Në një intervistë për Lajm kryetari i subjektit politik më të ri në Maqedoni, Imer Selmani flet për synimet e Demokracisë së Re, bashkëpunimin me subjektet e tjera politike, dhe çështje të tjera që i tangojnë shqiptarët. Ai dyshon se ofensiva ndaj ish ushtarëve të UÇK-së mund të jetë bërë me një koordinim mes Shkupit dhe Beogradit zyrtar.
Anila LIMANI
LAJM: Në anketën e fundit të IRI-t , partia juaj edhe pse shumë e re gëzon një besueshmëri prej tre për qindtëve, duke ia kaluar edhe PDSH-së, që konsiderohet si partia më e madhe e opozitës. Nga vjen ky sukses i menjëhershëm?
Selmani: E para është puna jonë profesionale që të bëjmë një fushatë të mirëfilltë politike dhe e dyta duke inkuadruar në strukturat partiake gjithë shtresat sociale politike, shtresat intelektuale dhe gjithë shtresat e tjera që kanë një vullnet të mirëfilltë për gjendjen këtu. Partia jonë bën promovimi i një ideje që para së gjithash ka ndërtimin e dialogut dhe mirëbesimit brenda shqiptarëve, por edhe dialogut dhe besimit mes shtresave të tjera. Pikësynimi ynë është që të hymë në zgjedhjet lokale dhe të dalim me një numër të konsiderueshëm të votave që do të jetë një refleks dhe një ndryshim në opozitën shqiptare. Ne jemi të vetëdijshëm se një parti politike për gjashtë muaj nuk mund të arrij kulmin e sukseseve, por me një punë të përpiktë shumë profesionale dhe të përkushtuar drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë ato, do tia arrijmë qëllimit.
LAJM: A do të dilni me kandidat tuajin në zgjedhjet presidenciale?
Selmani: Organet e partisë akoma nuk kanë vendosur, do të kemi edhe disa mbledhje intensive ku do të ndërtojmë qëndrim, nëse do të kemi kandidat për president shteti. Ambienti i përgjithshëm është mjaft pozitiv dhe fitorja e Obamës ndikon edhe tek ne.
LAJM: A jeni të gatshëm që të bashkëpunoni me subjektet e tjera politike?
Selmani: Çështjet e pa zgjidhura të shqiptarëve janë synimi ynë dhe në këtë fushë pranojmë çdo lloj bashkëpunimi. Në lidhje me këto çështje do të iniciojmë edhe
bashkëpunimin mes partive politike. Ne kemi filluar një dialog të mirëfilltë me partitë e tjera politike shqiptare, me disa kemi pas takime të shpeshta, por kemi pas takime edhe me fokus grupe të qytetarëve shqiptarë që prezantojnë një numër të madh njerëzish. Ato para së gjithash vijnë nga shoqatat joqeveritare, besoj se shumë shpejt me një memorandum të hapur do të realizojmë synimin tonë të një bashkimi ose unifikimi të qëndrimeve, sa i takon disa çështjeve mbipartiake.
LAJM: Arrestimet dhe bastisjet e familjeve të ish ushtarëve të UÇK-së që ndodhën në Maqedoni dhe më pas në Luginën e Preshevës a mund të jenë bërë me një koordinim mes Shkupit dhe Beogradit?
Selmani: Nuk desha të besoj se ka një koordinim zyrtar mes Maqedonisë dhe Serbisë, por një fjalë e urtë popullore thotë se peri i ngjan gëzofit dhe në këtë rast një bastisje serike që ngjau në Maqedoni dhe pastaj edhe në Luginën e Preshevës i ngjan një situate ku mbas 7-8 viteve krijohet një ambient, ti themi shtetëror kundër familjeve të anëtarëve të ish UÇK-së. Aksioni nuk është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, nuk është në frymën e amnistisë, nuk është në frymën e tolerancës që duhet krijuar. Normal se të gjithë jemi të barabartë para ligjeve, qoftë ish -ushtarët, qoftë qytetarët e rëndomtë, mirëpo targetimi ose fokusi i akuzave dhe bastisjeve vetëm kundër familjeve të ish-ushtarëve është shumë indikativ. Ne disa herë me radhë i kemi dënuar këto dhe do të vazhdojmë që ti dënojmë, veçanërisht në momentet kur kemi pasur gjykime të njëpasnjëshme, ku procedurat ligjore nuk janë të përpikta deri në fund dhe ka pas një ambient ku shumica e shqiptarëve kanë besuar se ligji për amnisti nuk është respektuar.
LAJM: Ku qëndron zanafilla e bastisjeve masovike që ndodhën pak kohë më parë?
Selmani: Një fakt që i inkurajoi institucionet shtetërore që të marrin masa të tilla ishte momenti i marrjes së imunitetit të dy deputetëve që vijnë nga ish UÇK-ja. Ky ishte alarmi i parë kur atyre iu tërhoq imuniteti dhe maxhoranca shqiptare edhe pse i kishte deputetë të saj nuk votoi kundër tërheqjes së imunitetit, por në heshtje e përkrahën një akt të tillë. Besoj se aty ishte zanafilla dhe inkurajimi i shumë institucioneve apo individëve të tjerë që të fillojnë me bastisjet masovike.