë këtë ndikim të ndryshëm. Ky instrument ka lindur si rezultat i një kuptimi gjithnjë e më të mirë se politikat makroekonomike dhe sektoriale nuk mund të jenë parimisht neutrale nga pikëpamja gjinore, ndërkohë që praktikisht kanë efekte të ndryshme te gratë dhe burrat.

Kur diskutojmë për barazi gjinore edhe shoqëri të mundësive të barabarta, e gjithë çështja në fakt, nuk qëndron vetëm “se si të shtojmë numrin e grave” nëpër fusha të ndryshme, por si të ri-formatojmë në mënyrë konkrete këto procese për të krijuar hapësirën e duhur për përfshirjen reale dhe të barabartë të grave dhe burrave. Kjo mendoj dhe besoj se duhet të jetë ajo çka duhet bërë në familje, në shoqëri, në komunitet, në parti politike, në qeveri dhe padyshim ne Parlament.

Publikuar: 06.07.2010 | 14:20
Lexuar: 740 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime