Valët e detit të përkrahura nga era, lëviznin ujin drejt bregut që dukej sikur trazonin detin, derisa shumë turistë pushonin në rërën përskaj e disa të tjerë notonin në det. Pushuesit kosovarë shprehen se edhe pse udhëtimi i mundimshëm prej mbi tetë orësh, harrohet kur arrihet në Ulqin.
Fundi i qershorit ishte më i qetë në bregdetin e Ulqinit, pasi që nuk kishte shumë pushues nga Kosova dhe vende tjera, për shkak të ditëve të freskëta dhe jo të përshtatshme për turizëm dhe pushime. Ndërsa korriku pritet të jetë fillimi i vërsuljes së pushuesve drejt plazheve me rërë të Ulqinit.
Në plazhin e vogël tashmë janë renditur shtretërit të mbuluar me mbuloja në forma ombrellash të llojllojshme nga punonjësit e këtij vendi bregdetar.
Valët e detit të përkrahura nga era, lëviznin ujin drejt bregut që dukej sikur trazonin detin, derisa shumë turistë pushonin në rërën përskaj e disa të tjerë notonin në det. Pushuesit kosovarë shprehen se edhe pse udhëtimi i mundimshëm prej mbi tetë orësh, harrohet kur arrihet në Ulqin.
Diana Berisha nga Prishtina, e cila kishte shkuar me shokë dhe shoqe për të pushuar në plazhet e Ulqinit, thekson se janë bërë disa ndryshime të vogla, duke filluar nga pastërtia, mirëpo sipas saj, çmimet mbeten ato të vitit paraprak.
Çdo vit i kaloj pushimet në Ulqin, mirëpo kësaj radhe vërehet një pastërti më e madhe në plazh dhe qytet. Ndërsa sa u përket çmimeve nuk janë edhe të ulëta, të cilat dallojnë nga restorantet e ndryshme, thotë Berisha, e cila me të shpejt futet në ujin e kripur për tiu shmangur vapës, të cilën e shoqëronin shokët dhe kolegët e saj për tu freskuar. Ndërkaq mbrëmjeve deri në mes të natës dëgjohej muzika dhe zëri i këngëtarit kosovar, Afrim Muçiqi, duke i përshëndetur mysafirët e restorantit Hollegro, të cilët vallëzonin nën ritmin e muzikës.

Çmimi i shtratit për person në sektorin privat jashtë sezonit është 42 euro për 7 ditë, përkatësisht 6 euro në ditë, ndërsa gjatë sezonit nga 1 korriku deri me 31 gusht, çmimi do të jetë më i lartë nga 70 deri në 77 euro. Ndërsa paketaranzhmanet për 7 ditë, ku përfshihet akomodimi në hotele jashtë sezonit turistik do të jetë me një çmim prej 72 deri në 154 euro, ndërsa gjatë sezonit nga 155 deri në 280 euro, ofertë kjo e cila përfshinë hotelet e kategorisë me 2 dhe 4 yje.
Në Plazhin e Vogël ombrella me dy shtretër për rrezitje kushton 5 euro, kurse vetëm ombrella 2 euro, ndërsa në Plazhin e Madh një ombrellë me dy shtretër kushton 5-7 euro. Drejtuesit e komunës së Ulqinit thonë se edhe këtë vit kanë bërë të gjitha përgatitjet për pushime verore në bregdetin e kësaj të fundit.
Sipas tyre edhe për kundër krizës ekonomike globale, sa i përket turizmit atë që e ofron Ulqini me një kosto të arsyeshme, nuk mund ta gjesh në ndonjë adresë tjetër. Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit, ka theksuar se koha e papërshtatshme ka ndikuar që disa ditë të jetë numri më i vogël i turistëve.
Ai ka thënë se përpos plazheve, qendra e Ulqinit ka pamje të re, rrugët me kalldrëm dhe është bërë hapja e disa krojeve që janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Ulqinit, si dhe siguria për pushuesit është në maksimum.
Në plazh të vogël ka pasur punime dhe tashmë ajo ka një pamje të re, pasi që janë hequr disa gjëra të cilat e kanë shëmtuar plazhin. Disa plazhe kanë marrë çmime për standarde të larta, të cilat janë konkurruese në bregdetin e Adriatikut, shprehet Hajdinaga. Qytetarët e Kosovës, sipas tij, nuk do të shkojnë në Ulqin vetëm për plazhe, por edhe për të pasur një gërshetim të jetës kulturore me aktivitete tjera.
Ai ka theksuar se numri i kosovarëve në Ulqin vazhdon të jetë në përqindje të mirë, e që sipas tij, viteve të fundit nga muaji korrik në gusht pesëfishohet numri i tyre. Edhe këtë vit 60 përqindëshin e turistëve të përgjithshëm në këtë vend do ta bëjnë qytetarët nga Kosova, shprehet ai, duke thënë se Ulqini këtë vit do të ketë mbi 120 mijë shtretër për pushuesit.
Ndërsa sa u përket komplekseve hoteliere shtetërore, i pari i Ulqinit ka thënë se në përgjithësi janë privatizuar, përpos Rivierës së Ulqinit, e cila ende nuk është privatizuar. Edhe pse nuk janë të kënaqur me procesin e privatizimit, sipas tij, pritet që oferta e turizmit të jetë më mirë për Ulqinin.
Hotelet të cilat janë privatizuar pritet të fillojnë të ndërtojnë dhe të arrijnë standarde të niveleve të larta dhe të kenë një ofertë sa më të mirë për Ulqinin, ka thënë ai.
Ulqini, sipas Hajdinagës, dallohet nga vendet tjera për arsye se qytetarët e këtij vendi në shtëpitë e tyre të cilat mund të quhen mini-hotele, ofrojnë kushte të mira. Kjo sintezë e Ulqinit me një kapacitet të lartë për pushuesit në sektorin privat dhe me standarde të mira, do ta bëjë vendin të ketë ofertë joshëse, ka thënë ai.
Ndërsa ndërtimi i autostradës Shqipëri-Kosovë, sipas tij, do të jetë në favor dhe do të ndikojë pozitivisht për Ulqinin, pasi që rruga për në bregdet është më e shkurtër. (zëri)