Nga ana tjetër, dy fëmijët, Argita dhe Shkëlzeni kanë pasur një vit të mirë financiar pasi punët u kanë ecur në mënyrë pothuajse perfekte.
Kriza ekonomike që ka përfshirë Shqipërinë dhe të gjithë botën duket se po ndikon shumë në familjen e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Bashkëshortja e tij, Liria, ka dalë në pension dhe tashmë merret vetëm me fondacionin e saj por në deklarimin zyrtar të pasurisë nuk shënohet asgjë për këtë fondacion. Liri Berisha shënohet si pensioniste ndërsa llogaritë e shumta bankare të familjes Berisha lëvizin me shifra minimale. Nga ana tjetër, dy fëmijët, Argita dhe Shkëlzeni kanë pasur një vit të mirë financiar pasi punët u kanë ecur në mënyrë pothuajse perfekte. "Shekulli" publikon sot ekstraktin e deklarimit zyrtar të pasurisë të plotësuar nga vetë Sali Berisha dhe familja e tij, Liria, Argita e Shkëlzeni.
Sali dhe Liri Berisha
Fakti që bashkëshortja e kryeministrit ka dalë në pension duket si një zhvillim jo fort i vogël për familjen Berisha. Mjekja Liri Berisha ka hapur një llogari ku merr pensionin dhe gjatë një viti aty janë grumbulluar 304.461 lekë të reja. Siç e kemi vënë në dukje edhe vitet e shkuara, çifti kryeministror zotëron edhe tetë llogari të tjera bankare në banka dhe valuta të ndryshme. Gjatë këtij viti këto llogari kanë pasur vetëm lëvizje shumë minimale. Kështu, lëvizja më e madhe finaciare e kryer nga familja Berisha është shtimi me 20.215 lekë të reja e një llogarie bankare. Llogaria e dytë është pakësuar me 1800 lekë; llogaria e tretë është shtuar me 0.96 lekë. Pothuajse në këto shifra lëvizin të gjitha uljet dhe ngritjet e llogarive bankare të kryeministrit. Të dhënat zyrtare të publikuara nga kryeministri tregojnë për një aktivitet financiar shumë të ulët. Lëvizja më e madhe financiare e kryer prej tij ka rezultuar me pakësimin e 889 eurove nga një llogari bankare në valutë. Këto shifra tregojnë se famija e kryeministrit ndodhet në krizë ose kryeministri po shpenzon të gjitha paratë që merr dhe nuk ka mundësi të kursejë. Burimet zyrtare financiare të familjes së kryeministrit janë: të ardhura nga para e shpërblime në shumën 2.200.486 lekë në vit; të ardhura nga dietat jashtë vendit 3.040 euro dhe 1.600 dollarë si dhe pensioni i Liri Berishës.
Shkëlzen Berisha
Por kur vjen puna tek Shkëlzen Berisha, shifrat marrin vlera të tjera. Ndryshe nga i ati, Shkëlzeni arrin të kursejë shuma të konsiderueshme parash dhe nga dita në ditë po kupton se është një biznesmen shumë i mirë në fushën e tregtisë së pronave. Në deklarimin e tij të pasurisë, Shkëlzen Berisha ka shënuar se llogaritë e tij janë rritur me 473.550 lekë të reja; 308.599 euro dhe 11.360 korona suedeze. Nga ana tjetër, djali i kryeministrit ka blerë një makinë të përdorur në shumën e 18 mijë eurove. Për sa i takon burimit të të ardhurave, djali i kryeministrit shënon në deklarimin e tij zyrtar se nga aktiviteti i tij në fushën e pasurive të paluajtshme ka fituar 200 mijë euro ndërsa nga konsulencat juridike ka fituar rreth 800 mijë lekë të reja.
Argita Berisha Malltezi
Vajza e kryeministrit këtë vit i ka dhënë fund studios së saj të avokatisë. Studioja ishte bërë e njohur për të gjithë shqiptarët pasi ishte konsulentja e të gjitha investimeve të dyshimta duke nisur nga çështjet e Damir Fazlliç por tashmë kjo studio nuk ekziston më. Në ditën e mbylljes ajo kishte gjendje 419543.54 lekë. Edhe pse ka mbyllur studion ku merrta nga 250 deri në 300 euro për orë, paratë e Argita Malltezit sa vijnë dhe shtohen. Ajo disponon tetë llogari bankare ku më e madhja është shtuar me 1.708.602 lekë të reja. Llogaritë e tjera janë shtuar me 10.849 euro; 4.120 euro; 4.599 euro; 6.683 euro; 5.045 euro etj. Një tjetër shtesë në pasurinë e zonjës Malltezi është edhe veranda me një sipërfaqe 59 m2. Kjo verandë ndodhet në shtëpinë ku banon Argita Malltezi, në të njëjtin pallat me Sali Berishën, dhe ka kushtuar 70 mijë euro, të cilat janë paguar në prill 2010. Për sa i përket të ardhurave, Argita Malltezi është paguar 993.800 lekë të reja si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë dhe 5550 euro për tre muaj punë në një shkollë private. Si një pronare pasurish të paluajtshme që është, Argita Malltezi ka marrë 15.120 euro nga qiratë e banesave.
Meta-Kryemadhi, vetëm paga zyrtare
Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, është një nga politikanët që pothuajse nuk ka pasur aktivitet financiar gjatë vitit 2009. Në deklarimin e tij zyrtar të pasurisë janë shënuar vetëm të ardhurat nga paga ndërsa në atë të të shoqes janë shtuar rreth 200 mijë lekë të reja. Kështu Meta ka shënuar se të ardhurat e familjes së tij kanë qenë paga si deputet dhe zv/kryeministër, e cila për një vit kap shumën e 1.237.317 lekëve të reja. Kësaj page i shtohen edhe të ardhurat nga pjesëmarrja në komisionet e Kuvendit që janë në shumën 662.874 lekë të reja. Ndërkohë, Monika Kryemadhi kanë qenë anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë në shumën e 314.077 lekë të reja dhe të ardhurat 158.773 lekë të reja për dy muaj punë si sekretare organizative e LSI-së në periudhën nëntor dhjetor 2009
Rama, vetëm paga dhe kredia e shtëpisë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është një ndër politikanët me aktivitetin më të pakët financiar gjatë vitit 2009. Në deklaratën e tij zyrtare është shënuar se gjatë këtij viti atij i janë pakësuar dy llogaritë bankare në shumën 30.900 lekë të reja dhe 1.859 euro. Të ardhurat vjetore të kreut të PS-së janë paga prej 1.678.364 lekë të reja dhe një pagesë prej 9 mijë lekësh për mbledhjet e KRRT. Gjatë vitit të kaluar, kryesocialisti dhe kreu i Bashkisë së Tiranës ka preferuar të mos kryejë as lejen vjetore. Për këtë arsye ai është paguar me 90.409 lekë të reja. Në deklarimin e tij të pasurisë është shënuar edhe kredia e vjetër që ka marrë ai për shtëpinë. Sipas deklarimit zyrtar, Edi Rama ka për të paguar edhe 1.034.553 lekë të rej për kredinë e shtëpisë.
Topalli, zyrtarja më e paguar në Shqipëri
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është zyrtarja më e paguar në Shqipëri dhe për këtë arsye edhe kursimet e saj zyrtare janë më të lartat. Në deklaratën e pasurisë, Topalli ka shënuar se llogaria e saj bankare është shtuar me 1.682.703 lekë të reja. Ndërkohë, kursimet e tjera që ka së bashku me bashkëshortin i mban në shtëpi dhe janë 1.400.000 lekë të reja CASH. Të ardhurat e saj personale janë 3.114.910 lekë të reja nga paga dhe shpërblimet si kryetare e Kuvendit. Por Topalli ka përfituar edhe një shpërblim prej 1.600.000 lekësh të reja si familje e përndjekur. Në listën e shpenzimeve është shkolla e vajzës së saj Margerita në Strasburg. Për Margeritën, Topalli paguan 800 mijë lekë të reja në vit. Nga ana e saj Margerita ka nisur të bëhet një biznesmene e re dhe sapo ka blerë një sipërfaqe toke prej 750 metrash katrorë në Velipojë. Kjo tokë ka kushtuar vetëm një milion lekë.
Par ai që realisht luan paratë në familjen Topalli është Ndoci, bashkëshorti i Jozefinës. Në depozitën e tij në një bankë ndodhen 107.647 lekë të reja. Në një tjetër depozitë janë shtuar vetëm interesat dhe gjendja është 278.908 lekë të reja. Një Listë e gjatë e llogarive shënon 10.667 dollarë; 5.831 euro; 268.450 lekë të reja; 2.879 dollarë; 5.430 euro; 179.319 lekë të reja dhe 91.909 lekë të reja. Ndoc Topalli ka sqaruar edhe çështjen e një prone të vjetër, në të cilën ai zotëron 385 m2 sipërfaqe banimi dhe ambiente të tjera. Të ardhurat e tij janë 13 mijë euro nga qiratë dhe 640.000 lekë nga puna si noter.
Presidenti Topi ndërton shtëpinë e re në Shkozë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është duke ndërtuar një shtëpi të re në Shkozë të Tiranës. Sipas deklarimit zyrtar të pasurisë, banesa do të jetë dy kate mbi tokë dhe një nën tokë, secili kat ka sipërfaqe prej 288 m2. Banesa pritet që të ndërtohet për katër vjet dhe deri më tani për të janë shpenzuar 3.5 milionë lekë të reja. Njëra llogari e presidentit Topi është shtuar me 11.658 lekë të reja ndërsa një tjetër është pakësuar me 608.411 lekë të reja. Edhe gjendja e parave në shtëpi është pakësuar me një milion lekë të reja. Të ardhurat e familjes presidenciale janë paga dhe shpërblime të presidentit në shumën 2.483.564 lekë të reja, të ardhurat nga paga e bashkëshortes 904.598 lekë të reja dhe të ardhurat nga paga e vajzës, Nada, prej 229.526 lekësh të reja. Për vajzën Nada, Presidenti ka shpenzuar edhe dy mijë euro si pagesë për shkollën e saj. Një tjetër pagesë e presidentit Topi është edhe ajo e një kredie të vjetër për strehim. Gjatë një viti janë paguar 57.600 lekë dhe kanë mbetur për tu paguar edhe një milion lekë.
Basha, ministri që nuk luan asnjë llogari bankare
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, duhet të ketë ndonjë inat të vjetër me bankat pasi përgjatë vitit 2009 ai nuk ka pasur asnjë lëvizje në llogaritë bankare. Në deklarimin zyrtar të pasurisë Basha ka shënuar vetëm pagën si ministër, 1.639.212 lekë të reja. Bashkëshortja e tij ka fituar nga puna në Holandë vetëm 11.389 lekë. Kjo është faqja e vetme e deklarimit të pasurisë të Lulzim Bashës. (shekulli)